E premte, 26.04.2024, 12:11 PM (GMT+1)

Editorial

Enver Bytyçi: Heshtja si art i vrasjes së vlerave

E diele, 18.07.2010, 07:58 PM


Heshtja si art i vrasjes së vlerave

 

Nga Enver Bytyçi

 

Kur Tony Blair e filloi fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës me një mirënjohje dhe përkujtesë për rolin, personalitetin dhe figurën e shquar të Ibrahim Rugovës, kishte në atë sallë deputetë, të cilët ishin zverdhur, ishin nxirë ose ishin skuqur. Kundërshtarët ekstremistë të Rugovës ishin zverdhur, sepse ende nuk pajtohen me vlerat monumentale që ai kishte prodhar. Ata që nuk dëshironin vlerësimin dhe rivlerësimin e emrit të Rugovës, ngaqë u paksohen "meritat", ishin nxirë. Një pjesë e vogël, e cila ka hedhur baltë mbi presidentin historik të vendit, por që e ndjen peshën e fajit për këtë, ishte skuqur. Megjithë dallimet midis tyre, të tri këto kategori "mëkatarësh" kanë diçka të përbashkët: - Duan me çdo kusht që jehona e asaj që pohoi ish-kryeministri britanik për ish-presidentin historik të Kosovës të kufizohet në kohë e në hapësirë, mundësisht të mbetej "pronë" e sallës së parlamentit, pra, të mos bëjë vend në median e shkruar dhe elektronike.

 

"Bomba" e Blair pasonte "bombën" e Clinton në favor të njeriut që më shumë se gjithkush tjetër i dha atdheut të tij përkushtimin e njëkohësisht më shumë se çdokush tjetër u sulmua prej bashkombasve të vet me gurë. Ishte vërtetë një ngjarje e madhore të dëgjoje ish-kryeministrin britanik më një arsenal vlerësimesh për vlerat e njeriut simbol të shqiptarëve. Por në vend të krenarisë për atë vlerësim të jashtëzakonshëm të liderëve më të fuqishëm të botës së kohës së Rugovës, ka pasuar heshtja, një heshtje që vret, madje që rivret pa mëshirë, parasëgjithash të vërtetën. Heshtin në Prishtinë, heshtin dhe në Tiranë. Hestin gjithashtu në Shkup, Mal të Zi apo Preshevë. Shumica prej heshtin tyre për shkak të xhelozisë, të një xhelozie të pajustifikuar, me tamahin për t’i bërë hije krenarisë së shqiptarëve, Ibrahim Rugovës. Ata që heshtin për këtë shkak kanë në dorë shumicën dërmuese të mediave, paguajnë jo pak gazetarë, opinionistë dhe komentatorë, u japin urdhëra të prerë editorëve mercenarë, që të mos i japin vend emrit, veprës dhe personalitetit të papërsëristhsëm të hapësirës shqiptare, Ibrahim Rugovës. Këta mjeranë, që s’kanë asgjë të përbashkët me interesat e kombit shqiptar, përveçse me interesat e pushtetit personal e klanor, nuk kanë ndërmend të kujtohen se sa dëme të mëdha i sjellin kombit tonë me heshtjen vrasëse të tyre ndaj vlerave të pakontestueshme të popullit tonë.

 

Metoda e heshtjes për atë që nuk "mund ta varrosësh" përndryshe ka qenë dhe është një koncept paranojak i së majtës shqiptare. Ndërkohë që jo pak të vetëshpallur "djathtas" mbeten idhtarë të kësaj metode. Sipas modelit majtist shqiptar e më gjerë, një ide, një vizion, një lider, një pikëpamje, e cila nuk mund të kundërshtohet, duhet të lihet në heshtje. Heshtja është kapaku i harresës. Harresa, nëse vepron si një proces i vazhdueshëm, zbeh efektet e një fenomeni, të një ndodhie madhore apo të një figure të shquar kombëtare. Kështu ka ndodhur në kohën e diktaturës në Shqipëri, kur emra të shquar të historisë dhe kulturës shqipe ishin mbuluar nga "pluhuri i harresës". Në të vërtetë "harresa", pra heshtja, vjen në një stad të dytë. Në metodologjinë e së majtës shqiptare dukuria e heshtjes, e përdorur si mjet denigrimi, është shfaqur pas një beteje maratonë dhe për jetë a vdekje kundër vlerave të kombit tonë. Në momentin kur "lufta" për ta rrënuar dhe varrosur vlerën e shtuar në historinë tonë kombëtare ka dështuar, atëherë është përdorur heshtja si mjet për të shkuar te harresa. Më së shumti forma të tilla të "luftës së ftohtë" janë përdorur dhe përdoren kundër nacionalistëve, si dhe programeve, pikëpamjeve dhe vizioneve nacionaliste. Ibrahim Rugova mbetet modeli i aplikimit të kësaj strategjie vrasëse. Edhe nëse emri i tij përmendet ndonjëherë, kryesisht nga idhtarët e vet të LDK-së, vlerat që ai ka prodhuar e mbrojtur nuk janë bërë në mënyrë të njëmendtë objekt studimi, ekspertize dhe deshifrimi.

 

Në literaturën shqipe ka shumë momente, kur mund të shquash qëndrimin kundër përmes heshtjes. Mospromovimi, lënia në errësirë, mosreklamimi i ideve bashkëkohore, injorimi i mendimit nacional shqiptar mbetet forma më perfekte e izolimit të këtij mendimi. Botimet me përmbajtje nacionaliste dhe thellësisht demokratike, veçmas botimet, të cilat zbulojnë të vërteta të hidhura, janë të destinuara të mos pranohen në auditoret e universiteteve, të mos lejohen të reklamohen në ekranet televizive, të mos gjejnë vend në faqet e gazetave, pra të mbeten thjesht pjesë e manualit të bibliotekës, në pritje të katalogizimit digjital në një kohë të ardhme. Figurat e shquara të kombit shqiptar, në pamundësi të kundërshtohen dhe varrosen përgjithnjë, mbeten ashtu në heshtje, duke lënë te publiku vetëm shijen e emrit që ata i kanë dhënë kohës kur kanë jetuar. Në këtë mënyrë mesazhi i heshtjesponsorëve është se këto figura "kishin vlerë" në kohën kur ata jetuan, por nuk mund të përçojnë vlerë në kohën tonë. Kështu po ndodh prej 20 vitesh me Gjergj Fishtën dhe Faik Konicën, emr të cilët në diktaturën komuniste ishin të ndaluar. Kështu ka ndodhur me Bekim Fehmiun, për të cilin duhej që vdekja t’ia jepte përmasat e mëdha që kishte. Kështu ka ndodhur deri diku me Azem Hajdarin dhe kështu po ndodh me idetë, vizionin, filozofinë dhe emrin e Ibrahim Rugovës si dhe personalitete të tjera, që rrallë i vijnë këtij kombi.

 

Deri të enjten e kaluar, kur Tony Blair evidentoi një prej momenteve të "hegjemonisë" morale me emrin Ibrahim Rugova, pakkush po fliste për emrin e këtij personaliteti të madh. Duhej pritur më shumë se ditëlindja, ditëvdekja e tij, që të shkruhej e të flitej diçka për këtë emër prominent. Edhë në këtë rast shmangjet e medias nga ngjarja janë të pazakonta. Politika e ditës dritëshkurtër, politika e korruptuar moralisht dhe materialisht duket se ka shtrirë tentakulat e saj në të gjithë rrjetin e informacionit. Në asnjë media elektronike nuk kam vënë re deri tani të bëhet një debat përkujtimor për të evidentuar vlerat e presidentit historik të Kosovës, ose vlerat e mendimtarëve të shquar të kombit, të cilët i përmendëm më lart. Kjo indiferencë e shoqëruar me heshtjen vrasëse të mediokritetit e ka dëmtuar dhe po e dëmton për së tepërmi të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. Kjo heshtje e shoqëruar me indiferentizmin cinik të bashkohësve tanë po vret jo vetëm trashëgiminë nacionale, por edhe të ardhmen e kombit tonë.

 

Bota e qytetëruar ka ngritur një rrjet të gjerë për të evidentuar vlerat e asaj që quhet elitë politike, intelektuale dhe shkencore e vendit. Për promovimin e figurave të përmasave të Ibrahim Rugovës funksionojnë institute dhe qendra të shumta studimore, fondacione dhe grupe të mëdha biografësh, ekspertësh, historianësh, politologësh. Të gjitha këto jo vetëm studiojnë dhe ekzaminojnë pikëpamjet dhe idetë filozofike e politike, por dhe nxjerrin përfundimet e domethënënies së asaj që studiojnë. E më në fund, kjo përpjekje vihet në funksion të studimit të eksperiencës në mënyrë kritike, duke u dhënë brezave që vijnë trashëgiminë nacionale që studiuesit kënë vënë në ekspertizë. Më në fund studime të tilla, të cilat në Shqipëri janë me shumicë për Migjenin, Poradecin apo Kutelin, mungojnë për mendimtarët prominentë të mendimit filozofik e nacional shqiptarë, si Fishta, Konica, Sami Frashëri, Pashko Vasa etj. Aq më pak ka një angazhim serioz të vihet në funksion studimi dhe ekspertiza e vlerave që kanë prodhuar figura të tilla të shquara, si Ibrahim Rugova.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora