E premte, 26.04.2024, 01:06 AM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Heronj apo kriminelë? Mos të nxitojmë: T’i gjykojmë!

E merkure, 17.10.2007, 07:30 PM


Nga Mërgim Korça 
 

Mërgim Korça
Kam shumë kohë që matem të bëj një shkrim lidhur me një problem i cili, për nga rëndësia që paraqet, duhej të ishte trajtuar me kohë. Duke menduar se për këtë shkrim nuk do të më vinte mua radha të shkruaja e kam zgjatur deri më sot e prandaj po tu duk ty, lexues i dashur, se ia vlen të trajtohet kjo temë, lexoje shkrimin. Po s’të pëlqeu shkrimi, jam unë që paraprakisht të kërkoj ndjesë dhe nuk e ka fajin tema që trajtoj, por me sinqeritet të ftoj : Ngrije zërin që kjo temë të mos lihet në harresë dhe të trajtohet gjerësisht dhe nga persona të përgjegjshëm.

Ndërgjegja e paqetësuar e kombit e kërkon këtë gjë.

E tashti që u hodh hapi i parë, edhe unë sikur e kam më të lehtë t’i hedh në letër mendimet e mia e pra t’ia fillojmë bashkëpunimit : shkrim – lexim - gjykim.
Që në vitet e herëshme të rinisë time jam ndodhur para mëdyshjesh në gjykime ku papjekuria si edhe njohuritë jo të mjaftueshme të rrethanave edhe situatave, të cilat përbëjnë themelin e të drejtpeshuarit të këtyre të fundit, më kanë çuar në përfundime të cilat sot i gjykoj sa të njëanëshme dhe të nxituara.
Sa për një shembull, lexon biografinë e Napoleonit të Emil Ludvigut dhe krijon një përfytyrim të gjallë të asaj figure sa poliedrike aq edhe të veçantë të atij korsikasi dhe nëntogeri të panjohur, të cilin e entuziazmuan thirrjet për lirí, vëllazërim dhe barazí të fillimeve të revolucionit francez, e mbështeti atë dhe pastaj … u vetëshpall perandor, (ah sa kundërthënës gjatë një jete njeriu) ! Këto periudha të transformimeve të tija, (metamorfoza e krimbit në flutur), për të qenë të drejtpeshuar, na detyrojnë ta gjykojmë veprimtarinë e tij të ndarë në periudha. Nuk mund t’a gjykosh Napoleonin si një të tërë dhe të pandashme. Por nga ana tjetër nuk mund t’a gjykosh Napoleonin edhe nga këndvështrimi me të cilin e shikon biografin e tij rusi Tarlé. Pa e ditur se kush e ka shkruar atë biografi e kupton se e ka shkruar një rus. Pra vepra përshkohet nga një subjektivizëm i skajshëm.
I lemë tashti ngjarjet e fillimeve të dy shekujve të shkuar dhe u avitemi më shumë kohëve tona ku edhe njohja e rrethanave e situatave është shumë më e qartë, duke qenë se bashkëkohësit janë, atje-këtu, akoma të gjallë. Eshtë fakt se revolucionin bolshevik e udhëhoqi Lenini. Kur u pyet Lenini nga dy gazetarë anglezë se cilat ishin normat e tija rreth moralit dhe etikës, ai u përgjigj duke buzëqeshur :
“Kush u ka treguar të tilla përralla ? Unë nuk njoh as moral dhe as etikë, morali dhe etika ime është revolucioni dhe për të unë përdor çdo mjet …!” Këto pra, mbaji parasysh lexues i dashur, ishin themelet mbi të cilat u ngrit Bashkimi Sovjetik. Megjithëse Lenini kishte këto parime, duhet thënë e vërteta se në testamentin e tij, të cilin ai ia la Krupskajës dhe u lexua në mbledhjen e Komitetit Qëndror të partisë komuniste, ai rekomandonte një këshill drejtues prej katër personash dhe asnjeri prej tyre nuk ishte Stalini. Përse ? Sepse Lenini e parashikonte që Stalini do ta devijonte revolucionin nga ai shtrat ku e kanalizoi Lenini, ( ndonëse edhe ky i fundit nuk njihte as etikë dhe as moral, e ritheksoj ), nëpër shtigje më të ashpra e më gjakderdhëse !
E ndërsa Leninin ka filluar ta mbulojë dishka tisi i harresës, sa herë që flitet për Bashkimin Sovjetik, në plan të parë del Stalini. Padyshim që rruga e përshkuar prej tij ka çarë një shteg duke lënë djathtas e majtas grumbuj kufomash të armiqve të revolucionit, (sipas tij), që përbëjnë dhjetra miljona e ato nuk mund të harrohen kollaj. Mes atyre kufomave janë si muzhikë të pafajshëm e që u pushkatuan vetëm me vetëm se ishin bujqit më të mirë e prandaj edhe më të pasur, gjithashtu edhe ajka intelektuale dhe patriote e kombit rus. As me njerën e as me tjetrën palë nuk do të merrem, ndonëse e meritojnë plotësisht respektin tonë, por do të ndalem tek ata që për aq sa iu deshën Stalinit u bënë veglat e tij të verbëra kriminale. E pastaj ? U pushkatuan si tradhëtarë të revolucionit ! Në këtë kategori do të marr disa shembuj tipikë si p.sh. Feliks Xherxhinskin i cili qe themeluesi i famëkeqes polici sekrete sovjetike që shfarosi gjithë inteligjencën si edhe ushtarakët profesionistë rusë. Si përfundoi ? Gjatë një debati në Komitetin Qendror pati pushim zemre (?).
