Kulturë
Skënder R. Hoxha: Dushkaja kërkon gjurmime arkeologjike
E enjte, 16.07.2009, 07:06 PM
![]() |
Krahu lindor e juglindor i Sukës së Cërmjanit, ku shihet edhe një lagje e katundit Rashkoc të Dushkajës. |

(Në këtë krahinë ka vende me interes për t’u hulumtuar…)
Shkruan Prof. Skënder R. HOXHA
Gjatë punës sime në terren, në krahinën e Dushkajës (komuna e Gjakovës dhe e Deçanit), për mbledhjen e lëndës toponimike, kam hasur në disa toponime e mikrotoponime të ndryshme që nuk janë gjurmuar e studiuar. Duke pasur parasysh rëndësinë e tyre, kujtojmë se janë me interes të hulumtohen, gjurmohen e të studiohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës. Për një qasje të tillë sikur imponojnë edhe legjendat e ruajtura në traditë të kësaj ane e që iu referohen atyre.
Mikrotoponime të tilla që kërkojnë studim dhe trajtim arkeologjik të ngutshëm në krahinën e Dushkajës janë:
-Suka e Cërmjanit, ku nuk janë përfunduar hulumtimet e nisura nga ky ent në pranverë të vitit 1982. Aty ka fragmente muresh të një kalaje të dikurshme, disa varre, ku një e quajnë Vorri i Arapit, e tjetrin e quajnë Vorri Bab’s Mustafë. Po ashtu vendësit ruajnë legjendën për një luftë të ndodhur dikur në këtë sukë…;
- Në territor të katundit Kralan, në një sipërfaqe prej disa qindra metra katrorë ka gjurmë të një kalaje të dikurshme, por që nuk është studiuar. Për këtë, në një shkrim kemi gjetur se: “…në një sipërfaqe prej disa qindra metra katrorë janë mbeturinat e kështjellës “Kraljev grad” – në bazë të së cilës edhe fshati e ka marrë emrin. (Është fjala për Kralanin e Dushkajës – sqarim yni.) Gërmadhat e kështjellës gjenden në një plato, e cila dominon mbi rrethinën. Kështjella nuk është e studiuar aspak dhe është gati e panjohur për shkencë, megjithëse në popull jeton tradita për kështjellën dikur të madhe e të rëndësishme.”- (Shih, Kosova – dikur e sot, Ekonomska politika, Beograd, 1973, f. 449.) Po në territor të këtij katundi, në një shkëmb, është një si gjurmë në formë të gjurmës që lë të shkelurit e kalit, e vndësit e quajnë Ferkëmi Atit;
- Në territor të katundit Zhdrellë gjallon mikrotop. Kroni i Qyngave,(këtu: Qygave), për të cilin vendësit nuk mbajnë mend se i cilës kohë është, as kush e ka ndëtruar, por thonë se uji vjen nëpërmes të dofarë qyngash nga Suka e Vogël e deri në fshat;
- Për katundin Meqe ruhet legjenda se dikur kishte qenë vendbanim i madh, i rrethuar krejt në mure dhe mbyllej me dy dyer të mëdha. Nëpër fusha të këtij lokaliteti, kur punojnë, gjejnë materiale të ndryshme ndërtimore.., pra nuk është studiur…;
- Në katundin Bërdesanë shënuam toponimin Livadhi Sarait, ku thonë se dikur kishin qenë sarajat…, si dhe mikrotoponimi Vorret e Kqija, që nuk dihet gjë për to…; Po ashtu, mikrotoponimin Vorret e Kqija (varreza të zhdukura) e gjetëm edhe në Doblibare;
- Në territor të Shqiponjës (ish-Jabllanicës) janë varret: Vorret n’Mal t’Ahmatit dhe Vorret n’Mal t’Vneshtve, të zhdukura tërësisht, që shtrihen në sipërfaqe bukur të mëdha dhe se nuk dihet asgjë për to; ndërsa mikrotop. Vorret e Panjofne e kemi pasë shënuar në territor të katundit Rakoc.
- Në Ratishë të Poshtme (komuna e Deçanit) të Dushkajës janë do varre pothuaj tërësisht të zhdukura. Iu thonë këtu Vorret e Dedakve Nërmje Prrojeve. Informatorët na thanë se janë varre të moçme të një familjeje të dikurshme të Dedakve të Ratishës. I kishin pas formuar aty (ndërmjet Përronit dhe një jazi që ndahet në Përrua, Jazit të Gurinave), gjoja për të mos u përhapur sëmundja e lisë, sipas së cilës mendohet të kenë vdekur pjesëtarët e asaj familjeje (?). Informatorët nuk dinë se a kishte shpëtuar dikush nga ajo familje apo ishin faruar të gjithë. Gjithashtu thonë se ka ndodhur që në ato gërmadha, kur kanë punuar në dhe, kanë dalë eshtra të gjymtyrëve të njerëzve. Tash nuk ka në Ratishë anëtarë të kësaj familjeje. Ndërkaq,s në Bec kemi shënuar emrat e varreve, për të cilat mendojmë se duhet të gjurmohen: N’Lluga t’Vorreve (j.), /Janë varre të vjetra për të cilat informatorët nuk dinë se kush është varrosur ne to. Vendi ku gjenden këto varre ishte llugë, ndaj iu mbeti ky emër./; si dhe Vorri Mirë Te Lisat e Avdylit (j.), /Inf. nuk dinë se kush është varrosur në këtë varr. Ata thonë se është parë dritë duke dalë nga ky varr, e sipas kësaj e quajnë – i mirë. Gjendet në lëndinën e quajtur Lisat e Avdylit, ndaj i mbeti ky emër./.
Nëse toponimet e mikrotoponimet që i dhamë më sipër, hulumtohen e gjurmohen, do të bëhej një punë e mirë shkencore, do të zbardhej historia e tyre, si dhe do të hedhej dritë lidhur me ndonjë epokë të caktuar historike të krahinës së Dushkajës, punë kjo që ua kemi borxh breznive që vijnë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Violeta Murati: Epsh i dështuar i Fadilit
Demir Krasniqi: Mos harroni këngëtarët e vjetër
Më 24 qershor kremtohet zgjedhja e Kryepiskopit Anastas në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Agim Gashi - Drenica: Vargje satirike - humoristike
Sokol Demaku: Kënga shqip
Cikël poetik nga Ekrem Ajruli
Tri ese gjuhësore nga Ejup Ceraja
Halit Bogaj: Bekim Fehmiu në sytë e të birit të tij Ulisit
Nga Ditari i Luan Çipit
“Një grua me Urdhrin e Ujkut” – roman i ri i Petraq Ristos
Cezarina Adamescu: Logodn? Mistic?
Flet Roel Schuyt, përktheusi hollandez i veprave letrare të Ismail Kadaresë
Llemadeo: Tre kohet...
Dhurata Hamzai: Katër ose një film i fundit mbi komunizmin tonë
Jorgo Telo: Britma e lotit dhe e gjakut
Halit Bogaj: Sali Berisha
Shefqet Dibrani: Humanizmi, sintagmë e poezisë
Mehmetali Rexhepi: Ndërgjegja e tërbuar
Demir Krasniqi: Terminologji e gabuar ndaj këngëve me përmasa ballkanike
Ibrahim Berjashi: Lulet e qershisë (Fragment nga romani “Zemër e ndarë”)