Kulturë
Ndue Përlala: Gjon Marku – 'Kohë të trazuara'
E diele, 19.04.2026, 03:50 PM
Rreth librit: "Kohë të trazuara"
Të
autorit: Gjon Marku
Nga
Ndue Përlala
E ndjej barrën e marrë përsipër edhe si lexues, por pak më shumë
si krijues modest, për të thënë fjalën e shpirtit për një vepër me potencë dhe
disi ndryshe të autorit Gjon Marku.
Që në faqen e parë të
librit përballesh me një penë sa dinjitoze aq edhe mjeshtërore, por ajo e
veçanta është se autori ka vendosur që ngjarjet dhe mendimet e tyre për kohën
t'i nxjerrë të çveshura, larg lëpirjeve të politikave të kohës, ku pikërisht
janë këto fenomene që në të shumtën e shkrimeve të tij në formën e eseve bëhen
objekte të shtjellimeve me atë penën e hollë të tij dhe me ato fjalët e
spikatura, e pak të shfrytëzuara nga autorët e tjerë.
Aq të gjetura janë
shprehjet dhe fjalët, sa që unë që merrem me shkrime vargjesh, më ngjan sikur
libri është një poemë në vetvete, e ndërtuar me vargje të bardha, dhe kjo
përshtypje të krijohet nga forca që autori i ka dhënë fjalës.
Kur shteti zhvoshket dhe
bie, autori Gjon Marku bën një analizë artistike, ku mjafton të perifrazoj
vetëm këto dy rreshta të tij: "Shqiptarët si zogj pa qiell, me
ndërgjegjen në mungesë, shkruajnë legjenda të reja në kohë të tranzicionit."
Sa e sa djem e vajza
shqiptarë mbetën rrugëve të kurbetit, humbën rininë e tyre rrugëve të botës,
sepse në vendin tonë, siç përshkruan autori dhe duke marrë shembull vitin e
mbrapsht atë të 1997-ës, Shqipëria tregonte se kushtet e natyrshme janë ende në
pritje të mbërritjes së lirisë së kërkuar... gjë e cila zhgënjeu tërësisht
masat e gjëra popullore dhe së pari forcat demokrate të vërteta, dhe vrau
dhunshëm ëndrrat e rinisë shqiptare. Gjuha me të cilën i paraqet autori është
sa kompetente aq edhe analitike, por ajo që i jep vlerë është gjuha e sinqertë,
e larg sloganeve partiake.
Tek "Kohë
të trazuara" gjejmë të shpalosur skenat e emigrimit në të
gjitha format dhe nga të gjithë moshat e profesionet, kohë që u shoqërua edhe
me shkatërrimin e Shqipërisë dhe djegien e saj, por simbolika është shkatërrimi
kulturor dhe institucional i dijes nëpërmjet flakëve të zjarrit, siç ishte ajo
e Institutit Bujqësor, që autori e përjeton dhimbshëm, por edhe e shkruan me
një trishtim shpirti, pasi e ka përjetuar rëndë si intelektual së pari dhe
shumëfish si artist e studiues i mirëfilltë, duke bërë për analogji edhe
krahasimin me atë të Aleksandrisë. Në vazhdim përshkruhen plot raste të tjera
me shkatërrimet, sidomos në fushën e letrave shqiptare. E këtë autori e lidh
fort me faktin kobëz, se kjo është një shenjë e keqe, pasi kjo ndjell
likuidimin e një populli duke i fshirë kujtesën e tij.
Qytetarë me drejtësi të
munguar, në një vend tërësisht të korruptuar, është një nga temat që autori e
ka shtjelluar në respekt të masave të gjera, që edhe atë pak demokraci që patën
në sistemin e kaluar në pushtetet e 30 viteve, për të cilin analizon autori,
shikohet një shpërdorim deri në përdhosje të shenjtërisë së demokracisë, ku së
pari është pushteti i prokurorëve dhe i gjykatësve, të cilët me korrupsionin se
ishin të veshur me krimin, arrinin të merrnin vendime kriminale si një thikë me
dy presa, ku në njërin krah këtë sistem e paraqet: "ja ky është sistemi demokratik",
dhe në anën tjetër vret dhe shkatërron çdo vlerë nga e kaluara.
Militantët e paaftë që
shtrocëzohen para eprorëve tulakë, autori i trajton si një fatkeqësi të
skajshme, pasi janë pikërisht këta vasalë dhe shërbëtorë që ushqyen e mbrojtën
hajdutë e sharlatanë që shitën dhe falën vlerat kombëtare thjeshtë për interesa
të ngushta vetjake. Autori do t'i quante basdarte veprimet e shkatërrimit të
bibliotekave apo të muzeve e galerive të arteve dhe kthimin e tyre në qebaptore
apo gjellëtore.
Pandëshkueshmëria është
pikërisht ky bunker i hekurt që shërben strukturave shtetërore që të bëheshin
të paprekur nga veprimi i ligjeve dhe i drejtësisë në përgjithësi, edhe pse u
minua ëndërra demokratike për më shumë se 30 vjet në Shqipëri.
Arbitri moral dhe shteti i
korruptuar, autori përshkruan dhe analizon gjuhën e pa kuptueshme dhe të
vështirë, befasuese, që haset duke u larguar nga realiteti, duke çuar në
konflikte e mosbindje qytetare.
Injoranca e padija e
pushtetarëve analizohet me finesë dhe logjikë intelektuale, që, siç thotë edhe
autori, bën të lulëzojë korrupsioni e mashtrimi në institucionet shtetërore.
Kështu, nëse analizojmë shkeljen e ligjit, do ta gjejmë tek shtetarët që
punojnë nën ndikimin e autoritetit. Lufta për pushtet politik është në
proporcion të drejtë edhe me rritjen e varfërisë kombëtare.
Pavetedija kolektive dhe
harresa e vetëdijshme janë një nga temat e shtjelluara me kujdes dhe argumenta
të besueshme, ku autori del në konkluzionin se kur zotëron ide që kërkon të
kthejë shumicën në një kope skllevërish dhe jo në një bashkim njerëzish të
lirë, siç edhe u është propaganduar para marrjes së pushtetit, në këtë mënyrë
del çartazi pavetëdija kolektive.
Pavëtdija kolektive është
edhe kur shkatërrojmë gjurmët e sistemit të kaluar dhe fshijmë nga kujtesa çdo
gjurmë të së kaluares, të afërt apo të largët, e të gjitha këto bëhen në emër
të demokracisë.
Shpërdorimi i fjalës, një
tjetër fenomen që autori e shpreh në mënyrën e pastër dhe të kthjellët, me
shembuj dhe analiza, nxjerr në pah këtë fenomen si plagë e hapur në sistemin
30-vjeçar që nuk po njeh shërim. Fjala ka aq forcë e madhështi, sa ndalon
plumbin, shprehet autori, duke e ilustruar me plot shembuj konkret, me veprën e
Agollit, fjala gdhend gurin e shumë të tjerëve, dhe ato janë ngulur thellë deri
në mite e legjenda, që autori na i kujton bukur, duke iu referuar kujtesës
historike.
Në kuvendim e munguar, në kuvendin
e burrave, autori iu referohet kuvendeve me vlera që krahina e Mirditës ka
vetqeverisur me sukses, por në kohërat për të cilat shkruan autori nuk
funksionon as ligji, as kanuni, të cilët bënë që Shqipëria të gjendet "në
mes gë karër rrugëve".
Janë pikërisht këto dukuri
të mbrapështa që bëjnë që në pranverë, në anët tona, të vijnë vetëm shirat e
zogjve, ndërsa djemtë të ikin.
Dhe pikërisht këto ikje
autori i analizon sa dhimbshëm, aq edhe në nivelet artistike, aspak nga dëshira
e njerëzve, por nga vështirësitë e korrupsionit, dhe ky fenomen shihet e
trajtohet në të gjitha moshat. Autori iu bie fort këmbanave të alarmit për këtë
rrezik makabër që i kanoset kombit, aspak që ai të kryejë "detyrën"
që nesër pasnesër të thotë: "Ja, u thashë unë, por nuk më
dëgjuat", por të ndalë sado pak këtë shkulje pa kthim, që janë
me pasoja që, fatkeqësisht, pushtetarët truartharë të sotëm nuk mund t'i
perceptojnë në horizontin e tyre injorant, dhe pak më shumë në qëllimet e tyre
kriminale.
Nderi i munguar i qytetarit
të nderit, autori, me një sarkazëm të mprehtë, vë në lojë injorancën e
pushtetarëve që pranojnë të bëjnë çdo lloj lëvdate e servilizmi kundrejt
eprorëve të tyre, sa edhe në mënyrat e deklaruara publike, duke krijuar imazhin
e neveritshëm që tashmë edhe nderi shitet e blihet, siç personifikon figurën e
tat Lleshit, por na jep edhe figura presidentësh me emra realë, pa iu trembur
aspak qerpiku autorit.
Eh, ëndrrat... vallë kush i
vrau ato? Autori i drejtohet vendlindjes së tij: "Oh Mirditë", sepse
Mirdita, vendlindja e autorit, është më tepër se një vlerë apo histori reale;
Mirdita është një mburrje, një krenari, një pasuri e veçantë e pasurisë
kombëtare, nga ku i është dhënë famë jo vetëm trojeve shqiptare, por gjithë
Europës. Sepse Mirdita ishte ajo që nuk heshti e nuk iu nënshtrua hordhive
pushtuese ndër shekuj, por sot gjërat po vijnë ndryshe, sepse janë pikërisht
bijtë e saj që po i përdhosin ëndrrat dhe lavdinë e kësaj krahine, duke
shëmbyer e braktisur kullat tona të moçme, pikërisht nga ato që lartëpërmend
autori.
Autori shkruan me një penë
të hollë, si ai e kush tjetër, për bukurinë, traditat e larta e natyrën e
Mirditës, por ato ngelen të shumëzuara me zero kur kullat shemben e braktisen
nga bijtë e tyre, ndërsa, si korbat, pushtetarët flasin për trashëgiminë
kulturore -ironi e kohës, mjerim.
Autori nuk heq dorë për të
nxjerrë në pah të vërtetat, duke hedhur pyetjen retorike: kush e vrau ëndrrën?
Pyet dhe mendohet, por edhe e shtjellon me prishjet dhe zhdukjen e industrisë
së bakrit në këtë zonë, pikërisht në Rubik, ku punoi e ushqeu vendin deri edhe
me nxjerrjen e arit e të floririt shqiptarë, pavarësisht pasojave shëndetësore
të punonjësve dhe banorëve për rreth. Për atë se kush i vrau ëndrrat, autori
aludon se vetëm Zoti mund të kthejë përgjigje.
Autori, i revoltuar në
shpirt për mbylljen e shkollave në vendlindjen e tij, në Mirditë, arrin deri
aty sa t'u bëjë thirrje të vdekurve si pishtarë të dritës, Mësuesit Hero Ndrec
Ndue Gjoka, se të gjallët po i mbyllin shkollat, duke aluduar aq thellë sa çfarë
tjetër të keqe do pritej nga pushtetarët tanë, të cilët u sollën natëzezën dhe
ëndrrat e të rinjve ngelen të papërfunduara.
Me një njohje të thellë,
gjejmë rreshta të shkruar bukur dhe me koloritet nga autori për stemën e
bashkisë së Mirditës, për të cilën ndjehet krenar, si njëra nga më të
realizuarat në vendin tonë, e cila vlen si shembull për të bukurën dhe të
pranueshmen, për dakortësinë pas disa bisedimeve me nivel, duke u konsultuar
për më të mirën - gjë që nuk është bërë për problemet e tjera.
Rezultati pritet kur
arrihet të ushqehen nga nxjerrja e gabimeve nga rinia, dhe pikërisht për këtë,
autori sugjeron se nuk mund të dish për ngritjen, kurrë nuk di të rrexohesh,
dhe këtë autori e ilustron aq me nivel, duke pasqyruar momente pikante për
ndarjen nga jeta të të të atit, duke nxjerrë në pah me këtë mënyrë edhe shumë
tradita, që për brezat e ardhshëm do jenë objekte studimi, por që autori, që
është njëkohësisht edhe studiues, ua lë në tavolinë të gatshme, thjesht vetëm
për t'i asimiluar.
Temën e lirisë autori i
këtij libri e shtjellon në pjesën tjetër të kombit, në Kosovën martire, ku nuk
është gjë tjetër veçse një pjesë e kombit shqiptar, e shqyer krejtësisht
padrejtësisht nga kombi i saj, për të cilën shovinizmi serb ka vënë në punë
gjithë makinën shoviniste dhe ka shtypur me gjak dhe hekur lirinë e këtij
populli, që fati e hodhi të vuajë e të luftojë me këtë bishë gjakatare.
Qëndrimi i tij në Kosovë,
në kohën kur ajo lëngonte, i bën më të besueshme e të lexueshme rreshtat e
këtij libri, për t'i thithur si oksigjen jetësor të asaj periudhe të lavdishme.
Masakrat e kryera në Kosovë janë të pafund dhe të paimagjinueshme, por autori i
përshkruan me aq besueshmëri sa arrin të përshkruajë në detaje dhe të pasura me
plot figura artistike edhe rastet historike të jetuara. Kosovarët njihen për
atdhedashuri të pakufishme dhe të gatshëm edhe tani, në rast nevoje, të
rrëmbejnë armët si me lehtësi, pasi lirinë e kanë gjënë më të shtrenjtë.
Autori, si një studiues
dinjitoz, merr në analizë periudha të zhvillimit të gjuhës shqipe në të gjitha
dimensionet, duke i dhënë asaj vendin që e meriton.
Autori Gjon Marku nuk e
anashkalon historinë, pasi ai ka jo thjesht njohuri, por ndjehet kompetent, dhe
pikërisht kjo e bën librin e tij më të kompletuar dhe të dinjitoz, duke analizuar
nëpërmjet një gjuhe letrare të pasur atë që mjafton të shpërfillet gjaku për të
mos qenë më arbër, duke ardhur deri në ngjarjen historike të vizitës së Papes
Gjon Palit të Dytë.
Autori ka aftësinë e plotë
që të përshkruajë e të analizojë jo vetëm periudhat historike, por edhe eventet
dhe rolin e Kishës së Shënjtë që i është gjetur Mirditës dhe kombit në momente
kyçe për të mbijetuar, por edhe për kulturën e shkollën shqipe.
Është Kisha e Geziqit ajo
ndër më të hershmet e zonës së Mirditës, ku gjendet fjala e parë shqipe, KOMB,
ngjarje e cila theksohet me forcë nga autori, duke i dhënë peshë historike dhe
gjuhësore njëkohësisht - gjë që flet për faktin se kleri katolik ishte pjesë e
lëvizjeve të mëdha, pjesë e luftës së ashpër jo vetëm për identitetin kombëtar,
por edhe për shpëtimin e kulturës perëndimore.
Libri është i shkruar me
një fjalor të zgjedhur dhe figura të pasura letrare të përdorura mjeshtërisht,
gjë që rrit nivelin e shkrimit të librit, duke e kaluar në nivele të larta të
kohës, me një origjinalitet për t'u admiruar.
Në përfundim, dua të shtoj
se libri është i një formati të këndshëm estetik, duke bërë që të jetë i
adhurueshëm edhe në mbrendësi, por edhe në paraqitje. I uroj autorit Gjon Marku
shumë urime për penën e tij dinjitoze!