Vazhdojmë me Genrich Yagodën, (gjarpërin e policisë sekrete), i cili si mjeshtër që ishte që të vriste prapa krahëve, organizoi më 1934 vrasjen e Sekretarit të Partisë së Leningradit, Kirovit të plotfuqishëm, sepse ky filloi ti bënte hije Stalinit, (sipas paranojës që kishte ky i fundit). Kjo bëri që domosdo vetë Yagoda mbas dy vitesh të zëvëndësohesh si shef i policisë sekrete nga Nikolay Yezhovi, (shkurtabiqi i tmerrshëm), të arrestohet, të torturohet, domosdo ta pranojë fajësinë e tij si armik i pushtetit sovjetik dhe më 1938 …të pushkatohet !
Po me shkurtabiqin e tmerrshëm si vazhdoi historia ? S’kish se si të bënte përjashtim nga paraardhësit e as nga pasardhësit e tij ! Kjo krijesë përbindëshe të cilën vetë natyra e kishte damkosur, pati idenë gjeniale dhe në bodrumet e Lubjankës, (ish hotelit madhështor moskovit që Yezhovi e transformoi në selí të policisë sekrete), zbatoi risínë famëkeqe të kursimit të predhave gjatë pushkatimeve masive. Tradhëtarët e partisë dhe të popullit lidheshin në vargje të pafunda dorë për dore dhe vinin para skuadrës së pushkatimit shtatë vetëshe. Para secilit pushkatues qëndronte një viktimë. Një predhë mbas koke dhe … vinin shtatë të tjerët. Dhe Yezhovi që mendonte për çdo gjë, kishte marrë masa dhe çdo dy orë i zëvëndësonte pushkatuesit … sepse lodheshin. Domosdo zëvëndësoheshin edhe pistoletat e tyre se … ngroheshin shumë ! E kështu kjo industri e përbindëshme vazhdoi për muaj e muaj të tërë. Kush e pati fatin e mirë të bjerë që në fillim në kthetrat e Yezhovit ? Tradhëtarët e partisë dhe agjentët e kapitalizmit Kamenievi, Zinovievi, Buharini si edhe Rykovi. E domosdo edhe vetë Yezhovi, mbas tre vitesh lulëzimi, u pushkatua në 1939-ën !
E kjo listë gjakatarësh të lindur që u bënë vegla qorre në zbatim të planeve paranojake të mjeshtrit të tyre Stalinit, nuk ka të sosur !
Për të gjitha këto personazhe, duke filluar që nga Napoleoni e deri tek Yezhovi, nuk më ka ardhur radha mua të jap gjykime, e kanë bërë këtë punë studjues e personalitete shkencore nga e gjithë bota, sepse të gjithë këta kanë mbas tyre, kush më shumë e kush më pak, miljonat e popujve të tyre respektivë. Udhëheqësit e nivelit të Napoleonit, Leninit apo Stalinit, etj. gjykohen në raport me ç’kanë bërë për kombet dhe shtetet e tyre. Napoleoni gjykohet se ku e gjeti Francën, ku e çoi, ç’emër i dha dhe ku e la. Po kështu edhe Lenini me Stalinin. Në qoftë se çmimi i paguar nga populli rus për përmbysjen e sistemit perandorak dhe vendosjen e atij bolshevik pranohet se e ka justifikuar veten, duhet pranuar se si Lenini edhe Stalini kanë qenë pozitivë për B.S. (pavarësisht se Lenini e kishte për mburrje se nuk njihte as principe morale e as etike gjë e cila ia hapi rrugën Stalinit të ushtronte atë terror shtetëror të pashembulltë ndaj armiqve si edhe besnikëve të tij duke vrarë miljona njerëz)! Por, katastrofa ekonomike në të cilën gjënden sot Rusia si edhe gjithë ish republikat që artificialisht kishin krijuar B.S., që është ana e dukëshme e plagës shtetërore e që do të dojë dhjetra e dhjetra vite që të shërohet, e bashkuar me plagën tjetër padyshim akoma më të thellë që është ajo morale, e cila e ka shkatërruar karakterin e njerëzve, përbëjnë trupin e krimit (corpus delicti) i cili Leninin si edhe Stalinin i ka damkosur përpara historisë së popujve të tyre për gjithë krimet e bëra si edhe dhunën e ushtruar !
Ky është gjykimi që njerëzimi jep për udhëheqësit.Kurse personazhet që radhiten një shkallë nën udhëheqësin kryesor të shtetit, ata gjykohen më ngushtë, më personalisht, lidhur me bëmat e tyre. E domosdo si rrjedhojë, edhe ata pak personazhe që përmënda më lart që nga Feliks Xherxhinski e deri tek Nikolai Yezhovi, ose të papërmendurit Wishinski, Beria, etj. janë gjykuar e vazhdojnë të gjykohen pas vdekjes së tyre nga bashkëkombësit si edhe nga bota për krimet nga më të shëmtuarit që kanë bërë.
Këtu tashti vijmë edhe tek pika kyç e problemit që dua të shtroj, e me sa mundem, edhe t’a trajtoj. Edhe kombi ynë pati Enver Hoxhën, (i cili fatkeqësisht, për ne qe Lenin edhe Stalin bashkë), e pastaj me radhë Koçi Xoxen, Bedri Spahiun, Mehmet Shehun, Tuk Jakovën, Nesti Kërënxhin, Skënder Kosovën, Beqir Ballukun, Ramiz Alinë, Kadri Hazbiun, Petrit Dumen, Teme Sejkon, Nevzat Haznedarin, Hilmi Seitin, Zoj Themelin, Aranit Çelën, etj.etj. Për vetë faktin se populli ynë është sasi e papërfillëshme në kuadër botëror, askush tjetër veç nesh, nuk e merr mundimin t’i gjykojë këta personazhe të cilët luajtën rol të madh për gjysëm shekulli në vëndin tonë. Prandaj kjo është punë së cilës duhet ti përvishemi vetë e të mos presim nga të tjerët. Mirëpo kriteret e këtij gjykimi duhen përcaktuar saktë, pa lënë mëdyshje, se kemi të bëjmë me ndërgjegjen e paqetësuar të kombit. A jam në gjëndje unë t’i përcaktoj këto kritere ? Jo, në asnjë mënyrë nuk mund ta kem këtë pretendim. Por, duke u mbështetur në dy burime serioze e duke u munduar të arrijmë në përfundime objektive së bashku me lexuesin, mbase ia dalim në një farë mënyre në krye.
Burim të parë quaj gjykimin e njerëzve të nivelit të Nënë Terezës ose Baba Rexhebit. Kërkoj ndihmën e së parës e ajo menjëherë më hap një horizont të pa anë as fund mëshire njerëzore ku futem e pastaj e shoh se e humbas drejtimin. Mundohem t’a kem për busullë Nënë Terezën, por sa më shumë që i kërkoj ndihmë asaj, e shoh se ajo më çon drejtë mëshirës, drejtë faljes. Ajo më thotë :
“Njeriu është i paarësyeshëm, pa logjikë si edhe egocentrik, nuk ka rëndësi – duaje”.
“E mira që bën, nesër do të harrohet, nuk ka rëndësi – bëje të mirën”.
“Jepi botës më të mirat që ke dhe do të jesh i shqelmuar. Nuk ka rëndësi – jepi ato”.
Vazhdoj akoma me Nënë Terezën dhe ajo më thotë :
“ O Zot, bëmë mua instrument të paqës tënde :
“Ku ka urrejtje bën që unë të sjell dashuri”.
“Ku ka grindje bën që unë të sjell bashkim”.
“Ku ka dëshprim bën që unë të sjell shpresë”.
E kur gati, gati mendoj se Nënë Tereza është aq pranë shënjtërisë sa që unë, njeriu i rëndomtë, nuk gjej dot mbështetje tek Ajo, gjej frazën lutëse të përditëshme të Saj ndaj Zotit, (e cila është “Lutja Për Paqë e Shën Françeskut”), që më mbështet në barrën e rëndë që kam marrë përsipër, kur ajo thotë :“O Zot, bën që atje ku ka gabime unë të sjell të vërtetën”. E pikërisht me që për këtë të vërtetë po e bëj këtë shkrim, këtë të vërtetë më mëson edhe Nënë Tereza e po për këtë të vërtetë vuan edhe ndërgjegja e kombit, marr forcë, ndjej besim në vetvete dhe kam shpresë se edhe lexuesi do të më mbështesë.
Vijoj tani, disi i lehtësuar nga mbështetja që gjej tek Nëna Terezë, ti kërkoj ndihmë njeriut tjetër të Zotit, humanistit si edhe eruditit të pashoq, Baba Rexhebit. E kam plotësisht të qartë se edhe me të, ashtu si me Nënë Terezën, shtegu që më detyron Ai të përshkoj është ai i mëshirës dhe faljes. Kujtoj se si Ai, mbasi i lexova shkrimin autokritik të Bedri Spahiut botuar në Rilindja Demokratike, mendohet për disa çaste dhe shprehet : “ Njerëzit kur plaken fillojnë e besojnë në Zotin, pendohen e kërkojnë lehtësim të shpirtit nga mëkatet e tyre. Kurse Bedriu, ndonëse në moshë të thyer, vazhdoka akoma të gënjejë. Shumë i jam lutur Zotit për shpirtin e tij, por e shoh se u dashka të lutem shumë e më shumë akoma për të “. (Esenca e teorisë filozofike bektashjane të Baba Rexhebit mbështetej në postulatin madhor : Luftoje egoizmin që të jesh në gjëndje t’a shohësh Zotin. E pra Ai kish teorinë e Tij të mëshirës dhe faljes prej nga gjente forcë që sa më shumë që njerëzit të ishin të zhytur në mëkate, keqbërje edhe krime, aq më shumë e ndjente për detyrë Baba Rexhebi të lutej për shpirtin e tyre.) Por nga ana tjetër mbështetje të fortë gjej tek ky Shënjtor i vërtetë, kur kujtoj se si pyetjes sime të drejtpërdrejtë lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur nga shoqëria ndaj Bedri Spahiut me shokë, kriminelë të lindur dhe gjakatarë të pamëshirshëm, Baba Rexhebi i përgjigjet : “ Mua, bir, nuk më takon gjë tjetër veçse të mëshiroj edhe të fal “. Këtu ndalon, mendohet e pastaj vazhdon :“ Shoqërisë i takon të gjykojë në bazë të së vërtetës dhe drejtësisë “. Burimi i parë, ndihmën e të cilit kërkuam për të përcaktuar kriterin e gjykimit tonë ndaj figurave që luajtën rol tejet aktiv në përcaktimin e fateve të kombit tonë gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, na mëson që t’i referohemi së vërtetës dhe këtë të fundit t’a gjykojmë me drejtësi.
Tashti që themelet e gjykimit i mbështetëm mbi pikëpamjet si dhe mësimet e dy kollosëve të ndërgjegjes, i kthehemi burimit të dytë që do të na përcaktojë kriterin e gjykimit :

Fakteve.


Këtu e ndjej të nevojëshme të ndalem, t’a sqaroj lexuesin lidhur me arësyen që më shtyu t’a trajtoj këtë problem, e pastaj me aq sa mundem unë, të vazhdoj më tej.
Nga ana e shtypit shqiptar ka patur herë mbas here shënja trajtimi figurash me një të kaluar shumë të përfolur, të cilat shikoheshin nga një këndvështrim më se i ngushtë e si pasojë dilnin edhe burra të mirë (?). Ky fakt më ka bërë të mendohesha gjatë por njëkohësisht edhe të shpresoja se ndokush, shumë më kompetent se unë, do t’a merrte nismën edhe ta ndante shapin nga sheqeri, si i thotë populli. Mirëpo me keqardhje vrej se si kohët e fundit nga ana e shtypit shqiptar si në Shqipëri edhe në diasporë, po vihet re një si fushatë me anën e së cilës dëndur e më dëndur po shkruhet në mënyrë shumë të njëanëshme rreth këtyre figurave. Po u hidhet dritë dhe kjo po përqëndrohet vetëm në faktin se ata, kush më heret e kush më vonë, përfunduan viktima të E.Hoxhës. Mirëpo kësisoj peshorja mbetet tejet e paballancuar sepse qëllimisht po lihet në errësirë ana tjetër e tyre, krimet e përbindëshme që ata kryen sa kohë që verbërisht zbatonin direktivat paranojake të nxitësit të këtyre krimeve, udhëheqësit të tyre. Të trajtuarit me këtë frymë të këtyre personazheve si duket e ka burimin në faktin se askush nuk iu kundërvu shkrimeve të para. Kjo është edhe arësyeja e cila më detyroi t’a bëj këtë shkrim me anën e të cilit sinqerisht t’ia kërkoj mendimin lexuesit e njëkohësisht edhe t’i drejtohem atij të mos i lerë në harresë faktet që di. Faktet si edhe të vërtetat, ato dhe vetëm ato, duhet të jenë kriteri i gjykimit. Mbështetur në të marr forcë dhe e vazhdoj shkrimin.
Duhet thënë që në fillim se Enver Hoxha, i cili qe diktatori absolut dhe tiran i pakundërshtueshëm i vëndit tonë për 41 vite me radhë, duhet gjykuar nisur nga dy kritere :
Së pari, në ç’gjëndje e gjeti Shqipërinë dhe ku e katandisi, (kriter ky me anën e të cilit gjykohen të gjithë udhëheqësit në botë).
Së dyti, ç’mjete përdori, derisa rrojti, për t’a përligjur pushtetin e tij personal.
Lidhur me kriterin e parë, brumosja nga ana e tij e amoralitetit të Leninit me kriminalitetin paranojak të Stalinit, çoi në lindjen e asaj krijese dështake që Enver Hoxha e quante me mburrje njeriu i ri socialist. Përse e zgjodhi ai këtë rrugë ? Përgjigja është tejet e thjeshtë. Amoraliteti i Leninit ishte ylli i tij polar. Tek shpirtvogëlsia, cmira e skajëshme si edhe shpirti gjakatar i Stalinit si pasojë e të qënit i dështuar ndërmjet bashkëkohësve të tij, E.Hoxha shihte alteregon, (vetëshëmbëlltyrën), mësues të tij.
Eshtë e vërtetë se sa herë që kushdo, (shqiptar apo mik i shqiptarëve qoftë), mundohet të paraqesë tiparet e bukura përfaqësuese të shqiptarëve, pa përjashtim i referohet besës, bëmave, si edhe virtyteve që kanë patur shqiptarët para se Shqipëria të transformohej në atë skëterrë fizike edhe morale ku e katandisi Enver Hoxha. Cilido i huaj që vinte në Shqipëri nga perëndimi dhe kishte besim t’a shfaqte mendimin e tij të lirë me ndokend, thoshte të njejtën gjë : “Jeni populli më i lumtur që ka bota sepse nuk e keni idenë se çdo të thotë të rrosh në një vënd të lirë perëndimor”.
Leri shqiptarët e transformuar në krimba dhe zvarranikë, por edhe ata që në një farë mase e kishin ruajtur karakterin dhe personalitetin e tyre, E.Hoxha i dyzoi : Ndryshe mendonin e ndryshe flisnin. Kjo është tragjedia që la pas Enver Hoxha. Ai dhunoi, torturoi, ua bloi kockat, ua shkuli thonjët dhe i ropi të gjallë intelektualët dhe klerikët e virtytshëm më të shquar e gjithashtu ajkën e burrave të ndershëm e patriotë të qyteteve e fshatrave, në qelitë famëkeqe të sigurimit. Dhunoi gjithashtu kampeve të përqëndrimit dhjetra mijëra vetë që t’ia shtinte drithmën popullit mbarë dhe kësisoj e transformoi shqiptarin në një krijesë amorfe pa shtyllë kurrizore. Këtë la prapa E.Hoxha.
Lidhur me ekonominë, paranoja e tij e çoi që në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të, vetëm për të ruajtur postin e tij të gjithëpushtetshëm, të kishte vizionin e çmëndur dhe të zbatonte ekonominë autarkike në gjithë një shtet!(?) Çfar e çoi këtu ? Egoizmi i tij i sëmurë si edhe dyshimi tek secili! Ai për asnjë çast nuk mendoi le për popullin por as për partinë e tij sepse ajo, fill pas vdekjes së tij, u shpërbë !
Pra, çfarë la pas E.Hoxha ? Një popull pa busullë, një ekonomi të dështuar, si edhe një terren tejet të përshtatshëm për të lulëzuar krimin, mashtrimin dhe korrupsjonin.
Përsa i takon kriterit të dytë, E.Hoxha jo vetëm që nuk la kundërshtar politik në këmbë, por zhduku edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërtë e më besnikë, (në qoftë se kishin sadopak vlera). Pra mund të thuhet për të : Mjerë ai që e njohu dhe bashkëpunoi me E.Hoxhën !
Mbi këto kritere tashti e lemë t’a gjykojë secili shqiptar veprën, (më saktë e thënë antiveprën), e E.Hoxhës.
U kthehemi tashti atyre që, për aq kohë sa iu deshën E.Hoxhës, i përdori si vegla të verbëra për të zbatuar krimet e projektuara prej tij e pastaj dora dorës zbuloi se dikush pas tre vitesh e dikush tjetër pas 35 vitesh “papritmas” u kthyen në tradhëtarë të partisë, të atdheut edhe të popullit !
E shkroi autokritikën e tij Bedri Spahiu kur u vendos demokracia, pasi E.Hoxha e kalbi në burg, kjo është e vërtetë. Por prapseprap Bedriu autokritikën e bëri komuniste, sa për të larë duart, si Ponsius Pilati që kishte në dorë t’a falte Krishtin nga kryqëzimi dhe nuk e bëri. Kësisoj Bedriut jo vetëm për së gjalli por edhe sot pas vdekjes nuk i ndahen fantazmat e viktimave të Gërhotit apo mallkimi i Fejzi Alizotit ! Në Gërhot Bedriu me Shefqet Peçin dhe Shemsi Totozanin i thanë komandantit italian se Hysni Lepenica po vinte t’ua merrte kazermat e t’i vriste si minj italianët e porsakapitulluar dhe nuk vinte për marrëveshje. Kështu, me të ardhur ai tek truproja, u gri nga mitralozi italian bashkë me të gjithë shokët e tij. Prandaj fytyrat e dëshmorëve të Gërhotit, që nga komandanti i tyre patrioti dhe trimi Hysni Lepenica e deri tek korrieri gjashtëmbëdhjetë vjeçar Agim Selfua, tërë jetën ia kanë nxjerrë gjumin Kriminelit B.Spahiu. Po kështu edhe fytyra e Fejzi Alizotit. I lidhur qe ky me 16 shokët e tij, të dënuar me vdekje nga Koçi Xoxe me pretencë të B.Spahiut. “Zjarr” thirri komandanti i skuadrës dhe breshëria e predhave i shtriu për tokë të 17 viktimat. Mbas breshërisë, heshtje. Heshtja e vdekjes. Dhe heshtjen e theu zëri i mekur i Fejzi Alizotit : “Zoti më mëshiroi. Falmëni tani edhe ju sipas ligjeve ndërkombëtare”. Avitet Bedri Spahiu, e shikon ashtu të shtrirë për tokë të pafuqishëm, të pllangosur me gjak e pluhur e të lidhur me dy të vdekur, dhe me zë sadisti që kurrë me gjak nuk u ngop, i thotë : “Nuk njohim ne ligje ndërkombëtare, ne njohim ligjet tona”. Nxjerr koburen e tij dhe qëllon gjithë mllef atë kufomë akoma të gjallë !
Kurrë nuk ka si t’a harrojë Mirdita ditën kur forcat ndëshkuese, ndën komandën e Mehmet Shehut, shkelën në Bajrakun e Kushmerit. Ajo ditë qe projektuar të ish dita e dëshmisë së një skene makabre ku çdo gjakësor ka ç’të mësojë. Në qafën e Valmerit u pushkatuan burra zamani e trima me emër si Dedë Prenk Kola e Ndue Luli me 12 shokë të tjerë. Mbi trupat e viktimave të pafajëshme të pushkatuara në sy të familjarëve dhe fshatarëve, u lëshuan derrat e pangrënë që prej një jave që bënë kërdinë në ta. E bëri M.Shehu, besniku dhe vegla qorre e Enver Hoxhës këtë masakër, por nuk duhet harruar edhe Mëhill Doçi, ai bir plangprishës i Mirditës që qe udhërrëfyesi i M.Shehut ! M.Shehu nuk e njihte as Mirditën e aq më pak mirditorët. Ata i njihte M.Doçi, ai dështak i burrërisë legjendare mirditore, ai që në kuvënd të burrave vënd nuk kish. E me që i tillë ish, para se t’i lëshonin derrat mbi viktima, i kërkoi leje komandantit të brigadës dhe nga një plumb në ballë u dha të vdekurve, se së gjalli nuk guxonte as t’u dilte përpara atyre trimave. Vazhdojmë më tej. Nuk e harron terrorin e Brigadës së parë edhe Golemi i Lushnjes. Mbasi vranë e prenë parínë e fshatit, partizanët deshën t’ia kursejnë jetën një ballisti 17 vjeçar. Menduan se mjaft gjak qe derdhur atë ditë dhe iu lutën komandantit (M.Shehut) të mos ia këpusnin fillin e jetës atij filizi të ri. Komandanti ua plotësoi kërkesën dhe u mbështet pas një ulliri, uli strehën e kapës me yll mbi sy dhe desh të merrte një sy gjumë. Partizanët e tjerë, grupe-grupe, kush flinte e kush këndonte. Disa syresh, për fatin e keq të djaloshit ballist, të ulur në shesh e ngacmonin atë që të shante nacionalistët e të çmonte bëmat e komunistëve në fshat. E si mund ta pranonte ai i mjerë një gjë të tillë posaçërisht fill pas krimeve të shëmtuara që pa ? Ai nuk kish si të pranonte dhe domosdo fjala nxori fjalën dhe biseda u nxeh. Mirëpo M.Shehu desh të flinte dhe biseda e shqetësonte. Ngriti strehën e kapës, nxori koburen, e vrau djaloshin xanxar, dhe vazhdoi i patrazuar më nga grindjet gjumin e tij !
Po Beqir Balluku, viktima tjetër e diktatorit, kush ishte ? Ishte kryetar i njësiteve atentatore të Tiranës. Kush ishte patriot i shquar apo i kishte bërë hije E.Hoxhës, kish mbas shpine njësitin gueril. Beqir Balluku, i paisur me inteligjencë nën mesataren por që njëkohësisht ishte edhe vrasës që nuk i bënte syri tërr, i kishte zgjedhur elementët e njësitit sipas porosisë së E.Hoxhës. Kuptohet se të gjithë, pa përjashtim, ishin trima. Në mes tyre pastaj shquheshin idealistët, ata që mendonin se i shërbenin atdheut, një pjesë tjetër e tyre që vrisnin këdo, veç për të vrarë, si edhe ata që për natyrë ishin syleshë e bëheshin vegla qorre, siç qe edhe vetë B.Balluku në duart e E.Hoxhës. Përse u vra Vojo Kushi ? Se ishte idealist. Po Lym Keta si vdiq ? Ndonëse mbijetoi e doli i gjallë nga lufta, mbas shumë peripecish u vra si pasojë e një aksidenti automobilistik (?). Por ama një malësor i Pukës dëshmonte ndryshe dhe ky i fundit … vdiq papritmas. Kaq sa për ekipin terrorist. Po viktimat e tij ? Enver Hoxha e desh me këmbëngulje vdekjen e Hysen Mushketës, nga Durrësi. Ky ishte njeriu, pa as më të voglin dyshim, më i nderuar i qytetit të Durrësit. Ishte patriot i shquar si edhe bamirës i pashoq. Si i tillë patjetër që duhej hequr qafe. E qëlluan, e plagosën, por nuk e goditën dot për vdekje. U dërgua për sigurí urgjentisht në spitalin e Tiranës. Mirëpo në Tiranë ishte gati B.Balluku që nuk e bënte dysh fjalën e E.Hoxhës. Ç’bëri njësiti ? Atje ku nuk përdorte dot pushkën edhe arma e nëpërkës ishte e mirë : E helmuan H.Mushketën në spital duke e ftuar të pinte një gotë me qumësht. Kësisoj B.Balluku me verbërinë e tij i hipi shkallët e besimit në sytë e diktatorit. Kjo ngjitje arriti kulmin kur ai u la i gjithëpushtetshëm në Tiranë gjatë kohës që delegacioni i partisë shkoi në Moskë. Kur atje ndodhi prishja me Bashkimin Sovjetik B.Balluku, roja e verbër dhe besnike e diktatorit, menjëherë kërcënoi se do t’i varte të gjithë specialistët sovjetikë në qendër të Tiranës po t’i ndodhte gjë E.Hoxhës. Dhe e dinin sovjetikët se ai, si leshko i indoktrinuar që ishte, nuk e kishte për gjë t’a bënte një masakër të tillë mbi mijëra viktima. Por edhe parabola e B.Ballukut patjetër që mbas ngjitjes drejtë kulmit e mori të tatëpjetën duke kaluar nëpër zonën e tradhëtisë ndaj atdheut edhe popullit. Megjithatë shoku Beqir edhe i internuar në Roskovec e pastaj në Selenicë, kurrë nuk e humbi besimin tek komandanti (E.Hoxha), fotografinë e të cilit nuk e ndau nga muret e dhomës së tij deri sa ky i fundit e pushkatoi si tradhëtar!
Petrit Dumen, për të cilin është shkruar duke vënë në dukje vlerat e tija të larta si student, (kur në fakt bashkënxënësit e kujtojnë si nxënësin më të dobët të klasës), komandant ushtarak, strateg, e shto të shtojmë, a nuk duhet t’a shikojmë në dritën e diellit nga të gjithë këndet ? Bataljoni Hakmarrja i porsa formuar duhej të bënte emër që të bënte ligjin. Kështu komandanti i tij Petrit Dumja me gjithë komisarin Josif Pashko, vendosën të godasin njeriun me influencë, njeriun e Zotit, Dervish Hajdarin e Tri Urave. E si t’a godisnin më shumë se duke ia vrarë të birin ? Por vrasja me një plumb dhe aq, nuk u zinte vënd bishave të etura për gjak. Duhej tmerruar krahina e Kolonjës e duheshin komprometuar edhe partizanët e bataljonit që t’i lyenin duart me gjak. Prandaj e kapën Xhevdet Ramollin, djaloshin 25 vjeçar të pa angazhuar në asnjë formacion politik, e lidhën, ia prenë veshët edhe hundën duke e gjymtuar me thika derisa dha shpirt. E mbasi terrori i egër, krimet e shëmtuara si edhe dhuna të ushtruar nga bataljoni i bëri të dëgjuar emrat e komandantit edhe komisarit të tij në zonën e Kolonjës, Enver Hoxha e pa se ata mund t’a shtronin me sukses edhe zonën e Dibrës ku edhe i dërgoi. U dogj dhe u drodh e gjithë Dibra e së fundi u shtrua në gjak ! Këto edhe shumë të tjera janë bëmat e P.Dumes edhe J.Pashkos.
Edhe për Teme Sejkon është shkruar duke e trajtuar figurën e tij njëanëshmërisht dhe me dashuri. Vërtetë që është për të ardhur keq se si e përfshiu në planet e tija djallëzore E.Hoxha dhe pastaj e pushkatoi. Gjithashu është për të ardhur akoma edhe më keq se si e pësoi e gjithë familja e tij. Kjo është njera anë e medaljes. Por ama nuk duhet harruar edhe se si T.Sejkua, në krye të të ashtuquajturit Divizjon i Mbrojtjes së Popullit, përdori përbindëshit me fytyrë njeriu si Xhemal Selimin e Dulaq Lekiqin për ta shtruar me ura zjarri e me terror Malësinë e Madhe si edhe Dukagjinin. Ose si e shtroi Zadrimën me toger Babën, ku edhe foshnja u dridh në barkun e nënës. Të shkruhen edhe këto, të shkruhen.
Figurë tepër interesante është edhe ajo e Aranit Çelës. E theksoj në sipërore sepse ai nuk la shok e mik pa pushkatuar e megjithatë mbijetoi. Dridhej ai e bashkë me të edhe e gjithë Shqipëria nga K.Xoxi, M.Shehu, K.Hazbiu e nga e gjithë plejada e udhëheqësve të shtetit, sa kohë që mbi ta nuk kishte rënë mllefi i tiranit. Sapo ndodhte kjo, ishte i gatshëm A.Çela të mbushte dosjet e tyre me krime nga më të llahtarëshmet që ata gjoja kishin përgatitur kundra partisë edhe popullit ! E kësaj krijese sadiste, po të kishte jetuar Danteja në kohët tona, një rreth të dhjetë Ferri do të kishte sajuar për të në Komedinë Hyjnore. Edhe vetë konti Ugolin që vetëm me peshkopin Ruxher nuk kish të ngopur, do ta kishte zilí se si A.Çela ua hëngri rrashtat e kokës të gjithë atyre që e kujtonin mik edhe shok. Ky kameleont dijti t’a mashtrojë edhe diktatorin që besë nuk kish, dhe vazhdon e jeton. Asnjë autokritikë, qoftë edhe formale si ajo e B.Spahiut, nuk ka bërë. Por t’a dijë se pa bërë ai pendesë, turpi i pabesisë së tij si edhe i krimeve të mynxyrëshme që ai ka bërë, për jetë të jetëve do t’ua ulin kokat dhe do t’ua kërrusin shpatullat pasardhësve të tij, sa kohë që të ketë qoftë edhe një prej tyre mbi dhé!
Për t’a mbyllur qarkun tashti vijmë tek udhëheqësi i fundit mbas të cilit u shemb rendi totalitar në Shqipëri, Ramiz Alia. Pa dashur të qëndrojmë e t’a trajtojmë masakrën e të rinjëve të mobilizuar kosovarë si rezultat i urdhërave të këtij komisari si edhe të komandant Shefqet Peçit; e kalojmë edhe çarmatosjen e burrave kosovarë në besë të tyre, (se ndryshe kurrë ata nuk ua dorëzonin armët shkjeve), që u zhbínë nga Rankoviçi; nuk kemi përse ndalemi as në miratimin verbërisht që R.Alia u bëri gjatë gjithë jetës së tij urdhërave të diktatorit tiran duke e ngritur gjithëmonë dorën e tij në shenjë miratimi për çfarëdo vendimi sado kriminal që të ishte, dhe as nuk ndalemi t’a gjykojmë për urdhërin e dhënë të qëllohesh mbi turmën e demonstruesve me 20 shkurt të vitit 1991. Por R.Alisë kombi nuk ia fal kryeneçësinë e tij në vazhdim të gabimeve dhe fajeve, kur të dërguarit aq miqësor të Gjermanisë, Shtrausit, që i ofroi ndihma dhe kredi pa detyrim kthimi, i ofroi shkëmbim mallrash me kushte të jashtëzakonëshme përfitimi në favor të Shqipërisë, etj. etj., dhe Ramiz Alia i tha “ jo, nuk pranoj”! I ofroi Shtrausi që Gjermania t’a ndërtonte brënda një viti e gjysëm autostradën Vermosh – Jergucat që Shqipëria gjatë saj të shiste benxinën si edhe naftën e saj, si edhe ndër restorante e motele që do të ndërtoheshin të shiteshin mishrat e zarzavatet që me kosto aq të lartë e përfitim aq të vogël eksportoheshin, e R.Alia i tha prap “jo, nuk pranoj” ! I ofroi Shtrausi të zhvilloheshin vëndet turistike malore si edhe bregdetare që do t’a begatonin vëndin sa hap e mbyll sytë, dhe përgjigja gjithëmonë ishte e njejtë “ jo, jo edhe jo” ! Po çfar i kërkoi Shtrausit ky imitues i madhështisë së diktatorit që fytyrën djallëzore e fshihte gjithëmonë pas buzëqeshjes dhe mirësisë së shtirë ? I kërkoi raketa, raketa balistike ndërkontinentale ! Dhe Shtrausi, iku. Iku edhe këtë herë pasi Gjermania e dërgoi që fati Shqipërisë t’i trokiste edhe për herë të tretë ! Shtrausi u kthye në Gjermani, dhe vdiq. E gazetat gjermane shkruan se ai nuk vdiq nga Perëndia, por e plasi Ramiz Alia !
E tashti që i erdhi fundi shkrimit tim, dikush mund t’a gjykojë patriotik qëndrimin e R.Alisë ndaj ofertave gjermane, në një kohë që unë e konsideroj skajshmërisht anti kombëtar dhe në dëm të së ardhmes që iu hap popullit tonë nga Gjermania. Kush do t’a japë gjykimin ? Ti, i dashur lexues, siç t’u drejtova edhe në fillim të shkrimit. Ndërsa ideja që brezave të ardhëshëm t’u lemë dokumentacion të paanëshëm dhe të mbështetur në të vërteta edhe vetëm në fakte, është detyrë morale e secilit prej nesh.
Eshtë e natyrëshme që bijtë e këtyre veglave të diktatorit, (mbi të cilët më vonë ranë rrufetë e tija), natyrshëm duan të hidhet dritë sadopak pozitive mbi etërit e tyre. Këto orvatje të tyre jo vetëm i kuptojmë por edhe ndjejmë dhimbje të sinqertë për këta të fundit të cilët jo vetëm që u persekutuan si bij tradhëtarësh dhe armiqësh të partisë e të popullit, por edhe familjet e tyre u prishën si pasojë e divorceve të detyruara të martesave që edhe kur u ndërtuan ishin përgjithësisht konjunkturale.
Unë personalisht e ndjej peng edhe borxh moral që u kam të gjithë nacionalistëve, figurat e të cilëve për gjysëm shekulli u përdhosën dhe u hodh baltë mbi to, që të dalë e vërteta e tyre në shesh. Asgjë më shumë, por e vërteta. E këta nuk ishin pak, por breza të tërë !
Në jetë secili ka gjynahet e tija, ka dritëhijet e tija. Edhe Krishti vetë e ftoi popullin që gurin e parë ndaj mëkatares t’a hidhte ai që mëkatë nuk kish mbi shpirt të tij dhe asaj fatkeqes i tha : Nuk kam ardhur të të gjykoj, por shko në shtëpi, pendoju dhe mos bën më mëkate.
E me që të pamëkatët nuk ekzistojnë mbi dhé, të gjallët le të nxjerrin mësim nga Krishti, kurse të vdekurit le t’i gjykojmë në bazë faktesh dhe vetëm faktesh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora