E premte, 26.04.2024, 06:31 AM (GMT+1)

Mendime

Shaban Peraj: Fundi dhe rezultati !?

E hene, 04.10.2010, 09:58 PM


Fundi dhe rezultati  !?

 

Shkruan: Shaban Peraj

                                       

Forma për të qeverisur me pushtetin lokal e për te lartësuar disa nga politikanët shprehet në mënyra të ndryshme. Një nga ta është edhe ajo që po zhvillohet tani para zgjedhjeve lokale për Komunën e Ulqinit, atje ku puqen rrugët e përsosjes njerëzore, atje ku ka shumë iluzione në shkretirë, e si një çardak i varur gati në të rënë ku nuk mund të dilet, atje ku është “nëna e lirisë”, e “edukimi i saj”. Aty ushqehen me politikë brezat e dashuruar pas lirisë, atje i ushqejnë, i rrisin dhe në fund i përplasin pa krijuar vlera për lartësimin e njeriut duke i lënë ata kokë më kokë me moralin e tyre të lartë e ndërgjegjën  e zgjuar. Aty janë në çdo kohë ata që i trajtojnë votuesit si mjet despotizmi e padrejtësie për të vetmen arsye pse dalin në shes për të kaluar kohën, pse duan drejtësi të vërtetë, krahas asaj që duan të kenë një qeverisje lokale të lartë dhe të sigurtë në një sistem jashtëzakonisht delikat. Ata që pretendojnë se bëjnë mirë duke shtuar edhe më shumë përçarje me sjellje dajllëzore  ndaj votuesve, duke mos u bërë mirë atyre, bëjnë keq pa treguar gatishmëri se duhet jetuar edhe pas zgjedhjeve, s’është se arrihet gjë tjetër veçse inat të cilin ua kanë ushqyer në shpirt militantëve të tyre. Prandaj, ata që i dalin për zot kësaj dukurie negative duket se nuk u njohin individëve liri dhe të drejta të tjera, ku me poshtërime në një lloj qeverisje të tillë duan të tregohen zemërgjërë vetëm sa për t’u marrë votën e pastaj ata të qëndrojnë në shesh sa të duan, të bëjnë zhurmë duke bluar në erë sepse askush prej tyre nuk do të dalë fitues. Atyre, votuesit  u duhen vetëm gjatë zgjedhjeve, u nevojitet vetëm vota e tyre e jo ata.

Pushteti i cili duke premtuar e emëruar nëpunës persona të mangët ka rënë në fatkeqësinë për të pritur shërbim prej tyre dhe kjo do të reflektohet si mollë e zezë e do të nxihet në ndërgjegjën e atyre që po i fryejnë kësaj dukurie negative. Votuesit e shohin si trishtim dhe neveritje këtë teatër politik i cili gjason me llafazanët provincial, ata e dinë se sa vota mund të marrin politikanët tanë. Ky është fakt që përbën një tragjedi për shoqërinë tonë, duke u vrarë shpresën atyre që një ditë gjërat do të ndryshojnë dhe se ky vend do të bëhet si gjithë vendet tjera. Nga veprimet e disa politikanëve tashmë është e qartë se është prishur edhe uniteti moral, gjë që po ndikon në copëtimin dhe shpërndarjen e komunitetit, aty çdo gjë bëhet falë politikës, politikë e cila përgatitë humbjen e dinjitetit, shkatërrimin e humanizmit, të respektit për njëri-tjetrin nga ata që nuk vuajnë me dhimbjet e votuesve, nga ata që me vetëdije apo pa te u sjellin dëm, i hedhin në rreziqe, e që nuk do duhej të sillen kështu në emër të lakmisë për pushtet. Besojnë gabim ata që e kuptojnë politikën vetëm në formën e partisë, zgjedhjeve dhe luftës për pushtet. Nuk ëahtë politikë ajo që u ofrohet të rinjve në Sheshin Skenderbeu, se atje do të punësohen këta e ata, se atje do të ndërtohet kjo e ajo, se do të japin çimento, drita, do të hapin kanale, e ndoshta edhe para (që nuk ka ndodhur vetëm njëherë).

E kaluara e ka dëshmuar këtë, sa premtime kishte, sa u realizuan, dhe ata që janë të aftë e kuptuan këtë, e vlerësuan shumë mirë, me gjërat që u dhanë dhe përfituan të tjerët nuk do të jenë në gjendje të zotërojnë të nesërmen me sukses, sepse e sotmja  është identike e së djeshmës, çka ndryshon janë vetëm ngjyrat, të tjerat janë kalimtare. Zelli për t’u besuar më tepër tallallëve të betejave për vota se sa brendisë së fakteve ka sjellur një pështjellim, ku një pjesë e e madhe e njerëzve u besojnë lojërave politike ditore duke i parë politikanët si Zot kur flasin me gjuhën e parave, të tregtisë, e pasi loja e tyre të merret vesh e humbin kredinë në popull dhe shkojnë drejt humbjes e ata që u besuan humbën shansin për t’ia nisur nga e para. E vërteta duhet mbështetur prapë në të vërtetën dhe duhet kërkuar në rrugët me të drejta. Mbetet të shpresojmë që të rikthehet jeta dhe njerëzit të kenë mundësi të zgjedhin ata që u japin mesazhe të sinqerta, sepse kështu të mashtruar, të nëpërkëmbur nuk do të mund të mbyllin plagët e nuk do të mund të riorganizohen më sikur në vitet e fillimit të pluralizmit.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora