E enjte, 27.06.2019, 12:04 PM (GMT+1)

Editorial

Dukagjin Granea: Përpjekje të maskuara për shartimin e etno-identitetit shqiptar me atë “fetaro-islamik“

E enjte, 25.02.2010, 10:59 PM


Prapavija e kërcënimeve!

Përpjekje të maskuara për shartimin e etno-identitetit shqiptar me atë “fetaro-islamik“

Nga Dr. Dukagjin GRANEA – Prishtinë

     Kritikat dhe kërcënimet që, çuditërisht, këtyre ditëve u janë drejtuar disa familjeve shqiptare, të cilat iu rikthyen besimit të të parëve të tyre, e madje edhe Kishës Katolike Shqiptare, përkojnë me antishqiptarizmin në vazhdimësi të politikës teologjike serbe, si të djeshmen dhe të sotmen, rrjedha e të cilave ndërlidhet me prapaskenat e shërbimeve sekrete të ish-shtetit jugosllav, e më pas serbo-malazez (1945-1999). Në kohën kur ish-shteti jugosllav gjendej në kulmin e zhvillimit të tij, shërbimet sekrete jugosllave, në të cilat dominonin serbët, kishin vlerësuar se ishte në të mirën e shtetit dhe të kombit serb që të rinjtë boshnjakë e shqiptarë, që dëshironin të studionin shkencat fetare, të orientoheshin për studimin e islamit burimor në ndonjërin prej universiteteve fetare në shtetet arabe, por jo në Turqi, sepse atje Kemal Ataturku, në fillim të viteve të 20-ta të shekullit të shkuar, i kishte bërë reformat, e kishte bërë Turqinë shtet modern – e kishte ndarë fenë nga shteti.

Siç u pa gjatë ngjarjeve të fundshekullit të shkuar, politika teologjike serbe kishte qëllime afatgjata. Dhe, për çudi, as inteligjencës boshnjake e as asaj shqiptare, e as kuadrave udhëheqëse të të dy popujve, nuk u kishtë rënë në mend të pyesnin pse të rinjtë shqiptarë e boshnjakë udhëheqja shtetërore i orientonte të studionin teologjinë në vendet arabe, e jo në Turqi! Madje, edhe përkundër faktit se analitikët evropianë kishin sinjalizuar se shërbimet sekrete serbo-jugosllave kishin qëllime të caktuara, që kishin të bënin me dy popuj shqiptarët dhe boshnjakët, me shumicën e popullsisë të besimit islam. Ata, në analizat e tyre e kishin definuar qartë qëllimin e shërbimeve sekrete jugosllave, në të cilat dominonin serbët – krijimin e konfuzionit mes islamit dhe sekteve të tij, që i aplikonin boshnjakët dhe shqiptarët dhe islamit burimor të vendeve arabe.

Shkurt e shqip, qëllimi themelor i shërbimeve sekrete serbo – jugosllave dhe i politikanëve serbë ishte që shqiptarët dhe boshnjakët të preokupoheshin me problemet fetare në vend se të merreshin me zgjidhjen e problemit të tyre kombëtar. Pse’ja dhe fryti i një veprimi të tillë të planifikuar, doli në shesh më vonë përmes veprimeve politiko-teologjike serbe, me anën e të cilave një populli – kombit boshnjak ia ndryshuan identitetin. Dhe, gjatë ndryshimit të identitetit të etnisë boshnjake të besimit islam, pra krijimit të një etno – identiteti të ri, të pa qenë, me emërtimin kombi musliman, rolin e kirurgëve e luajtën politikanët dhe shërbimet e sigurimit sekret serb, por, për çudi, rolin e anasteziologëve e morën klerikët boshnjakë të besimit islam, të shkolluar në vendet arabe. Pse bënë ashtu, pse një populli ia ndryshuan identitetin, do të qartësohet edhe më shumë, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, gjatë përpjekjeve serbe për ta zhdukur popullin boshnjak të besimit islam dhe, përfundimisht, për ta lënë edhe pa territor ekzistencial. Por, kjo nuk është çështja e këtij trajtimi. Më të duhet të merren boshnjakët vetë.

Deri sa “operacioni” i përbashkët i politikanëve, i kishës dhe shërbimeve sekrete serbe në bashkëpunim me politikanët boshnjakë dhe, mbase, pa vetëdie, edhe me klerin islam, për ndryshimin e identitetit të një etnie në Bosnje ishte i suksesshëm, në Kosovën shqiptare, nuk iu kishte ecur puna “mbarë”, ashtu sikundër e kishin pritur. Shqiptarët e Kosovës ishin regjur gjatë rezistencës disashekullore për të mbijetuar dhe për të ngelë shqiptar. Ata e kishin traditën e vet kombëtare, që i kishte mbrojtur dhe stimuluar gjatë periudhave të rënda të historisë për të mbijetuar. Ata, traditën – kod, e përdorën edhe pas vitit 1945. Me sakrifica të mëdha arritën ta krijojnë inteligjencinë e vet shqiptare – disa qindra mësues e mësuese, të pa kualifikuar as vetë sa duhet, i nisën reformat: i hapën kurset për ta zhdukur analfabetizmin – kurset kundër analfabetizmit, inicuan aksionin për heqjen e çarçafit (ferexhes) dhe i nisën përpjekjet për barazinë e femrës në të gjitha fushat e jetës. Në sajë të punës së tyre, ditë e nat, me gjeneratat e reja, por edhe me të moshuarit, arritën, krahas mësimit të shkrim-leximit, të vetëdijësojnë si gjeneratat e reja, ashtu edhe masën e gjerë për përkatësinë e tyre kombëtare. Arritën ta çrrënjosin dilemën e pranishme, edhe të një pakice të shqiptarëve të Kosovës, që e kultivonin thënien “jam turk elhamdylylah” , duke i vetëdijësuar se ata ishin shqiptarë të besimit islam e jo turq.

Megjithatë, “operacioni” i përmendur me përkrahjen e një numri të klerikëve të rinj shqiptarë të besimit islam të shkolluar në vendet arabe, arriti njëfarë suksesi në planin e cenimit të kodit të traditës sonë, madje në ca aspekte  opak të rëndësishme. Ai e preku institucionin e Ditës së zisë, Ditës së mortit në familjen e shqiptare; e preku institucionin e të Pames – shprehjes së ngushllimeve dhe ceremoninë e varrimit, preku edhe doke të tjera të traditës sonë, i futi në odën shqiptare shprehjet e gjuhës arabe për tëu shprehur mysafirëve mirëseardhjen, e madje ndikoi aq shumë në vetëdijen e ndonjë “intelektuali” sa që i shtyu ta ndryshojnë emërtimin e ditës së premtë në “ xhuma” etj.

Në Ditën e zisë apo Ditën e mortit, pra ditën kur i vdekuri përcillet në varr, që nga gjysma e viteve 80’ta të shekullit të shkuar femrat shqiptare të besimit islam, e mbulojnë kokën me shamia të bardha! Nga erdhi shamia e bardhë, ngjyra e bardhë, në kokat e femrave shqiptare në ditë zije e morti, në vatrat e shqiptarëve të Kosovës(?! ), kur është e ditur se ngjyra e bardhë as te shqiptarët e as te popujt tjerë të Evropës nuk simbolizon as pikëllimin, as dhembjen e as nuk bartej në ditë zije. Ngjyra e bardhë, simbolizon diç krejt tjetër edhe te shqiptarët. Nuk ishte kurrfarë rastësie së në veshjen tradicionale të grave në Dukagjin dominonte ngjyra e bardhë, si ngjyrë elegance e gëzimi.

Në të njëjtën mënyrë, e mbase edhe me të njëjtin qëllim, u cenua edhe ceremonia e varrimit, nga se gjatë aktit të vënies në varr të të vdekurit, klerikët islamë nuk i lejojnë femrat të jenë të pranishme, qofshin ato nëna, motra, bashkëshorte apo bija të të vdekurit, ashtu sikundër e ndalojnë edhe përshëndetjen me dhënien dorës të ngushlluesve dhe anëtarëve të familjes.
Viteve të fundit, si në trevat shqiptare si në Maqedoni ashtu edhe në Kosovë, janë duke u bërë përpjekje të vazhdueshme, natyrisht me mjete më subtile, që në emër të islamit burimor, të bëhet shartimit i etno-identitetit kombëtar shqiptar me një identitet të ri të tipit islamo-arab dhe, po ashtu edhe, edhe për ta shkrirë gjuhën shqipe në njëfarë gjuhe „islamo-shqiptare“?! 
 
Një hyrje paksa e gjatë për tëu ndalë në temën bosht, pra në kërcënimet e drejtuara nga Qemal Morina ndaj disa familjeve shqiptare, por edhe ndaj klerit katolik shqiptar, të cilat iu rikthyen besimit të vjetër të të parëve të tyre. Dhe, thënë sinqerisht, kërcënimet e tij të tashme, duhet marrë seriozisht nga se për opinionin publik shqiptar duhet të jetë i njohur rasti i inskenuar i “Përkthyeses me shami“ , rast për të cilin qe debatuar në mediat e shkruara dhe në ato elektronike, muaj me radhë, në fillim të kësaj decenije. Përkitazi me atë rast, në veçanti në mediat elektronike qenë shfaqur ca teza të diskutueshme, sipas të cilave dilte se identiteti ynë kombëtar apo etno-identiteti ynë paskësh elemente të përbashkëta me identitetin fetaro – islamik. Aso kohe, në një artikull me titull: “Ikja nga identiteti“ të autorit Qemal Morina, të botuar në një faqe interneti, pos që vihej në shenjestër klasa politike dhe inteligjencia shqiptare e Kosovës , lansohej edhe ideja se “shamia“ për mbulimin e kokës lypsej trajtuar si shënjë e identitetit të vajzave apo grave shqiptare(?!).

Në shkrimin e apostrofuar, binin në sy përpjekjet me ngulm për ta bërë shartimin e etno-identitetit shqiptar me identitetin e quajtur fetar – islamik, të pa definuar në aspektin teorik, nga se, siç është e ditur, brenda besimit islam veprojnë mbi 70 sekte fetare, ashtu sikundër që atij besimi i përkasin një numër i konsiderueshëm popujsh e kulturash, prandaj do qartësuar se shamia, ferexha, çarçafi apo ndonjë mbulesë tjetër çfarëdo qoftë, nuk mund të konsiderohet si shenjë identiteti, as grupor e as kombëtar, e më së pakut si shenjë e identitetit kombëtar të shartuar në identiteti fetar, apo në të kundërtën, siç pretendohej atëherë dhe siç pretendohet edhe sot e gjithë ditën nga ca individë dhe struktura teologjiko-intelektuale kosovare.

Shamia e kokës, që e përdorin gratë e besimit islam në vendet arabe, mbase në vetëdijën e tyre prezentohet si pjesë e identitetit vetiak, e asesi si pjesë e identitetit fetar, kulturor kombëtar etj. Është e ditur se mes islamit si religjion dhe traditave e kulturave të popujve nga vende të ndryshme të përkatësisë islame ka mjaft dallime, prandaj zë vend konstatimi se nuk është pikërisht islami si religjion ai që sjell dallimet ekstreme mes gjinive, por janë shtresat dhe klanet patriarkalo-sunduese të vendeve (shteteve) të ndryshme dhe interesat e tyre. Siç është e ditur në shtetin turk, bartja e shamisë për gratë dhe vajzat është thjesht çështje e vullnetit të lirë të tyre. Në anën tjetër në ndonjërin prej shteteve, ku feja s’është e ndarë nga shteti femrat e moshës madhore janë të detyruara të mbulohen me çarçafa, shamia apo mbulesa të tjera.

Ja ca pjesë nga përmbajtja e tezave të shtruara në atë kohë, që proklamoheshin panda përkitazi me përpjekjet për shartimin e etno-identitetit shqiptar në identitet fetaro-slamik.

-        “ (…) nëse kosovarët janë aq jotolerant ndaj shamisë së një femre shqiptare, e cila punon për OSBE–në, në kohën kur Kosova ende është nën administrimin ndërkombëtar, si do të sillen ata ndaj përfaqësuesve të pakicave të tjera nesër kur Kosova do të qeveriset nga vetë kosovarët?!;

-        “(…) Prijësit tanë nuk janë të vetëdijshëm për problemet me të cilat mund të ballafaqohet shoqëria jonë për shkak të kësaj papërgjegjësie nga ana e tyre;

-         “(…) Diskriminimi i hapur dhe pa precedent që udhëheqja jonë politike në mënyrë “vullnetare” po i bën njërit prej besimeve tona fetare, të cilit i takojnë shumica dërrmuese e popullit shqiptar, nëse edhe më tutje vazhdon, nuk mund të kalojë po konsekuenca së pari për vetë ata dhe partitë e tyre politike, por edhe për shoqërinë tonë në tërësi…”;

-        “(…)sjellje të pamatura dhe denigruese nga presidenti i Kosovës, mund të kenë për pasojë paraqitjen e dukurive ekstreme në Kosovë si rezultat i përbuzjes dhe përçmimit të ndjenjave të popullatës shumicë të Kosovës…”;

-        “(…)Përpjekjet e një pjese të intelektualëve tanë që tërë kulturën tonë ta lidhin me Perëndimin dhe të na paraqesin ashtu siç ne nuk jemi, nuk na bën nder neve si popull dhe bëhemi qesharakë në sy të të tjerëve…”;

-        “(…) Shkrirja jonë e plotë kulturore në atë evropiane, pa një trajtim serioz dhe kritik të vlerave që ofrohen, do të shpinte në fund në krijimin e individëve mutantë dhe të tjetërsuar kombëtarisht, që do të jetonin në vakuum identiteti dhe nuk do të ishin kundër nënshtrimit të sërishëm ndaj armiqve të jashtëm të kombit tonë…”

Prapavija e kërcënimeve…

     Në mulli të kujt çojnë ujë aludimet e prejudikuara, të para pesë viteve, si: “…si do të sillen ata ( inteligjencia shqiptare dhe klasa politike) ndaj përfaqësuesve të pakicave të tjera nesër kur Kosova do të qeveriset nga vetë kosovarët?!”, mirret me mend, por konstatimi i shprehur për çudinë tonë, përkon me politikën teologjike serbe kundërshqiptare. E çuditshme, por e vërtetë (?!).

Hartuesit e tezave gropojnë dhe parashohin me shprehjet si: “Prijësit tanë nuk janë të vetëdijshëm për problemet me të cilat mund të ballafaqohet shoqëria jonë për shkak të kësaj papërgjegjësie nga ana e tyre”.

Në vijim shkalla e kërcënimit fiton në peshë, bëhet serioze me fjalinë, si:
“(…)Diskriminimi i hapur dhe pa precedent që udhëheqja jonë politike në mënyrë “vullnetare” po i bën njërit prej besimeve tona fetare, të cilit i takojnë shumica dërrmuese e popullit shqiptar, nëse edhe më tutje vazhdon, nuk mund të kalojë po konsekuenca së pari për vetë ata dhe partitë e tyre politike, por edhe për shoqërinë tonë në tërësi…” dhe
“(…) sjellje të pamatura dhe denigruese nga presidenti i Kosovës (akuza i drejtohej Ibrahim Rugovës), mund të kenë për pasojë paraqitjen e dukurive ekstreme në Kosovë si rezultat i përbuzjes dhe përçmimit të ndjenjave të popullatës shumicë të Kosovës…”.

      Pikërisht kështu shkruhej.

      Brenda konstruktit të fjalive të cituara, ndeshet kërcënimi i përgjithësuar, prandaj në atë kohë shtrohej pyetja: cilat formacione do tëi kryenin detyrat e “ urdhëndhënësit“ për ta “talibanizuar” Kosovën ? Dhe, ato kërcënime qenë bërë realitet pa kaluar një vit në ngjarjet e marsit të vitit 2004. Fjala jonë e urtë „ Njëqind të rëna, një maje thumbi“, na e bën të qartë se ngado që ta sjellish, qëllimi është për tëi paraqitur shqiptarët e Kosovës, pikërisht ashtu sikundër që nuk janë, për tëi arabizuar dhe për tëua ndryshuar identitetin!

Si të kuptohen ndryshe konstatimi:

-         “(…) Përpjekjet e një pjese të intelektualëve tanë që tërë kulturën tonë ta lidhin me Perëndimin dhe të na paraqesin ashtu siç ne nuk jemi, nuk na bën nder neve si popull dhe bëhemi qesharakë në sy të të tjerëve“.
Çështja sdo koment, ndërkaq është e ditur se Kosova nuk ishte as nuk do të jetë as shtet i ajatollahëve, as shtet me rend kushtetues të mbështetur në sheriat, pavarësisht se shumica e banorëve të saj janë dhe mbesin të besimit islam.

Përfundimisht, me tezat e këtilla mëtohet nevoja për ndryshimin e identitetit tonë kombëtar, që do të thotë mëtohet të bëhet zhdukja jonë. Nga tezat e përfolura, del një porosi sa cinike aq edhe cenuese kundër dinjitetit tonë, porosi ajo antishkencore e edhe poshtëruese, sipas së cilës rezistenca dhe lufta jonë mijëravjeçare për të ekzistuar si popull dhe si komb, nuk do të ndodhte pa islamin, pra nuk do të ndodhte po të mos na mbante të okupuar për pesë shekuj Perandoria osmane ?! Është kjo tezë edhe e ndonjë “historiani” të Kosovës. Halucinacione vërtet morbide.
Pas kërcënimeve të atëhershme të Qemal Morinës, drejtuar udhëheqjes së Kosovës, pat ndodhur 17 Marsi i vitit 2004, ndërkaq, se çfarë do të ndodhë pas kërcënimeve të tashme drejtuar Kishës Katolike Shqiptare dhe familjeve që iu rikthyen besimit të të parëve të tyre, do të duhej të mendojë Qeveria e Kosovës dhe ndonjëri prej “hanxhinjve” brenda saj.


(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT