E marte, 19.03.2024, 10:00 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Luftëtarët sulovarë në mbrojtje të Shkodrës më 1912-1913

E diele, 14.11.2010, 10:00 PM


Luftëtarët sulovarë në mbrojtje të Shkodrës më 1912-1913

 

Nga Pëllumb Gorica

 

Në vitet 1912-1913 dyndja e ushtrive ballkanike dhe ndërluftuesit e Luftës së I Botërore e vunë fatin e Shqipërisë në tehun e mbijetesës. Malazezët, serbët, bullgarët dhe grekët në njërën anë,  ishte turrur kundër perandorisë osmane, që po shkonte në kalbëzim. Shqipëria, duke qënë deri në ketë vit pjesë e saj, ishte bërë pre e këtyre sulmeve. Ajo po lëkundej në djepin e erërave dhe po i kanoseshin rreziqe të shumta. Në Jug agresorët grekë. Bullgarët në lindje dhe në Veri serbo - malazezët po kryenin masakra çnjerëzore kundër popullsisë shqiptare. Kombi ynë rrezikohej të shuhej. Në nëntor 1912, Shqipëria shpalli Pavarësinë e saj. Një nga vendimet e para të Qeverise së sapokrijuar nga Ismail Qemali ishte ai për të mbrojtur territorin.

  Le të hedhim një vështrim vetëtimthi nga burimet e shkruara dhe gojore, duke u përqëndruar në luftën për të mbrojtur Shkodrën, e cila është cilësuar një ngjarje me rëndësi e kombit tonë dhe padyshim do të mbetet përjetë e gjallë në kujtesën e historike. Lufta për të mbrojtur Shkodrën, e vështruar në pasqyrën e madhe të zhvillimeve të tjera në territoret shqiptare merrte një rëndësi të veçantë. Shkodra, jo pak herë gjatë historisë së saj ka qenë objekt i synimeve të fqinjëve. Në vjeshtë të vitit 1912 deri në pranverë të vitit 1913 forcat serbo-malazeze e shtrënguan rrethimin e saj. Një rrethim që ishte tepër mizor. Ngjarje që rrodhën me shpejtësi. U përjetuan tmerre, vrasje, djegje, gjymtime, uri, luftime të ashpra e të përgjakshme edhe trup me trup. Përfaqësuesit e vendeve evropiane, ndërkohë që zhvilloheshin këto ngjarje për Shqipërinë, në tavolinën e tyre gatuan që Shkodrën ta shfrytëzonte edhe Mali i Zi.Ushtria malazeze e mbret Nikollës, u derdh me tërbim për të marrë me çdo kusht e çdo çmim Shkodrën me të katër divizionet e saj e përforcuar me divizionet e ushtrisë serbe, të pajisur, përveç artilerisë, edhe me aeroplanë luftarakë. Nga luftëtarët turq e vullnetarë nga shume krahina shqiptare u bë gjithçka e mundur për të mbrojtur qytetin e Shkodrës.

    Pa mëtuar më tej për të dhënë një pasqyrë më të detajuar e të plotë të kësaj lufte, (historia e Luftës së Shkodrës është e njohur. Janë botuar mjaft libra dhe historianët kanë shkruar faqe të shumta rreth këtyre ngjarjeve) do të përshkruaj pak a shumë disa hollësi të rëndësishme të pjesëmarrjes së luftëtarëve nga zona e Sulovës së Poshtme (Sulova Elbasan), dhe sakfrificave të tyre, në këtë luftë të përgjakshme për të mbrojtur atdheun nga babëzia e fqinjëve shovinist, që ishin sulur për t’i gllabëruar Shqipërisë tokat. Në luftë për të mbrojtur Shkodrën pjesëmarrja e luftëtarëve ishte nga shumë krahina të Shqipërisë (Kavaja, Rrogozhina, Martaneshi, Kërraba, Shijaku, Shpati, Sulova, Çermenika, Vërça, Peza, Dumreja, Darsia etj.) Sipas dokumenteve që gjenden në Arkivin Qendror Shqiptar, dosja 3/3, faqe 238, shkruhet: “Qeveria turke mobilizoi me forcë shumë shqiptar nën komandën e kolonelit nga Bagdati Hasan Riza bej”, i cili nga historianët është cilësuar si një ndër oficerët më të përgatitur dhe më të aftë të ushtrisë turke dhe që u vra pabesisht në 30 janar 1913.Luftëtarët nga zona e Sulovës së Poshtme, të inkuadruar në një batalion rezervistësh u nisën në ndihmë të Shkodrës së rrethuar dhe luftuan deri në prill 1913.

   Zona e Sulovës së Poshtme historikisht është e përmendur për atdhetarizëm, trimëri e bujari, duke dhënë kontributet e veta në të gjitha ngjarjet madhore të vendit. Edhe këtë herë u treguan të gatshëm dhe rrokën armët, duke u gjendur në Shkodër. Patriotizmi dhe fisnikëria ishin virtytet që i detyruan të shkonin vullnetar edhe sulovarët, të cilët dhanë një kontribut mjaft të madh, ku mbarë shqiptarët rrokën armët nën thirrjen "të mbrojmë tokën e arbrit" deri në Janinë. Sipas dokumenteve, por edhe të dhënave gojore, në luftën për mbrojtjen e Shkodrës morën pjesë mbi 100 luftëtarë sulovarë. Pothuajse nuk kishte fshat të zonës së Sulovës që të mos kishte në Shkodër djemtë luftëtarë. Këtë pjesëmarrje e dëshmojnë fare bukur edhe vargjet e kësaj kënge, që këndohet në Sulovë me aq patos në konakët e saj, dhe që i ka rezituar kohës e do të këndohet ndoshta edhe në shumë e shumë kohë e breza pas nesh:

 

                        Zunë kapojtë po këndojnë

                        Këto yjet po rrallojnë

                        Zunë djemtë dhe po shkojnë

                        Pa i pyesni ku po shkojnë?

                        - Gjer në Shkodër do qëndrojmë.

                        Në Tarabosh do luftojmë.

 

  Gjejmë rastin të nënvizojmë faktin se, prania e sulovarëve në këtë luftë ishte shumë më e madhe nga sa janë dhënë shifrat në dorëshkrimin “Historiku i zonës së Mollasit’’, por që është një listë që flet shumë, duke zgjuar të kaluarën historike. Për pjesëmarrjen e sulovarëve në Luftën e Shkodrës pak, thuajse aspak është shkruar nga historianë-bërësit. Duke theksuar gatishmërinë e tyre konkrete, vlerësoj se këta luftëtarë meritojnë nderim. Dëshiroj të ju njoh edhe me disa të dhëna rrënqethëse që i kanë gjithmon luftrat. Ngjarje që, në sytë e atyre që luftuan e nuk lëshuan llogoret për muaj të tërë në rrethinat e Shkodrës, që i përjetuan të përcjella gojarisht deri në ditët e sotme, mbetën të pashlyera në kujtesën e kohës. “Dimri i vitit 1913 ishte i ashpër. Veçanërisht të rënda ishin shirat që ranë pa pushim për ditë të tëra. Në mungesë të ushqimeve dhe gjendjes së rrethimit, u arrit sa, gjatë tetë ditëve, të hanin luftëtarët vetëm mish kali. Eh! sa të rënda ishin këto ditë. Nuk levizje nga llogorja se të priste plumbi.” Në fakt vdekja e shumë luftëtarëve nga të dyja krahët ishte bërë pjesë e jetës së përditshme në ato muaj. Humbjet e pësuara nga ushtria serbo- malazeze ishin të mëdha, me mbi 20 mijë ushtarë të vrarë. Për mbrojtjen e Shkodrës nga pushtuesit serbo-malazez ranë edhe 11 luftëtarë sulovarë. Flijimi i tyre dëshmi e gjallë për mbrojtjen dhe shpëtimin e kombit.

 

   Lufta  për ta mbrojtur Shkodrën përfundoi në prill 1913 me dorëzimin e saj trupave pushtues malazeze. Dorëzimi dhe vrasja e  komandandit të garnizonit të Shkodrës Hasan Rizai mbetet një njolle e errët në historinë e Shqipërisë. Pas disa javësh ishte ndërhyrja e  fuqive të mëdha që i detyruan malazezët të largohen dhe qyteti i Shkodrës kaloi për një vit nën administrimin e Komisionit Ushtarak Ndërkombëtar, duke u bashkuar përsëri me pjesën tjetër të Shqipërisë.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora