Kulturë
Albert Habazaj: Ylli Meçaj i Vlorës – artist kombëtar shumëplanësh
E shtune, 18.04.2026, 06:57 PM

YLLI MEÇAJ I VLORËS - ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
Nga Albert HABAZAJ
Ylli Riza Meçaj me
jetën dhe veprën e tij të veçantë në disa fusha të artit dhe kulturës ka qenë
me kohë “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë” dhe një nga krenaritë e kulturës
kombëtare, jo vetëm, nga motivacioni argumentues: “Artist unikal shumë planësh,
me një përvojë të pasur skenike mbi 65 - vjeçare i cili ka dhënë një kontribut
të shquar në disa fusha të artit, si në teatrin profesionist të Vlorës, në
estradën e qytetit, si dhe në kryeqytet. Meçaj është ndër pionierët e parë të
cirkut në Vlorë dhe ndër më të mirët në rang republike deri në hapësirat
ndërkombëtare, madje pasionin për cirkun e mbolli edhe në zemrat e fëmijëve të
tij. Ai ka dhënë ndihmesë të dukshme në zhonglim, akrobaci dhe ekuilibër. Si
iluzionist Ylli është i veçantë dhe ka realizuar para publikut vlonjat edhe më
gjerë numra ku shpërfaq jo vetëm mesazhe argëtimi e kënaqësie, por sidomos për
të rritur ndjenjën e guximit, sfidave dhe atdhetarisë. Profili artistik i tij
merr përmasa kombëtare në rolin shumë të vështirë të sozive, si të Gjergj
Kastriot - Skënderbeut, Ali Pashë Tepelenës dhe sidomos të Ismail Qemalit, të
cilat i realizon me një nivel të lartë arstistik, me një ndjenjë të zjarrtë
atdhedashurie dhe shpirtplotë. Ai ka arritur të realizojë edhe figura botërore
si Tolstoi, si dhe filmin “Nëntori i Tretë”, etj.
Ky Ylli më bën përshtypje…
Ylli Meçaj ka lindur
më 05.05.1950 në Kepenek të Tropojës në një familje atdhetare, kulturore dhe
artistike me origjinë nga Dushkaraku i Vlorës.
Më bën përshtypje, se
ndryshe nga mjaft të tjerë, edhe pse ka një jetëshkrim dhe prejardhje shumë të
pasur e të pastër, Yllit, si me darë, mezi ia nxjerr të dhënat e domosdoshme,
jo thjesht për njohje të udhëtimit jetësor dhe personalitetit të tij.
Yllit udhën ia ndriçojnë yjet
Babai i tij, Rizai
(1925-1990), nip i Zoto Mahmutit me histori nga Smokthina, ka qenë partizan i
Brigadës V S dhe mbas çlirimit ka shërbyer si oficer kufiri me gradën kapiten i
parë në mbarë kufirin shqiptar nga Tropoja, në Kukës, Dibër, Korçë e gjer në
Vlorë.
Rizai ka ardhur në
Vlorë në vitin 1941, ka punuar si yzmeqar në furrën e bukës me Stavro
Milen. Qysh atëherë u lidh ngushtë me
Lëvizjen, ishte idealist dhe njeri me parime të larta.
Nëna e Yllit quhej
Nafie Agolli nga Progri dhe rridhte nga një familje e dëgjuar në qarkun e
Korçës, të njohur si bektashinj bujarë dhe trima. Xhaxhai i saj, Shefqet Agolli
ka qenë luftëtar me armë në dorë në çetat patriotike
të Themistokli Germenjit dhe Spiro Bellkamenit për të mbrojtur kufijtë e
Shqipërisë nga shovinistët grekë. Gjyshi i Yllit, babai i Nafies ka
pasur mullirin më të madh të zonës, ku bluanin Progri, Hoçishti e Bulgareci.
Studenti i Teknikes së Korçës, Demir Shefqet Progri ka qenë intendent, anëtar
shtabi e komisar i çetës partizane “Morava”, të Devollit ku vetë Fuat Babani
“Hero i Popullit” ishte komandant i kësaj çete dhe më 7 mars 1943 ranë për lirinë e
Atdheut kundër fashistëve italianë.
Dëshmorin Demir Progri nëna e Yllit e kishte kushëri të parë.
Babai i Yllit, Rizai,
kur shërbente në Korçë u njoh dhe u martua me Nafien më 1948. Ai ishte tashmë
oficer karriere, komandant kufiri në Bilisht. Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të
Bilishtit ishte Sadik Agolli, bashkëpunëtor e shok i Rizait, që u bë dhe kunati
tij, sepse Sadiku na qenkej vëllai i Nafies së bukur, vajzë me çika e kapedane,
vijuese e gjurmëve të të parëve të saj. Sidomos në provokacionet greke të
gushtit, 1949 Sadiku me Rizain e forcuan më shumë miqësinë, sepse spikati dhe
shpirti i zjarrtë atdhetar dhe devotshmëria heroike në mbrojtjen e kufirit të
shenjtë të Shqipërisë mëmë.
Në Vlorë erdhi si
komisar i burgut. Ishte korrekt në detyrë, shumë i përgjegjshëm, i devotshëm,
por kuadër me logjikë e njihej si liberal demokrat i civilizuar. Në vitin 1958
e përjashtojnë nga partia me preteksin e zbutjes së “luftës së klasave”. Edhe
pse nuk u kthye më në parti, ai deri sa rrojti qe një burrë autoritar dhe
atdhetar.
Rizai ishte shahist i
fortë dhe me orë të tëra ai lozte me Yllin. Artisti i ri e kishte jo vetëm baba,
por e kishte dhe shok të mirë dhe këshilltarin më të besueshëm. Burrë gjykimi e
thërrisnin në krahinë e në qytet. Ishte tifoz i çmendur i “Dinamos” dhe shkonte
në stadium së bashku me të shoqen.
Pas heqjes së gradave
në ushtri (1966), ai punoi si kryetar i shitblerjeve në ndërmarrjet e
“Bashkimit”, (siç quheshin atëherë) dhe vetë i ngriti të gjitha qendrat e
shitblerjes në qytet, në qendrat e populluara, në fshatra.
Babai i Yllit ishte
kampion në leximet e librave. Në statistikën e bibliotekës së qytetit emri i
tij ishte në krye të lexuesve të dalluar të librit…
Tetë fëmijë bënë
Rizai me Nafien (4 vajza e 4 djem) dhe përkatësisht: Ylli, (më i madhi),
Adelina, Maksimi (vd.), Zhdanov (vd.), Veronika, Alberti, Mimoza, Luiza, [të
tetë gjyshër].
Dy fjalë për Yllin
Arsimin fillor e ka
kryer në shkollën fillore nr. 3, që ishte shkollë muzike (tek
ish-Ekstratanini). Shtatëvjeçaren e kreu në Shkollën nr. 4, që ishte shkollë
modelore (sot, shkolla “4 Heronjtë” - shembull). Ka përfunduar shkollën e mesme ekonomike.
Ylli thotë, se nuk kreu shkollë të lartë, se ka qenë në lëvizje, nuk ka qenë
stabël në Vlorë
Është martuar në
vitin 1975 në Vlorë me zonjën Resmie Myslym Malasi nga Ballshi, e cila ka kryer
shkollën e mesme mjekësore dhe është ndihmës mjeke. Kanë 3 fëmijë, 2 djem e 1
vajzë, të tre mbaruar gjimnazin “Halim Xhelo” në Vlorë, të tre sot banojnë
jashtë shtetit dhe janë të martuar dhe kanë fëmijë të tre. Tranzicioni i bëri
mërgimtarë nga dheu i babës e nënës, por kurrë nuk e harruan, se njeriu e
marrka me vete vendlindjen, e ka në lëkurë, në gjak, në frymë. Sipas moshës,
fëmijët e tyre janë: Rudina (dtl. 1976, bashkëshorti italian) dhe jetojnë në
Çezena [Cesena] Itali, Floriani (dtl. 1980, bashkëshortja hungareze) dhe
jetojnë në Budapest, Arbri (dtl. 1984, bashkëshortja malazeze nga Tivari) dhe
jetojnë në Ravena, Itali.
Floriani, djali i
madh ka bërë emër të shquar në Vjenë, duke vijuar rrugën e të atit për ta përsosur
më tej. Qysh kur ishte 30 vjeç për shfaqjet spektakolare të tij kanë shkruar
dhe revistat gjermane.
Fillimet dhe udha e Yllit tonë
Ishte vetëm 12 vjeç
kur filoi me lëvizjen artistike të qytetit në vitin 1962 si aktor teatri, më i
vogli i trupës. Ylli ishte fëmija i parë në qytetin e Vlorës që lozte me artistët
e mirënjohur Nazmi Bunjaku, Albert Verria, Liza Laska, me Kristo Shkurtin,
Vasil Beqarin, Luan Toton, Hito Xhyherin, Vangjel Panozaqin për të vënë në
skenë me teatrin profesionist dramën “Në emër të lirisë” e Ali Abdihoxhës. Ylli
ishte nxënësi, luante rolin e pionierit në atë dramë.
Në vitet 1962 -1969
ka qenë pjesëtar i jashtëm i Estradës Profesioniste të qytetit të Vlorës, ku ka
lozur si xhongler dhe njihet si ekuilibristi i parë në Estradën profesioniste.
Në vitin 1969 e thërrasin ushtar dhe atashohet pranë Estradës së Ushtarit në
Tiranë. Aktivizohet në krahë të Ko?o Devoles, Zef Dedës, Tonin Tërshanës, Sejfulla Miftarit
(Cekja i Beratit), Robert Kamanit, Nikolin Gjergjit, Rudolf Çamukut etj. Gjatë
viteve të ushtrisë (1969-’71), trajnohet edhe si pjestar i Cirkut të Shtetit,
Tiranë dhe luan me Telat Agollin, Bujar Budinakun, Ymer Pampurin, Skënder
Sallakun e Vitore Sallakun, artistët e parë të Cirkut të Tiranës.
Fill pas lirimit nga
ushtria, dhjetor 1971 - janar 1972 fillon punë si xhongler, ekulibrist,
iluzionist (3 profesione njëkohësisht, falë talentit të jashtëzakonshëm) në
estradën Profesoniste të Vlorës me Gaq Vishin, Myqerrem Ferrën, Leka Krutën,
Mishel Lakon, Evgjeni Shtrepin, Meliha Ferrën, Kleopatra Skarçon, me trion e
famshme: Meliha Doda, Reshat Osmani dhe Kostandin Thana e drejtor teatri
Xhevdet Mahilaj. Jo vetëm si komedian, por si një arstist i spikatur, i
guximshëm, edukativ dhe frymëzues, emri i Ylli Meçajt po bëhej shumë i
pëlqyeshëm dhe mjaft i dashur për qytetarët.
Vlen të përmendim se
vëllai i Yllit - Zhdanovi dhe motra - Veronika kanë lozur krahas Shpëtim
Deliajt, Zenel Ibros, Petraq Gegës, Agron Hamos, Afrim Agalliut etj., qysh në
vitin 1971, kur u shfaq premiera e parë e cirkut në skenën e qytetit me titullin
kuptimplotë “Edhe cirk do të ketë”. Ajo shfaqje u mirëprit, bëri jehonë dhe
shkroi edhe shtypi i kohës. Ishte një arritje e madhe në jetën kulturore - artistike
të qytetit. Në atë shfaqje të parë me udhëheqës artistik Ylli Meçajn dhe
regjisor Myqerem Ferrën, u angazhuan rreth 15 djem e vajza të moshave të ndryshme, të cilët shpalosën
guximin dhe talentin në atë sipërmarrje të rëndë për shpatullat e tyre të
njoma. Numrat që spikatën në program ishin “Plastikë me rryl”, “Vallja e
biçikletave”, “Ushtrime force në karrige”, “Ekuilibër në tel”, “Numra
shpejtësie”, “Pantomima” etj.
Pa vonuar, trupa
filloi të jepte shfaqje për të rritur dhe për fëmijë në të gjitha rastet dhe në
të gjitha vendet e mundshme.
Deri më 1976 - ën e
kështuuuu. Me vendimin për shkurtimin e “hallkave të tepërta”, erdhi dhe
shkurtimi i papritur e i pamenduar. E hoqën Yllin dhe këtu fillon absurdi i
shkrirjes së cirkut të mezingritur në qytetin bregdetar. Fyerje e talenteve,
shpërfillje e vlerave të veçanta e përfaqësuese. Kaq e pati dhe i pari dhe i
fundit cirk si art në Vlorë. Kujtojmë edhe nga libri i autorit Kujtim Dumi
“Cirku shqiptar: 1933-2008”, se cirku i Vlorës, si zjarr arkobatik ishte ndezur
dinjitoz krahas cirkut të Tiranës dhe atyre të rretheve, si cirkut të
Gjirokastrës, të Elbasanit, Bulqizës, Patosit, Shkodrës, Korçës dhe Peshkopisë,
aq sa i bukur e i magjishëm po aq dhe i mundimshëm e që kërkonte veç talentit,
sakrifica të paimagjinueshme e të rrezikshme për jetën e artistit.
9 bërthama akrobatike
ishin në Shqipëri: I pari në kryeqytet dhe 8 në qytetet e sipërpërmendura,
midis tyre dhe Vlora jonë. Ylli artisti u detyrua t’i rikthehej profesionit për
të cilin kishte mësuar në shkollë dhe kalon direkt në prodhim si ekonomist dhe
shef transporti deri në vitin 1996. Njëzet vjet në Ndërmarrjen Komunale e
Mirëmbajtjes së Banesave në Vlorë, ku drejtor ishte Vasillaq Stavro Ndini,
vëllai i dëshmorit të parë të qytetit të Vlorës -Teli Ndinit. Me një
bashkëpunim shembullor me drejtorin historik të kësaj ndërmarrjeje pararojë,
me fisnikun Vaso, Ylli bëri një emër të
mirë dhe u dallua në punë për ndërgjegje të lartë e shpirt novator, madje ai
nuk e harroi “zanatin e shpirtit”, përkundrazi e gjallëroi shumë jetën
kulturore të qytetit, duke u angazhuar krejt vullnetarisht si drejtue si
veprimtarive kulturore - artistike - sportive. Nuk mund të lemë pa përmendur
edhe faktin se Ylli bënte kampionate shahu, futbolli, ngriti estradën amatore,
teatrin e fitoi 3 flamuj nderi në ato ngjarje të rëndësishme sportive -
kulturore.
Në vitin 1996 erdhi
asistenca e famshme, po famëkeqe, që ia uli ekonominë familjes, por jo moralin,
forcën dhe fuqinë Yllit, sepse ai hapi të parin kënd lojërash për fëmijë në
Sheshin e Flamurit në Vlorë, i cili pati jetë aktive tepër të gjallë deri në
viti 2002.
Në viti 2002,
rikthehet në Pallatin e Kulturës (sot - Qendra Kulturore dhe e Artit) Vlorë, ku
drejton si trajner cirkun e qytetit (për herë të tretë).
Gjatë aktivitetit të
tij artistik mbi 65 vjeçar, si profesionist pranë tearit të Vlorës është
vlerësuuar 3 herë me medalje ari, dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor
me medalje pune për shërbim të mirë të popullit. Është president i Klubit
Magjik “David Copperfield”, anëtar i Klubit Magjik “Kristofer” në Athinë,
anëtar i Klubit Magjik “International” në Padova të Italisë.
Ylli Meçaj disa herë
ka qenë i ftuar nga Agron Llakaj në spektaklin e madh të “Portokallisë”. Ylli i
Vlorës ka qenë mik dhe shumë dashamirës me Sokratin shqiptar tw “Apologjisë” së
skenës botërore, të pavdekshmin Mirush Kabashi.
Nuk mund të harrohet
kontributi i Yllit si udhëheqës artistik i Tetatrit të Kukullave të Vlorës në
Festivalin Ndërkombëtar, Pogradec, 2007, ku u paraqit denjësisht me trupën dhe
erdhi në Vlorë me trofe, si fitues i Medaljes së Festivalit. Qe një përgatitje
serioze dhe e mundimshme për të dalë me sukses një teatër eksperimental i mirëfilltë,
aplikuar për herë të parë në Shqipëri, me udhëheqës artistik, interpretim,
skenografi, kompozim artistik Yllin e Vlorës. Qe spektakël unikal, jo me
kukulla tradicionale, por, duke dalë nga tradita për më bukur, më mirë e më pëlqyeshëm,
futën interpretimin e kukullave me fije, siç bëhej në teatrot europiane.
Marionetat për herë të parë i ka futur Ylli. Artisti ynë është i kompletuar dhe
njihet si ekscentrik, por në këtë rast e ndjeu se i pëlqeu vetja, po nuk iu
rrit mendja për atë që kishte realizuar me aq mjeshtëri artistike. Patjetër,
kur e pëlqejnë të tjerët është më i nderuar, shumë i nderuar.
Po ashtu, janë të
shumta veprimtaritë në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, që nga Mitrovica në
Llapush, që nga Prishtina në Drenas, që nga Boletini në Prekaz, që nga Prizreni
në Shkup, ku shqiptarët ndiheshin krenarë me Ismail Qemal Bej Vlorën e Ylli
Meçajt, se u dukej vërtet sikur takonin Babain e Kombit, Plakun e Bardhë të
Flamurit Kuqezi. Po ashtu të shumta janë turnetë e Yllit nëpër vende të
ndryshme të Evropës
Ai ka arritur shumë
lartësi, por lartësinë artistike - kombëtare e kap me realizimin e figurave të
mëdha historike të kombit shqiptar apo personaliteve të letërsisë botërore.
Historia e filmit “Nëntori i Tretë” është një sagë më vete, epope, sikurse
ngjarja. Ylli është Ismail Qemali… Unikal në rang Shqiptarie, por asnjë kafe
nderimi nuk i dhanë për mundimin, djersën, shqetësimin, realizimin e figurave
të mëdha, fuqinë e imazhin që përçon. Ai
është ballëlartë, i qetë me shfrytëzimin e energjive dhe mundësive të tij në
shërbim të kombit dhe kulturës shqiptare. Ylli Meçaj është krenar me
prejardhjen e tij atdhetare dhe misionin e tij realizuar më së miri, si shkollë
për të tjerët, sepse është zemra që rreh papushim për frymëmarrjen e
gjimnastikës artistike. Ylli Meçaj është shpirtplotë tek “kafja e Nestorit” në
Vlorë, ku gjen shoqërinë e dëlirë, që përditë rrallohet, mpaket, ikën…
Ylli Meçaj - emblemë krenarie
Duke pasur në
vëmendje gjithë këto cilësi, aftësi, virtyte të Yllit dhe ndihmesën e ndjeshme
për emrin e lartë të Vlorës në fushat ku artisti atdhetar ka shkëlqyer Ylli
Meçaj është vlerësuar nga artdashësit shqiptarë dhe populli i Vlorës me titullin “Personalitet i Shquar i Qarkut
Vlorë”. Vetë populli e bëri këtë motivacion. Ne vetëm po e shkruajmë dhe po e përcjellim
për tek lexuesi: “Artist unikal shumë planësh, me një përvojë të pasur skenike
mbi 65 - vjeçare i cili ka dhënë një kontribut të shquar në disa fusha të
artit, si në teatrin profesionist të Vlorës, në estradën e qytetit, si dhe në
kryeqytet. Meçaj është ndër pionierët e parë të cirkut në Vlorë dhe ndër më të
mirët në rang republike deri në hapësirat ndërkombëtare, madje pasionin për
cirkun e mbolli edhe në zemrat e fëmijëve të tij. Ai ka dhënë ndihmesë të
dukshme në zhonglim, akrobaci dhe ekuilibër. Si iluzionist, Ylli është i
veçantë dhe ka realizuar para publikut vlonjat edhe më gjerë numra ku shpërfaq jo
vetëm mesazhe argëtimi e kënaqësie, por sidomos për të rritur ndjenjën e
guximit, sfidave dhe atdhetarisë. Profili artistik i tij merr përmasa kombëtare
në rolin shumë të vështirë të sozive, si të Gjergj Kastriot - Skënderbeut, Ali
Pashë Tepelenës dhe sidomos të Ismail Qemalit, të cilat i realizon me një nivel
të lartë artistik, me një ndjenjë të zjarrtë atdhedashurie dhe shpirtplotë. Ai
ka arritur të realizojë edhe figura botërore si Tolstoi, Heminguej e Viktor
Hygo si dhe filmin “Nëntori i Tretë”.
Dhe përsëri ai nuk
ulet, do ta vijojë udhëtimin artistik në këmbë, si burrë me dinjitet, si i ati
dhe traditën familjare të artit e përcjell si stafetë e dritës së bardhë
nëpërmjet Florianit si ekulibrist dhe zhongler i shkëlqyer, nëpërmjet Arbërit
si prestidigjiator e zbutës profesionist nëpër skenat, cirqet e spektaklet
italiane, austriake e mbarë globit, ku vlerësohet dhe nderohet arti i vërtetë,
të cilin njerëzit e pëlqejnë aq shumë. Ëndrra e Yllit është të realizojë dhe
Pashko Vasën. Dhe do ta arrijë synimin se është guximtar dhe i zoti.













