E shtune, 27.04.2024, 10:40 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Plasari: Informoj SHIK-un për sulmin ndaj Bibliotekës

E premte, 10.12.2010, 09:07 PM


Elsa Demo Shekulli, 04/12/2010

 

Përgjigja Shoqata e Punonjësve të Biblioteka të Shqipërisë Punonjësit e bibliotekave: Ky është izolim.

 

Drejtori Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari, tha dje i shqetësuar para medias se një nënshtetas serb dhe një tjetër slloven, kanë sulmuar atë personalisht dhe institucionin që ai drejton.

Autorë të këtij sulmi publik në Akademinë e Shkencave, gjatë një konference për bibliotekat, sipas Plasarit janë Streten Ugreçiq, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë dhe Tomaz Seljak, drejtor i Institut Informacijskih Znanost, Maribor. Ai vetë nuk ka qenë i pranishëm, kanë qenë specialistët dhe zëvendësdrejtorja e BK-së, të cilët pasi kanë dëgjuar fyerjet ndaj drejtorit të tyre "kanë lënë sallën gradualisht".

 

Plasari tha se "sulmi publik ka ardhur mbas orvatjesh shumëvjeçare të të quajtur Institut Informacijskih Znanost për përfshirjen e Shqipërisë në një projekt (model organizativ të sistemit) të quajtur "Kooperativni online bibliografski system in servisi (COBISS)", i themeluar në ish-Jugosllavinë më 1987." Nëpërmjet BK-së, rrjeti në fjalë, "do të donte të integronte në vete gjithë bazën e të dhënave të rrjetit kombëtar shqiptar.

 

BKSH nuk mund as të ndalojë dhe as të lejojë biblioteka - cilatdo qofshin ato - të integrojnë ose të çintegrojnë të dhënat e tyre në rrjete që i vlerësojnë me interes për to, sepse ndërhyrje të tilla nuk ia atribuon BKSh asnjë element në legjislacionin për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë", ndaj edhe i quaj destabilizuese ndërhyrjet e dy nënshtetasve të huaj për ta shpërfillur këtë legjislacion dhe për të ushtruar mbi BKSh presion publik për shkeljen e tij duke i sugjeruar legjislacionet e vendeve të tyre përkatëse: serb ose slloven."

 

Të papranueshme, arrogante dhe tutoriale e quajti mënyrën që kanë përdorur dy individët e huaj, të përmendur më lart për të imponuar në Shqipëri një model të tyren. "Lodhen kot që e quajnë pengesë BK, sepse cilido nëpunës nuk do të kryente dot veprime të tilla antiligjore", tha Plasari.

 

Informacionin mbi çfarë ka ngjarë, ai ia ka përcjellë Shërbimit Informativ Shtetëror, dhe ia bën me dije, prokurorit të Republikës, Ina Rama, dhe kryeministrit, Sali Berisha. Sepse tekefundit drejtori e lidh situatën e një prapaskenë politike.

 

"Ky sulm është realizuar pikërisht mbas përfundimit me sukses të edicionit V të Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë mes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, mbajtur në Tiranë nga 22 më 23 nëntor.

 

Për më shumë përputhshmëri, po ashtu si BKSh në të njëjtën mbledhje është sulmuar nga njëri prej dy nënshtetasve të huaj edhe BKU e Kosovës."

 

Drejtori ka kujtuar se qëndrimi institucional i BKSh-së ka qenë mëse korrekt, madje ka treguar edhe gatishmëri, qysh në vitin 2002, për të promovuar arritjet e sistemit bibliotekar slloven - në këtë kuadër edhe të programit të tij COBISS.

 

Këmbëngulja e COBISS-it për një marrëveshje me Bibliotekën Kombëtare është absurde, sepse në tjetër drejtim janë orientuar politikat e institucionit të lartë të librit dhe trashëgimisë kombëtare.

 

"Me siguri ata do të përgjigjeshin se e bëjnë këtë për të mirën e Shqipërisë. Por kjo as nuk përkon me politikat integruese të BK në Evropë, as në integrimin e Bibliotekës Botërore Dixhitale. Për ne, ai rrjet është një mbeturinë e rrjetit të ish Jugosllavisë. Ata bëjnë mirë që lidhen midis tyre.

 

Bëjnë mirë të zgjidhin problemet që kanë me Kosovën, bazën e të dhënave që ia mbajnë të bllokuar Kosovës dhe të mos ëndërrojnë që problemet e rënda, perverse nga ana e tyre, nga ana serbe, që kanë me Kosovën, do t'i zgjidhin duke ndërhyrë edhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, që të nënshtrohet dhe të pranojë përfshirjen e Shqipërisë në këtë rrjet, gjë që nuk bën pjesë as në synimet tona madhore, as në drejtimet tona integruese evropiane."

Pse i drejtohet SHIK-ut zoti Plasari?

 

Sepse ai mendon se në këtë mes janë përfshirë elemente klienteliste të institucioneve shqiptare, përndryshe dy të huaj nuk do ta kishin kaq të lehtë të promovonin programet e tyre dhe të fyenin të zotin e shtëpisë.

Denoncimi publik ishte njëri hap.

 

Hapin e dytë institucional BKSH do të bëjë pranë strukturave evropiane, sepse drejtori Plasari mendon që duhen monitoruar paratë e atij Instituti slloven, ç'po bëhet me paratë e taksapaguesve evropianë.

 

Pas prezantimit të punës së deritanishme që është bërë vit pas viti nga BKSH, për procesin e automatizimit, dhe për përgatitjen e një grupi specialistësh të zotë që u përgjigjen standardeve të programeve që janë aplikuar për këtë proces, drejtori Plasari e mbylli komentin e tij gojor me këto fjalë: "Vihet re kontrasti i absurdit të presionit dhe kërkesave ndaj një Biblioteke Kombëtare që po integron bazën e të dhënave të veta në portalin evropian dhe të një rrjeti tjetër që i kërkon për vete këto të dhëna, dhe i kërkon me presion, me para, dhe së fundi me sharje personale. Mua më ka shpëtuar Zoti që nuk kam qenë në atë sallë, se atij serbi, mut muti, unë ia kisha treguar vendin."

 

Përfaqësuesi i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, personi i ngarkuar për politikat e librit Ermir Nika, pohoi se ministria ka dijeni për angazhimin e COBISS-it në rrjetin e bibliotekave të Shqipërisë, të cilat varen nga kjo ministri. Ai nuk i hoqi dhe as i shtoi gjë fjalëve të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare.

 

Politika e BKSH

 

BKSh ka punuar dhe vijon të punojë në dy drejtime madhore në përkim me politikat integruese të shtetit shqiptar: drejt integrimit europian, përkatësisht në portalin e bibliotekave, muzeve dhe arkivave EUROPEANA, si pjesëtarë me partneritet të plotë, dhe në ËORD DIGITAL LIBRARY, në të cilën BKSh është ftuar tanimë si partnere prej vitit 2009, madje me rezultate të lakmueshme për mundësitë e saj modeste dhe vetëm falë punës tepër të lavdërueshme të specialistëve të saj.

 

Nga ana tjetër, baza e të dhënave elektronike të BKSh është tanimë publike, online, dhe si e tillë ajo mund të shfrytëzohet nga çdo individ jashtë dhe brenda vendit, institut.

 

Politika e COBISS

 

Koncepti i sistemit COBISS është futur 20 vjet më parë. Në dhjetor të 1987, Shoqata e atëhershme e Bibliotekave Kombëtare të Jugosllavisë përshtati një sistem bashkëndarës katalogimi, si bazë të përbashkët për sistemin e informacionit bibliotekar kombëtar dhe sistemin e informacionit shkencor dhe teknik të Jugosllavisë.

 

Roli i shërbimit të informacionit bibliografik, si dhe ai i zgjidhjeve organizative dhe zhvilluesit (krijuesit) të programeve (softeve) u morën përsipër nga Instituti i Shkencës dhe Informacionit (IZUM), nga Maribori, Sloveni.

 

Falë mbështetjes së gjerë financiare të ministrisë së atëhershme federale të shkencës dhe teknologjisë, u krijua një rrjet kompiuterik bibliotekar, që më 1991, në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërlidhte 55 biblioteka nga të gjitha republikat dhe krahinat e saj autonome.

 

Shoqata e punonjësve të bibliotekave: Një rezolutë kryeministrit

 

Shoqata e Punonjësve të Bibliotekave të Shqipërisë e cila drejtohet nga një specialiste e vjetër e bibliotekave Tefta Buzo, ishte organizatorja kryesore e konferencës me temë "Roli i bibliotekave në shoqërinë e informacionit bazuar në dije".

 

Konferenca u mbajt më 2-3 dhjetor në Akademinë e Shkencave. Bashkëorganizatorë ishin Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Instituti i Shkencës së Informacionit (IZUM), Maribor. Kishte kujdesin e Komisionit Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n dhe Komisionit Kombëtar Slloven për UNESCO-n.

 

Merrnin pjesë drejtorë dhe përfaqësues të Bibliotekave Kombëtare nga Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, dhe shumë specialistë të bibliotekave publike, shkollore dhe universitare të Shqipërisë.

 

Është folur kryesisht për gjendjen e bibliotekave në vendet përkatëse, për sfidat e zhvillimit, por edhe për të mirat nga bashkëpunimi me rrjetin COBISS. "Jemi të përgatitur t'ju ndihmojmë", tha në përfundim drejtori i IZUM-it, Tomas Seljak.

 

Ndërkombëtarët po ashtu do të na hapin dyert. Ne po shkojmë në shtëpi, ju mbeteni këtu." Me këto fjalë Seljak, i ka kujtuar specialistët vendas që duhet të mbajnë lart vullnetin për bashkëpunim me të huajt dhe të përballen siç duhet me heshtjen e institucioneve, si Biblioteka Kombëtare.

 

Florida Misha, drejtoreshë e Bibliotekës Shkencore të Universitetit Politikenik të Tiranës tha se Shoqata e Punonjësve të Bibliotekave të Shqipërisë duhet të dalë me një rezolutë drejtuar qeverisë. Aty t'i bëhet e ditur pse BKSH është bërë pengesë për implementimin në Shqipëri të programeve të IZUM-i.

 

"Të dalim me një rezolutë si shoqatë, për t'i dërguar një letër informuese qeverisë shqiptare për këtë gjë. Sepse për ne, ky është mendimi im personal, është një turp shumë i madh që ato 5-6 vite të IZUM-it, të hidhen në plehra.

 

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për ndihmën e madhe që na ka dhënë IZUM-i me drejtorin e vet. S'mund të rrimë e të dëgjojmë, dhe vetëm të dëgjomë. Ne si popull nuk kemi iniciativë. Ne si popull na shtypin dhe rrimë prapë aty ku jemi."

 

Misha ka përmendur ndihmën që kanë marrë nga IZUM-i 10 biblioteka publike të Shqipërisë, ndihmë në pajisje, në pasurim fondesh. Janë 15 persona që bëjmë master falas për Bibliotekonomi në Slloveni.

 

"Për të mos folur për lidhjen me internet", shton Misha. "Biblioteka që drejtoj kishte instalimet e kohës së Italisë. Janë investuar 50 mijë euro për instalimet e rrjetit elektrik. Për herë të parë në punën tonë ndriçohet ambienti plotësisht. Kurse tani kundërshtimi është i një njeriu të vetëm. Zoti Plasari është ftuar për bashkëpunim."

 

Një tjetër ish punonjëse e Bibliotekës Kombëtare, anëtare e Shoqatës tha se jo vetëm bibliotekat kombëtare, por të gjitha bibliotekat publike, të shkollave, të universitetit, që këmbejnë të dhënat, kanë nevojë për mbështetjen iu ofron rrjeti COBISS.

 

"Zoti Plasari nuk ka thënë as arsye pse nuk do të bashkëpunojë. Por nëse ai nuk do të bashkëpunojë, çfarë alternative tjetër ka? Është e vërtetë që ligjërisht bibliotekat nuk janë në varësi BK, por nga ana metodike janë në varësi të saj", thotë ish punonjësja.

 

"Zoti Plasari duke mbajtur këtë ombrellë të mbyllur i mban të gjithë të tjerët në shi. Që të vijosh bashkëpunimin me COBISS ose me rrjete të tjera shumë të mëdha, duhet të jetë një qendër trajnimi, e pajisur, ku të specializohet dhe trajnohet personeli.

 

Do të kemi shumë më tepër kursime në qoftë se këto hapa që një ditë do t'i bëjmë, i bëjmë brenda një rrjeti ku janë gjithë këto eksperienca pozitive. Është më mirë kështu se sa të nisim diçka të re që do ta kushtojë shumë dhe do mbetemi në mes të rrugës."

 

Biblioteka e Shqiperise: Po kanoset rreziku sllav

Gazeta Shqiptare, 04/12/2010 

 

Biblioteka Kombëtare është 'sulmuar' të enjten në një konferencë në Akademinë e Shkencave nga dy shtetas të huaj, njëri drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë, Streten Ugreçiq dhe një tjetri slloven i quajtur Tomaz Seljak. Drejtori i Bibliotekës, Aurel Plasari përmes një letre të hapur i drejtohet kryeprokurores Ina Rama, kryeministrit Berisha dhe drejtuesit të SHISH-it Bahri Beci, duke informuar për përplasjen me institutin slloven "Informacijskih Znanost" dhe rreziqet që i kanosen Bibliotekës Kombëtare. Po botojmë më poshtë letrën e plotë të tij.

 

Informacion: SHËRBIMIT INFORMATIV SHTETËROR

Për dijeni: Znj. INA RAMA, Prokurore e Republikës së Shqipërisë

Për dijeni: Z. Sali BERISHA, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

 

Më datë 2 dhjetor 2010, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është sulmuar publikisht në një mjedis publik, gjatë një mbledhjeje të organizuar në Tiranë, nga dy nënshtetas të huaj: një nënshtetas serb i quajtur Streten Ugreçiq, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë (Beograd), dhe një nënshtetas slloven, i quajtur Tomaz Seljak që paraqitet në Shqipëri me detyrën e drejtorit të një institucioni të quajtur "Institut Informacijskih Znanost", Maribor (Slovenia).

Ky sulm është realizuar pikërisht mbas përfundimit me sukses të edicionit V të konferencës kombëtare të Bibliotekonomisë mes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, mbajtur në Tiranë nga 22 më 23 nëntor. Për më shumë përputhshmëri, po ashtu si BKSh-ja në të njëjtën mbledhje është sulmuar nga njëri prej dy nënshtetasve të huaj edhe BKU-ja e Kosovës.

Sulmi publik ka ardhur mbas orvatjesh shumëvjeçare të të quajtur "Institut Informacijskih Znanost", për përfshirjen e Shqipërisë në një projekt (model organizativ të sistemit) të quajtur "Kooperativni online bibliografski system in servisi (COBISS)", i themeluar në ish-Jugosllavinë në 1987. Seç përfaqëson sistemi në fjalë njoftohet në vetë faqen e tij promovuese: "Koncepti i sistemit COBISS është futur 20 vjet më parë. Në dhjetor të 1987, Shoqata e atëhershme e Bibliotekave Kombëtare të Jugosllavisë përshtati një sistem bashkëndarës katalogimi, si bazë të përbashkët për sistemin e informacionit bibliotekar kombëtar dhe sistemin e informacionit shkencor dhe teknik të Jugosllavisë. Roli i shërbimit të informacionit bibliografik, si dhe ai i zgjidhjeve organizative dhe zhvilluesit (krijuesit) të programeve (softeve) u morën përsipër nga Instituti i Shkencës dhe Informacionit (IZUM) nga Maribori, Sloveni. Falë mbështetjes së gjerë financiare të ministrisë së atëhershme federale të shkencës dhe teknologjisë, u krijua një rrjet kompjuterik bibliotekar, që në 1991, në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërlidhte 55 biblioteka nga të gjitha republikat dhe krahinat e saj autonome".

Në mënyrë konkrete prej institucionit të quajtur Institut Informacijskih Znanost, Bibliotekës Kombëtare i janë ushtruar presione për të nënshkruar marrëveshje që i bien ndesh legjislacionit të shtetit shqiptar: Ligjit nr. 8576, datë 03.02.2000 "Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë" dhe akteve nënligjore në zbatim të tij: tekstin e ofruar për marrëveshje të tilla do ta gjeni në dokumentacionin bashkëngjitur.

Konstatoj gjithashtu që elementë klientelistë të këtij projekti i kanë dhënë këtij instituti mbështetje për të folur, shkruar dhe sulmuar publikisht institucionet kombëtare të shtetit shqiptar, siç është Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në 90-vjetorin e saj: identitetet e tyre do t'i gjeni në dokumentacionin bashkëngjitur këtij informacioni, ndërsa për shumat e konsiderueshme monetare të shpenzuara për këto ndërhyrje informacionet nuk rezultojnë transparente në publik. Edhe rasti më i fundit i një mbledhjeje të organizuar në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me një temë "Roli i bibliotekave në shoqërinë e informacionit bazuar në dije", por që me zhvillimet e tij rezulton të këtë qenë promocion klientelist i institucioni të quajtur Institut Informacijskih Znanost, Maribor (Slovenia), një orvatje të tillë klientelizmi përfaqëson. Prej kolegut tim drejtor i BKU-së të Kosovës jam njoftuar tanimë zyrtarisht se presione të ngjashme klienteliste janë ushtruar edhe ndaj atij institucioni.

Ndiej detyrë të saktësoj se BKSh-ja nuk mund as të ndalojë dhe as të lejojë biblioteka cilado qofshin ato, të integrojnë ose të ç'integrojnë të dhënat e tyre në rrjete që i vlerësojnë me interes për to, sepse ndërhyrje të tilla nuk ia atribuon BKSh-së asnjë element në legjislacionin për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë", ndaj edhe i quaj destabilizuese ndërhyrjet e dy nënshtetasve të huaj për ta shpërfillur këtë legjislacion dhe për të ushtruar mbi BKSh-në presion publik për shkeljen e tij duke i sugjeruar legjislacionet e vendeve të tyre përkatëse: serb ose slloven.

Ndërkaq duhet t'iu informoj se BKSh-ja ka punuar dhe vijon të punojë në dy drejtime madhore në përkim me politikat integruese të shtetit shqiptar: drejt integrimit europian, përkatësisht në portalin e bibliotekave, muzeve dhe arkivave EUROPEANA, si pjesëtarë me partneritet të plotë, dhe në WORD DIGITAL LIBRARY, në të cilën BKSh-ja është ftuar tanimë si partnere prej vitit 2009, madje me rezultate të lakmueshme për mundësitë e saj modeste dhe vetëm falë punës tepër të lavdërueshme të specialistëve të saj. Nga ana tjetër, baza e të dhënave elektronike të BKSh-së është tanimë publike, online, dhe si e tillë ajo mund të shfrytëzohet nga çdo individ jashtë dhe brenda vendit, institut, rrjet ose "kooperativë" qoftë.

Këto rezultate janë në dije të përdoruesve shqiptarë e të huaj, si edhe të drejtuesve të shtetit shqiptar, personalisht të Kryeministrit të Shqipërisë, i cili ka vlerësuar për to specialistët e BKSh-së gjatë vizitave të tij më të fundit në institucion. Vetë si drejtues i institucionit kam marrë për punën time vlerësime kombëtare dhe ndërkombëtare, meritë e gjithë stafit që ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me mua, prandaj edhe sulmet e nënshtetasit serb dhe nënshtetasit slloven ndaj meje dhe institucionit që drejtoj jam i detyruar t'i shikoj me dyshim për synimet e tyre dhe si të tilla t'ia informoj institucionit tuaj.

Me gjithë qëndrimin institucional të BKSh-së, që më rezulton korrekt, madje edhe i mirësjellshëm, me gjithë gatishmërinë e BKSh-së për të promovuar arritjet e sistemit bibliotekar slloven, në këtë kuadër edhe të programit të tij COBISS edhe në Shqipëri, madje edhe në mjediset tona në vitin 2002, i quajturi 'Institut Informacijskih Znanost' nëpërmjet drejtorit të tij ka vijuar veprimtarinë tanimë publike kundër BKSh-së me synim përfshirjen me çdo kusht, pra edhe të kundërligjshme të BKSh-së në sistemin "kooperativ" të ideuar prej tyre. Në mbrojtje të këtyre dy drejtime madhore integruese në përkim me politikat e shtetit shqiptar, sulmin publik të dy nënshtetasve të huaj e vështroj edhe si orvatje të vrazhdë për devijim nga këto politika. Përpjekje për t'i imponuar BKSh-së direktiva dhe "filozofi" të mbetura mbrapa dhe, si përfundim, për kthim në mbetjet e rrjeteve dhe gjysmërrjeteve të informacionit ish-jugosllav, sepse projekti i "Kooperativës" në fjalë nuk rezulton as - makar - nismë rajonale, sikurse rreket të paraqitet, duke qenë se në të nuk bëjnë pjesë as Kosova, as Kroacia, as Greqia, as Turqia, as Rumania.

Ndër rastet më të fundit, të papranueshme për BKSh si institucion kombëtar, është edhe orvatja flagrante për të vënë nën kontroll nga ana e të quajtur Institut Informacijskih Znanost, Maribor letërkëmbimin e BKSh me disa biblioteka homologe (kryesisht të ish-Jugosllavisë) si të Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Sllovenisë etj. Mbas sqarimit tim institucional për ta bërë me dije që BKSh-ja nuk mund të pranojë filtrimin apo tutorimin e letërkëmbimit të saj me homologët e vet nëpërmjet Institutit në fjalë ose cilitdo institut tjetër në botë, sulmet ndaj BKSh-ja u intensifikuan duke u bërë edhe më të hapura, si në këtë rast më të fundit.

Ju lutem të mbani shënim këtë njoftim timin, duke qenë se specialistët tuaj e dinë, ndoshta më mirë se unë se ku shpien në një shoqëri të lirë dhe me konkurrencë tregu klientela dhe klientelizmi që po ndërtojnë këta dy nënshtetas të huaj në Shqipëri duke shpenzuar fonde dhe para që i paraqesin si të tyret. Por që në të vërtetë rezultojnë fonde të BE-së për të mbështetur vende në zhvillim, përfshi edhe Shqipërinë, pra që nuk mund të shndërrohen në një aferë të dy individëve ose të një institucioni duke sugjeruar me shpërfillje deri edhe shkeljen në Shqipëri të legjislacionit në fuqi në emër të një kinse "filozofie të re".

Në mbështetje të gjithë sa ju informoj këtu, ju bashkëngjis edhe dokumentacionin përkatës në dispozicionin tonë, si edhe çdo informacion shtesë që do t'iu rezultojë i nevojshëm.

Mbetem me respekt ndaj jush si institucion në shërbim të shtetit shqiptar dhe, përkatësisht, edhe të kulturës sonë,

Drejtor Aurel Plasari

 

Plasari: I kërkoj shtetit t'i shpallë dy të huajt nongrata

 

Gazeta Shqiptare, 04/12/2010 

 

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare pengon përfshirjen e Shqipërisë në rrjetin Corbbis". Sipas Aurel Plasarit këto kanë qenë fjalët me të cilët është sulmuar prej në konferencën e së enjtes prej sllovenit Tomaz Seljak dhe serbit Streten Ugreçiq. Të pranishëm në konferencën me titull "Roli i bibliotekave në shoqërinë e informacionit bazuar në dije" mbajtur në Akademinë e Shkencave nga Instituti i Shkencës dhe Informacionit Slloven dhe shoqata e bibliotekarëve të Shqipërisë, kanë qenë edhe punonjës të Bibliotekës Kombëtare si edhe nëndrejtoresha e saj, Etleva Domi. Menjëherë pas sulmit ndaj Plasarit, ata kanë braktisur sallën në shenjë proteste. Mbas letrës së hapur dërguar dje Berishës, SHISH-it dhe Ina Ramës, në një prononcim për "Gazetën" Plasari shprehet mjaft i indinjuar nga ngjarja. "Ç'janë këta njerëz të huaj që kanë ardhur në Tiranë për të sulmuar Bibliotekën shqiptare dhe atë të Kosovës", - pyet ai. I pyetur se cili është sulmi ndaj tij, ai tha se është folur kundër Bibliotekës Kombëtare e më tej rrëfeu se "përplasjet" mes bibliotekës dhe institutit të shkencës dhe informacionit kanë filluar prej 8-9 vitesh. I pyetur se çfarë pret ai prej Shërbimit Informativ shqiptar, prej kryeprokurores dhe kryeministrit, Plasari u shpreh se do t'iu kërkojë t'i shpallë persona nongrata në vendin tonë. Ai thotë se nuk është rrjet rajonal ashtu sikundër pretendon, sepse pjesë e tij nuk janë shtetet e rajonit e mandej shton se askush nuk mund të detyrojë të bëhesh pjesë e një rrjeti.

 

Akademia: Nuk ka rrezik sllav, do flas me Plasarin

 

Gazeta Shqiptare, 04/12/2010 

 

Fatmira Nikolli

 

Një konferencë për bibliotekat mbajtur në Akademinë e Shkencave është kthyer në podium sulmi ndaj Bibliotekës Kombëtare të enjten pasdite. Lidhur me ngjarjen ne kërkuam një reagim nga Gudar Beqiraj, kryetar i Akademisë së Shkencave. Ky i fundit shprehu keqardhjen për atë çfarë kishte ndodhur dhe sqaroi pozicionin e këtij në këtë konferencë. "Unë kam marrë pjesë vetëm në fillimin e konferencës ku mbajta vetëm fjalën përshëndetëse. Ne kemi interes të shfrytëzojmë rrjetin e bibliotekave 'Cobbis', sepse kemi një bibliotekë shkencore këtu në Akademinë e Shkencave. Nëse mua më jepet një mundësi e tillë, që të jem pjesë e një rrjeti të tillë ballkanik bibliotekash, meqenëse kostoja e shërbimit është shumë e ulët, atëherë unë nuk kam përse ta mohoj", - tha ai dje për Gazetën. Sa i takon 'rrezikut' që paramendohet se ka ky rrjet, Beqiraj tha: "Nuk shoh asnjë gjë të rrezikshme sepse rrjeti mund të jetë teknologji sllovene, por ama për ta mbushur këtë rrjet me një bazë të dhënash, do ta mbush unë me bibliotekën time. Interesi im është të shfrytëzoj rrjetin për të marrë libra e të dhëna nga bibliotekat e huaja". Më tej i pyetur nëse do jetë pjesë e këtij rrjeti, ai tha se fillimisht do të konsultohet me Aurel Plasarin, për të parë se çfarë nuk shkon me këtë rrjet. "Nëse ka diçka që nuk shkon apo që është në dëmin tonë, unë do ta lë këtë projekt, sepse nuk kam firmosur ndonjë marrëveshje ende", - përfundoi fjalën e tij Gudar Beqiraj, kryetar i Akademisë së Shkencave.

Pjesëmarrësit

Pa dashur të deklarohen me emër, pjesëmarrës në këtë konferencë, thonë se e kanë dëgjuar kur ka folur slloveni dhe ka përmendur emrin e Plasarit, e më tej shpreh keqardhje për personalizimin e problemit. Sipas pjesëmarrësve mësohet se Tomaz Seljak ka thënë se Aurel Plasari nuk ka pranuar ta firmosë marrëveshjen ndërkohë që ajo është firmosur nga Mali i Zi etj. Disa pjesëmarrës në konferencë, mohojnë pretendimin e punonjësve të bibliotekës se Seljak ka akuzuar Plasarin për pengesë të futjes së rrjetit në Shqipëri, por nga ana tjetër konfirmojnë braktisjen e sallës prej tyre.

 

Drejtori i IZUM-it, Slloveni, Tomas Seljak

 

Shekulli

 

Pyetjes a është e vërtetë që COBISS ka tentuar për tetë vite me radhë të kontaktojë me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe të ushtrojë forma presioni në mënyrë që BKSH të bashkohet në këtë rrjet, dy personat e denoncuar nga Plasari përgjigjen.

 

Kemi problem strukturën organizative të bibliotekave në Shqipëri

"Prej shumë kohësh bibliotekave të Shqipërisë unë iu jap një ndihmesë. Por zoti Plasari asnjëherë nuk ka marrë pjesë në konferencat tona ku gjithmonë ka qenë i ftuar. Na ka thënë që nuk kam nevojë të bashkëpunoj me institutin tuaj.

 

Por kjo punë është vetëm në të mirë të bibliotekave shqiptare se me ndihmën tonë ne kemi arritur shumë për bibliotekat shqiptare.

 

Nuk kemi të bëjmë me asnjë interes komercial, jemi një organizatë jofitimprurëse dhe do të vazhdojmë përpjekjet tona që bibliotekave shqiptare t'u mundësojmë kyçjen në rrjetin rajonal të bibliotekave në mbarë Evropën.

 

Shqipëria është pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe sigurisht që ka një qëllim final në integrimin evropian. Por duhet të dini se Biblioteka Kombëtare e një vendi është shumë e rëndësishme dhe është zanafilla e zhvillimit të bibliotekave të tjera.

 

Në prezantimin tim kam treguar se si bëhet bashkëpunimi i thellë mes bibliotekave në Rajon. Të gjitha bibliotekat e një vendi duhet të bashkohen si një trup i vetëm dhe të organizohen në një organizatë në kuadrin e Bibliotekës Kombëtare. Ne kemi konstatuar se bibliotekat në Shqipëri nuk janë të lidhura me Bibliotekën Kombëtare.

 

Pra qëllimi i gjithë konferencës dhe i Bibliotekës Kombëtare duhet të jetë që këto biblioteka t'i bashkojë, dhe pastaj këto biblioteka të bashkohen me rrjetin rajonal. Në këtë mënyrë bibliotekat i mundësojnë rrjetit shkëmbimin pa pagesë të rekordeve bibliografike që i kanë në pronësi.

 

Institutin tonë e financon Qeveria e Republikës së Sllovenisë, dhe me fondet e veta ndihmon vendet e Rajonit të Ballkanit për zhvillimin e mëtejshëm të bibliotekave dhe të tërë sistemit të informacionit në lidhje me këtë veprimtari.

 

Ne e dimë gjendjen e bibliotekave në Shqipëri, sepse bashkëpunojmë prej një kohe të gjatë me to.

 

Nuk kemi problem gjetjen e financimeve por strukturën organizative të bibliotekave në Shqipëri. Ndoshta zoti Plasari ndjen se këtu ka diçka për t'u shqetësuar, por nuk është kështu.

 

Në këtë konferencë kanë ardhur drejtorë të bibliotekave kombëtare rajonale dhe ata kanë dashur që ta takojnë por ai nuk ka pranuar.

Kjo në një botë normale nuk mund të ndodhë, por po konstatojmë se mund të ndodhë vetëm në Shqipëri."



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora