E marte, 19.03.2024, 05:20 AM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Engjëll Koliqi: Ardian Bytyqi - shpresë e ndritur e futbollit kosovar në diasporë

E premte, 25.03.2011, 07:58 PM


 

Të rinjtë tanë shquhen në futbollin italian:

 

ARDIAN BYTYQI – SHPRESË E NDRITUR

E FUTBOLLIT KOSOVAR NË DIASPORË

 

Shkruan: Engjëll KOLIQI

 

Patrioti Behxhet Bytyqi, nga Semetishti i Therandës (ish Suhareka), kot së koti ishte munduar që të përparojë në atdhe, sepse pushtuesit e egër serbianë nuk lejonin. Me akrobacitë e tyre terroristike, pushtuesit kishin arritur që t’i impononin edhe telashe brenda farefisit, që t’u bëhej atje jeta sa më e rëndë e të ikinin nga Kosova. Behxheti, duke mos gjetur tjetër rrugëdalje, në vitet ’90 të shekullit që e lamë pas, e la Semetishtin dhe Kosovën e dashur dhe emigroi në Itali, ku u strehua dhe gjeti punë në qytetin e Treviso-s. Nuk zgjodhi punë Behxheti, që menjëherë u angazhua në sektorin e ndërtimtarisë dhe u bë mjeshtër i njohur, sepse duhej fituar para, qoftë për veti, qoftë për familjen. Krahas punës së vështirë në ndërtimtari, Ai bashkëpunonte edhe me agjencitë e udhëtimeve dhe fitonte para shtesë, duke prenotuar udhëtime për bashkatdhetarët tanë që në krahinën e Venetos janë të shumtë, mbi 30 mijë vetëm nga Kosova. Në të njëjtën kohë, Behxheti gjente fuqi dhe mundësi edhe të vepronte konkretisht në procesin e bekuar të Lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës, duke u angazhuar në skuadrat e shoqatave shqiptare, që organizonin manifestime publike dhe mbledhje ndihmash të nduarnduarta për luftën çlirimtare dhe për popullatën e pushtuar e të lodhur të Kosovës.

Në vitin 1997 Behxhet Bytyqi ia del që të marrë në Treviso mbarë famijen e vet, bashkëshorten dhe fëmijët. Atëherë Ardiani ishte vetëm 5 vjeç, sepse ka lindur në Kosovë më 15 tetor 1992. Në vitin vijues, në moshën 6 vjeçare nisi mësimet në klasë të parë, në gjuhën italiane dhe duke qenë gjithherë ndër nxënësit më të mirë, sot ka arritur të jetë maturant në shkollën e mesme të grafikës.

            Lojën e futbollit Ardiani e filloi ende pa i mbushur tetë vjet, duke luajtur që nga viti 2000 e deri në vitin 2008 në skuadrën e femijëve dhe të rinjve Aurora, në Treviso. Aty iu kishte ra në sy ekspertëve të futbollit dhe në vitin 2008 trajneri i skuadrës AS QUINTO nga ky qytet, e merr dhe e angazhon në këtë skuadër në rolin e mesfushorit, ku menjëherë filloi të marrë komplimente e vazhdon të marrë...

           Në skuadrën e re, që bën gara në Serie D të Italisë, Ardiani është shumë i suksesshëm dhe shumë i dashur, si nga trajneri, poashtu edhe nga bashkëlojtarët. Bile-bile, edhe në turnetë ndërkombëtare të skuadrës, në saje të lojës brilante të tij, është fituar vendi i 2°. Përveç që është lojtar i shkëlqyeshëm, Ardiani është edhe djalë shumë i sjellshëm dhe i dashur, nga bashkëlojtarët, nga trajnerët, nga udhëhgeqësit e skuadrës, por edhe nga profesorët dhe nga nxënësit në shkollë.

            Ditë më parë vajta në Treviso dhe e vizitova familjen Bytyqi, për të shfrytëzuar rastin edhe të zhvilloj një bisedë me futbollistin e ri, shumë të talentuar Ardianin. Shumë djalë i sjellshëm dhe i ëmbël. Me shumë sinqeritet dhe me modesti më tregoi se shumë skuadra janë të interesuara që ta kenë në mesin e tyre. Mbase shpejt kalon ne skuadrën Treviso, që garon në Serie B të Italisë, por nuk i fsheh ambiciet që të luajë edhe në Serie A. Më së shumti nga biseda me Ardianin, më pëlqei dëshira e Tij e madhe dhe vullneti për të luajtur një ditë me kombëtaren e Kosovës. E urova me gjithë zemër për këtë synim të tij, duke i dëshiruar realizimin sa më të shpejtë dhe me sukses sa më të mirë të kësaj ëndërre të mrekullueshme. Kjo ishte edhe dëshirë e prindërve të tij, e vëllait dhe e motrës, të cilët në çastet kur po bisedonim për këtë, qanin nga gëzimi.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora