E premte, 15.11.2019, 11:56 PM (GMT)

Kulturë » Gorica

Pëllumb Gorica: Jetë e grimcuar në vargje

E hene, 05.07.2010, 07:50 PM


Jetë e grimcuar në vargje

 

 Mendime rreth vëllimit poetik “Mbrëmje të puthura” të poetit Agim Bajrami.

 

Nga Pëllumb Gorica

 

   Poezia e Agim Bajramit është e natyrshme, njerëzore, e sinqertë, e ngjizur me një dashuri që mundohet të rrokë gjithçka. Dhe kjo shprehet thjeshtë, me një varg  brilant, pa sforcime e deklaratizma, ashtu siç është vetë Agimi, i shtruar e i qetë  si valle çame, i butë  si myshku i drunjve të Gramshit, valëzues si bregdeti shqiptar dhe ëndërrues si një adoloshent.

   Kështu mund të thuash me plot gojë edhe për vëllimin poetik të Agim Bajramit, “Mbrëmje të puthura” sepse jeta dhe aktiviteti i tij është e shkrirë në një të vetme me poezinë dhe ashtu , dorë për dore, herë duke bashkëbiseduar dhe herë duke u grindur me të, herë duke u ndalur për të thithur fllad vendlindjeje, e herë duke ndalur vështrimin në mëngjeset plot diell, ata ecin bashkë pa u lodhur  për të rrokur maja të reja suksesi. Vargu i Agimit rrok serbes tokën dhe detin, ledhaton gruan e paputhur dhe vjeshtën e rënduar nga frutet, këndon në sofra  tek ngre dolli me shokët e cicëron me dallëndyshen në shtëpinë e vjetër edhe kur i këndon Çamërisë së pafat me copëza frymore:

                          “Folmë pra, moj e uruar

                          ‘Ç’të zunë sytë asaj ane?

Poeti 50 vjeçar nuk lodhet as nga mosha e as nga punët e ditës, nuk stonon as nga kërcënimet e vështirësitë, por ama preket thellë nga  urrejtja e pavend dhe pasinqeriteti. Kështu me vështrim të sigurtë përpara, ai e ndjen domosdoshmëri jetike edhe të kaluarën ,lashtësinë në udhën e tij poetike, ndaj shkruan :

                         “ Unë kupën plot me diell e mbusha

                          Dhe pi një gllëngë me lashtësi”

  Lexojmë “Mbrëmje te puthura” një titull mjaft metaforik e  i goditur, (se mbrëmja nuk puthet lehtë, jo vetëm se është tepër fluide, por se shpesh herë  ruan edhe pabesinë e rrezikun), dhe shohim se poeti mundohet  të thithë herë  nga gurra e  Naimit e herë  nga ajo e  Lasgushit, herë  ngjan me një Çajup të vogël e herë sikur i afrohet Dritëroit të madh, dhe pasi  e pjek  figuracionin e tij poetik në një terren me shtrirje të madhe gjeografike, mundohet të errësojë sadopak mendimin e t’i afrohet sadopak Kadaresë. Ja një jehonë Lasgushjane:

                              “Pranvera veten ka krijuar    

                               Tek ky liqen që ndrin si syri”

Për t’u përcjellë me stilin popullor të  Dritëroit :

                               “Se tashmë mik a’është si përpara

                               Kanë ndërruar kohër qeveria

                               Të mëdhenjtë u grifshin me të shara

                               Për ne parti u bëftë rakia” 

Vazhdon të tjerrë me stilin e Cajupti:  

                                 “Qerpikët e gjatë,

                                 vetullat me majë

                                 Letë presin grate

                                 ne do shkojmë pas saj”

    Apo edhe kur kuvendon si Naimi : 

                                “Nga malet ende rrjedhin ujra bore

                                Dhe lisat ngjajnë si lebër me qeleshe”

  Tematika e larmishme jo vetëm krijon hapsira për ta mbushur poezinë me një frymarrje të gjerë,  por edhe për të pulsuar jetë e njerëzillëk në  të, si  punëtori e cigani, ashtu edhe  varri i një të persekutuari, si  dallga e butë e Shkumbinit, ashtu edhe  emigranti e kënga e përmallshme e kumurisë së Elbasanit, si studenti me leksione nën sqetull ashtu edhe  e krijuesi artist.

   Ditën e verës, festën popullore të elbasanësve, ai e bën të këndshme më një gjetje të veçantë, i shqetsuar , ai s’kupton se ku i humbi mëngjezi, por shpejt  e gjen dhe e jep versionin e tij  poetik: “

                                “Siç duket e ka thirrë në zyrë kuzhinieri

                                 T’ju bëjë nga një tavë ballokumi “

   Nganjëherë poezia duket sikur është deklarative dhe do të shprehë një sfidë ndaj jetës kryenece, por kjo thyhet shpejt nga uni poetik që është i shkrirë në gjithçka që ka jetë, dhe që është njerëzisht e pashmangshme. Edhe kur denoncon padrejtësinë e një shtetari, edhe kur ndez kalimthi një cigare në udhë e sipër, edhe kur i merret goja t’i shfaqë dashurinë vajzës që do, edhe kur ulet në tryezë e pi një dopio raki me shokët, ai reflekton sinqeritet dhe rrezaton dashuri jete. Shumë e vret atë mungesa e sinqeritetit të shokut:

                                  “Më vratë mëngjeset

                                  me nënqeshjen e ngrirë”

  Ndjeshmëria është filli i artë i gjithë vëllimit “Mbrëmje të puthura”. Agim Bajrami është i ndjeshëm, ndaj nuk e harron mësuesin e tij të parë, por preket edhe “për një gjethë shelgu që vdes në fund të ujit”, drithërohet nga “fëshfërima e pishave të Gjinarit” ashtu siç bëhet melankolik kur kujton”muret e avllisë së vjetër”, i vjen keq për intelektualin që u persekutua” ashtu siç përmallohet edhe për gjolin e shteruar”

   Të bukura, me frymë origjinale janë poezitë që u kushtohen personave konkretë, poetëve apo të persekutuarëve si poetëve  Naim Frashëri, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, apo poetëve nga Gramshi, Pozaet Qoses, Piro Verushit apo edhe poeteve fierake te vdekur aksidentalisht ashtu edhe ata që u persekutuan nga diktatura. Agimi nuk bën portrete të thata, por skalit si në shkëmb, vargje shpirti, e kur e mbyt mallëngjimi ai hesht, mediton e mes mallit shkruan:  “ka heshtur pena mbi fletore” ,dhe mundohet të gjejë forca për të bërë diçka për ta , të paktën t’u hedhë një tufë vargjesh si tufë lulesh.

  Agimi penën e mban të mprehur, gjoksin e mbush me dashuri, thith frymëzim nga gjithçka njerëzore, dhe ashtu vrapon në garë me kohën, s’ka asnjë çast për të humbur, dhe mundohet të sfidojë gjithçka , ashtu siç  përcjell mesazhin e madh me vargjet :

                                “ Se koha rend si pa kuptuar

                                 Dhe mosha vetë si tren vrapon” .



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT