Kulturë
Jahja Drançolli: Përvjetorë të rëndësishëm nga historia jonë!
E hene, 13.04.2026, 06:29 PM
Përvjetorë
të rëndësishëm nga historia jonë!
Ky vit shënon 10 vjetorin e botimit të veprës
dhe 300 vjetorin e migrimit të Arbëreshve në Zarë , “Albanci o Zadarskim
Arbanasima-Shqiptarë për Arbëneshët e Zarës”, Ulqin 2016!
Nga
Jahja Drançolli
Përveç
botimit të një serie të madhe veprash shumë të njohura nga autori, Akademiku
Prof. Aleksandër Stipçeviq, angazhimet e tij më shkencore-bashkëpunuese kanë
bërë që ky studiues i shquar (pas vdekjes së tij në vitin 2015) të ketë lënë
edhe materiale të pabotuara mbi migrimin e Abëneshëve në Zarë, historinë e tyre
në territorin e sotëm të Komunës së Ulqinit dhe atë të Tivarit gjatë Mesjetës
dhe periudhës së hershme osmane, si dhe disa të tjera. Nga kjo seri veprash të
pabotuara nga studiuesi Stipçeviq, së fundmi është botuar një vepër me titull:
“Albanci o Zadarskim Arbanasima-Shqiptarë për Arbëneshët e Zarës”. Vepra në
fjalë u botua falë kujdesit të Famullisë së Braticës në Ulqin (Mali i Zi) dhe
famullitarit Dom Gabriel Grabanica. Vepra që kemi në duar dhe që po e
shfletojmë aktualisht është botuar krah për krah në dy gjuhë, kroatisht dhe
shqip (përkthimi në shqip është bërë nga mjeku dhe humanisti i shquar, Prof.
Dr. Simë Dobreci). Edhe pse vepra është e shkurtër për nga vëllimi, ajo ofron
një pamje gjithëpërfshirëse të shkrimeve të shqiptarëve kushtuar Arbëneshëve
dhe Arbëneshëve të Zarës në aspektin historik, gjuhësor dhe letrar.
Këtu,
kjo vepër sintetike e A. Stipçeviq synon të paraqesë evolucionin dhe
vazhdimësinë e veprave, studimeve dhe artikujve nga fushat historike, gjuhësore
dhe letrare. Autori, duke qenë konsistent në idenë e një studimi të gjerë
bibliografik dhe me një shtrirje kronologjike, na paraqet një studim me
shtrirje të gjerë, duke u përpjekur të kombinojë faktorët historikë, gjuhësorë
dhe letrarë, siç e kërkon një studim sintetik. Dua të tërheq vëmendjen me këtë
rast për t'ju kujtuar se, për të gjitha ato që Stipçeviqi ka bërë për shkencën
dhe kulturën shqiptare, ne i jemi borxhlinj jo vetëm atij, por edhe Arbëneshve
të Zarës. Institucionet përkatëse shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe
shqiptarët në përgjithësi, ju janë borxhlinj. Prandaj, është një kohë e
përshtatshme, me rastin e 300-vjetorit të shpërnguljes së Arbëneshëve në Zarë,
për të mos humbur mundësinë për t'u angazhuar në studime më të thelluara
kushtuar Arbëneshëve të Zarës, si dhe për të botuar të gjitha dorëshkrimet e
pabotuara, si dhe të gjitha ato të botuara më parë, për t'i ribotuar ato në një
formë të plotë që do t'i përshtatet një niveli studiuesi siç është Akademiku
Prof. Aleksandër Stipçeviç. Ndërsa, Famullia e Braticës, më ne krye me
famullitarin Dom Gabriel Grabanicën, si dhe Prof. dr. Simë Dobreci, të merrën
si një model si nuk duhet harruar Vires Illustris (Burrat e Shquar) të Kombit!









