E premte, 26.04.2024, 02:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Anagnosti, dy poema filmike të ndaluara

E diele, 09.01.2011, 02:42 PM


Nga Elsa Demo

 

Arkivi i Filmit shpall "Muaji i Anagnostit". Në tri javë shfaqen disa filma artistik dhe 2 dokumentarë të viteve 1970-'80 që u ndaluan. Elvira Diamanti tregon detaje të programit dhe shpreson që të rinjtë të marrin pjesë në projeksionet ku i pranishëm do të jetë regjisori, sot 75-vjeçar

 

Atalanta Pasko, regjisore e montazhit në ish Kinostudion "Shqipëria e re", tregoi më 2009 në faqet e "Shekullit" historinë e shkatërrimit, pra ribërjes së filmit "Vëllezër e shokë" 1980 të Dhimitër Anagnostit, në bazë të vërejtjeve të komisionit të censurës.

 

Pas kësaj, deri më 1985, ai, që kishte kërkuar të kalonte në redaksinë e skenarit, realizoi "Kujtime nga Gjirokastra" bazuar në "Kujtimet e vegjëlisë" të Enver Hoxhës. Është i vetmi dokumentar në krijimtarinë e regjisorit më të rëndësishëm të kinemasë shqiptare. I vetmi, sepse edhe ato dy filma të shkurtër që mund të quhen dokumentarë, Anagnosti i klasifikon "poema filmike".

 

Po t'i referohemi rrëfimit të gjatë "Unë ndihmësi i Partisë në edukimin komunist të masave" që pati në "Shekulli" 2003, ai realizoi "Te djelat në Tiranë" më 1981 "që u lavdërua pastaj u kritikua dhe u ndalua, dhe "Përjetësi" (gjithsej shtatë minuta film) që në fillim u quajt kryevepër dhe u bë gati t'i çohej dhuratë për ditëlindje nga Kinostudioja shokut Enver por që Ramiz Alia e groposi si vepër moderniste. Nuk u shfaq kurrë. U çudita se ishte filmi me politik që kisha bërë."

 

Dy poemat e ndaluara shfaqen për herë të parë për publikun në ekranin e kinemasë. Arkivi i Filmit organizon "Muajin e Anagnosti" sepse më 23 janar është 75-vjetori i tij i lindjes. Fillon më 12 janar dhe vazhdon deri në fund të muajit.

 

Elvira Diamanti, Drejtoresha e Arkivit, e cila ka bashkëpunuar me regjisorin në vetëm 1 film, "Përrallë nga e kaluara" 1989, nuk mundi të fitojë pas kinoprovës për rolin e Anës "Në shtëpinë tonë" 1979, tregon për programin, botimin e një katalogu për veprën e auorit, dhe shpreson që të rinjtë të marrin pjesë në projeksionet ku i pranishëm do të jetë regjisori.

 

Çfarë është zgjedhur nga krijimtaria e Anagnostit për programin e janarit?

"Muaji i Anagnostit" hapet javën e parë me "Plagë të vjetra" 1968 dhe dokumentarin "Të dielat në Tiranë".

 

Në javën e dytë, "Lulëkuqet mbi mure" 1976 dhe dokumentari "Përjetësi" 1974, që nuk është shfaqur asnjëherë. Është ndaluar dhe cilësuar "vepër moderniste". E mbyllim me "Përrallë nga e kaluara".

 

Kjo më vë pak në pozitë të vështirë, meqë luaj në këtë film. Por regjisori këtë kishte dëshirë. I pëlqen ai film, si një gjë e gëzueshme. Admir Sorra shpresoj shumë të vijë atë ditë, dhe aktorë që kanë punuar me Anagnostin do të ftohen nga arkivi.

 

Shpresojmë shumë që studentët e arteve të jenë të pranishëm, Dhimitri kërkon që ky muaj të jetë jo homazh por më shumë bashkëbisedim për veprën e tij.

 

Arkivi shfaq çdo të mërkurë filma që i përkasin një trashëgimisë shqiptare dhe asaj botërore, por kinemaja është bosh.

 

Ajo që kam vënë re unë, nuk është një zinxhir i këputur, studentët e arteve vijnë me mangësi nga shkolla e mesme. Ne përpiqemi, nuk di sa të interesuar do jenë studentët kësaj radhe. Është fat i madh që Dhimitër Anagnosti është vetë prezent, në një moshë që ende mund të krijojë me sa shoh unë vitalitetin që ka ai.

 

Ju kishit një program tuajin, regjisori ka bërë zgjedhje tjetër. Pra "Dueli i heshtur" nuk do të shfaqet?

 

Jo. Unë do kisha dëshirë filma të tjera, por respektojmë dëshirën e autorit. Megjithatë në këtë zgjedhje që ai ka bërë them se është i përfaqësuar. Ai zgjodhi "Plagë të vjetra" për t'u bërë homazh artistëve që nuk jetojnë më: Sandër Prosi, Ndrek Luca, Violeta Manushi. Pastaj është dhe filmi i parë ku Anagnosti është autor, ka bërë regjinë, po ka shkruar dhe skenari.

 

Mbeti jashtë "Në shtëpinë tonë"...

Do doja të shfaqej. E kam parë gjithmonë me dashuri atë film. Gati më duket vetja pjesë e tij, sepse kemi bërë shumë kinoprova për atë film, njihja mirë dekorin, mënyrën e punës. Ishte kontakti im i parë me Anagnostin dhe kontakti i parë me Kinostudion.

 

Mund të ishte roli im i parë, roli i Anës. Edhe për hir të kësaj nostalgjie, ju e shikoni që e ka vendosur afishen e filmit në zyrën time. Shumë shpejt unë luajta në një film tjetër, "Radiostacioni", propozimi që në të luaja aty i erdhi Rikard Ljarjes nga Anagnosti.

 

Dhjetë vjet më vonë bashkëpunuat për "Përrallë nga e kaluara".

Ç'është e vërteta kam bërë dhe një kinoprovë për "Vëllezër e shokë", që unë do kisha dëshirë të shfaqej edhe ky.

 

Tani mendoja se është droja sa njerëz do të vijnë, sepse ne mund të shfaqnim edhe dy filma në javë të Anagnostit.

"Përralla..." është një nga filmat e mirë shqiptarë. Të mirë e bën skenari, regjia shumë e mirë.

 

Si ishte puna me të?

 

Është i rreptë. Nuk hyn lehtë me të në sheshin e xhirimit.

Në shesh xhirim kam pasur vështirësi. Dhimitri kërkonte të ecje si ato gratë e fshatit, pa delikatesën o më dhemb, o nuk e mbaj dot. Pra më ka bërë realisht të mbaja peshën e druve, më ka bërë realisht të punoja tokën. Këto kanë qenë vështirësi të jashtme.

 

Për sa i përket vështirësive të brendshme, të rolit, ai ka ditur ta nxjerrë Marigonë kaq lehtësisht nga ana ime, kaq lehtësisht m'i ka nxjerrë gjërat, saqë unë nuk kam kuptuar nëse kam bërë një gjë të mirë, sepse nuk jam lodhur.

 

Por jam lodhur në paraxhirim. Ai nuk të linte të kalonte asnjë batutë kot. Më kujtohet që dhomat e hotelit ku flinte Mimika Luca apo Hajrie Rondo, apo dhe një sallë e vogël e Turizmit të Gjirokastrës, padyshim që ka qenë pjesë e provave.

 

Mund të quhet një lloj akademizmi, duke përjashtuar çdo prurje përtej asaj që ishte shkruar?

 

Mendoj që ai e ka kaq të qartë atë që bën, sa shumë pak e kalon atë që ka menduar. Flas gjithmonë si aktore, sepse krijimin e brendshëm, përveç tij, nuk mund ta di unë. Ka pasur përjashtim veç kur ka ndodhur ndonjë gjë jashtë parashikimeve.

 

Ato ditë ra botë në Gjirokastër dhe ai e shfrytëzoi për të dhënë efektin e kohës që kalon. Kështu që nuk mbaj mend ndonjë gjë që Dhimitri t'ia ketë lënë rastësisë ose të çuditet në momentin që ne po bëjmë diçka dhe të thotë: po, bëjeni dhe këtë.

 

Pavarësisht se zgjedhja për këtë program nuk është e jona, dua të them çdonjëri prej filmave të tij është i ndryshëm. "Duelin e heshtur" nuk mund ta krahasoj dot me ndonjë film tjetër shqiptar, është film autor, pak thriller. "Në shtëpinë tonë" e vlerësoj për thjeshtësinë.

 

Dhimitri duket sikur nuk merr përsipër të thotë ndonjë gjë të madhe për jetën e një familje të zakonshme, ku nuk shquhet askush për bukurinë apo për profesionin. "Lulëkuqet mbi mure", padyshim që është një film që vazhdoj ta shikoj me shumë ëndje. "Vëllezër e shokë", po ashtu, në fakt unë e kam parë në variantin e parë. "Plagë të vjetra" është hera e parë që do ta shoh në kinema.

 

Ngjarje e "Muajit Anagnosti" duhet të jetë shfaqja e dy filmave dokumentarë dhe biseda për krijimin në kushte ekstreme të censurës, kontrollit shtetëror.

 

Ç'mund të thoshit për ta?

Autori do të jetë i pranishëm dhe spektatorët mund ta pyesin për historitë tyre. e them me bindje absolute që krijimtaria e tij nuk ka ndjekur një rrugë të qetë: mos të të lejohet të shfaqet një dokumentar, sapo shikohet të ndalohet, apo filmi të kthehet dhe gati-gati të bëhet një film tjetër, siç ka ndodhur me "Vëllezër e shokë". S'mund të thuash se ka qenë krijimtari e qetë, jo vetëm për Anganostin.

 

Vetë autorët kanë qenë kaq të vëmendshëm që filmi të mos iu kthehej mbrapsht. E mbaj mend si nëpër të momentin që kur vinin nga Komiteti Qendror për vizionim e filmave. Ka qenë momenti më i vështirë për të gjithë regjisorët.

 

Ballafaqimi i kinemasë së dy periudhave ka vënë në dukje: profesionalizmin në çfarë u krijua më 1960-1990 por politizimin dhe skematizmin total brenda realizmit socialist, dhe në 1992-2010 dominon kinemaja profane, e pasigurt në atë që thotë, e pazonja në gjuhën që zgjedh për të treguar. Në këtë peizazh kaotik, që është megjithatë një histori, ku e shihni vendin e Anagnostit.

 

Ai ka sjellë deri në fund një kinema ndryshe. Unë nuk jam shumë dakord me atë që po ndodh në kinemanë e sotme shqiptare. Vazhdojmë të bëjmë filma mbi këtë izolim që kemi në krahasim me Europën, vazhdojmë të bëjmë filma për kalimin e kufirit, se ç'duhet të bëjmë ne që të ndihemi si të tjerët.

 

Mjaft më me këtë! Mjaft më me gjakmarrjen dhe në atë formë që na është dhënë deri tani! Duke parë të gjithë filmat shqiptarë në fund fare të vjen të thuash: të duket vetja zi, sikur njerëz qenkëshim të ndryshëm nga të tjerët.

 

Nuk kemi më nevojë për këtë lloj kinemaje që bën sikur sjell shqetësimin e aktualitetit. Kinemaja shqiptare boll e ka sjellë shqetësimin e kohës dhe nuk ka sjellë asgjë.

 

Edhe për këtë mendoj që Anagnosti ka sjellë një kinema ndryshe, edhe me filmin e tij të fundit "Gjoleka djali i Abazit" 2006. Dhimitri është një shkollë më vete për kinemanë.

 

 

Nga shënimet e Anagnostit

"Si veprova unë: Filma dokumentarë, jo!"

 

Në vitin 1960 Dhimitër Anagnosti (i lindur në Vuno më 1936) u kthye nga studimet në Bashkimin Sovjetik dhe emërua kinooperator në Kinostudion "Shqipëria e Re". Realizoi dy filma si operator, para se të bënte "Komisari i dritës" bashkëregjisor me Viktor Gjikën.

 

Në kujtime ai e përshkruan të zymtë mjedisin që e rrethon dhe mungesën e lirisë krijuese: "Mungesa e nivelit artistik të veprës nuk përbënte problem, mjaft që vepra të ishte në rregull nga ana ideore dhe të militonte. Në bazë të kësaj motoje, punuan një pjesë e mirë e regjisorëve të cilët vlerë artistike konsideronin partishmërinë e lartë: mungesa e talentit kompensohej me partishmërinë dhe çdo gjë ishte në rregull. Kjo i pëlqente edhe partisë.

Si veprova unë:

 

Filma dokumentare, jo!...

Shkruan më tej: "Në ndryshim nga gjinitë e tjera të artit, verdiktin për filmin artistik e jepte vetë E. Hoxha pasi e shihte në kinemanë e Bllokut. Ishin ditë e orë ankthi për regjizorët...

 

Struktura vertikale e kontrollit të krijimtarisë filmike: drejtoria, redaksia, këshilli artistik, ministria, grupi i kontrollit paraprak që përbëhej nga shokë të Komitetit të Partisë së Rajonit, Komitetit të Partisë Tiranës, Komitetit Ekzekutiv, Komitetit Qendror etj.

Këtë kalvar e kam hequr për filmin "Vëllezër e shokë" të cilin e ribëra."

 

Pas kësaj kaloi në redaksinë e redaksinë e filmit artistik, shkroi skenarin "Fraktura" dhe së bashku me Vath Koreshin, skenarin "Besa e kuqe" të cilat i bëri film Pirro Milkani.

Tre vjet më vonë i ftuar nga Nexhmije Hoxha duhej të bënte filmin dokumentar bazuar në "Vitet e vegjëlisë" të Hoxhës. Filmi fitoi "Kupa e Festivalit të Pestë të Filmit Dokumentar Shqiptar" dhe "Çmim i Republikës i Klasit të Parë".

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora