E shtune, 27.04.2024, 07:11 AM (GMT+1)

Mendime

Mimoza Hafizi: Dhe pse “Medalje Ari” unë zgjodha studimet për fizikë

E shtune, 14.03.2009, 11:49 AM


Prof. Mimoza Hafizi: “Ky është viti botëror i astronomisë, i cili është vendosur nga organizmat ndërkombëtare”
 
Franca i vlerëson intelektualët, universitet janë perfektë
 
Dhe pse “Medalje Ari” unë zgjodha studimet për fizikë

Nga Albert Zholi, Helena Halilaj
 
Një nga gratë shqiptare më aktive në jetën shoqërore, por njëkohësisht një nga gratë, e cila për sa kohë ka qenë Zëvendësministre arsimi është dalluar për seriozitet, korrektësi, disiplinë, këmbëngulje në reallizmin e deyrave dhe objektivave të marra. Titullin që mban ajo e ka justifikuar pasi breza të tërë studentësh edhe pasi janë larguar nga auditoret e universitetit, emrin e saj e përmendin me respekt dhe admirim. Është një nga gratë e rralla, që ka studiuar dhe jep mësim për fizikë, pasi ajo lëndë mbetet ndër më të vështirat në studimet universitare, pasi kërkon, studim sistematik, njohuri të thella dhe të qëndrueshme, kërkesa të vazhdueshme ndaj vetes, kujtesë dhe njohje me zhvillimet më të fundit të shkencës. Ajo ekskluzivisht për “Telegraf”, tregon përse e zgjodhi këtë rrugë, marrëdhëniet me studentët, problemet e sotme të universiteteve shqiptare dhe rrugët që duhen zgjedhur për të dalë nga kjo gjendje.
 
Për ta bërë paksa më të thjeshtë bisedën tonë, mund të kthehemi shumë vite pas në jetën tuaj, ku mund të na citonit diçka të veçantë nga fillesat tuaja dhe pse Ju zgjodhët degën e fizikës si profesionin tuaj të ardhshëm?
 
Unë shumë vite më përpara kam qenë studente e këtij fakulteti dhe kam studiuar vetë degën e fizikës. Në atë kohë kur mbaroje gjimnazin me medalje të artë mund të zgjidhje degën e preferuar që në atë kohë ishte me zgjedhje dhe me kërkesë. Unë kisha të drejtë të zgjidhja degën dhe zgjodha pikërisht degën e fizikës sepse kisha shumë dëshirë të merresha me shkencat, nuk isha aq teorike që të zgjidhja matematikën, pasi doja diçka që të më lidhte më shumë me natyrën dhe jam shumë e kënaqur që jeta ime ka marrë këtë drejtim. Po ta filloja jetën sërisht unë këtë zgjedhje do bëja sërisht. Nuk është se jua këshilloj të gjithëve pasi kjo është me prirje dhe me pasion. Por unë them se n.q.s dega jonë merret me shumë dëshirë me siguri je i suksesshëm dhe merr kënaqësi të veçantë. Është një degë që të ban në korrent me zhvillimet më të fundit të shkencës.
 
Ju tashmë njiheni dhe në media si ekspertja më e mirë në astrofizikë, (një ndër më të bukurit e të studjuarit të gjithësisë), çfarë do t’i përcillinit si të veçantë lexuesit dhe studentëve, që mund ta zbulojmë enkas nëpërmjet kësaj interviste?

 
Ky për mua është drejtimi më i bukur që mund të ketë një pedagog, pasi ke të bësh me një degë, e cila kërkon gjithmonë të dish gjithnjë e më shumë drejt universit. Ky është viti i astronomisë, viti botëror i astronomisë, i cili është vendosur nga organizmat ndërkombëtare (nga UNESCO) që në mbarë botën, për gjatë një viti t’i kushtohet vëmendje e veçantë astronomisë dhe studentëve që studiojnë këtë degë. Po ashtu, në të gjithë botën, janë mbajtur dhe do mbahen konferenca gjatë gjithë vitit për astronominë. Njëkohësisht, ne ju kemi vënë në shërbim të gjithë studentëve, të cilët janë të interesuar, faqen zyrtare në internet, ku të gjithë, pa përjashtim, mund të marrin informacione ose më saktë leksione të shumta që janë shumë të vlefshme për takim dhe qendrën tonë të astrofizikës.
 
Flitet brenda konturit të fakultetit që studentëve do ju jepet mundësia të bëjnë seminare në orët e vona për të studiuar me teleskop qiellin, për të parë lëvizjen e trupave qiellorë dhe për të qenë më pranë formimit të tyre. Sa e vërtetë është kjo?
 
Deri tani studentët e mi nuk më kanë kërkuar një gjë të tillë se po qe puna ashtu, ne dhe mund t’ju ofrojmë atyre konferenca sipas tematikave që ata janë të interesuar. Kuptohet që këto nuk mund të jenë shumë të shpejta pasi këto organizime kërkojnë shumë energji dhe përkushtim të madh dhe nga vetë studentët. Ne mund të bëjmë patjetër vëzhgime me teleskop dhe të japim shpjegim shkencor për të gjithë studentët e fizikës.
 
Ju në shumë raste merreni si shembulli tipik i femrës intelektuale shqiptare.Cili është çelësi i suksesit tuaj gjithpërfshirës?
 
Po më vlerësoni paksa shumë (qesh) dhe nuk e di në i meritoj gjithë këto komplimente, por megjithatë mendoj se çelësi i suksesit të çdo njeriu është serioziteti, të qenurit sistematik në çdo kohë. N.q.s njeriu në axhendën e tij e ka vendosur se çfarë do bëj, çfarë pune të dobishme do bëj për vete dhe për të tjerët, atëherë jam shumë e bindur se do arrij të marë frutet e punës së tij. Kuptohet këtu luan rol të rëndësishëm familja, shoqëria dhe gjithë mjedisi rrethues. Më vjen mirë dhe do doja që rinia të shohë nga ne atë çka ne bënim me shumë dashuri, studimet dhe përkushtimi për profesionin, të cilin kishim marrë.
 
Profesore, ne do donim të na shkëpusni paksa nga jeta juaj marrëdhëniet e atyre viteve me studentët e FSHN-së? Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja dhe sa i keni ruajtur ju ato kujtime?

 
Në kohën tonë marrëdhëniet kanë qenë shumë simbolike do thoja, ne shkëmbenim respekt dhe mirësi me njëri-tjetrin. Por mendoj se studentët e shkencave kanë qenë dhe do mbeten studentët më seriozë dhe më të përkushtuar ndaj studimeve dhe profesionit të tyre. Kemi pasur shumë dashuri për mësimin dhe shoqëri thellësisht të sinqertë. Unë normal që i ruaj ato kujtime dhe shumë të tjera më pas, por mbi të gjitha kam ruajtur kontakt të vazhdueshme me miqtë e mi të vjetër, të cilët kanë një rol aktiv në jetën shoqërore dhe sot. Tani në këtë moshë, kam më shumë angazhime dhe më pak kohë në dispozicion të shoqërisë. Do thoja që kam kohë p.sh që nuk kam takuar një ndër shoqet e mia më të mira Arjanën. Me këtë dua të them që tashmë kohën tonë e rrëmbejnë të tjera gjëra, familja, puna dhe shumë angazhime të tjera studimore. Kur je i ri je krejt ndryshe. Do dilja këtu tek profili pasi shumë
shokë dhe shoqe janë shkëputur nga ky profil dhe kontakti me ta sa vjen dhe bëhet më i rrallë. Por mundohemi të shfrytëzojmë kohën në maksimum.

Flasim pak për jetën tuaj e studimeve pasuniversitare në Francë?

Jeta ime në Francë ka qenë një jetë shumë intelektuale, dua të them që njerëzit me të cilët kisha të bëja kanë qenë shumë intelektualë. Unë atje kam mbrojtur doktoraturën dhe kam mbetur shumë e kënaqur vërtetë. Ishte një eksperiencë e bukur dhe sinjifikative.
 
Si janë francezët dhe a keni gjetur ndonjë frazë apo ideologji që shpreh jetën dhe formimin francez?
 
Francezët janë shumë miqësor, shumë të afrueshëm dhe të japin shumë respekt dhe dashuri për atë çka je. Do të thoja se atje kam gjetur shumë qetësi dhe vlerësim për atë çka jepja. Për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj do merrja si shembull këngëtarin Serge Gainzburg, i cili mendoj se jep gjithë panoramën filozofike franceze.
 
Do ishim të interesuar të dinim pak më shumë për ju, të futeshim në ato hullitë e jetës tuaj, sa rol ka luajtur dhe ç’është familja për ju?

 
Familja për mua më shumë është motiv, sesa pengesë. Rezultatet e punës së një njeriu nuk varen nga koha që ka në dispozicion, por se sa energji i përkushton dhe në momentin kur ke familjen ke përgjegjësi, të rritet angazhimi, kështu që domosdo, kur të merr vrulli i jetës, do i bësh të gjitha. Familja është shumë e rëndësishme, unë familjen time e kam krijuar shumë herët dhe nuk di sesi mund të jetë jeta e një njeriu pa familje. Që kur kam qenë me prindërit e mi, apo kur krijova familjen time që herët, flas në një pozicion të një njeriu që është kokë e këmbë brënda familjes dhe nuk di sesi mund të flasi një njeri, i cili është më pak i angazhuar me familjen.
 
Po të qenurit nënë, ç’lloj ndjesie ju përshkon emocionalisht?

 
Të qënurit nënë nuk mund të jenë pengesë për të ecur përpara, përkundrazi, mendoj se janë një motiv shumë më i rëndësishm drejt suksesit. Të qenurit nënë të shtyn që të jesh më aktive. Dua të them, që dashuria për fëmijët (pasi unë kam dy vajza njërën studente në Francë dhe tjetrën në klasë të shtatë), është dashuri e shtrirë, e përhershme, pa luhatje është dashuria më e madhe që kalon çdo dashuri tjetër.
 
Po si bashkëshorte, pasi ju jeni ndër ata bashkëshortet e denja dhe mishërim i familjes së fortë dhe shumë kompakte?

 
Unë me bashkëshortin tim kam patur një marrëdhënie të tillë që gjithçka shkonte si sahat do thoja, pra ne ishim dhe jemi në kohë me njëri-tjetrin për gjithçka ndodh brenda familjes. Mundohemi të gjejmë sa më shumë kohë, pasi që të dy jemi shumë të zënë me punë dhe përkushtim ndaj profesionit, por fundjavat përmbledhin gjithë dashurinë e pafund mes nesh dhe familjes tonë.
 
Sa e lidhur jeni tashmë me librin?
 
Në fakt unë kam qenë gjithmonë e lidhur me librin, por kjo ka variuar në kohë të ndryshme me preferenca po të ndryshme. Më pëlqen të lexoj histori, letërsi artistike, filozofi apo ndonjë libër studimor. Unë kam dashur dhe ende vazhdoj të lexoj librat në frëngjisht, pasi përkthimet dhe përshtatjet lënë shumë për të dëshiruar. Jam munduar të gjej dhe të përkthyera, por nuk janë në nivelin e duhur dhe nuk e përcjellin mesazhin ashtu siç është. Do veçoja një fakt se në panairin e fundit mora një libër të përkthyer dhe përshtatur nga Vedat Kokona, i cili më tërhoqi shumë, libër me poezi që jepeshin dhe në frngjisht dhe në shqip. Libra të tillë ja vlejnë t’i lexosh dhe t’i kesh në bibliotekë.
 
Ju jeni në formë shumë të mirë (mos vallë jeni marrë dhe e sport) dhe madje studentët tuaj ju shikojnë (kanë) si shëmbëlltirë të një qënieje të kompletuar. Ju admirojnë për lukun dhe estetikën tuaj (përveç aftësive tuaja profesionale kuptohet). Një shkrimatar shprehët se, të qenurit i bukur, i butë dhe i suksesshëm është një kombinim hyjnor, mendoni se dhe ju jeni pjesë e këtij kombinimi?
 
Po, realisht jam e butë, nuk jam natyrë e egër, përveç momenteve, ku mund të më kërcënohen gjëra shumë themelore bëhem agresive (qesh). Por mund të jesh dhe e egër dhe të jesh e suksesshme në jetë. Unë çdo gjë e kam lidhur me pëkushtimin ndaj punës dhe seriozitetin. Unë nuk jam tip sportive, pak fare jam dhënë pas sportit ndonjë ushtrim të vogël, por jo më shumë se kaq. Unë mendoj se gjithsecili vishet për vete dhe sipas kohës, në dimër p.sh vishem shumë trashë. Por unë në momentin që futem në klasë ndihem tjetër njeri.Të qenurit pranë studentëve të jep një ndjesi, e cila të përpin sapo merr shkumësin në dorë dhe nis të shkruash në dërrasë të zezë, pasi mua shkrimi më tërheq më shumë se fjala. Dhe ndihem shumë mirë kur studentët janë të përqëndruar dhe mbi të gjitha kuptojnë atë çka ne studiojmë. Kur lodhen ata, unë ju jap pushim pasi dua që ata të marrin atë më të mirën e
mundshme.

Dukeni shumë e re profesore, mos vallë fshihet ndonjë sekret pas kësaj?
 
(Haha) Aspak, madje të them të drejtën më bezdis shumë herë ky fakt pasi unë jam datëlindja 1962, dukem e re, por nuk jam e tillë (hahaha). Madje shumë herë më thuhet “goce” dhe menjëherë shpërthej brenda vetes, them po tani shpejt kur të më thonë none si do i bëhet? Unë jam e tillë nga vetë natyra.
 
Përveç profesionit tuaj ju keni punuar dhe në shumë digastere shumë të rëndësishme, ç’mund të na thoni për këto eksperienca?
 
Po kam qenë zv/ministre e Arsimit për tre vjet, kam qenë Sekretare e Përgjithshme në Presidencën e Republikës së Shqipërisë për dy vjet. Drejtore e Qendrës së Astrofizikës. Kam qenë për shumë vite Anëtare e Këshillit të Akreditimit të arsimit të lartë dhe në shumë konferenca të ndryshme gjithmonë lidhur me arsimin. Kanë qenë shumë eksperienca të bukura dhe mbi të gjitha shumë të vlefshme.
 
Cili është mendimi juaj për rininë e sotme, për rrugët që ka marrë ajo dhe a mendoni se çdo gjë është kaq dramatike sa e bëjnë në shumë raste?
 
Unë nuk jam aspak dakort me këtë pasi unë shoh studentët e mi, të cilët janë shumë të mirë. Nuk është rinia ajo që shfaqet në TV të ndryshme, tek rinia ne shikojmë një brez që e do jetën me gjithçka mbart brenda saj. TV për mendimin tim ngjall trishtim tek rinia, pasi ato janë një pjesë shumë e vogël dhe jashtë kornizës së lajmit apo filmit. Kemi një rini të zhvilluar. Unë mendoj se rinia është dhurata më e bukur e shoqërisë. Duhet, po që duhet të kemi më kujdes dhe përkushtim karshi tyre të gjithë së bashku ose që FSHN-ja të mos shihet si një ishull. Kemi këtu shumë student që janë shembull i mirëfilltë për t’u ndjekur nga të gjithë, por na bie që të pranojmë dhe shkallën e vështirësive këtu tek fakulteti ynë.
 
Sapo përmendët studentët e FSHN-së, a jeni ju e vetëdijshme se një pjesë e tyre nuk vijnë me shumë pasion këtu, në degën e fizikës?
 
Studentët e FSHN-së, vijnë më me pak dëshirë, pse jo të fizikës e kanë më të theksuar këtë fenomen siç e keni vënë re dhe ju. Është shumë gabim ky konceptualitet për fizikën. Do vijë momenti që do thyhet ky mendim i cekët dhe do shikohen vlerat e larta që ka ky profesion. Ky profesion të jep shumë kënaqësi dhe rinia e ka shumë gabim nëse vazhdon të mendojë kështu.

Po universitetet private sa konkurrentë janë ose sa mund të jenë në një të ardhme?
 
Unë mendoj se këto universitete janë shumë pa studim. Dua të them që janë një dyndje e kotë që nuk i dihet aspak fundi. Do thoja që duhet të shqyrtohet ky problem që ka prekur mbarë shoqërinë tonë.
 
Ç’mendim keni Ju për Kartën e Bolonjës dhe sa është aplikuar ajo tek FSHN-ja?
 
Është bërë në mënyrë të rrëmujhme, e pasigurtë dhe mbi të gjitha e paqartë, do të ketë pasoja nëse do ecet kështu. Këtu tek ne është menduar që në 2000-2001 që të aplikohej dhe kemi enë shumë herë më të përgatitur për të. Unë mendoj se duhet të vihen kuadër ne dispozicion të suksesit të saj. Duhet të shqyrtohet me vëmëndje të plotë.

Mendoni se profesorët janë më pak të përkushtuar tani se dikur, pasi u pranuan të gjithë studentët në mastër?
 
Po, është e vërtetë pasi kjo anarshi universitare po sjell tek ne shumë nivel të dobët të studentëve. Por ka rënë shumë mësimdhënia në krahasim më vitet e përparme. Dua të them që dhe studentët dikur futeshin në master me mesatare të lartë ndërsa këtë vit u pranuan të gjithë si aplikantët e parë që ishin.

Ju jeni dekane e fizikës, çfarë u premtoni studentëve tuaj?
 
Unë mendoj se kemi shumë sfida përpara, por dua të ju them se do kemi reforma në të mirë të tyre dhe të nivelit intelektual. Unë kur kam qenë zv/ministre e Arsimit, ishim ne që futëm për herë të parë zgjedhjet në universitete. Do bëjmë diversifikimin dhe hapjen e drejtimeve të reja.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora