E premte, 01.11.2024, 12:34 AM (GMT)

Editorial

Lis Bukuroca: Dita e Falënderimit të madh

E hene, 21.03.2011, 08:01 PM


Dita e Falënderimit të madh 

 

Nga Lis Bukuroca

 

Propozim për “Thanksgiving”:  përvjetori i mirënjohjes dhe ruajtja e kujtimit duhet të kremtohet më 12 qershor të çdo viti. Kuvendi i Kosovës duhet ta shpallë ditë festive. Kremtimi duhet të nisë me një procesion, që më vonë shndërrohet në një marsh festiv. Në fillim në heshtje për të nderuar të rënët, shoqëruar me intonimin e himnit të SHBA-ve dhe të Kosovës. Procesioni duhet të niset nga mensa e studentëve në Prishtinë, ku patën shpërthyer protestat e mëdha kundër diskriminimit të madh jugosllav. Në radhën e parë ushtarët e UÇK-ës me flamujt shqiptarë, amerikan dhe anglez, pas tyre flamujt francez, gjerman dhe italian. Pasojnë flamujt e NATO-s dhe vendeve tjera, që morën pjesë në  çlirimin e Kosovës. Turma duhet të kalojë pranë Fakultetit Filologjik dhe të ndalet në Ulpianë, rreth monumentit të ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton. Aty duhet mbajtur një ligjëratë falënderuese. Pastaj marshi duhet të vazhdojë drejt qendrës dhe të ndalet para Kuvendit të Kosovës, ku studentët në vitin 1981, shpallën Kosovën Republikë. Përveç flamujve në këtë marsh duhet të barten edhe fotografitë e shqiptarëve, që me emrin dhe veprën e tyre ndritën imazhin tonë jashtë: Nënën Tereza, Ibrahim Rugova dhe Ismail Kadare. Një komision mund të vendosë të shtojë edhe fotografi tjera, por jo nëse janë aktiv në politikë. Nga heronjtë e jashtëm duhet të jenë domosdoshmërish këta: Joseph J. DioGuardi, Tom Lantos, Eliot Engel, Stan Dragoti, Richard Holbrooke, Bill Clinton, Tony Blair, Madelin Albright, Wesley Clark, William Walker, Jamie Shea, Bernard Couchener dhe George Bush. Mund t’ i shtohen edhe tjerë, që me veprën e tyre ndihmuan çlirimin tonë.

Në këtë ditë Forcat e Sigurisë së Kosovës, duhet të gjuajnë 78 herë me top për të kujtuar 78 ditët e fluturimit për shpëtimin tonë. Kjo është Ditë kur populli i falënderohet SHBA-ve dhe Perëndimit. Dhe, në mënyrë demonstrative tregon mirënjohjen. Natën duhet përgatitur darkë festive në shenjë falënderimi, duke ftuar miq për të përkujtuar 12 qershorin.

Kjo duhet të jetë Ditë e kujtimit të mynxyrës së përbashkët, kolektive. Dita e shpresës së madhe. Dita e ëndrrës së madhe, që u realizua pas shumë shekujve. Në këtë ditë duhet përkujtuar braktisjen e tendave në Shqipëri, në Maqedoni. Nisma e kthimit dhe rikthimit, të sedrës, të dinjitetit të nëpërkëmbur, të vlerës njerëzore. Ditë e kthimit nga eksodi dhe përfundimi i poshtërimit kolektiv. Kjo ditë duhet të jetë Ditë e faljes dhe pajtimit në mes shqiptarëve dhe atyre që jetojnë në Kosovë. Në këtë ditë duhet të gatuhen ushqime nga qytetarët dhe të shiten nëpër tezga në qendra të çdo qyteti. Këtë ditë tregtarët duhet t’ i zbresin çmimet dhe të bëjnë oferta. Të gjitha vendet publike të stolisen dhe të duket atmosferë e plot festive. Ditë kur mbijetesa rimerr trajta njerëzore. Ditë kur jeta rifiton kuptimin. Në këtë Ditë, të rinjtë duhet të fejohen ose martohen. Kjo është Ditë e fatit të madh, shpresës së madhe dhe e ëndrrave, që përmbushen. Dita e madhe e dashurisë së Njeriut ndaj Njeriut. Dita e pasionit!

 

Arsyetim dhe rikthim në kod: në të vërtetë arsyetimi nuk duhet. Këtë e dinë mirë gati të gjithë shqiptarët. Por, ndonjë ka nevojë. Motivin dinë ata, që varrosën të afërmit. Ushtarët e UÇK-ës. Të dhunuarat. Invalidët e luftës. Ata që u burgosën. Ata që presin akoma të pagjeturit. Ata që u deportuan me tren drejt Bllacës dhe ata që dremitën maleve. Ata që u deportuan me autobus drejt Shqipërisë apo ata që u dëbuan në këmbë, me qerre apo me traktorë.  Ata që u rrahën. Ata që  kaluan muaj nëpër tenda. Fëmijët. Pleqtë, gratë. Qindra mijëra mërgimtarë. Ata që i gjetën shtëpitë e tyre si rrënoja. Apo në djegie e sipër. Apo të shkrumbuara tërësisht. Apo duke u dalë fjollat e fundit të tymit. Ata që gjetën shtëpitë pa orendi. Ata që me ndihmën e jashtme rindërtuan shtëpitë. Ata që iu hodhën njëri tjetrit në përqafim, kur panë të gjallë njëri tjetrin. Ata që u dëbuan fytyrëngrysur dhe që u kthyen fytyrëqeshur. Ata që pritën me lule ushtritë perëndimore...Pra, gati të gjithë e dinë, edhe ata që  panë  këtë mjerim vetëm në televizor, por, sidoqoftë, ndonjë ka nevojë të mësojë dallimin mes mikut dhe armikut. Ky përvjetor, duhet kremtuar për të treguar mirënjohjen e sinqertë. Ditë e vetëdijesimit. E falënderimit të madh.

Trajtat e miqësive: miqtë e vërtetë nuk gjenden lehtë, e shumë herë, jo kur duhet, e aq më pak të tillë, që  harxhojnë miliarda për çlirimin e një kombi të vogël. Krijimi i miqësive ishte rrjedhojë e punës dhe angazhimit të madh dhe të drejtë. I lutjeve të mëdha, por, ajo miqësi, mund të humbet. Aleancat në mes popujve, që nuk kanë lidhje gjaku, feje e gjuhe, janë të brishta.

Miqtë, që kemi sot, nëse i humbim, do të dënojmë fëmijët tanë nesër. Ashtu si na dënuan neve të djeshmit me orientimin e tyre të gabuar. Ne, në mungesë të miqve dhe të orientimit të drejtë, kemi shfuqizuar veten.” Dielli për shqiptarët lindet në Perëndim”, thoshte N. Frashëri. Këtë moto e vazhdoi dhe institucionalizoi Rugova. Sot po e rrënojmë në emër të një dalldie, pampers dhe erzac demokracie. Anarki e orientimit, ku patriotët denacionalizohen; kanë veshje, sjellje, bindje dhe synime të ndryshme.  Shumë herë, në dëm të kombit. Madje, edhe në majat e skenës politike dhe kulturore. U harruan, u modifikuan udhëzimet e rilindësve. Dhe, shqiptarët mbijetojnë nga puna në Perëndim, jo nga puna në Lindje. Shqiptari në rast rreziku ikën drejt Perëndimit dhe kurrë jo drejt Lindjes. Ne nuk mund të bëhemi armiq të perëndimit. Përbërja kombëtare nuk duron këtë: as gjeografia, as morfologjia, as historia, as origjina jonë. Ne nuk kemi pasur fuqi dhe mundësi ta ndërtojmë shtetin tonë aty ku jetojmë. Ne kemi dështuar më shumë se të gjithë të tjerët në Ballkan. Fajet janë edhe tonat. Ato nuk duhet t’ i kërkojmë vetëm jashtë dhe të kotemi. Vetëm trimëria dhe vetësakrifikimi nuk mjaftojnë për të ndërtuar kulm mbi kokë:shtet.

 

Bindjet dhe shpjegimet  asimetrike: shteti nuk meritohet. Pavarësia nuk meritohet. Këto dyja nuk janë lëndë të shkollës fillore, ku notohet populli i zellshëm. Shteti fitohet dhe mbahet vetëm falë orientimit të drejtë kombëtar. Në botë ka dhe kombe tjera që janë trima, por ata ende nuk kanë shtet. Ka kombe, që kanë sakrifikuar si ne apo më shumë se ne, por nuk po “meritojnë” shtet. Pikërisht sepse shteti nuk fitohet me merita! Kufijtë janë dëshmi e forcës ushtarake dhe aleancave. Deri ku ka arritur pushka e një ushtrie, deri aty është krijuar shteti i tij. Apo deri ku janë pajtuar fuqitë e mëdha: në bazë të miqësisë dhe pozicionimit të kombeve. Jo në bazë të përkatësisë kombëtare, por falë aleancave. Kështu funksionon politika në mes popujve. Mundësitë tjera nuk ka ose janë vetëm koncepte të gabuara, të shtrembëruara, të teorive politike.

Në botë nuk ekziston një shtet babadimër, që peshon vuajtjet e kombeve dhe pastaj vjen dhe u falë atyre shtete. Pa miq të mëdhenj, popujt e vegjël nuk fitojnë kurrë. Jemi popull i lashtë, por nuk kemi vëllezër gjaku, as gjuhe. As kushërinj nga gjuha, as nga gjaku. Në Europë ose jetojmë me orientim europian ose ekzistenca jonë do të vështirësohet dhe varfërinë do ta kemi si fat. Investimet do të bëhen rreth nesh, jo tek ne.

 

Semantika e patriotizmit dhe paradoksi i idealeve: vëlla të madh na dhuroi historia vetëm një herë: SHBA-të. Vëllazëritë tjera, që shpallen pas çlirimit, para mikrofonave, para kamerave, nuk vëllazërojnë popujt, por fisin në shoqëritë tribale ose individin. Ato nuk obligojnë askënd, por vetëm shqiptuesin e atyre fjalëve. Ndoshta edhe porositësin e asaj vëllazërie. Aleanca lidhë popujt, vëllazëritë individët. Ato vëllazëri flasin për dezorientimin, dobësinë tonë politike dhe kacavarjen në pushtet. Flasin për të kundërtën, nga ajo që u fliste Rugova perëndimorëve. Ato vëllazëri tregojnë se ia paskemi hedhur Perëndimit! Pas çlirimit u thamë atyre që na mbrojnë akoma, se jemi edhe aziatik. Para lufte jo, pas saj, në mënyrë plakative. Nëse vazhdojmë ta nxijmë veten akoma më shumë, nuk është çudi nëse shfaqet një etnolog, që na shpallë edhe pak afrikan. Hutinë tonë nacionale do ta paguajmë me mjerim dhe eksportim të fuqisë së lirë punëtore. Dikur nëpër Jugosllavi, sot e nesër nëpër Europë. Çdo orientim antiamerikan, do të ketë ndikim në ekonominë, në mirëqenien tonë dhe në investimet e të huajve. Çdo qëndrim antiamerikan do të jetë  ndihmë e madhe në rehabilitimin e Serbisë nga barbaritë e saja. Me revoltën e vitit 2004, deri diku rehabilituam Serbinë dhe pasoi pezullimi i vizave, pa dorëzuar kriminelin e luftës. Duke injoruar varret  shqiptare nëpër Serbi. Duke injoruar arkivin e vjedhur. Duke injoruar apo duke përkrahur në heshtje administratën paralele serbe. Duke injoruar viktimën dhe duke përkëdhelur autorin e krimit. Deri në vitin 2004 perceptoheshin në Gjermani si viktima. Ushtarët krishterë janë në Kosovë për t’ na mbrojtur neve dhe, para syve të tyre, u dogjën edhe disa kisha! Dhuratë më të madhe, nuk ka mundur askush t’ i bëjë politikës serbe. Shqiptarët kurrë më parë nuk kanë djegur godina kulti. Pse qemë të gatshëm ta bëjnë këtë, këtë duhet ta shpjegojë Qeveria e Kosovës. Dhe, të shpjegojë, çfarë dreqi po shalojnë e kalërojnë disa pjesëtarë të këtij kombi dhe pse gjithmonë vetëm në dobi të Serbisë. Pse ky asimilim i kodit? Nëse ndodhë edhe një akt barbar, atëherë, nuk është çudi nëse Amerika tërhiqet dhe braktisë Kosovën. Atëherë, në vend se ta kremtojmë Ditën e Çlirimit me falënderim të madh, mund të mbajmë zi për humbjen e shtetësisë apo copëtimin e vendit!

“Kush ta bëri more? Vetja! Vetja t’ i plastë sytë”, thotë populli.

 

Prapashtesë morfologjike: forca jonë rezistuese ishte Adem Demaçi, që na kishte frymëzuar  për protesta. Rexhep Qosja me demaskimin e represionit serb si dhe Ukshin Hoti. Ne quheshim populli i Nënë Terezës në Perëndim. Populli i Kadaresë. Forca jonë europiane ishte Rugova, që një provincë, me aq banorë sa ka një lagje e Nju Jorkut, e Londrës apo e Parisit, e bëri të pranueshme në kancelaritë kryesore të botës. Adem Jashari i tregoi  Perëndimit për vendosmërinë dhe gaditshmërinë  tonë. Qëndrimi stoik dhe i drejtë i UÇK-së. Enver Hadri në Belgjikë. Donika Gërvalla dhe Hafiz Gagica në Gjermani. Veton Surroi në CNN...Këta njerëz dhe shumë të tjerë, që nuk përmenden në këtë shkrim, me përkushtimin e tyre, secili në mënyrën e vet, me aftësitë e veta dhe orientimin e drejtë, ndikuan në krijimin e miqësive të reja, në ndërtimin e imazhit jashtë dhe na sollën këtu ku jemi sot: të lirë. Jo të lirë për të vrarë shqiptarë e shpëtimtarët tanë, por të lirë dhe të aftë për ta jetuar jetën. Për ta ndërtuar të tashmen. Jo të lirë për ta rehabilituar Serbinë me akte mizore, por të lirë dhe zot në shtëpinë tonë, për herë të parë. Jo të lirë për të krijuar vëllazëri të rrejshme, karrieriste, - duke na mbrojtur kufijtë dhe shpinën amerikanët - por të lirë dhe të aftë për ta vazhduar dhe kultivuar miqësinë me ata që na ndihmuan në ditë të vështira, derisa ishim në male! Të lirë për aleanca të reja, por jo vëllazëri, sepse vëllai i madh ta ndryshon edhe historinë, edhe drejtimin. Ai të përzihet edhe në punë të brendshme, sepse mendon se është vërtetë vëllai i madh.  Jo të lirë për të ushtruar hakmarrje, por të lirë dhe të aftë për t’ u pajtuar me të gjithë. Edhe me fqinjët. Jo të lirë për t’ i zëvendësuar hajnat serb me hajna shqiptarë, por të lirë dhe të aftë për t’ i dëbuar edhe hajnat tanë dhe, për të ndërtuar shtetin duke paguar edhe tatimet ndershmërisht. (Aty ku nuk paguhen tatimet, nuk ka dashuri ndaj shtetit, ndaj atdheut: nuk ka rrugë të  mira, as spitale me aparaturë, as shkolla moderne. Fundi fundit, as ushtri të armatosur si duhet.)

Mosmirënjohja dhe vrasja e çlirimtarit është pafytyrësia më e madhe në karakterin e lig njerëzor. Vrasja e atij që të shpëtoi jetën, duke rrezikuar të veten, është turpi, injoranca e pafund dhe mëkati më i tmerrshëm, që mund të bëjë krijesa e quajtur njeri.

Por, a ndjehen të sigurt sot amerikanët në Kosovë, derisa na mbrojnë nga Serbia? Nuk mund të besohet. Jo si më parë. Edhe një pyetje, që i mbetet njeriut në fyt dhe i zë frymën: pse ndonjë shqiptar është kundër Amerikës që na çliroi, e jo kundër Serbisë, që na dhunoi e pushtoi. Edhe këtë dukuri duhet ta hetojë dhe ndriçojë Qeveria e Kosovës, sepse është në pyetje dallimi më i thjeshtë, më banal në jetën e qenies njerëzore: dallimi në mes çlirimtarit dhe pushtuesit. Dallimi në mes atit dhe dreqit. Dallimi në mes nënës dhe shtrigës! Dallimi në mes të bardhës dhe të zezës...Ja, u numëruan disa shkaqe, jo të gjitha: janë miliona shqiptarë të prekur dhe miliona motive, që na detyrojnë të përkulemi para së mirës dhe të kremtojmë “Thanksgiving Day”, sepse Zoti nuk na ka zgjedhur si gjykatës dhe rojtar të drejtësisë planetare, por ta duam veten dhe të  kujdesemi vetëm për bythën tonë!



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora