E premte, 26.04.2024, 09:13 AM (GMT+1)

Mendime

Arian Çani: Aq mirë na e bënë maqedonasit…

E shtune, 19.01.2008, 07:00 PM


Aq mirë na e bënë maqedonasit…

Nga Arian Çani

Në fakt, është shumë e çuditshme kur mendon se si Mal i Zi është akoma i vetmi vend ku shqiptarët hyjnë lirshëm pa pasur nevojë për vizë apo ndonjë dokument tjetër, përveç pasaportës së tyre. Sepse Maqedonia e kuptoi më në fund ... që duhet ta mbyllte kufirin me Shqipërinë dhe t’i rikthehej regjimit të vizave, njësoj si vendet Shengen. Në fakt, duhet ta kishte bërë me kohë, sepse Shqipëria është shumë larg standardeve. Por e bëri tani, sepse marrëveshjet me Bashkimin Evropian duket se e detyrojnë Shkupin të marrë masa për ruajtjen e kufijve. Autoritetet maqedonase e argumentojnë vendimin për regjimin e ri të vizave me Shqipërinë, si një kërkesë që buron nga axhenda e tyre për integrimin evropian, pra për të qenë në përputhje me kërkesat e vendosura nga Brukseli.

Maqedonia në axhendën politike të këtij viti ka përcaktuar prioritet hapjen e bisedimeve për anëtarësinë në Bashkimin Evropian. Shkupi është optimist se do të arrijë të përcaktojë një datë për fillimin e këtyre bisedimeve, mundësisht brenda presidencës sllovene, ose më së shumti përpara zgjedhjeve evropiane të 2009-ës. Dhe përveç këtyre argumenteve, elita politike dhe jo vetëm, në Shkup, e konsideron Shqipërinë si një vend të botës së tretë.

Shumëkush në këtë katundin tonë u ofendua disa ditë më parë dhe u ndje i fyer kur dëgjoi këto fjalë. Disa media naive e pseudopatriote lëshuan disa klithma nacionaliste të tipit “u bënë këta maqedonasit të na quajnë neve botë të tretë… Harrojnë këta maqedonasit që vetëm për 2007-ën fituan mbi 50 milionë euro nga turistët shqiptarë që kaluan pushimet e tyre në atë vend…”. Argument qesharak dhe komplet në favor të tezës maqedonase. Sepse është pikërisht kjo prova që Shqipëria është një vend i botës së tretë. Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet fakti që me mijëra e mijëra shqiptarë nuk i kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri, ku ka det dhe bregdet, por shkojnë dhe lënë paratë e tyre në Maqedoni, ku nuk ka as det dhe as bregdet. Fare e thjeshtë: Shqipëria është një vend larg standardeve.

Maqedonia është një vend normal dhe me standarde. Shqipëria është një vend pa drita dhe pa ujë. Në Maqedoni nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë asnjëherë dritat dhe uji. Shqipëria është një vend i mbushur me fekale dhe plehra në gjithë bregdetin e saj. Maqedonia, edhe atë pak liqen që ka, e ruan si sytë e ballit dhe i shërben duke e mbajtur të pastër. Shqipëria është ende një vend pa infrastrukturë rrugore dhe turistike. Maqedonia e ka rregulluar me kohë këtë kriter. Në Shqipëri nuk ka ende më shumë se një apo maksimumi dy hotele që të mund të plotësojnë standardet. Maqedonia ka me dhjetëra. Maqedonia është vendi që eksporton një pjesë të madhe të ushqimeve në Shqipëri. Shqipëria është vendi që importon pa fund nga Maqedonia, domate, speca, kastravecë dhe jo vetëm.       

Prandaj habitem shumë kur mendoj se si ka mundësi që vetëm Mali i Zi vazhdon ende të na lejojë të hyjmë pa vizë në territorin e tij. Megjithëse nuk është ndonjë çudi që shumë shpejt të vijë mandata dhe nga Podgorica, njësoj siç erdhi nga Shkupi. Në fund të fundit, Mali i Zi është një vend shumë më i lezetshëm se Maqedonia. Ka det, ka rrugë, ka traditë, ka gjithçka. Ndaj o burra, përfitoni edhe ca kohë për t’u ndjerë njerëz të lirë, duke pushuar fundjavave në Mal të Zi. Të gjithë ju që keni mundësi financiare, por nuk arrini dot të merrni vizë Shengen nëpër ambasadat e Tiranës, përfitoni sa të mundeni deri sa të izoloheni edhe nga kjo copë kufiri që ju ka mbetur ende e hapur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora