E marte, 21.05.2024, 08:05 PM (GMT+1)

Editorial

Albert Vataj: Të zgjohesh nga një ëndërr e bukur për të jetuar ëndrrën

E marte, 07.04.2009, 10:00 PM


Të zgjohesh nga një ëndërr e bukur për të jetuar ëndrrën

Nga Albert Vataj

Sot, zgjohesh në agun e asaj Shqipërie kaherë e mot të përvujtun, lënguese, të nëpërkëmbur, hekakeqe e shpresëvrarë, ndryshe sot. Sot e mot, dita do të rrezellitë shqip, pa u përthyer në kurrnji syprinë bunkeri dhe paniku asimilimi nga armiqt që “na kishin në grykën e pushkës dhe ne i kishim në grykën e topit”. Iluzionet e vigjilencës, sintetizuar nga proverbi “uji fle, hasmi s’fle”, i përkasin të shkuarës. Imperializmi amerikan, socialimperializmi sovjetik, puçistët, këto zhargone të ideologjisë së izolimit, këto maska ndjellakeqe të murtajës komuniste, janë varri pa nekrologji. Kuja e asaj vajtoreje është një makth, është një shpirt i keq, prej të cilit sot çlirohemi. Jemi të dlirë nga kjo mbarsje që zvargej në vetëdijen tonë. Sot kaplimi i agut shqiptar është drita shpirtit tonë liridashës, paqekungues. Sot përulemi me mirënjohje dhe respekt para emrit dhe kontributit vullnetmirë të të gjithë atyre, që bënë çmos për agun e kësaj ditë, zgjimin nga një ëndërr e bukur për të jetuar ëndrrën. Për këtë prag të lyer me ambrozin e lirisë duhet të falenderojmë në kryeherën e tana mirënjohjeve atë bekim të krijuesit, Amerikën. Shqiptarët duhet të falënderojnë për stretiherë Amerikën, bijtë e saj dhe të lutemi Zotit për këtë mik të madh të shqiptarëve dhe paqes.
Spariherë e falënderuam, asokohe kur Fuqitë e Mëdha desh na ndanë për të joshur orekset babëzitëse të fqinjëve tanë. Sdytiherë e falënderuam për Pavarësinë e Kosovës. Tash, e kemi për ndër ta falënderojmë për stretiherë, për pranimin në familjen e paqes në tryezën e madhe të kombeve të lira. Kurrëçka nuk duhet të na bëjë me drojë ta bëjmë këtë. Se ishte dhe është Amerika dhe burrat e saj të shtetit, që njohën dhe vlerësuan identitetin dhe dinjitetin tonë. Janë ata, që shtërnguan duart tona dhe besuan nër ne, kombin që meriton të jetë ai që gëzojmë ne sot dhe që do të krenohen brezat që do të vijnë.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ndër të vetmet grupime supërfuqishë dhe vullnetesh për paqen, njëzëshëm mund të pohohet se është një nga momentet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar. Askurrë, askush, në qasjet e tija më optimiste dhe në synimet më euforike, nuk do ta mendonte se ajo që tashmë është realitet, të mund të ushqente fantazinë e tij më të zhvilluar. Shqiptarët zgjohen nga një ëndërr e bukur për të jetuar ëndrrën. Brezi ynë, ka fatin që breza të tjerë nuk e patën, të shkruajmë në memorien historike bërjen realitet të një arritjeje që përafrohet me mrekullinë. Tash ne jemi të barabartë mes të barabartëve. Dinjiteti dhe personaliteti i identitetit tonë kombëtar, nuk është më një faktor i parëndësishëm një njollë e zezë dhe shkas për t’u nëpërkëmbur dhe referim për krahasime negative. Tashmë, ne, jo vetëm ulemi në një tryezë me më të fuqishmit e botës, por dhe shprehim njëherazi, njëzëshëm me ta vullnetin e një bote ku paqja është e shenjtë dhe ajo duhet garantuar me çdo mjet. Krenarisë sonë kombëtare i kthehen atributet, ata që piknisën me Kalorësin e Krishtërimit, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Për një vend të vogël si Shqipëria, një vlerësim i tillë është një meritë, që vjen natyrshëm për gjënezën tonë nacionale. Fatet e kombit shqiptarë kanë kaluar sa e sa herë në tehun e mprehtë të fataliteteve historike. Identiteti ynë kombëtar e ka gjetur veten sa e sa herë para shpërbërjes. Lukunitë e kohës kanë tentuar disa herë të na çapërlojnë në copa-copa, duke mundur t’ia arrijnë të na gjymtojnë, por falë Zotit mbijetuam. Jemi për të jetuar këtë ditë, ditë e paprekshmërisë tëritoriale, ditë e garantimit të paqes dhe kontributit për botën, tokën e të gjithëve.
Ndër të shkuaren kujtesa historike përcjell vendin tonë si një portë nga ku mund, hynë dhe dolën dreqi dhe biri. E çnuk bërë ata me Shqipërinë dhe shqiptarët, me dinjiteti dhe identitetin tonë. Erdhën dhe ikën, hynë dhe dolën të gjithë kujt i ra rruga këndej. Ndërsa sot, ajo është një e kaluar fatkeqe, një kujtesë që e ruajmë në memorie si një e shkuar që nuk do të përsëritet askurrë. Megjithëse vend i vogël, në tash jemi një. Jemi njësi dhe realitet, jemi botëkuptim dhe ndërgjegje, vullnet dhe aspiratë e paqes dhe dinjitetit. Sot e mbas, kurrqysh nuk do të mund kush të tregojë me gisht shqiptarët. Kudo që ai jeton dhe aspiron, është shqiptar dhe duhet ta mbajë me nder dhe krenari emrin e tij.
Me anëtarësimin në NATO, kombi ynë, ne qytetarët shqiptarë dhe vetë Shqipëria, fitoi një emër, fitoi nder dhe dinjitet të ri, duke lënë pas kujtimin e hidhur. S’do mbahemi më mend si kombi i pushtimeve të gjata, diktaturave dhe historive më të egra, eksodeve, skamjes dhe mjerimit, por si kombi i NATO-s, kombi i së ardhmes, kombi i lirisë, kombi i dinjitetit.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është rikthim definitiv, më sublimi i mundshëm i kombit tonë në gjirin e familjes perëndimore, është garanci e re dhe e madhe për zhvillim dhe jo vetëm siguri, të integritetit e sovranitetit territorial të Shqipërisë, por edhe të shtetit të Kosovës dhe të trojeve shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. Shqiptarët, janë më të sigurt se dje, shqiptarët janë më me perspektivë perëndimore se që ishin dje, shqiptarët, mbarë kombi ynë jemi me një të ardhme më të ndritur, më perspektive se mund të mendohej. Duke qenë pjesë, anëtare e NATO-së, Shqipëria dhe kombi ynë mbarë është para një të ardhme të re, është në rrugëtimin e faktorizimit në rajon dhe më gjerë, është më afër hyrjes në BE. Ne, si komb, së bashku me Shqipërinë, prej nesër jemi aty, ku ishte dashur të ishim para shumë dekadash, në NATO, pra në djepin e Perëndimit, të vlerave të qytetërimit i cili është streha e jonë më e sigurt, më e ngrohtë dhe më e dashur. Po kthehemi përfundimisht, si kombi më i vjetër i këtyre hapësirave në gjirin e familjes së madhe të Perëndimit të qytetëruar. Pas një nate të gjatë terratisjeje, zgjohesh nga një ëndërr e bukur për të jetuar ëndrrën. Kjo për ata që që janë zgjuar.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora