Shtesë » Lajme
Telegram urimi nga Bashkimi Demokratik Shqiptar
E hene, 13.12.2010, 08:09 PM
TELEGRAM URIMI
Në emrin tim personal dhe në emër të anëtarëve dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik Shqiptar urojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare, të parat e këtij lloji në Kosovën e pavarur dhe sovrane.
Shqiptarët edhe një herë dëshmuan se dinë të jenë organizatorë të zgjedhjeve të mirëfillta dhe demokratike dhe me këtë të hapin rrugën e integrimit të Republikës më të re në Ballkan, në strukturat euro-atlantike.
Organizimi i zgjedhjeve të qeta dhe demokratike brenda një afati kaq të shkurtë kohor është vetëm për tu përshëndetur. Autoritetet dhe Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës, së bashku me qytetarët e Kosovës treguan pjekurinë politike dhe frymën demokratike e cila buron në Kosovë.
Bashkimi Demokratik Shqiptar uron Partinë Demokratike të Kosovës si fitues të këtyre zgjedhjeve, dhe shpreson që në një afat të shpejtë kohor do të formojë qeverinë e re të Kosovës së pavarur e cila siç deri më tani, do të drejtojë vendin dhe do të përmbush aspiratat e qytetarëve të Kosovës për një të ardhme më të mirë.
Bardhyl Mahmuti
Bashkimi Demokratik Shqiptar
13 dhjetor, 2010
Tetovë