E marte, 27.10.2020, 06:41 PM (GMT)

Editorial

Pierre-Pandeli Simsia: U zhvillua Festivali i 17-të Folklorik i Diasporës Shqiptare në Sh.B.A.

E merkure, 14.11.2007, 06:20 PM


Pranverë Shqiptare në Lehman Center for the Performing Arts, Nju Jork

U zhvillua Festivali i 17-të Folklorik i Diasporës Shqiptare në Sh.B.A.

Mijëra bashkatdhetarë mbushin plot sallën e madhe mbi tremijë vendëshe në  Lehman Center for the Performing Arts, në Bronx të Nju Jork-ut.

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Pierre-Pandeli Simsia
Edhe nëse Qendra Kulturore "Nënë Tereza" e Kishës Katolike me qendër në Harrtsdale në Nju Jork, si dhe zotëria i nderuar i Komunitetit shqiptar të Amerikës, zoti Mark Shkreli të mos kishin njoftuar para pak kohësh  për Festivalin e 17-të Folklorik Kombëtar të Diasporës Shqiptare në Amerikë, Komuniteti Shqiptar e di vetë tani atë Aktivitet Kulturor-Artistik-Folklorik në pragmbyllje të çdo viti, sa të larmishëm aq edhe të rëndësishëm, për të mos munguar.
Si çdo vit edhe ditën e diel, më 11 Nëntor 2007 Qendra Kulturore "Nënë Tereza" e Kishës Katolike me qendër në Harrtsdale në Nju Jork, zhvilloi Festivalin e 17-të Folklorik të Diasporës.
Arti, Kultura, Folklori Shqiptar u shpalosën në sallën e madhe të koncerteve mbi tremijë vendëshe në Lehman Center for the Performing Arts në Bronx të Nju Jorkut.
Mijëra bashkatdhetarë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, jo vetëm nga Nju Jorku, por edhe nga shtete të tjera të Amerikës kishin ardhur për të marrë pjesë në Festën e Kulturës dhe Folklorit  Shqiptar
Në atë skenë të madhe pranvera shqiptare erdhi e larmishme me të gjitha ngjyrat e saja. Gjithë ngjyrat e jetës shpalosi Shqiptaria në atë aktivitet artistik.
Xhubletat, fustanellat, tirqet, opingat me xhufka, kostumet e ndryshme kombëtare shqiptare, jataganët, ... krijonin një lëndinë të bukur shumëngjyrëshe, për të shijuar tingujt e ëmbël të çiftelive, fyejve, lahutave, sharkive, daulleve, zërat e ëmbël dhe melodiozë të këngëtarëve, hapat e valltarëve dhe kërcimtarëve si flutura në mes asaj lëndine lulesh shumëngjyrëshe, ku në sfond të skenës i printe Ai, Flamuri ynë i Shenjtë Kombëtar me Shqiponjën dykokëshe krahëhapur.
Edhe vetë Flamuri ynë Kombëtar dukej sikur qeshte në atë mbrëmje të gëzuar, në festën e  madhe dhe të larmishme të kulturës shqiptare.
Organizatorët e festivalit, Mark Shkreli, Gjon Chota, Palok Rudaj, ... si të "zotët" e shtëpisë,  para se të fillonte festivali, ishin ata që i uronin mirëseardhjen spektatorëve, që grupe grupe ecnin drejt sallës së koncerteve, mes kopështit të bukur dhe të gjelbëruar që të ofrojnë ambientet e këndëshme dhe shlodhëse të  Lehman Center for the Performing Arts.
Përpara hyrjes për në sallë mijëra bashkatdhetarë kanë ardhur dhe rrinë në radhë për të hyrë.
E ndërsa hyjmë në sallë, pak para se të fillojë festivali, takohemi me miq dhe shokë artistë, disa nga të cilët janë në provat e fundit në skenë.
Aktori i mirënjohur i Humorit Koço Devole është ndër të parët që ka ardhur. Gazetarja Mimoza Dajçi bashkë me vajzën e saj simpatike është nën "ethe". Edhe pse këtë vit nuk është regjisore e festivalit si vitet e kaluara, përsëri Mimoza jeton me festivalin...
Zotin Mark Shkreli, që është edhe drejtor i festivalit e shohim përherë në lëvizje, sa në skenë, në sallë. Në lëvizje është i gjithë grupi organizues i festivalit, skenografi Fran Shala, drejtori i skenës Ludvig Çotaj, drejtori organizativ Gjon Chota, koordinatorja e reklamave Lule Gjokaj,  Astrit Tota, ...
Salla vazhdon të mbushet me spektatorë; shohim të vijnë personalitete të larta, përfaqësues të Shtetit Shqiptar, kryetarë dhe anëtarë të shoqatave të ndryshme; Ambasadori i Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara me seli në Nju Jork, zoti Adrian Neritani me bashkëshorten e tij, Kryetari i "Vatrës", zoti Agim Karagjozi, zëvendësi, zoti Agim Rexha, Presidentja e Shoqatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane"Motrat Qiriazi", Dr. Anna Kohen me bashkëshortin e saj, nga Shoqata "Çamëria", zonja Vera Gjata, zoti Sali Bollati me bashkëshorten, Sekretari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane Dr. Namik Shehu, Avni Mustafa, Famulltari i Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës" i përndershmi dhe i respektuari Dom Pjetër Popaj, Dom Nikolin Pergjini, Dom Viktor Dedaj,  ..., bashkatdhetarë të ndryshëm, zotërinjtë Gjeto Sinishtaj, Dedë Dedvukaj, Zef Bala, Pashk Dedvukaj, Gjon Dedvukaj, Kolë Popaj, Nue Camaj, Gjergj Kalaj, Prel Sinishtaj, zonjat Nermin Daja, Myrvete Shehu, Margarita Salani, Kadrie Nela, Jorgjia Prenka, Mimoza Tahiri, Mimoza Mëhilli, aktori i humorit Arjan Rrapushaj, Skënder Liço, Shyqyri Rapi...
Festivali i 17-të Folklorik i Diasporës u mbajt në vitin e 10-të vjetorit të vdekjes së Shenjtores Shqiptare Nëna Tereze, shpirti dhe personifikimi i vetë Kombit Shqiptar.

Salla është e mbushur plot me pjesëmarrës. Fiken dritat e sallës dhe ndriçimi i vetëm i skenës tregon fillimin e festivalit. Pas një heshtjeje të shkurtër, salla shpërthen në duartrokitje. Vogëlushët shqiptarë valltarë, si zogj të bukur, si flutura krahëlehta vallëzojnë dhe fluturojnë në skenë, të veshur me kostume kombëtarë. Koreografja Angjelina Nika, sigurisht, ka jetuar emocione të mëdha, kur ndiqte lëvizjet e vogëlushëve të "saj" në skenë të shoqëroheshin me duartrokitje të spektatorëve.
Një grup tjetër fëmijësh, nën drejtimin e kompozitorit Agim Kola, këndoi një këngë të shoqëruar me lëvizjet e tyre; na dhuruan kënaqësi.
Prezantuesit tashmë të njohur, avokatja Angela Zagreda dhe tenori Kreshnik Zhabjaku nga skena, njoftojnë fillimin e festivalit.
Në skenë u ngjitet Famulltari i Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës", i përndershmi dhe i respektuari, oratori Dom Pjetër Popaj.
"Vëllezër e motra! ... Falenderojmë të madhin Zot që jemi shqiptarë... Gjuha Shqipe është e jona, jo e huaja, prandaj të gjithëve ne me forcë na takon ta rruajmë dhe ta kultivojmë për ta përcjellë brez pas brezi. Nëse ne shqiptarët, në familjet tona i mësojmë fëmijëve gjuhën tonë të bukur, jemi zot shtëpie, ndërsa kur  i flasim vetëm gjuhën e huaj, mbetemi mysafirë.
Ti mund të thuash; po unë nuk jam kombi, nuk jam kultura, gjuha shqipe... Ti je vetë jeta e kombit , e kulturës dhe e gjuhës.... Sakrificat e mëdha që janë bërë në përgatitjen e këtij festivali dhe komisionit organizativ, ka ndikuar edhe tek juve të gjithë spektatorë të dashur, të ndodheni sot në këtë sallë të madhe të festivalit... Në javën tjetër këtu në Amerikë është festa e falenderimit; ne sonte e kremtojmë atë festë, duke e falenderuar të madhin Zot e duke frymëzuar njëri tjetrin me fjalët e bukura O sa mirë që jam shqiptarë..." - tha ndërmjet të tjerash i përndershmi, oratori, Dom Pjetër Popaj.
Festivali ishte ndarë në tre pjesë. Në përfundim të pjesës së tretë, pas tërheqjes së jurisë, në pjesën e katërt kënduan këngëtarët e njohur të komunitetit, Kreshnik Zhabjaku, Arbërie Ethemi, Morena Reka, Paulin Trieshi.
Në pjesën e parë të festivalit u ngjitën në skenë grupi i valleve "Rozafati" me koreografi Angjelina Nika, këngëtarët Haxhi Zeneli, Luljeta Pëllumbi, Xhelal Gjurkaj, Klementina Morina, Dile Gecaj, Mirlinda Bytyçi, Valentina Dedvukaj, Grupi "Bashkimi" me koreografi Bashkim Jaho.
Në pjesën e dytë u ngjitën në skenë "Sh.K.A. Kelmendi", Ansambli "Rugova", duke interpretuar disa valle popullore, melodi me gjethe (fletë), lojë me tepsi, këngë lirike, këngë humoristike, këngëtarja Agime Lajçi Sinanaj dhe Grupi "Bashkimi"
Valltarët e Ansamblit "Rugova" vallëzonin në skenë, valltari prijës mbante në duar një flamur ku ishin shkruar "Ansambli Artistik Rugova" .Duke parë lëvizjet e tyre me flamurin në dorë të dukej se ndodheshim në krahinën e Rugovës, në Grykën e asaj natyre të magjishme, me ata njerëz të mrekullueshëm.
Në pjesën e tretë të festivalit u ngjitën në skenë këngëtarët Nik Carku, Geris Duma, John Krasniqi, humoristi i mirënjohur Koço Devole, Grupi i valleve "Rozafati", instrumentistët në çifteli dhe fyell E. Rexhaj dhe K. Smalaj. këngëtari vogëlush Albert Stanaj dhe përsëri Grupi i Valleve "Bashkimi"
Këngëtari vogëlush Albert Stanaj me zërin e tij klasik, të kthjellët, voluminoz, timbrik, për vetë moshën e tij, bëri që spektatorët t'i dhuronin duartrokitje të fuqishme dhe të pandërprera.
E bukur dhe interesante ishte edhe loja me tepsi. Një grua e Ansamblit "Rugova" rrotullonte pa ndërpreje tepsinë me gishtat e saja, ndërsa grupi i grave e shoqëronin në këngë.
Si gjithmonë i suksesshëm dhe plot humor ishte edhe në atë festival edhe i mirënjohuri Koço Devole, i cili gjatë gjithë kohës së interpretimit u shoqërua me të qeshura dhe me duartrokitje. "Mirëmbrëma gra!" - e filloi humorrin e tij Devole, "Epo, gjithë jetën themi mirëmbrëma burra. Pa ta kthejmë njëherë Mirëmbrëma gra..."

E papritur dhe tepër emocionante ishte edhe përshëndetja e Kryetares së Parlamentit të Shqipërisë, zonjës së nderuar Jozefina Topalli, lexuar nga yoti Rasim Hasanaj, Drejtor për Marëdhëniet ndërfetare..
"Të nderuar organizatorë të festivalit! Ju falenderoj përzemërsisht për ftesën që më keni bërë për të qenë edhe unë aty mes jush, por më vjen keq, angazhimet e shumta të punës shtetërore ma bëjnë të pamundur ardhjen time..., Jam e bindur se pjesëmarrja në këtë festival të organizuar nga Kisha katolike "Zoja e Shkodrës" si festivali i mbarë bashkatdhetarëve tanë nga të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga të gjitha trevat shqiptare, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Çamëria, do të jetë e madhe ...Gjej rastin të vlerësoj ndihmesën tuaj... - tha ndërmjet të tjerash në përshëndetjen e saj zonja Topalli.

"Nënë moj do marr një udhë, moj nëna ime/ do kaloj male me gurë moj nëna ime/ ... këndonte Luljeta Pëllumbi. Të gjithë e ndjemë atë këngë, sepse të gjithë e kemi lënë atdheun tonë, njerëzit tanë. Kemi kaluar jo vetëm male me gurë, por shtete të tërë, dete oqeane...
Interpretimi dinjitoz i këngëtares Dila Gecaj me këngën për pavarësinë e Kosovës ishte si një ogur i mirë për të shumëpriturën, shumëëndëruarën, Pavarësinë së shpejti të Kosovës së vuajtur...
"Valle me motive tradicionale",... "Valle Çame" u interpretua nga Grupi i Valltarëve "Bashkimi" me koreografi të Bashkim Brahos. Ata djem dhe vajza valltarë, të rinj në moshë, herë të qeshur në fytyrat e tyre e herë të dhimbshëm, siç ishin edhe vetë vargjet që shoqëronin vallen, na bënë edhe neve, spektatorëve të bëheshim një trup me valltarët, të ndjenim dhe të jetonim dhimbjen çame: /Çamëri na morri malli, se neve u ndamë për së gjalli/ U ndamë për së gjalli, s'njohim njëri-tjetrin/ Motra s'njeh vëllanë, i riu të vjetrin/ Çamëri, moj Çamëri, na mbeti loti në sy/ Përjetë të ndarë, s'ka mbet lot pa të qarë.../
Plot dhimbje dhe humor ishte edhe pjesa humoristike-sarkastike "Fukarai" e interpretuar mjeshtërisht nga dy bashkatdhetarë, ku ishin përballë dy shqiptarë të ardhur në Amerikë me dy jetë ekstreme; njëri ishte i pasur me biynese të ndryshme, ndërsa tjetri shëtiste rrugëve me karrocën e tij të mbushur me thasë me kanaçe pijesh freskuese. I papunë, pa shtëpi, fukaraja kërkon ndihmën e bashkatdhetarit të tij të pasur. Por, siç doli edhe vetë nga ajo pjesë humoro-satirike, e luajtur me mjeshtëri nga dy bashkatdhetarët tanë, nuk duhet të ketë midis nesh ndarje dhe përçarje fetare, krahine... Shqiptarët janë një, pavarësisht se janë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi, nga Çamëria, pavarësisht se me cilën kulturë fetare janë edukuar për të besuar edhe pse ka shumë shqiptarë që i besojnë dhe i respektojnë të gjitha fetë...
Këngët e festivalit u shoqëruan nga orkestrina tashmë e njohur dhe famoze e Komunitetit "Grupi Muzikor "ALBA" nën drejtimin e kitaristit Edi Xhani.
Në pozita të "vështira" u ndodh edhe Juria e Festivalit e përbërë nga Fadil Berisha, Kryetar, Pierre-Pandeli Simsia, Valentina Gorvokaj Curanaj, Agim Kola dhe Adem Belliu.
Duheshin zgjedhur "katër" lulet nga ajo "lëndinë" e bukur shumëngjyrëshe për të vlerësuar vokalistin më të mirë, koreografinë më të mirë, kostumin më të mirë, grupin valltar më të mirë.

Juria e Festivalit vlerësoi:
Kostumi më i mirë Grupi "Rozafati"
Grupi më i mirë Grupi "Bashkimi", Koreografia Bashkim Braho
Koreografia më e mirë Angjelina Nika
Këngëtari më i mirë Albert Stanaj

Festivali i 17-të Folklorik i Diasporës Shqiptare u përcoll nga njerëzit e njohur të shtypit dhe televizioneve shqiptare këtu në Sh.B.A. dhe nga media dhe televizionet e tjera amerikane.
Organizatorët dhe artistët pjesëmarrës në atë festival na sollën pranë Shqiptarinë, sepse Shqiptaria vjen atje ku ka shqiptarë, Shqiptarinë e sjellin vetë shqiptarët, atje ku punojnë dhe jetojnë shqiptarët.
Zërat e këngëtarëve, kostumet popullore shumëngjyrëshe, hapat e lehtë si fllad pranvere të valltarëve, tingujt e ëmbël të instrumenteve popullorë, skenografia..., duke krijuar atë mozaik brilant ngjyrash dhe tingujsh, artistët e mrekullueshëm shqiptarë të diasporës na sollën pranë në atë sallë të madhe gjithë Shqiptarinë, për të na "shëtitur" në të gjitha trevat shqiptare.
Festivali i 17-të Folklorik i Diasporës, si rruajtës dhe përkrahës i traditave të shkëlqyera folklorike dhe muzikore shqiptare, tregoi edhe njëherë vlerat e larta kulturore-artistike që kemi ne si Komb, folklorin tonë të pasur, humorin e "kripur" shqiptar, këngët dhe vallet tona pambarim me Gurën e pashtershme Popullore.
Qendra Kulturore "Nënë Tereza" e Kishës Katolike me qendër në Nju Jork  ka një meritë të jashtëzakonshme, një vlerësim të veçantë nga mbarë Komuniteti Shqiptar i Amerikës me këtë aktivitet kaq të larmishëm dhe të rëndësishëm që zhvillon çdo vit, duke mbajtur përherë gjallë vlerat e larta të Kulturës dhe Folklorit tonë, duke na bashkuar të gjithë së bashku pa dallim feje dhe nga cila krahinë jemi.
Ai aktivitet i rëndësishëm ishte një organizim i shkëlqyer nga organizatorët e festivalit. Urimi që del nga thellësia e shpirtit: "J'u lumtë! Urime! Suksese! Keni bërë një punë të shkëlqyer! J'u jemi borxhlinj dhe mirënjohës për gjithshka bëni..."
Faleminderit gjithë organizatorëve të Festivalit, të cilit, sapo i festuam moshën e tij të bukur të 17-të.
Faleminderit Qendra Kulturore "Nënë Tereza" e Kishës Katolike me qendër në Harrtsdale në Nju Jork.
Faleminderit gjithë artistëve pjesëmarrës në festival.
Faleminderit gjithë pjesëmarrësve që mbushën plot atë sallë gjigande në festën e kulturës, traditës, folklorit tonë.
Faleminderit punonjësve të palodhur dhe të kudogjendur të shtypit dhe të televizioneve të ndryshme, që përcollën atë aktivitet të rëndësishëm kulturor.
Mirutakofshim në festa dhe gëzime të tjera në Komunitet.
 
Komisioni Organizativ i Festivalit të 17-të.

Famulltar: Dom Pjetër Popaj, Drejtor i festivalit: Mark Shkreli, Drejtor organizativ: Gjon Chota, Regjisor: Gëzim Nika, Këshilli Artistik: Edi Xhani, Astrit Tota, Fran Çotaj, Drejtor i skenës: Ludvig Çotaj, Koordinator i mediave: Simon Vukel, Koordinatore e reklamave: Lule Gjokaj, Skenografia: Fran Shala, Prezantues: Angela Zagreda dhe Kreshnik Zhabjaku, Orkestra "ALBA", Drejtues Edmond Xhani.

Anëtarë:

Prena Berisha, Marjam Cubi, Idriz Çelaj, Flamur Husaj, Alex Lulaj, Elsa Lulaj, Tonin Lumaj, Luc Malota, Ismer Mjeku, Angjelina Nika, Fran Pllumaj, Hila Popaj, Palok Rudaj, Gjok Selca, Gjergj Simolacaj.

Thanë për festivalin:

Dr. "Namiku:  Dëshiroj të jap mendimin tim për Festivalin e 17-të mbarëkombëtar që sapo mbaroi dhe që ne ndjemë një kënaqësi tepër të veçantë. Për mua, ky festival ka qenë më i mirë, më i plotë, vallet, këngët e bukura popullore...
Dua të përmend të përndershim famulltar Dom Pjetër Popaj. kam pasur disa herë rastin ta dëgjoj në shumë aktivitete që zhvillon komuniteti ynë. Është një njeri jashtëzakonisht i përgatitur. Dua ta falenderoj dhe kam kënaqësinë ta dëgjoj shpesh në aktivitete të ndryshme. Ndërsa për drejtorin e festivalit zotin Mark Shkreli, pasi e njoh nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme dhe shkëmbimit të e-mail-eve, dua të them se e kam një dobësi të madhe. Si vazhdues i festivaleve, zoti Mark Shkreli ka meritën e tij se çdo vit sjell të reja të veçanta..."

Zoti Sali Bollati: "Ishte një kënaqësi e veçantë që na solli ky festival dhe e ndjemë veten tonë për aq orë sa ndodheshim në atë sallë, sikur ishim atje, në atdheun tonë, sepse, që nga Kosova e deri në Çamëri, artistët ishin përfaqësuar nga të gjitha anët. Kjo është merita e organizatorëve të festivalit, e Kishës katolike "Zoja e Shkodrës", sepse, të them të drejtën gjatë këtyre kohëve të fundit kam marrë pjesë në tre takime që ka zhvilluar Kisha, si përvjetori i Nënë Terezës e deri tek ky i sotmi. Këto aktivitete Kisha Katolike i zhvillon me një frymë kombëtare bashkimi, pa dallim feje. Ashtu siç ishte vetë Nëna Tereze, nëna e të gjithëve edhe këtu Kisha Katolike e Nju Jorkut po tregohet nëna e të gjithë bashkatdhetarëve.
Na kënaq shumë me këto aktivitete që zhvillon... I uroj suksese..."

Lule Jonuzi:" Kam ardh në Amerikë qysh në vitin 1999 në kohën e luftës në Kosovë. Due me falenderu tan organizatorët e ktij festivali... Nuk di ç'a me thanë. Jena knaq shumë, shumë..
Ishte vërtet nji festë shumë e bukur. Suksese organizatorëve të festivalit..."

Shkurte Avdija:" Edhe unë kam ardh qysh në vitin 1999 në Amerikë. Na ka pëlqy shumë ky festival. Jena kënaq. urime organizatorëve të festivalit, urime Kishës katolike..."

Elisabet Stein (Stain): ..."Edhe pse nuk e kuptoj gjuhën tuaj u mrekullova me ç'pashë sonte këtu në këtë sallë të madhe, me veshjet e artistëve shqiptarë... Arti i bukur dhe i vërtetë di të flasë vetë edhe pa e njohur gjuhën e shtetit se nga vjen ai art... jeni popull i mrekullueshëm... Edhe tani që po flas me Ju, i kam parasysh ata djem e vajza të bukura me moshë të re që vallëzonin... Congratulation!

Debi Anderson: "...Është viti i tretë që vij e shoh festivalin shqiptar... Në zyrën e punës sonë punon edhe një shqiptare, Adelina... Ajo na ftoi të shihnim një festival shqiptar. Më ka pëlqyer shumë festivali i para tre vjetëve dhe çdo vit nuk mund të rri pa ardhur e të shoh artin e bukur shqiptar. edhe sonte ky festival ishte një kënaqësi, befasi, mrekulli... Congratulation!

Nju Jork, 13 Nëntor, 2007



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora