E shtune, 27.04.2024, 01:53 PM (GMT+1)

Mendime

Edmond Arizaj: Veliaj, ridështimi i të rinjve

E enjte, 19.03.2009, 07:32 PM


Veliaj, ridështimi i të rinjve

Nga Edmond Arizaj

Të parët ishin KOP-istët. Anëtarët e Komitetit Orientues të Politikave, pranë Partisë Demokratike, me moshën dhe entuziazmin e tyre, fillimisht ishin një shkëndijë që jepte shpresë për një zjarr të ri politik në Shqipëri. Por pas fitores së Partisë Demokratike, KOP-i u shkërmoq pak nga pak dhe tashmë ka mbetur vetëm si një kujtim i bukur i kohërave “kur mblidheshim bashkë”. Por dështimi i këtyre të rinjve (në shumicën dërrmuese të tillë), nuk ka të bëjë vetëm me mbetjen në harresë të ideve dhe qëllimeve fillestare të tyre. Fatkeqësia më e madhe është se pasi disa të veçantë u shpërblyen për ndihmën e dhënë, tashmë po shfrytëzohen maksimalisht, madje brutalisht nga kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike. Pra, përfundimi i KOP-it është i tillë, përdorje vetëm për qëllimet e Berishës, për akuzat dhe fyerjet, për mohimet dhe pohimet kategorike, për shantazhet, prapaskenat dhe diversione.
Një sy dhe vesh normal, qoftë edhe i pastërvitur mirë, mund të vërejë një ngjashmëri tmerruese mes KOP-it të dikurshëm dhe G-99 së sotme, madje ngjashmëria është akoma më e çuditshme se kaq. G-99 ngjan jo vetëm me KOP-in e dikurshëm, por edhe me atë çka ai është katandisur sot. Të shpjegohemi.
Njësoj si KOP-i i dikurshëm G-99 flet për politika të reja, bën platforma për arsimin e shëndetësinë, bën reforma në letër për drejtësinë dhe pikturon se si e ëndërron ajo Shqipërinë e ardhshme. Dhe njësoj si është katandisur ish-KOP-i, G-99 apo më saktë Erion Veliaj, kryen rolin e një zëdhënësi për shefin e tij, në këtë rast Edi Ramën. Nuk është aspak turp të kryesh rolin e një zëdhënësi. Madje për profesionin e gazetarit është një ndihmesë e madhe një eksperiencë e tillë. Por roli i zëdhënësit së një partie tjetër kur je vetë kryetar partie duket i habitshëm dhe mjerues. Sepse është fakt që Veliaj pretendon se partia e tij nuk është në një rang me PSD, PDS, PAD, PAA, e ca “P”-ra, e “S”-ra e “A”-ra të tjerë. Por ai e ka nisur keq karrierën politike. Madje duke e vijuar krahasimin me KOP-in, ai pas një muaji është duke e mbyllur karrierën vetjake politike dhe thjeshtë ka hyrë në listën e shpërblesave politike të Ramës. Me ç’duket detyra primare e Veliajt është vetëm goditja e LSI, apo më ngushtë dhe më qartë, provokimi i Ilir Metës. Në çdo prononcim, në çdo dalje, në çdo buzëqeshje para kamerave të siguruara nga kreditet e Ramës (Veliaj nuk duhet të gënjehet se kamerat i shkojnë nga pas sepse është lider politik), aplikanti për politikan vetëm sulmon Metën, liderin e dytë aktualisht të opozitës. Mirë do të ishte që Veliaj të kishte ndonjë ditë eksperiencë qeverisëse, qoftë për mirë apo për keq, ashtu si Meta. Mirë do të ishte që Veliaj të kishte ndonjë muaj të opozitarizmit real, ashtu si Meta. Mirë do të ishte që Veliaj ta kishte ndjerë ndonjë orë se ç’do të thotë përgjegjësi për vendin ashtu si Meta. Dhe atëherë do të kishte të drejtë ta akuzonte si ministrin e 15-të të Berishës, megjithëse ndonjë zëdhënës tjetër i Ramës e akuzon Metën se do të bëhet vetëm kryeministër. Ato akuza të Ramës që dalin nga goja e Veliajt, do të mund të ngjallnin debat, por edhe reagimin e atij që aq shumë e kërkon kreu i G-99, nëse do të dilnin nga goja e ndonjë socialisti të hershëm, tepër të hershëm, nga të atyre që Veliaj u kishte zënë vendin në përkujtimoren e së dielës. Ylli Bufi, Bashkim Fino, Pandeli Majko dhe Fatos Nano, janë ish-homologët realë të Ilir Metës (tre të parët nuk përmenden në aksionet anti-kryeministrore të Veliajt, kujtoni retushimet e fotografive të para ’90 me tradhtarët) dhe nëse një prej tyre do të artikulonte vërtet ndonjë fjalë anti-Meta do të përbënte realisht lajm. 
Veliaj ngjallte një farë kureshtje me MJAFT-in, sidomos tek të rinjtë, megjithëse shumë shpejt i thanë boll. Por me krijimin e partisë, me shpalljen e synimit për deputet, gjithë shpresat për një politikë të re, por më shumë për të rinjtë u rrëzua sërish. Veliaj u shfaq në realitetin e tij të hidhur; autoportret i dështuar i Ramës. Dështim të cilin kërkon ta mbushë me shërbimin ekselent ndaj kryetarit të PS-së. Duke e “çliruar” këtë nga lufta mediatike me kundërshtarët, për të marrë pozat e politikanit të mbinatyrshëm e çudibërës që nuk merret me vogëlsira.
Ky shërbim është e vetmja armë që i kanë lënë në dorë, për të merituar shpërblimin e 28 qershorit. Dhe Veliaj, pa as më të voglën brerje ndërgjegje, pa as më të voglën ndjesë ndaj atyre të rinjve që shpresuan, pa as më të paktën dridhje qerpiku, ka pranuar të transplantohet në një trup që nuk e pranon. KOP-i ndihmoi në fitoren e PD-së dhe u shpërblye, pastaj dështoi. Veliaj dështoi për të shpërblyer Ramën dhe për të fituar për vete. “Ata që fitojnë, pavarësisht se si fitojnë, nuk turpërohen kurrë nga mënyra si kanë dalë fitimtarë”. Sa mirë i ka ditur ca gjëra Makiaveli! 

PS: Për pak harrova një porosi për z.Artan Lame, mëmëdhetar i hershëm. Sipas gazetës së statistikave “Tirana Observer”, Ilir Meta në fjalën e tij gjatë mitingut të LSI-së, e kishte përmendur fjalën Berisha 8 herë, ndërsa i papërmenduri në shkrimin tënd Edi Rama e kishte zënë Saliun në gojë… hiç herë, ndërsa Gërdecin… po hiç herë. Z.Lame, sikur të numëronit edhe tek ZP-ja njëherë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora