E shtune, 27.04.2024, 04:40 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Bolshevikë dhe muhaxhirunë: Revolucioni komunist i Leninit dhe Revolucioni Islamik i Muhametit (1)

E hene, 13.12.2010, 10:58 PM


Bolshevikë dhe muhaxhirunë: Revolucioni komunist i Leninit dhe Revolucioni Islamik i Muhametit (1)

   

Nga Kastriot MYFTARAJ 

 

Pasiqë Muhameti dështoi për 12 vite që të bënte për vete banorët e Mekës si predikues, ai u shndërrua befasisht në luftëtar, i cili do t' i detyronte të tjerët me forcë që ta pranonin fenë e vet. Në shtator të vitit 622, pesë muaj pasi imperatori bizantin Herakli u nis në fushatën e

 

madhe të kundërmësymjes ndaj persianëve, Muhameti befas mori vendim që të largohej me të vetët nga Meka për në Yathribë, e cila pas kësaj do të quhej Medinat al-Nabi, do të thotë Qyteti i Profetit. Në këtë emërtim ka një aludim qortues për Mekën, e cila ishte qyteti i lindjes së profetit. Konotacioni i ndryshimit të emrit të Medinës është se Meka ishte qyteti armik i profetit. 

Arsyeja që jepet për ikjen në Medinë është se Muhametit dhe ndjekësve të tij u rrezikohej jeta, nuk duket e besueshme. Ata kishin qëndruar për 12 vite në Mekë dhe kurejshët mund t' i kishin vrarë lehtë gjatë kësaj kohe, muslimanët, të cilët qenë shumë të paktë, jo më tepër se 100 në kohën e ikjes në Medinë. Më e besueshme duket që Muhametit t' i ketë ardhur urdhri nga Persia që të largohej për në Medinë ku të grumbullonte forca për të pushtuar Mekën. Tashmë persianët e kishin të qartë se Muhameti kishte dështuar në Mekë si profet. Në 12 vite ushtrimi të "profetësisë" me predikim ai nuk kishte arritur që të bënte as dhjetë ithtarë në vit. Nëse Muhameti do të kishte vazhduar që të predikonte pareshtur nga viti 610 deri në 2010, në botë do të kishte pasur jo më shumë se 14 000 muslimanë! Fakti është se Muhametin e refuzoi Meka, vendi më i zhvilluar i Hexhazit.

Në 622 ai u ftua nga fisi Khazrai në Medinë, ku ishte e fortë influenca persiane. Në Medina Muhameti kishte mbështetjen e Sa' d ibn Mua' dh, kreut të fisit të madh Banu Aus, të cilët qartësisht qenë njerëzit e persianëve. Muhameti iku nga Meka me vetëm 100 mbështetës, të cilët qenë krejt çka kishte mundur të bënte ndjekës të fesë së re. Ky qe ai që u quajt Hixhri. Ata që ikën me Muhametin u quajtën muhaxhirunë, fjalë kjo që do të thotë emigrant. Muhaxhirunët qenë ekuivalenti i bolshevikëve të Leninit, garda militante e tij. Mbi bërthamën e muhaxhirunëve  Muhameti krijoi në Medina një gardë pretoriane të quajtur Vëllazëria, e cila i bindej atij pa diskutim, për çdo gjë. Muhameti krijoi Vëllazërinë, një organizatë me kasta ku bënin pjesë shokët e tij të ardhur nga Meka, të quajtur Sahaba, të cilët përbënin kastën superiore. Muslimanët medinas u quajtën Ansar (ndihmës) dhe përbënin kastën e ulët. Çdo sahib u bë vëlla me një ansar. Por Muhameti vetë u bë vëlla me Aliun. Vëllazëria e krijuar nga Muhameti ishte e para organizatë në Arabi ku një lidhje tjetër prevalonte mbi atë tradicionale të gjakut, familjes, fisit. Vëllai duhet të vriste vëllain, djali babain, saktësisht ashtu si në luftën klasore ideologjike që filloi Lenini në Rusi. Vëllazëria ishte një shoqëri sekrete në stilin e atyre sumere të kultit të Inanna dhe atyre të Al-Uzza, në Mekë. Kjo shoqëri sekrete do të mbetej në zemër të Islamit, deri në kohët tona.

Me Hixhrin Muhameti u bë politikan, rebel. Tashmë ai bëri të qartë se këtej e tutje konvertimi do të bëhej me dhunë. Arabët duhej të zgjidhnin mes konvertimit dhe vdekjes. Me ndihmën e persianëve Muhameti u bë zoti absolut i Medinës, të cilën synonte ta përdorte si një bazë fuqie për të marrë nën kontroll Mekën dhe krejt Hexhazin, së paku. Me zotërimin e Medinës Islami u bë një polis militant religjioz.

Ekziston një ngjashmëri kurioze mes Leninit dhe Muhametit: Lenini doli me zbulesën e vet në 1902 dhe bëri 15 vite predikime dhe debate derisa erdhi dita kur shkoi befasisht në Rusi, i dërguar nga gjermanët, në vagonin e vulosur të trenit, për të kryer revolucionin e dhunshëm bolshevik. Muhameti e bëri zbulesën në vitin 610 dhe bëri 12 vite predikime e debate, derisa erdhi dita kur mori vendimin befasisht për të kryer revolucionin për instalimin e Islamit me dhunë. Muhameti, me largimin nga Meka për në Medinë e kapërceu "Rubikonin", duke u shndërruar nga predikues-konspirator në prijës luftëtar. Që profetët të shndërroheshin në prijës luftëtarë kjo nuk ishte një gjë e re, se edhe Abrahami dhe Moseu kishin qenë të tillë, por kishte një ndryshim të madh mes Muhametit dhe atyre. Derisa Abrahami dhe Moseu kishin luftuar kundër popujve të tjerë, Muhameti do të luftonte kundër popullit të vet, kurejshëve te Mekës. Derisa Lenini përçau partinë së cilës i përkiste, Muhameti përçau fisin të cilit i përkiste. Ashtu si Lenini, Muhameti u shkëput me një fraksion, muhaxhirunët, të ngjashëm me bolshevikët. Ashtu si Lenini, Muhameti ngutej, ai donte ta përshpejtonte historinë.

Kur njeriu lexon Kuranin nuk mund të mos pyesë se përse Allahu befas i mori gjërat me kaq ngut dhe donte që ta instalonte Islamin në Mekë dhe në krejt Arabinë, që në të gjallë të Muhametit. Allahu në Kuran paraqitet si i duruar, përse ngutej ai këtë herë? Zoti nuk qe ngutur me profetët e tjerë. Zoti mund të mjaftohej që Muhameti ta shpallte Kuranin, ndërsa të tjerë njerëz pas tij, të bënin që fjala e Allahut të sundonte në Mekë dhe më tutje në Arabi. A ishte Muhameti në shërbim të Zotit, apo Zoti në shërbim të Muhametit? Pse duhej që Allahu të bënte që i dërguari i tij, profeti i fundit, të kompromentohej kaq shumë me ushtrim dhune? A nuk u kursye Moseu nga kjo gjë, duke mos hyrë në Tokën e Premtuar? Kurani duket se është shkruar si doktrinë politiko-ushtarake në shërbim të një njeriu, në një situatë të dhënë.

Hixhri i Muhametit në Medinë është ekuivalenti i marrjes së Petrogradit nga Lenini, do të thotë i Revolucionit të Tetorit. Mund të thuhet se Yathriba (Medina) ishte për Hexhazin e kohës ajo çka ishte San Peterburgu për Rusinë e kohës kur u bë revolucioni bolshevik. San Peterburgu asnjëherë nuk ishte pranuar nga Rusia tradicionale, do te thotë nga shumica e rusëve si kryeqytet, dhe ishte parë më tepër si një qytet i sajuar, tregtar, me frymë kozmopolite. Si qendra e vërtetë e Rusisë qe parë gjithherë Moska. Ashtu si Lenini duhet të shkonte në Moskë, që të bëhej vërtet zoti i Rusisë, ashtu dhe Muhameti duhet që të shkonte në Mekë që të bëhej zoti i vërtetë i Hexhazit dhe më tutje i Arabisë.

Nuk mund të mos bëhet pyetja se përse kalendari islamik fillon me ikjen e Muhametit në Medinë dhe jo me rikthimin e tij triumfator në Mekë, çka tekefundit qe qëllimi i vërtetë i largimit për në Medinë. Pas të gjitha gjasave kjo ka ndodhur se Muhameti dhe pasardhësit e tij e kuptonin se nuk shkonte që koha islamike të fillonte me hyrjen e Muhametit në Mekë me ushtri. Muhameti nuk e bindi Mekën, por e përdhunoi atë. Derisa Muhameti donte të evitonte nisjen e kalendarit me hyrjen në Mekë, ai mund të kishte zgjedhur që llogaritja e kohës nuk fillon që nga dita kur supozohet që të ketë filluar emetimi i Kuranit për Muhametin. Në rast se në fenë islame nuk adhurohet kush tjetër posë Allahut, atëherë a nuk duhet të kishte ndodhur kështu? Është shumë domethënëse që ai nuk e bëri këtë, por tjetrën. A nuk vihet Muhameti mbi Allahun? Kështu shënohet koha e Muhametit dhe jo koha e Allahut. Ai donte të ngrinte kultin e vetes nën hijen e Allahut. Kalendari islamik fillon pikërisht nga dita kur Islami shndërrohet në një lëvizje politiko-ushtarake. Nuk ka asnjë rresht në Kuran ku Allahu të urdhërojë që kalendari të fillojë kështu.

Kur Muhameti u largua nga Meka për në Medinë, ai tashmë kishte shpallur 86 sure të Kuranit, nga 114 që ka gjithsej Kurani. Në Medinë do të shpalleshin vetëm 27 sure. Por suret e shpallura në Medinë përbëjnë pjesën më të madhe të tekstit të Kuranit se ndër to janë suret më të gjata të Kuranit. Sureja e parë e shpallur në Medinë ishte ajo El Bekare (E Lopës), një sure shumë e egër, luftarake, e cila në Kuran është e dyta. Ajo u shpall me rastin e luftës që filloi Muhameti kundër karvaneve tregtare mekane që shkonin në Siri, duke kaluar pranë Medinës. Sureja legjitimon këtë dhunim të normave tashmë të stabilizuara në Hexhaz, për qarkullimin e lirë të karvaneve. Sureja pasuese, ajo El Enfalë (E Plaçkës së luftës), e cila është e treta në Kuran, përcakton dispozitat për ndarjen e presë së bërë në grabitjen e karvaneve.

Në Medinë Muhameti u bë teolog sofist, çka e bën të ngjashëm me Leninin në periudhën e parë pas Revolucionit të Tetorit. Në muajt e parë pas Revolucionit të Tetorit, Lenini u përpoq të krijojë përshtypjen e njeriut që i respektonte të gjitha partitë politike në vend, duke pranuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara që para revolucionit të tij. Edhe Muhameti u përpoq që të krijonte përshtypjen se i respektonte bashkësitë religjioze në Medinë. Muhameti, me të arritur në Medina bëri një pakt me hebrejtë e atjeshëm, e njohur si Karta e Medinës (622), e cila gjithsesi është shpallur në mënyrë të njëanshme nga Muhameti dhe nuk ka firmat e palëve të tjera. Karta u referohet hebrejve dhe paganëve të Medinës si pjesë të asaj që ai e quan Ummah. Muhameti e mori fjalën "ummah" nga hebraishtja ku do të thotë "nacion". Muhameti mendonte se me këtë gjetje do t' i manipulonte hebrejtë, të krishterët dhe idhujtarët e Medinës, për t' i përdorur ata si instrumente të politikës së tij. Karta ka dhe dispozita të posaçme për muslimanët të cilët ndahen në muhaxhirunët mekanë dhe ansarët (ndihmësit) medinas. Kjo bie në kundërshtim me atë që thuhej në fillim të Kartës se të gjithë muslimanët qenë të barabartë. Në Kartën e Medinës nuk përmenden të krishterët, gjë që ka ndodhur se ata shiheshin si aleatë të bizantinëve, armiq të persianëve.      

Në kuadrin e kësaj politike paqësimi, Muhameti në fillim, për të fituar simpatinë e hebrejve të Yathribës, bëri kible Jerusalemin, përkatësisht Gurin e Malit të Tempullit. Suret e gjata të shpallura në Medina janë dukshëm të influencuara nga Judaizmi. Në Medina, Muhameti kishte mbështetjen e tre fiseve hebreje të qytetit. Por shpejt ata u ftohën me të, se Muhameti donte që ata ta njihnin si profet. Në këtë moment hebrejtë filluan ta perceptojnë Muhametin si rrezik. Ata filluan të bashkëpunojnë me shumë nga të konvertuarit me forcë në Islam, të cilët morën zemër nga ftohja e hebrejve me Muhametin. Muhameti për të fituar simpatinë e hebrejve e ashpërsoi gjuhën ndaj të krishterëve.

Kur Muhameti shkoi në Medinë ai befasisht filloi të shpallë sure shumë detraktuese dhe të egra ndaj të krishterëve. Në Mekë ai nuk e kishte bërë këtë gjë, me sa duket se në Mekë ishte e fortë influenca bizantine. Antikrishterizmi virulent që shfaqi befasisht Muhameti ishte me siguri i influencuar nga persianët, të cilët në atë kohë gjendeshin në fazën kulmore të luftës së tyre të gjatë me bizantinët e krishterë. Muhameti adoptoi dhe pothuajse krejt qëndrimin judaik për Krishtin, madje e zhvilloi atë në terma shumë ofensive. Në kohën që Muhameti ishte në Medinë ai filloi të shpallë  sure ku mohohej se Krishti ishte trupëzim i Zotit, se Krishti ishte Biri i Zotit dhe se Zoti e incintoi Marinë me anë të Shpirtit të Shenjtë, çka është themelore në Krishterim në të gjitha degët e tij. Gjithashtu në Kuran, Trinia e Shenjtë, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, një koncept bazik i Krishterimit ky nuk pranohet, quhet shirkh, idhujtari. Në kohën që Muhameti ishte në Medinë ai shpalli një sure në të cilën u drejtohet të krishterëve në një gjuhë kërcënuese. Në Suren En Nisaw, e pesta e shpallur në Medinë dhe e treta në Kuran thuhet:

"O ithtarë të Librit, mos e teproni në fenë tuaj dhe mos thoni gjë tjetër për Allahun, përveç asaj që është e vërtetë... Besoni pra Allahun dhe të Dërguarin e tij dhe mos flisni për Trininë. Pushoni së foluri se është më mirë për ju. Allahu është vetëm një Allah dhe larg qoftë që ai të ketë fëmijë".(Kuran, En Nisaw: 4/ 171)

Këtu të krishterëve u kërkohet që të heqin dorë nga një gjë themelore e fesë së tyre, Trinia e Shenjtë, dhe qënia e Krishtit biri i Zotit. Në këtë sure edhe kryqëzimi i Krishtit, një gjë themelore kjo për Krishterimin:

"Por ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan por atyre u përngjau".(Kuran, En Nisaw: 4/ 157)

Në Suren El Maidë, të shpallur në Medinë thuhet për të krishterët:

"E mohuan të vërtetën ata që thanë se Zoti është Mesihu, biri i Merjemes".(Kuran, El Maidë: 5/ 17)

Kështu, Muhameti, shtatë shekuj pas Krishtit, mori librin e shenjtë të të krishterëve, mori çka deshi prej tij, tjetërsoi Krishtin, e detraktoi atë, dhe të gjitha këto u fiksuan në librin më të shenjtë të Islamit. Kështu muslimanët e kanë bërë fyerjen e Krishtit dhe Krishterimit dogmën e tyre të shenjtë. Ky është një rast unik në historinë botërore të religjioneve. Me të shkuar në Medinë, Muhameti filloi përgatitjet për pushtimin e Mekës. Ai e dinte se nuk mund të ndërmerrte një fushatë kundër Mekës, duke e rrethuar qytetin dhe marrë me sulm, se nuk do të arrinte kurrë që të kishte një ushtri aq të madhe sa ç' duhej për të ndërmarrë këtë fushatë. Prandaj ai zgjodhi që të përdorte një strategji të llojit të banditëve të shkretëtirës që msynin karvanet tregtare. Muhameti vendosi që të msynte karvanet tregtare mekane që shkonin, ose ktheheshin nga Siria dhe të bënte plaçkë që do ta përdorte për të bërë blerë luajalitetin e më shumë njerëzve dhe për t' i pajisur ata me armë e kafshë për lëvizje, si dhe për të ushqyer dhe veshur ushtrinë që donte të krijonte. Përfitimi strategjik që vinte nga msymja e karvaneve ishte se mekanët do të detyroheshin që të dërgonin ushtri kundër Muhametit, të cilën ky do ta priste në shkretëtirë, larg bazave të saj të furnizimit, do ta lodhte dhe do ta asgjësonte.

Por Muhameti kishte një problem se karvanet përgjithësisht udhëtonin në muajt e shenjtë, gjatë të cilëve lufta ishte e ndaluar. Këta qenë po të njëjtët muaj të shenjtë që do të kishte edhe kalendari islam. Muhameti e zgjidhi edhe këtë problem, në mënyrë të ngjashme me Leninin, i cili për çdo problem që dilte nga diskrepansa mes realitetit rus dhe doktrinës marksiste, bënte një interpretim vetëfavorizues të ligjeve marksiste të materializmit dialektik dhe historik. Ekuivalenti i kësaj për Muhametin qe shpallja e një sureje të atribuar Allahut. Kështu Muhameti shpalli Suren El Bekare ku ai u drejtohet muslimanëve duke u thënë:

"Juve u është bërë obligim lufta ndonëse ju e urreni atë. Por mundet që ju ta urreni një gjë e megjithatë ajo është shumë e dobishme për ju, e mundet që ju ta doni një gjë dhe ajo është shumë e dëmshme për ju. Allahu e di e ju nuk e dini. Të pyesin për luftën në muajin e shenjtë, thuaj: "Lufta në të është mëkat i madh, por pengimi nga rruga e Allahut, mosbesimi ndaj Tij, pengimi nga xhamia e shenjtë (Kaaba) dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë mëkate edhe më të mëdha për Allahun".(Kuran, El Bekare: 2/ 216-217)

Në 624, në Badr, Muhameti, në krye të 300 vetave, msyu dhe grabiti një karvan tregtar kurejsh që kthehej në Mekë nga Siria. Kjo ndodhi në muajin Ramadan, të paqes së shenjtë, kur lufta ishte e ndaluar. Ky veprim banditesk është shndërruar në Kuran dhe në historinë islame si një luftë e lavdishme dhe fitorja e parë e madhe e Muhametit dhe muslimanëve. Vetë Allahu bën të ditur se ai mori pjesë personalisht në sulmin në Bedr, sipas shembullit të zotave paganë të cilët merrnin pjesë në beteja, në krah të njërës apo tjetrës palë. Në Sure Al Imran, Allahu thotë: "Allahu u ndihmoi juve në Bedr kur ju ishit të paktë në numër". (Kuran, Al Imran: 3/123)

Pas fitores në Bedr, midis anëtarëve të bandës së Muhametit filloi një konflikt për ndarjen e presë së luftës. Muhameti nuk qe në gjendje që t' i jepte fund këtij konflikti me autoritetin e vet dhe Islami do të kishte marrë fund duke u vrarë muslimanët e parë mesveti, sikur Muhameti të mos kishte një ide brilante. Ai e zgjidhi konfliktin duke shpallur Suren El Enfalë (e plaçkës së luftës), ku supozohej që Allahu të merrte rolin e shefit suprem të bandës dhe të përcaktonte rregullat e ndarjes së presë mes banditëve. Muhameti shpalli fjalët e Allahut:

"Të pyesin ty për plaçkën e fituar në luftë. Thuaju: Ndarja e plaçkës është çështje që i takon Allahut dhe të Dërguarit të tij ndaj kijeni frikë Allahun, përmirësoni unitetin tuaj dhe nëse jeni besimtarë, respektoni Allahun dhe të Dërguarin e tij".(Kuran, El Enfalë: 8/1)

Kjo ishte një metodë leninistë e zgjidhjes së problemit. Nëse dikush nuk do të bindej pas kësaj ai do të vritej në vend si jobesimtar. Me këtë rast Muhameti u kujdes dhe për pjesën e vet të plaçkës së luftës, duke shpallur vullnetin e Allahut:

"Ju ta dini se një e pesta e asaj që fituat i takon Allahut, të Dërguarit të Tij, të afërmve të këtij, jetimëve, nevojtarëve dhe atyre në mërgim".(Kuran, El Enfalë: 8/41)

Siç shihet, nuk kishte pjesë më vete për jetimët e nevojtarët, por ajo ndahej nga pjesa që i takonte së pari Muhametit, familjes së tij, të afërmve të tij, sipas vullnetit të këtij të fundit. Jetimët dhe nevojtarët vinin pas familjes së Muhametit, e cila nuk ishte nevojtare, si dhe pas të afërmve të tij të tjerë nga gjaku. Sure El Enfalë ishte çelësi i suksesit ushtarak të Muhametit. Pasi Muhameti shpalli me këtë sure se Islami ishte një lëvizje ushtarake ku si shpërblim për pjesëmarrjen në të fitohej plaçkë lufte, të gjithë aventurierët dhe banditët e Gadishullit Arabik dhe më gjerë iu bashkëngjitën kësaj lëvizjeje.

 

kastriotmyftaraj@sot.com.al  

 

Vijon...

 

  



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora