E shtune, 27.04.2024, 01:06 PM (GMT+1)

Mendime

Ekstremistët po përçajnë myslimanët - Muça: Këta janë të ashpër, që të fusin shpatën

E merkure, 18.03.2009, 10:52 PM


Ekstremistët po përçajnë myslimanët

Shpërthen Selim Muça: Këta janë të ashpër, që të fusin shpatën

Nga Lorina Mixha

Ashpërsohet gjuha e komunikimit mes përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Pas reagimit të imamëve të xhamive të Tiranës dhe pas dorëzimit të padisë në gjykatë për anulimin e mbledhjes së datës 21 mars për zgjedhjen e kryetarit të ri të komunitetit, ka thënë fjalën e tij edhe kryetari aktual i komunitetit, Selim Muça. Kryetari i Komunitetit Mysliman shqiptar, për herë të parë ka pranuar se në vend ka grupe të ardhura nga jashtë, që kërkojnë të përçajnë myslimanët shqiptarë. "Ka kundërshtarë, që po gënjejnë, manipulojnë dhe përçajnë.

Disa njerëz nga Kosova dhe Maqedonia po acarojnë situatën dhe po sulmojnë Komunitetin Mysliman", u shpreh Muça. Argumentet e dhëna nga ai u referohen akuzave se në Komunitetin Mysliman kanë ardhur grupe ekstremistësh, të cilët me moton "Të shtrojmë Shqipërinë" kërkojnë të dëmtojnë Komunitetin Mysliman duke mbajtur për fasadë, problemin e lindur mes përfaqësuesve të komunitetit dhe kreut aktual Muça.. Por, në fakt, sipas tij, këto grupe janë agresivë, janë të manipuluar dhe tepër të përpunuar.

"Janë radikalët dhe të butët, radikalët dhe tradicionalët. Ne mundohemi t‘i pajtojmë ata, në një drejtim dhe t‘i pajtojmë kryesisht me statutin. Ata që e kundërshtojnë, janë gënjyer, janë përpunuar dhe manipuluar padrejtësisht. Tani së fundi kanë ardhur një palë njerëz nga Kosova dhe Maqedonia, që kanë thënë se do të shtrojnë Shqipërinë. Kush do ta shtrojë Shqipërinë? Këta që na kanë ardhur! Këta janë më të ashpër, që të fusin shpatën. Ky është sulm që bëhet ndaj meje në dukje, por në fakt bëhet ndaj Komunitetit Mysliman", deklaroi dje Selim Muça.

Pas padisë në gjykatë ndaj tij, kryetari Muça është përgjigjur edhe për akuzat në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve të 21 marsit, nga ku do të dalin dhe organet e reja drejtuese të këtij institucioni. "Lajmërimin ne ua bëjmë myftinive në të gjithë Republikën. Çdo gjë bëhet në përputhje me statusin. Unë kam të drejtën ligjore të shpall kandidaturën time dhe dyert janë të hapura edhe për kandidatët e tjerë", u shpreh Muça.

Sipas Muçës, një ndër punët më të rëndësishme gjatë drejtimit të tij janë pronat e komunitetit, të cilat tashmë janë në proces.

Zgjedhjet për kreun e ri të Komunitetit Mysliman që do të zhvillohen më 21 mars, kanë sjellë shenja të dukshme përçarjeje brenda bashkësisë islame.

Disa anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman dorëzuan në gjykatë padinë civile kundër KMSH, duke u kërkuar të shpallin të pavlefshme mbledhjen e myftinive në Kavajë, nga e cila do të dalë edhe kryetari i ardhshëm. "Ne i jemi drejtuar gjykatës për zgjidhjen e këtij konflikti. Ne kërkojmë prej gjykatës që të pezullojë procedurat dhe të vendosë anulimin e zgjedhjes së kryetarit të komunitetit", u shpreh avokati Isuf Shehu. Avokati konsideron edhe shkelje të tjera, siç është mungesa e kandidatëve, përveç kryetarit aktual, Selim Muça. "Kjo është thjesht një lojë procedurale që synohet të mos njoftohen kandidatët e tjerë. Nuk mund të bihet dakord me lojërat brenda komunitetit", u shpreh Shehu.

Reagimi

"Muça të japë fakte për ekstremistët"

Një prej anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman i është përgjigjur Selim Muçës fill pas deklaratës së tij publike për "ekstremistët". Ilir Hoxholli ka shpërndarë dje një deklaratë për mediat, ku thotë: "Ndjejmë keqardhje për deklaratat e kreut të Komunitetit Mysliman në media, i cili e lidh kërkesën për zgjedhje në mënyrë demokratike, me ‘prapaskena të ekstremistëve‘". Sipas tij, është koha që Selim Muça të reagojë dhe t‘i hapë rrugë zgjedhjeve të ndershme, në këtë institucion me përgjegjësi shpirtërore. Sipas Hoxhollit, nëse Selim Muça ka fakte për ndërhyrje të grupeve ekstremiste, t‘i bëjë publike dyshimet e tij. "Përndryshe, të heshtë e t‘i hapë rrugën ndryshimit, sepse një komunitet me imazhin e duhur nuk u shërben vetëm myslimanëve, por mbarë shqiptarëve", thotë Hoxholli.

Organi më i lartë vendimmarrës i komunitetit i konsideron të pabaza akuzat për shkelje statuti

Myslimanët mbledhin Këshillin e Përgjithshëm: Zgjedhjet nuk shtyhen

Zgjedhjet për kreun e ri të Komunitetit Mysliman Shqiptar do të zhvillohen më 21 mars, siç ishte parashikuar. Të gjendur përballë akuzave për shkelje të statutit, krerët e komunitetit, që presupozohet se përfaqëson rreth 70 për qind të popullsisë shqiptare, zhvilluan një mbledhje për të diskutuar rreth akuzave që u bëhen.

Me anë të një komunikate për mediat, Komuniteti Mysliman Shqiptar njoftoi dje se u mbajt mbledhja e përbashkët e kryesive të Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Në këtë mbledhje u diskutua rreth procedurës në lidhje me zgjedhjet për kryetar të KMSH-së në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ditën e shtunë, më datë 21 mars 2009, si dhe pika të tjera të rendit të ditës.

Të dyja kryesitë, unanimisht arritën në përfundimin se procedurat për propozimin e kryetarit të KMSH-së janë kryer dhe zbatuar në bazë të statutit të KMSH-së.

Kështu që Këshillit të Përgjithshëm, deri ditën e mbledhjes do t‘i paraqiten nga kryesia e KMSH-së jo më pak se dy kandidatura për kryetar. Përveç propozimeve të kryesisë është lënë e hapur dhe priten propozimet për kandidatura të tjera në bazë të pikës 1 të nenit 27 të statutit nga një grup prej jo më pak se 20 anëtarësh të Këshillit të Përgjithshëm.

Këshilli i Përgjithshëm sqaron ata që kanë ankesa për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, se në bazë të statutit të KMSH-së nuk përcaktohen afate paraprake për paraqitjen e kandidaturave për kryetar të KMSH-së. Madje në bazë të statutit, 20 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm kanë të drejtë të paraqesin kandidaturë edhe ditën e mbledhjes së KP.

"Lidhur me pretendimet e ngritura në media për shkeljen e afateve për njoftim dhe paraqitjen e materialeve 15 ditë para mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, parashikuar në paragrafin e tretë të nenit 22 të statutit, sqarojmë se ky afat është përcaktuar për paraqitjen e raporteve të Kryesisë së KMSH-së, në mbledhjen e radhës të KP, me qëllim që anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të njihen më parë me materialet. Por se në rastin konkret, kjo dispozitë nuk ka lidhje me paraqitjen e kandidaturave për kryetar të KMSH-së në KP, pasi të drejtën për propozim të kandidatit e kanë edhe 20 anëtarët e KP, të cilët mund të kenë propozimet e tyre edhe në ditën e mbledhjes", thuhet në deklaratën për shtyp.

Përfundimisht, kryesitë arritën në konkluzionin se nuk është bërë asnjë shkelje procedurale dhe statutore për mbledhjen e KP me objekt zgjedhjen e kryetarit të KMSH-së..

Krerët e komunitetit sqarojnë gjithashtu se njoftimi për mbledhje 10 ditë para e jo 15 ditë para datës së mbledhjes, ka qenë për shkaqe objektive, për arsye se, të tre titullarët më të lartë të KMSH-së (kryetar, nënkryetar dhe sekretar i përgjithshëm), kanë qenë me shërbim jashtë shtetit dhe menjëherë me t‘u kthyer, kanë shpallur datën e zgjedhjeve.

Kërkohet bashkëbisedim mes palëve, në vend të përplasjeve në media dhe në gjykata

Myftinia e Pukës mbështet krerë të KMSH-së

Pas deklaratës së dy ditëve më parë të Myftinisë së Rrethit të Elbasanit, që mbështeste zërat kundër praktikave të krerëve aktualë të myslimanëve, dje ka qenë Myftinia e Rrethit të Pukës që ka vënë balancat në deklaratat publike të fraksioneve kundërshtare. Me anë të një deklarate për shtyp, myftinia që përfaqësohet nga Imami Gëzim Kopani, shpreh keqardhjen e saj të thellë mbi zhvillimet e fundit "që po tentojnë të bëjnë disa individë të caktuar". Në deklaratë thuhet se "Myftinia e Rrethit Pukë është njoftuar për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të KMSH që javën e kaluar. Në këtë njoftim është pasqyruar edhe rendi i ditës. Si ka mundësi që një mysliman të thotë që nuk janë njoftuar anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm? Si ka mundësi ne si myslimanë të zgjedhim median, gjykatën për të zgjidhur një problem nëse është, por nuk bashkëbisedojmë me njëri-tjetrin si vëllezër myslimanë. Mos harrojmë këtë e thotë edhe Allahu i madhëruar në Kur‘an". Më tej, në deklaratën e Myftinisë së Pukës jepen sqarime në lidhje me statutin e KMSH-së: Nëse do bazohemi në nenin 27 të statutit të KMSH-së thuhet: "Kandidati për kryetar të KMSH propozohet nga Këshilli i Përgjithshëm dhe nga Kryesia e Komunitetit Mysliman ose nga një grup 20 anëtarësh të Këshillit të Përgjithshëm." Në deklaratë thuhet gjithashtu se "nëse një grup besimtarësh bëjnë reagime të tilla duke ‘mbrojtur‘ statusin e KMSH-së, mos të harrojnë se ata kanë shkelur Kur‘anin. Pra nuk kanë bërë ende ndonjë takim me Kryesinë e KMSH-së ose të Këshillit të Përgjithshëm. E nëse është bërë edhe nuk tregohet, atëherë po punohet pas shpine".

Më tej deklarata vijon me sulme ndaj palës kundërshtare, kur thuhet se "nëse një grupi anëtarësh nuk i është dërguar shkresa e KMSH-së, atëherë ne ju bëjmë pyetje: Ju që jeni shpëtimtarët e KMSH-së, pse nuk na keni dërguar neve, të tjerëve, atë traktin tuaj me qëllimin që edhe ne si Myftini e Pukës t‘ju ndihmonim?"

Myftinia e Rrethit Pukë, për hir të Allahut xh.sh. bën thirrje për dialog, në mënyrë që mos të zgjidhen gjërat me protesta, greva apo gjykata.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora