E premte, 26.04.2024, 11:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Teuta Shala-Peli: Shtypi i mërgatës i trajtuar në një monografi shkencore

E shtune, 30.04.2011, 07:57 PM


SHTYPI I MËRGATËS I TRAJTUAR NË NJË MONOGRAFI SHKENCORE

 

(Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, “Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare 1945-1999”  III, botoi “Libri shkollor”, Prishtinë 2011, f. 323)

 

Nga MA. Teuta SHALA –PELI

(Asistente ne Institutin e Historisë-Prishtinë)

 

Këto ditë studiuesja Prof.dr. Sabile Keqmezi-Basha, botoi librat  “Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare 1945-1999” II dhe III. Librat në fjalë janë frytë i një pune të gjatë e shumëvjeçare dhe gjatë leximit vërehej se është e punuar me një përkushtim të madh të autores ku në dy vëllime mjaft voluminoze ka arritur që të trajtoi shtypin e botuar jashtë Kosovës duke përfshirë një periudhë mjaftë të gjatë kohore 1945-1999. Vazhdimisht duke iu referuar autores, se për të botuar këto dy monografi ajo ka bere hulumtime të shumta në arkivat e ndryshme të vendit dhe të mërgatës, po ashtu edhe në arkivat e personaliteteve të kohës duke sigurua numra të shumtë por që assesi nuk ishin të sistemuara dhe të grumbulluara në një vend.

Është evidente se rezultatet shkencore të publikuara në këto libra hedhin dritë për rolin e madh që luajti shtypi i mërgatës në informimin e drejtë, senzibilizues dhe të denjë jo vetëm të mërgatës shqiptare por edhe të opinionit të huaj përkatësisht të atyre vendeve ku dilnin gazetat pra  aty ku vepronte e punonte mërgata shqiptare, duke informuar për situatën në të cilën ndodheshin shqiptarët jo vetëm në Kosovë por edhe në viset e tjera në ish-Jugosllavi.

Në këtë vështrim do të fokusohesha tek pjesa e tretë e librit “Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-1999) III, i cili është i mbarështuar në 323 faqe dhe i ndarë në tri pjesë.  Në të dendur analizohen gazetat: “Qindresa shqiptare”; “Krahu i Shqiponjës” dhe “Kosovarja e Re” të cilat janë botuar jashtë Kosovës, si në SHBA, Francë, Turqi e Australi, duke filluar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Temat që trajtoheshin në këto gazeta krahas problemeve të shumta që kishte mërgata shqiptare, kujdes e rëndësi e veçantë i është kushtuar padrejtësive të shumta politike, varësisht nga situatat e krijuara brenda përbrenda kreatorës jugosllave, nëpër të cilat po kalonte Kosova në veçanti, e shqiptarëve në përgjithësi duke pasur një rolë të rëndësishëm në informimin e drejtë të gjendjes së krijuar nga vinin ata, dhe duke bërë sensibilizimin e mërgatës shqiptare për dhunën dhe padrejtësitë e shumta  që po i bëheshin popullit shqiptarë në Kosovë e në viset tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi, nga pushtetarët okupues. Krahas ngjarjeve në Kosovë këto  gazeta nëpërmes shkrimeve të tyre përcillnin me vëmendje dhe me shqetësim te madh edhe zhvillimet politike, ekonomiko, shoqërore të shqiptareve në të gjitha trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi.

Siç thekson në përmbajtje të librit vetë autorja, temat që trajtoheshin në shtypin e mërgatës shqiptare, gjatë tërë kohës ishin unike. Asnjëherë nuk u hetua ndonjë ndarje me kufij, siç ishin në të vërtetë të ndara trojet tona etnike. Madje shkrimet e botuara në kuadër të shtypit të mërgatës shqiptare luajtën rolë të rëndësishëm në edukimin atdhetar të shqiptarëve ngado që vinin dhe kudo që ndodheshin, duke mbajtur ndezur dashurinë e madhe për atdheun dhe fatin e tij.

Libri  “Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-1999) III, siq e ceka edhe më lartë  është i ndarë në tre kapituj, ku në secilin veç e veç analizohen gazetat qe dilnin nëpër vende të ndryshme atje ku jetonte dhe vepronte mërgata shqiptare.

Kapitulli i parë ndahet në 24 nënkapituj, në kuadër të të cilëve trajtohet gazeta “Qindresa Shqiptare” e cila ishte organi kryesor informativ i organizatës politike “Komiteti Kombëtar Demokratik “Shqipnija e Lirë”. Kjo gazetë dilte në Parisë nën udhëheqjen e Abas Ermenji,  veç që botohej në gjuhën shqipe ajo botohej edhe në gjuhën angleze. Shkrimet që trajtoheshin aty zakonisht kishin në fokus situatën politike në Shqipëri, në Kosovën e robëruar ( kështu e quanin mërgimtarët tonë në shtyp), dhe në të gjitha trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi.

Në këtë kapitulli në mesin e shumë çështjeve që trajtohen janë edhe ato që kanë të bëjnë me  presionet dhe persekutimet që u  bëheshin shqiptarëve  në ish-Jugosllavi. Po ashtu kjo gazetë në shkrimet e saj njofton opinionin se si pasoj e dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi fillon me të madhe largimi i shqiptarëve nga vatrat e tyre stërgjyshore. Madje në një artikull të gazetës “Qindresa Shqiptare” shkruante se të detyruar nga dhuna e terrori që ushtrohej ndaj tyre në Kosovë, vetëm brenda një dite për në Francë nga Jugosllavia kanë ardhur mbi 60 refugjatë shqiptarë.

Kapitulli i dytë “Trajtimi i çështjes së gruas shqiptare në revistën ilegale “Kosovarja e Re” të Bashkimit të gruas kosovare (LRSSHJ) në Kosovë”, trajton revistën  “Kosovarja e Re” në kuadër të të cilës trajtohet  veprimtaria e gruas ne jeten ilegale.

Për angazhimin e grave në zgjidhjen e çështjes së Kosovës ato gjykojnë se zgjidhja e çështjes së Kosovës do të ishte më e drejtë po të bëhej në mënyrë më demokratike e ligjore dhe këto synime donin që të ndiqeshin, por, thonë ato, armiqtë tanë po i shtojnë masat e terrorit dhe në këtë mënyrë po na detyrojnë që të ashpërsojmë kursin, se as ne nuk do të rrimë duarkryq, derisa ata po na i vrasin bijtë tanë. Për këtë edhe do të hakmerremi.

Edhe në faqet e revistës “Kosovarja e Re”, shpërngulja e shqiptarëve nga trojet e tyre zinte vend më rëndësi. Në artikujt e kësaj reviste në  mënyrë kronologjike përshkruhet dëbimi i shqiptarëve me dhunë nga trojet shqiptare, duke filluar që nga viti 1878 e deri më 1984. Aty ofrohen  të dhëna statistikore  për shpërnguljet që janë bërë nga Sanxhaku i Nishi për në brendi të Kosovës, si dhe për shpërnguljet për në Turqi e në shtete të tjera.

Revista në fjalë informon edhe për metodat që përdoreshin për shpërnguljen e shqiptarëve si: proceset e montuara politike ndaj shqiptarëve, aksioni i mbledhjes së armëve etj, madje kjo revistë informon se  serbomëdhenjtë kishin shkuar aq larg  duke shpikur edhe dy parulla që kishin konotacione shumë të rrezikshme, si: “Presioni i shqiptarëve për shpërnguljen e serbëve e malazezve nga Kosova Qendrore” dhe “Kosova etnikisht e pastër”.

Në kapitullin e tretë të librit “Revista “Krahu i Shqiponjës”, informatore e denjë në botën e lirë për gjendjen në Kosovë”, autorja i qaset trajtimit të revistës  Krahu i Shqiponjës të cilën e nxirrte atdhetari, i njohur çam, Bilal Xhaferri.

Revista “Krahu i Shqiponjës”, në fillimet e saj kryesisht kishte botuar shumë poezi dhe prozë. Mirëpo, me kalimin e viteve, “Krahu i Shqiponjës” kishte filluar të botonte edhe tema me karakter politik, sidomos pas viteve të 80-ta të shekullit XX dhe pas ngjarjeve të pranverës kosovare të vitit 1981.

Edhe revista “Krahu i Shqiponjës”, kontribuoi mjaft në informimin dhe sensibilizimin jo vetëm të mërgatës shqiptare por edhe më gjerë sidomos për shkeljen e të drejtave më elementare njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Kosovë, nga ana e pushtetarëve serbë.

Dhe krejt në fund mund të themi se librin “Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-1999) III”, gjithashtu monografinë e bënë edhe më të begat aparatura shkencore si: Burimet e literatura, Rezymeja,  Treguesi i emrave të  njerëzve dhe atyre gjeografikë, si dhe  fotografit e faksimilet e shumta.

Duke përfunduar këtë vështrim do të veçoja se libri në fjalë për nga përmbajtja, mënyra se si autorja i është qasur problemeve të shumta duke filluar që nga fillimet e këtyre gazetave për të vazhduar me analizimin veç e veç të përmbajtjes së tyre duke bërë publike qëndrimet e mërgatës shqiptare ndaj  padrejtësive të shumta që i bëheshin popullit liridashës nga ana e pushtetit të instaluar në Kosovë, ka bërë një punë shumë të madhe, ngase opinioni i gjerë në të shumtën e rasteve as nuk ka ditur dhe nuk ka pasur mundësi as ti siguroi dhe as ti lexoi ngase situata politike e ka imponuar një gjë të tillë..

Prandaj duke marrë parasysh tërë këtë mund të themi se “Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-1999) III, përkatësisht gazetat: “Qindresa shqiptare”; “Krahu i Shqiponjës” dhe “Kosovarja e Re”,  paraqesin  interes të veçantë jo vetëm për opinionin shkencor por edhe më gjerë duke shërbye si burim i pashtershëm informacioni për rolin e mërgatës shqiptare dhe për shtypin që u botua jashtë trojeve shqiptare.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora