E diele, 28.04.2024, 12:07 PM (GMT+1)

Editorial

Dorian Koçi: Shenjtërimi i lumnueshëm i Nënë Terezës

E hene, 22.10.2007, 06:51 PM


Nga Dorian Koçi

Dorian Koçi
“Jepi Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Zotit atë që i përket Zotit!”,- kjo shprehje e njohur nga Bibla ka marrë konacione të ndryshme gjatë shekujve. Në sensin historiografik, shprehja i referohet vlerësimit dhe kontributit të figurave të ndryshme historiko-shoqërore në kohë. Në historinë tonë të turbullt, ne shpeshherë e kemi shkelur këtë parim duke dashur që figurat historike t’iu shërbejnë qëllimeve dhe ideologjirave tona, pa u kujdesur aspak se kështu dëmtojmë integritetin shoqëror të tyre. Në fakt, kjo shprehje duhet parë ngushtë me kuptimin moralo-filozofik të saj. Në sensin filozofik të Krishterimit ajo përfaqëson një dallim të qartë midis pushtetit civil dhe atij hyjnor, midis pushtetit të përkohshëm dhe atij të përjetshëm. Duke respektuar këtë kuptim të qartë të shprehjes, ne duhet ta bëjmë tonën atë, kur gjykojmë apo shprehemi për Nënë Terezën, pasi figura e saj është figura më ideale, ku hyjnorja dhe misioni civil është i ndërthurur.

Shprehja në vetvete pasqyron një nga tiparet bazë të Universalizmit-konceptit të rendit botëror që përfaqëson një përzierje të traditave të Perandorisë Romake dhe të Kishës Katolike. Sipas këtij koncepti, bota është një pasqyrim i qiejve. Ashtu si në qiell sundon një Zot, ashtu edhe në këtë botë shekullare do të sundojë një perandor dhe një papë në Kishën Universale. Edhe pse Universalizmi, mori goditje të forta nga raison d’etat i Rishelejese (ironikisht, pasi Rishilieja ishte Kardinal) dhe ideja e shtetit-komb i Revolucionit Francez, prapëseprapë ai nuk është zbehur nga doktrinat e Kishës Katolike si mjet dhe predikim për të arritur paqen botërore. Madje i reformuar si koncept, ai ka kontribuar dhe në prirjet e tanishme moderne për një Evropë të bashkuar. Një vështrim i shpejtë, në atë që mund të konsiderohet ngrehina e Shteteve të Bashkuara të Evropës; në Bashkimin Evropian të sotëm mund të vësh re shumë lehtë se, në bazat filozofike të tij ka një mbështetje të fortë në parimet e Universalizmit. Kështu p.sh., kur ish-Presidenti i Komisionit Evropian, Jacques Delor përshkruan kriteret bazë të filozofisë së sotme të Bashkimit të Evropës, nënvizon tre si të tilla. Filozofinë antike, si bazë e racionalizmit të sotëm evropian; të drejtën romake, si ndërtimin e shtetit modern të së drejtës dhe vlerat e kristianizmit, si vlera humane dhe universale të njeriut.

Këtij universalizmi modern i përket dhe Nënë Tereza. Ajo nuk mund të shikohet dhe vlerësohet jashtë këtij prizmi. Është e vërtetë që për edukimin tonë nacionalist centrim, shumica do të dëshironte një Nënë Terezë aktive në çështjet tona kombëtare, por asaj nuk mund t’i shkojë roli i Shote Galicës sepse në filozofinë që ajo besonte dhe praktikonte, predikohet “se kush përdor shpatën, prej saj do të vdesë”, por as roli i aktivistes së thjeshtë të çështjes kombëtare, sepse ajo besonte në paqen universale dhe vëllazërimin e popujve larg demonëve shkatërrues të nacionalizmave. Parimi i paqes universale është një nga vlerat humaniste të Katolicizmit dhe qysh nga Koncili i vitit 1963,Vatikani kurrë nuk ka përkrahur më ndonjë luftë. Prandaj tingëllojnë të nxituara disa vlerësime që hasen nëpër faqet e shtypit të përditshëm dhe që fatkeqësisht influencojnë dhe në opinionin e përgjithshëm, se “Nënë Tereza nuk ka sjellë ndonjë kontribut të veçantë për Shqipërinë, dhe se ka një himnizim të panevojshëm përsa i përket figurës së saj”. Vazhdohet dhe më tej, kur përcaktohet identiteti fetar i saj, si kundërpeshë ndaj identitetit fetar të shqiptarëve të tjerë, duke harruar se Nënë Tereza veproi dhe ndihmoi pa dallim të gjithë të varfrit e botës. Në asnjë fjalim të saj, nuk mund të dallosh ndarjet artificiale që mundohen t’i veshin, por gjithmonë aty do të gjesh një burim të pashtershëm dashurie, paqeje dhe përkushtimi ndaj njerëzve në nevojë.

Gjithsesi për informacion të atyre që kritikojnë Nënë Terezën apo nuk pajtohen me nderimet që i bën shteti i sotëm shqiptar, ajo kurrë nuk e mohoi origjinën e vet shqiptare dhe me pohimin e saj se ishte shqiptare, i solli një shërbim të paçmueshëm kombit të vet, të harruar e të izoluar në mjegullnajat e stalinizmit. Në shërbimin e vet civil, Nënë Tereza krijoi një precedent dhe eksperiencë të pashembullt në historinë moderne të njerëzimit. Ajo u bë simboli i gjallë i humanizmit,që bëri të mundur ndryshimin e politikave botërore për njerëzit në nevojë e pa përkrahje sociale. Është ky shërbim social e misionar që ringjalli sërish vlerat humane të solidaritetit, mëshirës dhe përkushtimit ndaj të tjerëve, vlera të cilat prisnin engjëllin e tyre për t’i përhapur në një botë që flinte në hipnozën e individualizmit dhe egoizmit vetjak të post-modernizmit. Në këtë kontekst, ne shqiptarët duhet të jemi krenarë për shenjtoren tonë dhe vlerat humaniste që ajo mbart, pasi duke ia dhuruar atë njerëzimit, sërish ndihemi aktivë në kontributin moralo-filozofik, në mendimin filozofik botëror. Është një kënaqësi e veçantë që shenjtërimi i Nënë Terezës tashmë është një festë zyrtare në Shqipëri dhe, nga viti në vit, ajo duhet të kthehet në një festë të vërtetë popullore. Këtu nuk është fjala për të krijuar apo imponuar ceremonira të veçanta, por duke u përpjekur për të njohur misionin fisnik të saj, shqiptarët nuk kanë se si mos ta nderojnë dhe duan shenjtoren e tyre. Duke nderuar Nënë Terezën dhe nënvizuar kontributin e saj të paçmuar në qytetërimin modern nuk rrezikojmë aspak të biem në tautologji moderne, sepse të nderosh vlera të tilla si humanizmi, solidariteti dhe sakrifica njerëzore, vlera të mishëruara më së miri tek Nënë Tereza, do të thotë t’i bësh një monument vetë njerëzimit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora