E premte, 26.04.2024, 08:03 AM (GMT+1)

Mendime

Jackson Diehl: Turqisë i qajnë sytë për kohët otomane

E marte, 07.12.2010, 08:22 PM


Turqisë i qajnë sytë për kohët otomane

 

Endërra turke? Apo zhgjëndërra?

 

Nga JACKSON DIEHL

 

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, në fillim buzëqeshi me gëzim, dhe pastaj përsëriti çfarë kish thënë pak më parë: po, kështu është, përplasja ndërmjet komandove izraelitë dhe aktivistëve islamikë me origjinë turke në brigjet e Rripit të Gazës mund të krahasohet me sulmin e al-Qaeda-s në New York dhe Washington.

“Nuk ma heq njeri nga mendja, që ajo përplasje ishte 11 shtatori turk”, theksoi ai me të madhe ai gjatë një vizite në Washington javën e shkuar. “Nuk e kam fjalën te numri i viktimave”, shtoi ai kur iu vu në dukje se në 11 shtator humbën jetën 2,900 njerëz, ndërsa në goditjen që iu dha flotiljes turke në Rripin e Gazës humbën jetën vetëm 9. “E kam fjalën tek tronditja psikologjike në Turqi. Qytetarët tanë u vranë nga një ushtri e huaj”. Ç’është e vërteta, gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Turqit nuk ishin qytetarë të pafajshëm, por militantë, të cilët e patën kërkuar konfrontimin; dhe ata nuk u vranë nga terroristë vetvrasës, por nga ushtarë profesionistë.

Është e qartë, se në këto rrethana nuk të mbushet shumë mendja, kur dëgjon Davutoglu-në t’i mëshojë idesë, se praktikisht nuk ka arsye për mosmarrëveshje midis qeverisë së tij dhe administratës “Obama”. “U bënë 20 muaj, tanimë, që ne kemi marrëdhënie të përkryera”, tha ai. “ Dhe si aleatë strategjikë që jemi, neve na duhet që t’i mbrojmë këto marrëdhënie”.

 

Turqia është një vend anëtar i NATO-s, ku SHBA-të kanë ngritur baza ushtarake me rëndësi të madhe, sidomos në këto kohë të operacioneve në Afghanistan dhe Iraq, dhe është më në fund një nga blerësit më të rëndësishëm të prodhimeve luftarake amerikane. Por a e bëjnë këto fakte një aleat të vërtetë? Siç tregojnë dhe disa prej dokumenteve më interesante të WikiLeaks-it, dy administrata amerikane një pas një janë marrë seriozisht me këtë ndërdyshje. Përgjatë 8 viteve të fundit, nën drejtimin e Partisë Islamike për Drejtësi e Zhvillim, Turqia është shfaqur si një model i marrëdhënieve të ndërlikuara të shekullit të 21-të; dhe Shteteve të Bashkuara do t’u duhet të administrojnë këto lloj marrëdhëniesh.

 

Turqia ka qënë një shtet autoritarist, i cili e ka rreshtuar veten qartësisht me Perëndimin. Në ditët e sotme është një demokraci me një boom ekonomik dhe me ambicje të mëdha gjeo-politike. Mbështetja popullore që gëzon në vendin e vet e ka bërë kryeministrin turk, Recep Tayyip Erdogan, të vetpëlqehet deri në atë masë, sa t’i vërë shkopinj nën rrota politikës amerikane në Iran, të sponsorizojë diktatorë myslimanë anti-amerikanë në Sudan e në Siri, dhe të mos hezitojë të armiqësohet për hiç gjë me Izraelin, që e ka “tek dera e shtëpisë” – dhe të gjitha këto kanë ndodhur, ndërsa trupat turke zbarkonin në Kabul dhe ndërsa mbanin shpresa, që SHBA-të do t’i jepnin ndihmë ushtrisë së tyre në luftën kundër kryengritësve kurdë.

Lindja e Mesme, gjithsesi, ka sundimtarë të tillë si Hosni Mubarak i Egjiptit, një njeri i vrazhdë dhe i fuqishëm, i cili, ndërsa mbështet pa bërë naze interesat strategjikë të SHBA-së, refuzon nga ana tjetër të modernizojë regjimin e tij të kalbur autokratik. Në këto rrethana, Erdogan-i sheh mundësi të mëdha për t’u bërë një pikë referimi në rajon. “Turqia, ndikimi rajonal i së cilës ngrihet mbi admirimin që gëzon ndër popujt e Lindjes së Mesme si pasojë e suksesit ekonomik, dhe mbi vullnetin e demonstruar në mbrojtje të interesave të atyre popujve, i tejkalon regjimet [jo-demokratike] të ‘mëhallës arabe’”, thuhet në një nga kabllot (WikiLeaks) e dërguara prej ambasadës amerikane në Ankara këtë vit; pikërisht këtu e ka burimin dhe retorika e ‘nxehtë’ rreth Izraelit, e përcjellë në mënyrë të kalibruar e pasionale.

 

Davutoglu-ja është anti-hero-i i kabllove të Wikileaks-it, i përshkruar si “jashtëzakonisht i rrezikshëm” dhe “i tërhequr nga fantazitë e tij islamike neo-otomane”. Pasi pati ardhur në Washington, disa orë mbas atyre deklaratave, ai pranoi ndjesën e Sekretares së Shtetit, Hillary Rodham Clinton, zvogëloi dhe vetë rëndësinë e dëmit të bërë – dhe ra në një mendim me pjesën e fundit të analizës së ambasadës. “Britania ka një commonwealth me ish kolonitë e saj”, më bëri me dije ai mua. “Atëherë, ku është e keqja, që edhe Turqia të rindërtojë commonwealth-in e vet në ish-tokat otomane në Ballkan, në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Qëndrore”?

Është interesante të ndjekësh ngurimet emocionale në analizat amerikane mbi këtë partner shumë të paqëndrueshëm. Erdogan-i është përshkruar me tone djegëse nga ish-ambasadori Eric Edelman (është konsideruar si një politikan mizantrop që punët i kanë vajtur fjollë). Pasuesi i Edelman-it , James F. Jeffrey, del në përfundimin se Erdogan-i “thjesht urren Izraelin” dhe se në ambicjen e vet për t’u bërë një autoritet rajonal “nuk ka arritur asnjë sukses për t’u vënë re e për t’u theksuar”. Megjithatë, dokumentat e WikiLeaks-it përfshijnë dhe admirim për aftësitë politike të Erdogan-it dhe për rolin e Turqisë në Liban, Pakistan dhe Siri.

Në fakt, si leader i “mëhallës arabe”, Erdogan-i duket shumë më tërheqës se sa konkuruesit e tjerë të llojit të Hassan Nasrallah-ut të Hezbollah-ut. Tek e fundit, Turqia varet nga marrëdhëniet tregëtare dhe investimet me Europën; kërkon një Irak demokratik, një Iran jo-nuklear dhe suksesin e NATO-s në Afganistan; vazhdon ta njohë Izraelin si shtet. Në esencë, është një demokraci e mirfilltë myslimane – që do të thotë se, nëse nga njëra anë marrëdhëniet me Turqinë do të bëhen gjithnjë e më të vështira, nga ana tjetër turqit janë një aleat, për të cilin ata do të kenë nevojë më shumë se në të shkuarën.

 

"Shkojmë nga shkojmë, ne nuk kemi rrugë tjetër, veçse t’i bëjmë llogaritë me këtë Turqi, popullsia e së cilës ka filluar të jetë aktive”, shkruan Jeffrey në një dispatch, duke tentuar t’i futet thellë problemit. "Ne duhet të mësohemi që t’i marrim çështjet me Turqinë një e nga një, dhe të bindemi që ky vend do të ecë shpesh andej nga e tërheq krraba e vet. Udhëheqësit e sotëm të Turqisë”, vë në duke ai, “kanë bërë të tyren një qasje e një retorikë problematike, por ne nuk shohim ndonjë aleat më të mirë në horizont, e kështu Turqia mbetet një përzjerje e komplikuar e institucioneve dhe e orientimit perëndimor me kulturën dhe fenë e Lindjes së Mesme”.

 

Ka të drejtë Davutoglu-ja që më jep një buzëqeshje, teksa ndahemi. E vërteta është që diplomacia amerikane e ka shumë të qartë, se ç’është Turqia e sotme.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora