E marte, 21.04.2026, 10:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Victor Hugo me nipin dhe mbesën e tij, një gjigand i mendimit, i përulur para dashurisë

E marte, 21.04.2026, 07:56 PM


Victor Hugo me nipin dhe mbesën e tij, një gjigand i mendimit, i përulur para dashurisë

Nga Albert Vataj

Në këtë fotografi të rrallë, të realizuar nga Arsène Garnier në vitin 1872, në Guernsey, shfaqet një tjetër dimension i Victor Hugos, jo ai tribun i fjalës që sfidoi tiranitë dhe ngriti në piedestal dramën njerëzore, por një njeri i mbledhur në vetvete, i kthyer në strehën më të thjeshtë e më të thellë, dashurinë familjare.

Ai mban në prehër Georges dhe Jeanne, nipin dhe mbesën, si të ishin dy fragmente të një pafajësie që i kishte munguar botës së tij të trazuar. Është një çast i ngrirë mes dy kohëve, njëra, e mbushur me përballje, mërgim dhe humbje, tjetra, e qetë, e butë, që merr frymë në ritmin e zemrave të vogla që ai mbron me duart e tij të mëdha, tashmë të lodhura nga pesha e historisë.

Në Guernsey, ku ai kaloi vite mërgimi duke ndërtuar një pjesë të rëndësishme të veprës së tij, Hugo nuk është më vetëm dëshmitar i kohës, por edhe një rojtar i saj, një urë midis kujtesës dhe së ardhmes.

Kjo fotografi nuk është thjesht dokument, por një dëshmi e një rikthimi, nga zëri i fuqishëm publik, tek përkëdhelia intime e jetës private.

Veshja e Georges dhe Jeanne, fustanet e errëta me jakë të bardhë dantelle, na kujton një kod të kohës, ku fëmijëria nuk ndahej ende sipas kufijve të rreptë gjinorë. Në shekullin XIX, kjo ishte një praktikë e zakonshme, një estetikë e pafajësisë së unifikuar, ku identiteti i fëmijës qëndronte përtej dallimeve, në një hapësirë të përbashkët butësie dhe kujdesi.

Por ajo që e bën këtë imazh të paharrueshëm nuk është vetëm konteksti historik apo detaji i veshjes, është heshtja që e mbështjell. Një heshtje që nuk është bosh, por e ngarkuar me kujtesë, me dhembje të përtypur dhe me një qetësi të fituar me vështirësi.

Në fytyrën e Hugos lexohet një melankoli e përmbajtur, si një njeri që ka parë shumë dhe që tashmë zgjedh të ndjejë pak, por thellë.

Jeanne, e mbështetur me kokë në supin e gjyshit, duket sikur ka gjetur një botë të tërë sigurie në atë prehje. Georges, më përballë, me një qëndrim më të përmbajtur, mbart në shikim një seriozitet të hershëm, si një fëmijë që pa e ditur ende, bart hijen e madhështisë që e rrethon.

Ky portret është një poezi pa fjalë. Është një kapitull i heshtur në jetën e autorit i "Të mjerët", "Katedralja e Parisit" dhe "Njeriu që qesh", vepra ku ai ndërtoi universet më të fuqishme të dhimbjes dhe shpresës njerëzore. Këtu, ai nuk ndërton më me fjalë, por me praninë e tij, nuk shpall, por mbron; nuk sfidon, por përqafon.

Në këtë imazh, madhështia nuk është në retorikë, por në përulje.

Një titan i mendimit që dorëzon armët përpara dashurisë së thjeshtë.

Një njeri që, pasi ka përshkuar errësirën e historisë, gjen dritën në një gjest të vogël, por të përjetshëm.

Sepse ndoshta, në fund, edhe për një mendje si ajo e Victor Hugo, bota nuk ishte gjë tjetër veçse ky çast, dy fëmijë në prehër, dhe një zemër që më në fund gjen paqe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx