E shtune, 27.04.2024, 05:09 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Shkupi ndalon shqipen në muzeun simbol

E premte, 07.01.2011, 10:02 PM


SHKUP -Qeveria maqedonase ka shënuar një tjetër rast të paprecedent nacionalist në dëm të shqiptarëve. Në shtëpinë muze ku u mbajt Kongresi i Manastirit, që vendosi alfabetin e gjuhës shqipe, do të përdoret si gjuhë zyrtare vetëm maqedonishtja. Në vendim përfshihet edhe vendosja e emrit të muzeut që i trashëgoi shqiptarëve gjuhën e sotme do të shkruhet me germa maqedonase. Në fakt, vendimi për shpalljen muze të këtij institucioni ishte marrë një vit më parë, por u zvarrit pasi pala maqedonase e cilësonte të papranueshme kërkesën shqiptare që në këtë muze të përdoret edhe gjuha shqipe. "Problemet ishin me statutin e muzeut. Nuk e nënshkruajtën për shkak të përdorimit të gjuhës shqipe, në vulat e muzeut dhe në emrin e muzeut. Tani muzeu do të figurojë vetëm në gjuhën maqedonase sepse nuk jemi 20 për qind në komunën e Manastirit", - deklaroi drejtori i Muzeut të Alfabetit, Gazmend Hoxhaj. Sipas historianëve shqiptarë në Maqedoni, me këtë veprim skandaloz i bëhet edhe një padrejtësi e madhe muzeut të alfabetit. "Problemet që i nxjerrin në vazhdimësi këtij institucioni të shenjtë për shqiptarët, vijnë për shkak edhe të mungesës së interesimit të faktorit politik shqiptar në Shkup, Tiranë e Prishtinë", - shprehet historiani Skënder Hasani. Dhe sikur të mos mjaftonte padrejtësia maqedonase, muzeu ka nevojë edhe për përkujdesje pasi prej kohësh ndodhet në gjendje të mjerueshme. Maqedonia ka një histori të gjatë me "incidente" kulturore me shqiptarët. Vetëm pak kohë më parë, Akademia e Shkencave në këtë vend paraqiti një enciklopedi fyese për shqiptarët. Mes debateve, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë e tërhoqi nga shitja Enciklopedinë maqedonase dhe në një afat sa më të shkurtër kohor vendosi të korrigjojë pjesët kontestuese që kanë të bëjnë me raportet dhe lidhjet mes maqedonasve dhe shqiptarëve, për shqiptarët e Maqedonisë, Ali Ahmetin, Nënën Terezë, UÇK-në dhe luftën në Maqedoni. Kryesia e Akademisë detyroi redaksinë që përmirësimet e apostrofuara t'i bëjë në bashkëpunim me akademikët shqiptar dhe shkencëtarët e tjerë të bashkësive etnike jo shumicë. Ky është konkluzioni kryesor i mbledhjes së kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Kryesia e Akademisë do të thërrasë edhe një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilin do të vendoset për përgjegjësinë e anëtarëve të redaksisë të kryesuar me Bllazhe Ristevskin. Akademia ka shprehur gjithashtu gatishmërinë që përmes dialogut shkencor me të gjithë shkencëtarët në Maqedoni të trajtoj të gjitha problematika të caktuara si dhe të gjitha çështjet e tjera për të cilat ekziston interes shkencor. Ky vendim i Akademisë erdhi pas reagimeve të ashpra shqiptare, por edhe nga intelektualë maqedonas.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora