E shtune, 27.04.2024, 11:17 AM (GMT+1)

Mendime

Gent Strazimiri: Maklenit dhe shokëve 99-sha

E enjte, 19.03.2009, 06:30 PM


Maklenit dhe shokëve 99-sha

Nga Gent Strazimiri

I dashur Maklen, të dashur 99-sha. Po të shkruaj përkundër këshillave të miqve të mi, të cilët mendonin që nuk duhet të merrem me "një anonim", "i cili mundet të jetë një pseudonim" ose "ndonjë nga këta të njomët që i gënjejnë dhe i bëjnë rëndom 99-sha", apo, ca më keq akoma, "që ndonjë nga xhaxhot e PS ia ka shkruar e i ka vënë emrin, që të duket më i freskët", (në fakt që në titull mu duk shumë i vjetër, se qëmoti ishte kjo mënyra zyrtare kur flitej, fjala vjen "mbi mendimin filozofik të shokut Enver).
Nuk mund të mos u jepja të drejtë, por kur mendova këto dy të fundit vendosa të të shkruaj.
Së pari, më vjen keq që eventualisht kam thyer zemrën tënde të njomë apo të 99-shave të tjerë, me të vërtetat që përmbante shkrimi im e që supozoj nga reagimi, i dëgjoje për herë të parë. E vërteta është shpesh e hidhur, por edhe e domosdoshme, nëse ke vendosur të bësh zgjedhjen e duhur. Besoj që refuzimi ndaj saj të vjen për shkak se abuzivisht të kanë idealizuar një Shqipëri perverse, e cila për fat të mirë nuk ekziston më që prej dhjetorit '90. Dhe për këtë nuk është faji yt.
Ndoshta nuk është as faji i tët eti apo i tët gjyshi, apo i kujtdo që ka abuzuar me ty, pasi gjithnjë kam menduar se njeriu, i cili nuk është i lirë, nuk është i gjykueshëm për zgjedhjet e tij, qofshin ato edhe të vullnetshme. Për më tepër në atë palo- Shqipëri, ata që e konsideronin veten të lirë, të mbrojtur, të privilegjuar, në fakt ishin më skllevër se vetë skllavi, pasi vullnetarisht kishin mbytur çdo lloj aftësie për të menduar në mënyrë autonome, veç ndjekjes së atyre që atëherë quheshin "direktiva" e "mësime" të së njëjtës Parti që sot e drejton z. Rama, në të njëjtën seli, me të njëjtën adresë, e pak a shumë me të njëjtët njerëz, e me të cilën po promovon atë që e quan "politikë e re"…!   
Po ashtu, gjithnjë kam menduar se dhjetori '90, ishte rasti më i mirë për këdo për të thithur ajrin e lirisë e të dinjitetit deri në mendje dhe cilido, pa përjashtim, do të mund të flakte vetëskllavërimin për të ringjallur mendimin e lirë, antidotin ndaj diktaturës.  Në të vërtetë, siç e thoshe dhe ti, verdhëza është e keqe, sidomos e përsëritur herën e dytë, por unë jam ndër ata që nuk dorëzohem, madje, megjithëse jam i bindur që nuk është verdhëz, por mortje. Mortje që, njësoj si dikur, gjuan për kufoma, sepse me to jeton, ushqehet, majmet.
I vetmi ndryshim që shoh pas gati 20 vjetësh është se gjatë mortjes së parë, kufomat i prodhonin vetë, me gjyqe publike e dëshmitarë të sajuar, për një poezi, për një fjalë goje, qoftë dhe të pathënë kurrë, ndërsa sot që nuk munden, i sajojnë si të munden nga aksidentet, pa dallim, nëse janë automobilistike, teknologjike, natyrore etj.
Fajtorin e kanë të paracaktuar, njësoj si atëherë, vetëm se gjyqin e bëjnë në disa media njësoj si dikur në kinematë publike dhe pretencën, vendimin e japin në sheshe përmes aktiviteteve funebër, pasi Fehmi Abdiu, Zamir Shtylla etj., sot nuk munden ta keqpërdorin ligjin si gjatë mortjes së parë, pasi loja ka ndryshuar.
Nuk mund të përdorin më Ndreko Rinon për të shtypur me gjak çdo përpjekje për liri apo "Gazin" e Degës së Punëve të Brendshme për të mbjelle frikën në çdo shpirt dhe mendje njerëzore. Sot Ndrekon e ke emër të nderuar në një rrugë në mes të Tiranës, sigurisht, në emër të dënimit të krimeve të komunizmit nga ana e "politikës së re".
Meqë ra fjala, për zgjedhjet mos ki asnjë frikë, se falë përpjekjeve tetëvjeçare të partisë që shembi mortjen e parë dhe kolegëve të mi të politikës së vjetër, policia, shërbimi sekret apo çdo lloj strukture tjetër e ka të pamundur manipulimin. Pra, me fjalë të thjeshta, nuk do të mund të përsëritet '97, '98, 2000, 2001, 2003, ashtu siç nuk mundën të manipulojnë në korrik të 2005 e siç nuk patën asnjë ankesë për zgjedhjet e 2007.
Në një vend demokratik, i dashur 99-sh i njomë, zëvendësministri i Brendshëm nuk është siç ta ka përshkruar yt atë, yt gjysh apo kushdo tjetër që ka abuzuar dhe abuzon me ty ende sot, duke idealizuar Shqipërinë e Nreko Rinos. Nuk është si shoku Kadri, shoku Nevzat apo shoku Ndreko, që me dhëmbët e shtrënguara e sytë e skuqur si bishë, dinin të thoshin me "rr" të panevojshme vetëm: "të ha kokrrat, qen".
Në një vend demokratik zëvendësministri i Brendshëm, njësoj si ai i Mjedisit, i Ekonomisë, i Arsimit është një drejtues politik i një dikasteri që merret me politikat e zhvillimit dhe mbarëvajtjes së institucionit që drejton. Është si çdo qytetar tjetër në të drejtat dhe përgjegjësitë e tij, madje ndoshta me një dimension tjetër publik, të gjejë kohë të të shpjegojë të gjitha këto edhe ty e shokëve të tu të abuzuar.
E gjithë kjo, pas një dite të lodhshme pune, kur duhej që të gjithë rrymat e 99-shave, të siguroheshin në të njëjtin shesh, në të njëjtën orë pothuajse, që të mos sherroseshin tek ndanin kufomat e pafajshme mes tyre. Kjo është demokracia, për të cilën u ngrita në dhjetor '90 e për të cilën do të ngrihesha përsëri e përsëri, pa u lodhur e pa u penduar kurrë.
Dhe një këshillë të fundit, i dashur 99-sh i njomë, mos i lejo më të abuzojnë me ty, ti nuk je për t'u shitur!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora