E diele, 28.04.2024, 02:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Tri ese gjuhësore nga Ejup Ceraja

E merkure, 15.07.2009, 06:54 PM


1.

KONKURSI I DITURISË E JO KUIZI I DITURISË
 

"Kujdesi i vazhdueshëm për zhvillimin e gjuhës letrare kombëtare dhe për zbatimin e normave të saj, ka marrë një hov të ri, sidomos pas vitit 1972. Shtresa gjithnjë e më të gjëra punonjësish po interesohen gjallërisht që ta përdorin mirë, drejt e pa gabime gjuhën e sotme letrare". - thuhet në librin: Gjuha letrare shqipe - parathënie, faqe 3.

Duke u nisur nga një përfundim i këtillë rreth përdorimit të drejtë të gjuhës standarde kombëtare dhe normës letrare të saj, që, siç dihet, norma letrare e gjuhës shqipe, përkatësisht gjuha standarde shqipe, është më e thellë dhe më e gjerë se sa vetë drejtshkrimi - kërkon një qasje të matur e një përkushtim të duhur. Pra, gjuha letrare kombëtare, (përkatësisht gjuha standarde shqipe), është një tërësi e përbërë dhe komplekse. Kjo (gjuha) ngërthen në vete si sistemin fonetik e gramatikor, ashtu edhe strukturën leksikore e fjalëformuese, por edhe stilet e saj funksionale...

Detyrë parësore e të gjithë neve që merremi me gjuhën në një mënyrë a në një tjetër, është që atë (gjuhën) ta përdorim sa më drejt, sidomos normën standarde të saj. T'u shmangemi fjalëve të huaja, të panevojshme, që nuk gjinden na asnjë fjalor të gjuhës shqipe qoftë ai fjalor shpjegues a drejtshkrimor. Këtu, kësaj radhe, do të ndalemi te fjala "kuiz", e cila ka gjetur një shtrat të përshtatshëm dhe ka marrë një shtrirje të panevojshme, sidomos kur është fjala për përdorimin e saj këtu ndër ne në Kosovë...

Në vend të fjalës "kuiz" si në të folur, ashtu edhe në të shkruar, duhet ta përdorim fjalën konkurs, Sado që të mundohemi "ta zbusim" përdorimin e kësaj fjale (në të shkruar e në të shqiptuar), duke e kthyer trajtën e saj nga "kviz-i" në "kuiz", kjo fjalë nuk mund ta marrë një formë të prerë leksiko-gramatikore që të bëhet fjalë normative e gjuhës standarde shqipe..., andaj përdorimi i saj është i panevojshëm.

Nëpërmes radiove lokale a rajonale dhe nëpërmes TV-ve, qofshin ato private a publike shpeshherë na bie të dëgjojmë a të shikojmë shprehje si këto më poshtë:

1. Kuizi i diturisë nga gjuha amtare...

2. Kuizi i diturisë nga historia...

3. Kuizi i diturisë nga gjeografia... etj., në vend të:

- Konkursi i diturisë nga gjuha amtare, ose

- Konkursi i diturisë nga historia, ose

- Konkursi i diturisë nga gjeografia, e kështu me radhë...

Edhe në gazeta e revista gjejmë fraza e shprehje si këto që u zunë në gojë më lart, apo si këto që do t'i përdorim më poshtë a të ngjashme me to, të ndërtuara gabimisht me fjalën "kuiz", p. sh.:

- Këto ditë filloi kuizi i diturisë nga gjuha amtare, nga historia, nga matematika... etj., në vend që të thuhet e të shkruhet:

- Këto ditë filloi konkursi i diturisë nga gjuha amtare, nga historia, nga matematike..., e kështu me radhë...

As fjalën "kuiz", as trajtën e plotë të saj "kviz-i" nuk i gjejmë në asnjë fjalor të gjuhës shqipe...

Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe (1981), faqe 860 e gjejmë fjalën konkurs, ku thuhet:

"Konkurs~i m. sh. ~E, ~ET. Garë ndërmjet disa pjesëmarrësve për të provuar a zhvilluar dijet ose për ta çuar përpara krijimtarinë në një fushë të arsimit, të kulturës, të arteve etj., sipas disa kërkesave e sipas një klasifikimi. Konkurs letrar (muzikor). Konkurs i historianëve (gjeografëve). Konkursi i zërave të bukur. Juria e konkursit. U shpall një konkurs. Fitoi konkursin", etj.

Pra, siç shihet edhe nga Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (1981), nga është nxjerr citati, fjala "kuiz" nuk gjen mbështetje përdorimi në gjuhën tonë. Nuk është fjalë standarde e gjuhës shqipe. Por, në vend të saj, duhet përdor fjalën konkurs-i, që është normative e gjuhës standarde shqipe e që shpreh kuptim e qartësi më të plotë...

Në librin Gjuha letrare shqipe, faqe 5, në parathënie thuhet edhe kjo:

"Një trajtim të veçantë do të kërkonin sidomos çështjet e normës leksikore - përdorimi i drejtë i fjalëve e i kuptimeve të tjera, lufta kundër fjalëve të huaja të panevojshme, që prishin pastërtinë e qartësinë e gjuhës sonë letrare, disa çështje të stilistikës leksikore..." etj.

Andaj, duke u mbështetur në këtë të thënë, në këtë libër normativ, të standardizimit të gjuhës sonë, në përgjithësi dhe të normës së gjuhës letrare, në veçanti - është detyrë parësore që t'i shmangemi përdorimit të fjalëve të huaja, ku kemi mundësi ta përdorim fjalën standarde normative të gjuhës sonë. Këtu s'e kemi fjalën për ndonjë purizëm, po për zëvendësimin e atyre fjalëve, ku kemi fjalë nga gurra e gjuhës sonë...

2.

IA DHA SHPËRBLIMIN E JO IA NDAU SHPËRBLIMIN

Është folur e shkruar sa e sa herë rreth përdorimit të foljes ndaj, ndava, ndarë, e cila po përdoret vend e pa vend, sidomos po përdoret gabimisht në vend të foljes jap, dhashë, dhënë. Kur është fjala për përdorimin e kësaj foljeje të shoqëruar me emrat: çmim a shpërblim. Gati në të gjitha rastet në vend të shprehjes ia dha ose iu dha (çmimi a shpërblimi), diateza pësore-vetvetore, e gjejmë të përdorur shprehjen ia ndau ose iu nda (çmimi a shpërblimi), po ashtu diateza pësore-vetvetore... Jo rrallë, fjala vjen, na bie të lexojmë në gazeta e revista, qofshin të përditshme a javore, formulime si kjo më poshtë  a të ngjashme: Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ia ndau çmimin a shpërblimin e parë N. N.-së për veprën (vjershën, tregimin a novelën) më të mirë të botuar në mes dy mitingjeve të poezisë. Po të ishte këtu fjala se Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës atë çmim a shpërblim të parë ua ka ndarë dy a tre poetëve (shkrimtarëve), vjershat a punimet e të cilëve janë vlerësuar nga juria profesionale me vlera të barabarta si artistike, ashtu edhe përmbajtjesore, do të ishte në përputhje me normën standarde të gjuhës së sotme shqipe të thuhej e të shkruhej: Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës e dha çmimin a shpërblimin e parë për veprën (vjershën, tregimin, novelën a romanin) më të mirë të botuar brenda dy mitingjeve të poezisë, e ai çmim a shpërblim iu nda këtyre dy-tre poetëve a shkrimtarëve, pasi që punimet (veprat) e tyre juria profesionale i ka vlerësuar të barasvlershme...

Ja edhe disa shembuj ku bie ndesh përdorimi i foljes ndaj me normën e gjuhës së sotme standarde dhe me normën e gjuhës letrare shqipe, e që dalin në kundërshtim me vetë natyrën e gjuhës sonë:

Bashkëbiseduesit ndanë mendimet e përbashkëta... Po të ishte këtu fjala për diatezën pësore-vetvetore ndahem dhe, po të ishte këtu fjala se  bashkëbiseduesit nuk janë më të njëjtin mendim dhe nuk bashkohen me mendimet e me veprimet e njëri-tjetrit, pra, nuk puqen në mendime mes vete, një formulim i tillë do të kishte qenë në pajtim me gjuhën standarde shqipe dhe normën letrare të saj. Po këtu është fjala për pajtim mendimesh, andaj  duhet të thuhet e të shkruhet: Bashkëbiseduesit shprehën a shfaqën mendimet e përbashkëta..., ose:

Ne kemi ndarë të njëjtat mendime... Duhet të thuhet e të shkruhet: Ne kemi shfaqur a kemi shprehur të njëjtat mendime...etj. Këtu më poshtë do ta shfletojmë Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe,  për ata që nuk kanë mundësi ta shfletojnë këtë fjalor e të shohin se ç'shkruan në këtë fjalor për foljen ndaj dhe për foljen e parregullt jap:

I

"NDAJ kal., NDAVA, NDARË:

1. Largoj njërin nga tjetri dy e më shumë njerëz ose dy e më shumë sende që janë bashkë...ndaj librat nga fletoret. I ndanë dy vetë që ziheshin, etj.

2. Mbaj veçuar nga diçka. Na ndan lumi (deti). E ndan kopshti nga rruga etj.

3. ... e detyroj të rrojë veçan nga dikush... E ndau djalin. Ndau nga familja, etj.

4. fig. Mbaj të shkëputur...Nuk i ndan fjalët nga veprat. Nuk e ndajmë ekonominë nga politika, etj.

5. Copëtoj në pjesë të veçanta (një të tërë)... Ndau bukën. I ndanë fjalët në rrokje, etj.

6. Pjesëtoj diçka midis dy e më shumë vetave... Ndau gjellën, etj.

7. I vendos nëpër vende të ndryshme, shpërndaj... Ndaj dy nga dy. I ndanë nëpër shtëpitë e fshatarëve, etj.

8. fig. Provoj së bashku me dikë një ndjenjë, një gëzim a një hidhërim... Ndajmë gëzimet a hidhërimet. Ndajmë së bashku të mirën dhe të keqën, etj.

9. Heq mënjanë për dikë e për diçka... Kishte ndarë para mënjanë. I ndau dy kile mish (rrush), etj.

10. I ndërpres foshnjës qumështin e gjirit... E ndau fëmijën prej gjirit, etj.

11. Vet. veta III fig. Është larg në një periudhë kohe të caktuar... Edhe dy javë na ndajnë nga Viti i Ri, etj.

12. fig. Caktoj kohën (afatin) për një punë. Ndanë ditën e martesës, etj.

13. (me pjesëzat mohuese nuk, s'mos)... Nuk ia ndau kujdesin, etj.

14. fig. Bëj mend... E ndau me mend. E kemi ndarë të shihemi sonte, etj.

15. fig. Jep zgjidhje, përcaktoj përfundimin... Punët i ndau mejdani, etj.

16. fig. Arrij të shoh, dalloj, shquaj... S'e ndava dot kush qe, etj.

17. jokal. veta III fig. bised. Dallon shquan... Nuk ndan nga i vëllai, etj.

18. vet. veta III. Nxjerr kalli. Ndau kalli misri, etj."*)

 

                                                II

"JAP kal. DHASHË, DHËNË: - (vetëm shembulli nën nr. rend. 3)

I dorëzoj a i përcjell dikujt diçka që i takon sipas punës, sipas shërbimit, sipas meritave,etj., i dorëzoj dikujt një dokument, një titull vlerësues etj., në shenjë nderimi ose shpërblimi për punën, për veprimtarinë e tij etj. I dha rrogën (pagën mujore). I dhanë shpërblimin. I dhanë flamurin. U dhanë diplomat (Falënderimet). U dhanë votat etj."**)

.          .          .

Siç shihet nga ky sqarim i Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, kur është fjala për dhënien e çmimit a të shpërblimit për një punë meritore dikujt, duhet të përdoret folja kalimtare jap, përkatësisht koha e kryer e thjeshtë e kësaj foljeje dhashë, në diatezën pësore-vetvetore ia dha ose iu dha..., e jo folja kalimtare ndaj, përkatësisht koha e kryer e thjeshtë e saj, diateza pësore-vetvetore ia ndau ose iu nda... etj.

__________

*) Thuhet në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, Prishtinë, 1981, faqe 1200-1201.

**) Thuhet, po ashtu  në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, Prishtinë - 1981, faqe 735.


3.

PËRDORIMI I PARAFJALËVE: PËR, MBI DHE NË

Si në shkrimet tona të informimit të përditshëm dhe të atij periodik, ashtu edhe në të folurit e rëndomtë, shpesh hasim përdorime që nuk janë në përputhje me gjuhën standarde shqipe dhe me normën letrare të saj me parafjalët: mbi, për dhe në, ku njëra parafjalë përdoret në vend të tjetrës, e në këtë ngatërrim të parafjalëve më së shpeshti përdoret parafjala mbi në vend të parafjalëve për dhe në.

1. Përdorimi i parafjalës mbi në vend të parafjalës për

Mbante ligjëratë mbi pastërtinë. Do të pyes mbi vendin tonë, mbi letërsinë dhe kulturën e tij. Ai i shfaqte mendimet e veta mbi bujqësinë. Unë kam mendimet e mia mbi letërsinë dhe artet etj.

Në të gjithë shembujt e mësipërm parafjala mbi është përdorur pa ndonjë arsye dhe jo në përputhje me gjuhën standarde shqipe dhe normën letrare të saj. Në vend të kësaj parafjale duhet të përdoret parafjala për.

Pse mund të thuhet kështu?

Mund të thuhet kështu sepse emri i rasës kallëzore, që vjen pas parafjalës mbi nuk e ka kuptimin që diçka të vihet mbi të, por e ka kuptimin se diçka po flitet për të. Prandaj, del se gjuha standarde shqipe dhe norma letrare e saj, kërkojnë që fjalitë e mësipërme të ndërtohen kështu:

Mbante një ligjëratë për pastërtinë  ose rreth pastërtisë. Do të pyes për vendin tonë, për letërsinë dhe për kulturën e tij. Ai i shfaqte mendimet e veta për bujqësinë. Unë kam mendimet e mia për letërsinë dhe artet etj.

Të krahasojmë përkundër këtyre shembujt:

E vë librin mbi tavolinë. Shtrihem për t'u rrezitur mbi rërë. U ul mbi një trung të trashë. Lapsin e ke mbi fletore. Dëbora kishte rënë mbi asfalt etj...

2. Përdorimi i parafjalës mbi në vend të parafjalës në

Në një emision të shkollës televizive të TV-Prishtinës, ku bëhej fjalë për kulturën e gjuhës, emision, i cili ishte mjaft tërheqës dhe interesant, nëpërmjet të cilit u dhanë shembuj të ndryshëm rreth zotërimit dhe përvetësimit të gjuhës standarde shqipe dhe të normës letrare të saj si në të folur, ashtu edhe në të shkruar, dëgjuam edhe një shembull të tillë: "... gjuha letrare shqipe mbështetet mbi gjuhën popullore dhe mbi dialektet e saj..." Sipas mendimit tonë shembulli nuk ishte në përputhje me gjuhën standarde shqipe dhe me normën letrare të saj...

Pse mund të thuhet kështu?...

Mund të thuhet kështu për arsye se po të nisemi edhe nga kuptimi logjik që shpreh një mendim i këtillë, del se nuk mund ta quajmë mbështetje sendin që e kemi vënë mbi diçka (tavolinë, karrige etj.). Prandaj shembulli i zënë në gojë më lart, duhet të ishte ndërtuar kështu: "... gjuha letrare e sotme shqipe mbështetet në gjuhën popullore dhe në dialektet e saj..."  Sepse gjuha standarde shqipe dhe norma letrare e saj themelet i kanë në gjuhën popullore e jo mbi gjuhën popullore.

Ja edhe disa shembuj ku parafjala mbi  është përdorur në vend të parafjalës në: Duke u mbështetur mbi punën e deritashme.  U mbështet mbi konkursin e shpallur. Të  mbështetemi mbi Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve, që u mbajt këtë vit. etj.

Në FGJSSH, fq. 1084, për përdorimin e parafjalës mbi epën këto shënime: "Parafjala mbi përdoret me një emër ose përemër në rasën kallëzore, që shënon 1. sendin, vendin etj., në sipërfaqen e të cilit ndodhet ose lëviz dikush a diçka: Ra mbi gurë, 2... vendin ku kryhet një veprim: Një pëllëmbë mbi kokë; 3...një vend drejt të cilit hidhemi: Qentë u lëshuan mbi ujkun; 4. Cakun...: Zotime mbi plan etj."

Në librin Gjuha letrare shqipe, fq. 163, për përdorimin e parafjalës mbi thuhet: "Parafjala mbi përdoret pranë një emri për të treguar vendin mbi të cilin ndodh një veprim a gjendet një send".

Nga kjo shihet se parafjala mbi përdoret vetëm kur kemi kryerjen e një veprimi (Rrëshqitje mbi akull) dhe kur kemi vendosjen e një sendi (E lash mbi tavolinë), kurse në të gjitha rastet tjera, sipas kontekstit, duhet të përdoret parafjala për, përkatësisht parafjala në...
 

(1986)


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora