E premte, 01.11.2024, 01:03 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Myslaminet, a kane dy xhami!

E shtune, 21.03.2009, 08:40 PM


Nga Ardit BIDO

Myslimanizmi shqiptar ka qenë sipas modelit turk, vetëkuptohet ndikimi për shkak të pushtimit 500-vjeçar. Por pas viteve ‘90-të, shumë rryma të reja dhe ndikime nga Arabia Saudite hynë në myslimanizmin shqiptar. Ndryshimet mes dy rrymave janë të dukshme që nga mjekra e gjatë dhe pantallonat e shkurtuara në fund dhe deri tek xhamitë e zgjedhura për t’u falur. Por vetë protagonistët e dy krahëve nuk tentojnë të prekin thelbin e ndasisë fetare ndërsa merren me çështje procedurale dhe me funksionimin e demokracisë në zgjedhjen e kreut

Përpara xhamisë së Et’hem Beut, një sërë tezgash ishin vendosur paraditen e djeshme me fletëpalosje për miqësinë shqiptaro-turke. Vetëm 100 metra më tej, në xhaminë e “Rrugës së Kavajës”, asnjë element i tillë nuk dukej.

Debati i lindur ditët e fundit në Komunitetin Mysliman Shqiptar përmban një mori detajesh dhe replikash ndërmjet dy grupimeve brenda komunitetit. Kreu i këtij institucioni, Haxhi Selim Muça, deklaroi pak ditë më parë se bëhet fjalë për dallime mes tradicionales dhe radikales, si dy rryma që bashkëjetojnë brenda komunitetit, ndërkohë kundërshtarët e tij cilësojnë absurde diçka të tillë, duke deklaruar se ekziston një rrymë që dëshiron të mbajë karrigen në komunitet.

Situata e krijuar nuk është kaq e lehtë sa duket, sipas përfaqësuesve të komunitetit. Ata parashtrojnë një sërë faktorësh, si menaxhimi i pronave, drejtimi financiar dhe marrëdhënia me besimtarët, që kanë çuar në një situatë të tillë. Por, në asnjë rast nuk flitet për ndikime të jashtme që mund të krijojnë përçarje brenda Komunitetit Mysliman dhe të ndryshojnë drejtimin fetar. Myslimanizmi shqiptar ka qenë sipas modelit turk, vetëkuptohet ndikimi për shkak të pushtimit 500-vjeçar. Por pas viteve ‘90-të, shumë rryma të reja dhe ndikime nga Arabia Saudite hynë në myslimanizmin shqiptar. Ndryshimet mes dy rrymave janë të dukshme që nga mjekra e gjatë dhe pantallonat e shkurtuara në fund dhe deri tek xhamitë e zgjedhura për t’u falur. Por vetë protagonistët e dy krahëve nuk tentojnë të prekin thelbin e ndasisë fetare, ndërsa merren me çështje procedurale dhe me funksionimin e demokracisë në zgjedhjen e kreut.

Selim Muça deklaron se rryma radikale brenda komunitetit vjen nga imamë të ardhur prej Maqedonie dhe Kosove, ndërsa kundërshtarët e tij bëjnë fjalë vetëm për dy vështrime të ndryshme që ekzistojnë mbi të njëjtin fenomen. Në Maqedoni dhe në Kosovë, në Komunitetin Mysliman ekziston një debat i hapur për përballjen mes myslimanizmit tradicional dhe myslimanizmit të ri. Ndërkohë, në Shqipëri pakkush flet për një fenomen të tillë.

Ndërhyrje nga Turqia dhe Arabia Saudite?

Por, jo për të gjithë një dikotomi është e panjohur. Ish-zyrtarë të lartë të administratës publike, duke folur për “standard”, deklaruan se ekzistojnë ndikime të jashtme që krijojnë një situatë të tillë brenda komunitetit. Duke ruajtur anonimatin, ata deklarojnë se dy shtete, Turqia dhe Arabia Saudite kanë qenë gjithnjë të interesuara për të ruajtur “ndikimin” e tyre brenda Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Një prej tyre tregon se ambasadorët e Turqisë dhe vendeve arabe kanë qenë në kontakte të vazhdueshme me drejtuesit shtetëror shqiptarë, sidomos në periudhat e zgjedhjeve për drejtuesit e Komunitetit Mysliman, si edhe të institucioneve në varësi të saj, si Medreseja. Madje, konfidencialisht ish-zyrtari shprehet se ndikimi ka qenë disa herë aq i lartë sa edhe përfaqësues të politikës së këtyre vendeve kanë ndikuar në një mënyrë, ose në një tjetër, për të krijuar ekuilibra të rinj brenda institucionit.

Qeveria e mëparshme ka qenë e predispozuar, sipas tij, që t’i lejojë më shumë hapësirë ndikimit turk, e për këtë arsye, ish-zyrtari kujton se një delegacion i nivelit të dytë u nis për në Ankara për këtë çështje. “Aty na priti vetë Kryeministri Erdogan, i cili anuloi një takim të rëndësishëm për t’u takuar me ne”, – rrëfen ish-zyrtari, duke treguar nivelin e rëndësisë së rrymave brenda komunitetit dhe prapaskenat që ekzistojnë në zgjedhjen e drejtuesve. Por këto ndikime duket se do jenë të destinuara të jenë gjithmonë në prapaskenë, pasi vetë përfaqësuesit zyrtarë nuk pranojnë të flasin për këtë gjë. Gazeta “standard” i dërgoi Komunitetit Mysliman Shqiptar pyetje në lidhje me rrymat brenda komunitetit dhe ndikimit që ekziston nga jashtë. Haxhi Selim Muça nuk u përgjigj, ndërsa Drejtoria e Kulturës në Komunitet u përgjigj zyrtarisht, duke thënë se “situata është trajtuar gjerësisht në media” dhe se “kryetari i komunitetit, Haxhi Selim Muça, nuk ka reagime të mëtejshme për këtë çështje”.

Ndërhyrjet e institucioneve të jashtme nuk pranohen as nga grupimi kundërshtar i kreut të Komunitetit Mysliman. Pyetur në lidhje me këtë çështje, Ilir Hoxholli, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit, tha për gazetën se një ndikim i tillë mund të ketë të bëjë me institucionin por jo me besimtarët. “Personat e shtetit kam përshtypje se kanë informacione të marra nga institucioni dhe institucioni po tregon se ekstremizmi shfaqet vetëm kur kërkohet transparenca, ose kur ka zgjedhje. Kjo e bën shumë qesharake si proces. Pas akuzave të serbëve, për shqiptarët e Kosovës dhe maqedonasve për shqiptarët e Maqedonisë, Selim Muça, u bashkëngjitet atyre. Unë mendoj se Komunitetit Mysliman i ka ardhur koha për një shqiptar të mirë në krye të tij”, – tha z. Hoxholli.

Debati

E ndërkohë, që asnjëra palë nuk pranon ndikimin e jashtëm, një debat i gjerë është krijuar mbi rrymat brenda Komunitetit Mysliman. Kjo, pas deklaratave të kreut të komunitetit, Haxhi Selim Muçës, të cilat janë kundërshtuar ashpër nga një pjesë e komunitetit. Sipas të dytëve, brenda komunitetit nuk ekzistojnë dy rryma, por një grupim njerëzish që dëshiron pushtetin dhe besimtarët e thjeshtë.

“Ka kundërshtarë që po gënjejnë, manipulojnë dhe përçajnë. Disa njerëz nga Kosova dhe Maqedonia po acarojnë situatën dhe po sulmojnë Komunitetin Mysliman”, – kishte deklaruar Muça vetëm pak ditë më parë. “Së fundmi kanë ardhur disa njerëz nga Kosova dhe Maqedonia dhe thonë se do të shtrojmë Shqipërinë. Nga kush do ta shtrojnë Shqipërinë tonë të lirë? Këta kundërshtarë që kanë ardhur nga jashtë të fusin shpatën”.

Por, Ilir Hoxholli thotë se Haxhi Selim Muça duhet të jetë më i përgjegjshëm në deklaratat e tij. “Është e vërtetë se ka lëshuar një deklaratë bombë, që nuk i shërben as besimtarëve, e as Shqipërisë, që po tenton të hyjë në BE. Mosha bën gjithçka. Sot ka dalë me deklaratë dhe ka thënë se nuk ka ekstremistë”, – reagoi z. Hoxholli. “Ne kemi një problem vetëm në lidhje me statutin, ndërkohë që Haxhi Selim Muça e ka parë si një rivalitet për karrige, ndërkohë që ne nuk kemi dalë me asnjë kandidatë. Mund të them se në Komunitetin Mysliman ekziston vetëm një rrymë që është shumë larg besimtarëve, është rryma që dëshiron karrige dhe pushtet”.

Divergjenca mes dy grupimeve ka pasur edhe më parë. Në vitin 2005, për një muaj rresht në Komunitetin Mysliman u zhvilluan një sërë debatesh në lidhje me ndryshimet statusore. Në fund të këtyre debateve, më 15 maj të atij viti, Këshilli i Përgjithshëm vendosi që të mos ndryshojë nenin 2 të statutit që përmban medh’hebin (drejtimin) e Komunitetit Mysliman. Në këtë mënyrë medh’hebi Hanafi, që është në fuqi prej periudhës otomane, u ruajt për myslimanët shqiptarë, çka ishte kërkuar të ndryshonte nga shumë anëtarë të komunitetit.

Importi

Ajo çka krijoi bujën më të madhe pas deklaratave të kreut të Komunitetit Mysliman është prejardhja e personave, që sipas tij, përbënin elementin radikal. Ai shënjoi Kosovën dhe Maqedoninë, dy vende ku debati publik në lidhje me myslimanët radikalë, e në disa raste edhe vehebist është shumë më i përhapur sesa në Shqipëri. Në botën akademike në Kosovë dhe Maqedoni debatet vlojnë në lidhje me myslimanët jotradicionalë, dhe se sa kjo gjë ndikon pozitivisht a negativisht në vendet në fjalë.

Pak kohë më parë, duke folur për “standard”, zëvendësrektori i Universitetit të Prishtinës, z. Luan Ahma, deklaroi se diçka e tillë po merrte përmasa të mëdha në Kosovë dhe se në Maqedoni, një rifondamentalizim i Komunitetit Mysliman ishte duke u formësuar. Sipas tij, ky grupim ka një lidhje mbarëshqiptare dhe ndikon e ka kohezion më të lartë me myslimanët shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, sesa pjesa tjetër e myslimanëve.

Kush do marrë drejtimin

Debati i tanishëm në Komunitetin Mysliman ka të bëjë me drejtimin e bashkësisë. Kundërshtarët e Haxhi Selim Muçës deklarojnë se janë një sërë faktorësh që i bëjnë t’i drejtohen gjykatës për shpalljen si antistatutore të datës së zgjedhjeve. Problemi lindi pak ditë më parë, kur kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, Ilir Vokshi, njoftoi se zgjedhjet do të ishin brenda një 11 ditëve. Anëtarë të këshillit kundërshtuan, duke deklaruar se ishte shkelur statuti. “Problemet reale kanë të bëjnë me shkeljen e statutit. Neni 22 i statutit përcakton se 15 ditë përpara zgjedhjeve duhet të lajmërohemi. Disa thonë se “ç’bëri një dy apo tre ditë”, por problemi kryesor ka të bëjë me materialet që duhet të studionim. Brenda këtyre materialeve është puna që është bërë në komunitet dhe nëse materialet nuk miratohen, atëherë edhe kryetari nuk miratohet, se është puna e tij”, – thotë Ilir Hoxholli, anëtar i këshillit. “Ky është konflikti dhe nuk ka asnjë konflikt tjetër. Ne kërkuam vetëm këtë pjesë, që të dimë se çfarë do të diskutohet. Unë edhe sot nuk i di emrat e kandidatëve”.

Në lidhje me këtë çështje, Komuniteti Mysliman ka reaguar duke deklaruar se po kërkohen gjëra të paqena, dhe edhe pse statuti përcakton 15 ditë, kjo nuk ka rëndësi dhe nuk përbën shkelje. “Po ç’bëri 15-ta e ç’bëri 11-ta. Kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Kjo është vetëm sa për t’u kapur. Nuk ka fare shkelje statuti, nëse nuk është bërë lajmërimi 15 ditë para, por 11 ditë para. Pra, është respektuar statuti e rregullorja e Komunitetit Mysliman. Nuk është traditë pajisja me materiale. Nuk ka ndodhur ndonjëherë. Materialet nuk janë dorëzuar, pasi kjo nuk është traditë”, – ka deklaruar Ilir Vokshi, kryetar i Komunitetit Mysliman.

Anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm e paditën komunitetin dhe tani çështja është në gjykatë. “Nuk e kuptoj se përse nuk e shtynë datën e zgjedhjeve dhe kaq, se përsëri Haxhi Selim Muça do ishte zgjedhur, pasi ka shumicën e anëtarëve. Këshilli i Përgjithshëm, parlamenti i myslimanëve është i çuditshëm. Selim Muça zgjedh anëtarët dhe anëtarët zgjedhin Selim Muçën”, – thotë Ilir Hoxholli.

Pronat

Debati më i madh në gjirin e Komunitetit Mysliman ka të bëjë me pronat. Komuniteti është pronari i dytë më i madh në vend, pas shtetit shqiptar dhe gjithnjë ka pasur akuza të ndërsjellta për menaxhimin dhe keqpërdorimin e pronave. Drejtues të komunitetit janë akuzuar për korrupsion, ndërkohë që ata vetë kanë deklaruar se menaxhimi i pronave është transparent dhe më i miri i mundshëm.

Grupe në komunitet akuzojnë drejtuesit për një sërë rastesh, që përbëjnë shkelje sipas tyre. Këto raste kanë të bëjnë me shitje trualli si pronat vakëf, në krah të hotel “Drinit” dhe në trekëndëshin ku ndodhet Dhoma e Tregtisë, ku është kërkuar nisja e procedurave hetimore. Ata gjithashtu akuzojnë se futja në banka e mijëra eurove të përfituara nga shitja e pronave vakëf, duke marrë prej tyre interesa, pra përfitimi me anë të fajdesë, është një akt i ndaluar rreptësisht në Islam, sikurse edhe vendosja e pagesës për turistët që duan të vizitojnë xhaminë e Et’hem Beut.

Ilir Hoxholli thotë se edhe frika e tanishme e drejtuesve të komunitetit, të cilët sipas tij, shkelin statutin, ka të bëjë pikërisht me këto elemente. “Haxhi Selim Muça ka një hije dyshimi mbi vete. Ne na bën të dyshojmë mostransparenca që tregohet në rastin konkret me vakëfin te Dhoma e Tregtisë. Unë kërkova që të na shpjegohej nëse është dhënë kjo tokë, dhe reagimi ishte “ç’të duhet ty?”. Ndërkohë që flitej për një transparencë normale, të na thuhej që është dhënë me kaq. Unë kam marrë të dhëna që ajo tokë është dhënë për shesh ndërtimi, që do të thotë se ka një kontratë mes pronarit dhe firmës së ndërtimit”, – thotë ai.

Ndërkohë që Komuniteti Mysliman deklaron se nuk ekziston asnjë problem i tillë. Transparenca, sipas tyre, ekziston në komunitet dhe menaxhimi i pronave është një ndër prioritetet kryesore të institucionit.

Përçarja?!

Në situatën e krijuar, duket se një përçarje e Komunitetit Mysliman mund të ndodhë, por kjo hidhet poshtë nga të dyja palët. Komuniteti Mysliman deklaron se nuk mund të ketë përçarje, pasi Këshilli i Përgjithshëm merr vendime në bazë shumice. Ndërkohë, anëtarët e tjerë deklarojnë që nuk do ta njohin kreun e komunitetit nëse ai zgjidhet nga mbledhja e ardhshme në Kavajë. Sipas tyre, do të jetë gjykata ajo që do vendosi në padinë e paraqitur nga këta anëtarë. “Nuk besoj se mund të kemi një përçarje. Kemi një përçarje të vendosur nga KMSH-ja tashmë prej vitesh, që në shumicën e rasteve nuk përfaqëson interesat e besimtarëve. Pra, kemi një çarje mes godinës nga njëra anë dhe besimtarëve nga ana tjetër”, – tha Ilir Hoxholli. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora