E premte, 26.04.2024, 10:24 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Me pasionin për të udhëtuar

E enjte, 24.06.2010, 06:34 PM


Me pasionin për të udhëtuar

 

Shënime udhëtimi nga Bosnje-Hercegovina

 

Nga Pëllumb Gorica

 

  Here pas here, me dëshirën për të njohur vende, kultura, popuj, ndërtime arkitekturore me vlera historike, udhëtoj. Udhëtimet të çlodhin, të largojnë nga monotonia e jetës dhe puna e përditshme. E veçanta është se, gjithnjë, kur nisem në udhëtime ndjej se më pushton një gëzim dhe më shtohen emocionet për të papriturat me të cilat do të ndeshem. Natyrshëm kur kthehem nga vendi ku kam shuar kureshtjen dhe i kam shtuar vetes ca vlera të tjera njohëse, më duket sikur marrë me vete një pasuri me mbresa të pashlyeshme. Magjia e një udhëtimi qëndron në faktin se ia vlen të kundrosh qetësisht një vend, të cilin e sheh për herë të parë, të shuash kureshtjen dhe emocionet që të kanë pushtuar ditë më parë dhe ku realisht para vetes ke gjëra të bukura e mbresëlënëse për të vështruar, objekte dhe peizazhe interesante.

 Ato ç’ka përjetova gjatë udhëtimit në Bosnje Hercegovinë janë të shumta e të larmishme, sa është e pamundur t’i përmbledh brenda një shkrimi. Po për t’i bërë që t’i përjetojë edhe lexuesit emocionet e këtij udhëtimi, të shijojnë sadopak peizazhin magjik të këtij vendi, qytetet dhe arkitekturën e lashtë dhe mesjetare, po i përshkruaj më poshtë. Të përshkruash me imtësi tërë ato që shikon syri i njeriut nuk është e lehtë. Vetëm aparati fotografik dhe kamera janë besnik për të fiksuar mrekulli të tilla. Ky udhëtim i rrallë nuk më emocionoi vetëm për bukuritë e natyrës, kulturën, objektet historike me vlera arkitektonike, rregullin, sjelljen njerëzore, por edhe për zhvillimin e këtij vendi, siç është Bosnje-Hercegovina, që pret anëtarësimin në Bashkimin Evropian po ashtu si vendi Ynë Shqipëria. Tashmë të gjithë e dimë historinë e gjakderdhjes së gjenocidit më të egër etnike, nga i cili nuk kanë kaluar më shumë se 15 vjet më parë dhe që do të mbahet mend si një nga ngjarjet më tragjike në Ballkan. Bosnje Hercegovina shtrihet në veri të Ballkanit. Dikur para viteve ’90, një nga gjashtë republikat e ish-Jugosllavisë për disa dekada, një shtet multientnik, ku pjesën më të madhe e zënë boshnjakët, të tjerë serb e kroat.

  Në agimin e një prej këtyre ditëve të bukura, kur qielli filloi të ngjyhej me njollat e kuqërremta të diellit dhe yjet po shuheshin një nga një, pasi kishim kaluar një ditë më parë traun e doganës së Hanit të Hotit, Tuzin, Podgoricën, Nikshiçin, qytete të Malit të Zi, rendëm drejt Bosnje-Hercegovinës me miqtë e mi Bardhin, Sadikun dhe Shkëlqimin, për të kaluar ditë pushimesh. Në fytyrat e gjithsecilit nga nesh shquhej kënaqësia e këtij udhëtimi plotë befasi. Por këtë kënaqësi shumëfishohen edhe  nga bashkudhëtarët që të shoqërojnë në çdo hap. Shto edhe faktin kur udhëtimi kalon nëpër rrugë e treva me peizazhe të magjishme.Makina gulçonte kthesave gjarpëruese të rrugës dhe syri nuk ngopet duke parë mrekulli që ka krijuar natyra, por edhe dora e njeriut. Lodhja nga rruga e gjatë prej orësh, shuhet dhe të duket se je në një ëndërr të bukur e s’të bëhet të zgjohesh. Panoramat tërheqëse zëvendësojnë njëra-tjetrën. Kodra e male shkembore, lugina të zhytura në gjelbërim, kodrina që valëzohen si një sixhade jeshile perse ku çdo pëllëmbë e mbjellur me kultura bujqësore e drurë frutorë. Lulet shumëngjyrëshe si një garniturë moderne dukeshin sikur dora e njeriut i ka hedhur pa kursim. Ajri i pastër mbushur tej e tej me aromën e tyre të përzier. Kjo është ndjesia e parë që të ngulitet në kujtesë. Këto peizazhe, duke u zhytur në thellësinë e vendit, bëhen edhe më interesante dhe sigurisht ndjen kënaqësi. Ja ku të shfaqen para syve objekte me një arkitekturore të vjetra e mjaft interesante. Mendja dhe dora krijuese e këtij populli të lashtë ka krijuar mrekulli të vërteta me kështjellat, urat, xhamitë e shumta, kishat dhe kullat. Ato shoqërohen si një mozaik mjaft piktoresk nga objektet më të reja.Nga mundësia se nuk do të na jepet më rasti t’i shoh përsëri ndalojmë, nxjerrim aparatët dhe fotografojmë, pa lënë të na iki nga dora asnjë nga këto mrekulli.

Stolaci, qytet afër kufirit me Malin e Zi, i shtrirë në një grykë të ngushtë shkëmbore, jo aq i madh sa qytet e tjera te Bosnje Hercegovinës, më i bukur se çdo qytet tjetër. Rruga dhe një lumë i rrëmbyeshëm e ndanin në dy pjesë këtë qytet me ndërtesa karakteristike që humbnin nën hijen e pemëve të shumta. Në mes të qytetit ndërtesat më interesante ishin kisha dhe xhamia. Në një kodër të lartë ngrihej një dëshmi historike një kalaja madhështore. Të tilla ka me dhjetëra në qytetet e Bosnje–Hercegovinës dhe të duket se ke të bësh me një vend me histori të lashtë e të përgjakshme. Ato janë faqet reale të këtyre luftërave për liri e pavarësi. Populli i thjeshtë dhe kulturëdashës i Bosnje–Hercegovinës,që përjetoi tmerrin e gjenocidit absurd nga fqinji i tij, serbi, ka ruajtur me fanatizëm dëshmi të kulturës së lashtë e të re.Këtu u vranë e masakruan me mijëra njerëz të pafajshëm, burra, gra e fëmijë. Qindra e mijëra të tjerë u masakruan e u torturuan barbarisht në kampet famëkeqe, u shkatërruan ndërtesa e objekte të kulturës së këtij populli. Gjurmët e këtij holokausti të pashembullt shiheshin edhe sot në godina të ndryshme: shtëpi, hotele, fabrika të goditura nga plumbat e predhat, si muze natyror i asaj faqeje të historisë të shkruar me gjak në vitet 1992-1995. Mostari është një nga qytetet që e pësoi më rëndë këtë gjenocid. Por me këtë le të merret historia. Aq më tepër që ky nuk është objekti i këtij shkrimi.

 Vazhdojmë udhëtimin. Përpara nesh shtrihej Mostari, në mes të një gryke të madhe shkëmbore. Futemi në pjesën e tij më të vjetër dhe zbresim drejt brigjeve të bukura të lumit Neredva. Ndeshemi me shumë gjëra të bukura, që nuk të shqiten lehtë nga mendja. Por ajo që të tërheq mbi gjithçka në Mostar është ura, simboli i qytetit e që njihet në histori si "Ura e Mostarit". Lumin Neredva e kalojnë dhjetëra ura, por interesante është ura me gur, një ndërtim i mrekullueshëm arkitekturor.Është një ndjesi emocionale e mbresëlënëse që dëshiron ta ruash edhe në foto. Për skaj urës një numër i shumtë restorantesh dhe dyqanesh të vogla që tregtojnë prodhime artizanale vendase. E përshkojmë shtratin e urës në heshtje si dhjetëra turistë nga vende të ndryshme të botës, larmi  ngjyrash, racash e besimesh që lëvrijnë pareshtur nga të dyja anët e saj. Ndërsa kalojmë urën e lartë, nga njëri breg në tjetrin, ndjehemi si me krahë. Kjo lartësi të ndjell emocionet të rralla. Kush nuk do ta dëshironte këtë ndjesi të mrekullueshme?! Ura e vjetër pesëqind vjeçare u shkatërrua me artileri më 9 nëntor të vitit 1993 nga ushtria e kroatëve të Bosnjës. Ura e vjetër nuk kishte rëndësi strategjike, por shkatërrimi i saj për qëllim shuarjen e një simboli të kulturës osmane.  Ajo u rindërtua 11 vjet pas shkatërrimit, plot 7 vjet rresht pune intensive,financuar nga Unesco, Banka Botërore, dhe sot qëndron përsëri më këmbë mrekullisht e njëjtë në strukturë, si ajo e para, e ndërtuar prej 1557 deri në vitin 1566, nën urdhrat e Sulltan Sulejmanit të Madh.

 Lemë pas Mostarin dhe ecim në një rrugë që lëvizet shpejt, si një nga arteriet kryesore të qarkullimit rrugor, që lidh Sarajevën me Dubrovnikun e Kroacisë. Për kilometra të tëra ajo kalon nëpër një luginë malore me peizazhe, ngjitur me ujërat e lumit Neredva, një lum i qetë kthyer në liqen e disa H/C, që i japin një tjetër bukuri peizazhit. Shikimi gërshetohet edhe me vepra të tjera arti: ura, tunele… Rrëketë e ujërave të përrenjve malorë, që vinin nga shpatet, krijonin një tjetër gjallëri të rrallë. Me shushurimat e tyre të pandërprera të dukej sikur ata të nanuritnin këngë melodike të pakuptimta. Motori i benzit këndon këngën në kthesa e lartësi nëpër gryka shkëmbore qindra metra të lartë, që ngrihen përpjetë me majat e tyre të thikta, që shkonin deri  tutje, në majat e maleve Dinarike, të mbuluara nga bora, ku lëviznin ngadalë shtëllunga të bardha resh, që dukeshin sikur hidhnin valle në qiellin blu. Drita e diellit ushtronte mbi to një ndikim të mirë pas shiut që kishte rënë. Pastërtia e natyrës të kënaq syrin dhe shpirtin dhe të rrëmben dëshira për t’u ulur e pushuar e sidomos kur rruga është e gjatë, për t’i prekur e shijuar nga afër këto mrekulli mahnitëse të natyrës. Shijon këto çaste magjike ndërsa udhëton drejt kryeqytetit të Bosnje - Hercegovinës, Sarajevës, ku kalojnë njëri pas tjetrit fshatrat, qytezat e qytetet e tjerë, që të tërheqin vëmendjen me shtrirjet dhe ndërtimet model alpin. Ajo që të befason është ndërthurja e arkitekturës së tyre: e vjetra me të renë. Qytetin e Konjicës kur e përshkojmë, mbetemi akoma të mahnitur nga pamja e tij. Me aparatet fotografike mundohemi të bëjmë sa më shumë shkrepje. Tutje Jablanica, një  tjetër qytet i vogël piktoresk, por që shquhet qartë me ndërtimet e bukura, që buisin nga larg aq pastër nga qartësia e mëngjesit pranveror, formën dhe shtrirjen e tyre. I afrohemi Sarajevës. Prej së largu shfaqej bardhësia e një qielli pa shkëlqim, nga një tis i mjegullt, i një shiu të lehtë që kishte rënë para pak çastesh. E ndërsa jemi të lodhur nga rruga e gjatë prej dhjetëra kilometrash, kur vështrojmë nga larg trajtat e Sarajevës, që shtrihet në një sfond të madh, s’ka se si të mos mbetemi të mahnitur nga panorama e saj, dritat vezulluese të pragmbrëmjes, zhurmat gurgulluese të metropolit. Kemi dëgjuar shumë për Sarajevën, për masakrat, shkatërrimet, gjenocidin e pashoq të viteve ’92-95, por kur të shfaqet më mbresëlënëse nga çfarë pret dhe kur e shkel për herë të parë me një pasion udhëtari, vërtet ndjen harmonishëm një kënaqësi magjike.

Mëngjesi i ditës tjetër erdhi mbi Sarajevë me një mjegull të lehtë qumështore, por nuk na pengoi ta vizitojmë atë. Çdo vendbanim paraqitet me veçoritë dhe bukuritë e veta, por Sarajeva të befason më shumë me arkitekturën karakteristike. Mjafton ky realitet për të kuptuar nga njëra anë natyrën dhe nga ana tjetër kulturën e zhvillim e saj. Mendja dhe dora e banoreve të saj i kanë zbukuruar edhe më shumë parqet e shumta, në qendër e periferi të saj, me drurë, lule e komponentë të tjerë të argëtimit masiv. Në njërin nga parqet e qytetit është mjaft interesant një memorial në nderim të të vrarëve në luftën e Bosnjës ’92-’95. Sarajeva ka një popullsi prej 600 mijë banorë dhe zien nga gjallëria, nga jeta e rikthyer. Të befason me pastërtinë, rregullin, rrugët, bizneset e shumta, hotelet,teatrot…Si gjithnjë, gjatë këtij udhëtimi mbresëlënës, mbetemi më të mahnitur që përveç bukurive e peizazheve të panumërta në Sarajevë, por të bën përshtypje edhe sjellja njerëzore e natyrshme e banorëve. Është e vështirë ta shëtisësh të gjithë Sarajevën, por ne edhe me aq sa e prekëm mbetëm mjaft të kënaqur dhe befasuar njëkohësisht. Sidomos kur u ndodhëm përballë Akademisë së Arteve të Bukura të Sarajevës, Bashkisë së qytetit, godinave qeveritare... Po kështu para nesh shfaqen mbi të tjerat kishat dhe xhamitë e shumta, që të stepin në vështrimin e parë me madhështinë e bukurinë e tyre. Nuk di ku të ndalesh sytë më parë e megjithatë bëjmë dhjetëra foto përpara Xhamisë mbi 500 vjeçare Gazi Husref-bej, e veçantë për vlerat arkitektonike. Një vepër arti e ndërtuar me mjeshtëri në teknikë e kombinacione. Një tjetër objekt arkitekturor mbizotërues në Sarajevë,është edhe Katedralja madhështore Katolike e dioqezës Arqipeshkopnore, ndërtesë e stilit gotik e arkitekturës romane, ndërtuar në qendër të Sarajevës, mbi të cilin mbeten gjatë sytë dhe s’mund t’i bënim ballë kërshërisë së kësaj bukurie të papërsëritshme. Katedralja Ortodokse është një nga më të mëdhatë në Ballkan, një bazilikë e trefishtë nefësh, me pesë kupola, e ndërtuar në stilin barok, me elementë të arkitekturës bizantine serbe. E sa e sa pamje të tjera të këtij metropoli të çlodhin sytë. 

Ditët nuk ishin të mjaftueshme për të shijuar gjithë këto bukuri magjepsëse të Bosnje-Hercegovinës, si gjërat e çmueshme, veçse, duke ju treguar këto fotografi me pamje të këtyre bukurive gjatë ditëve të këtij udhëtimi magjepsë mendoj se do të përcjell te ju një grimcë sado të vogël të atyre emocioneve që përjetuam në atë qëndrim të shkurtër, por të paharruar.



(Vota: 20 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora