E diele, 12.04.2026, 10:55 PM (GMT+1)

Mendime

Sabri Hamiti: Dorëshkrim nga Kosova

E diele, 12.04.2026, 06:53 PM


DORËSHKRIM NGA KOSOVA

NGA SABRI HAMITI

11 prill 1993

Këto ditë, në shumë gazeta dhe revista evropiane (Francë, Gjermani, Belgjikë etj.) u botua teksti i shkrimtarit Sabri Hamiti, sekretar i PEN Qendrës Shqiptare. Ky tekst iu bashkëngjit aksionit të redaksive të mbi 30 gazetave botërore, ndër të cilat edhe «Rilindja», shkruar nga intelektualët e njohur evropianë lidhur me të që po ngjet në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Teksti i Sabri Hamitit është një vëzhgim i situatës në Kosovë. Kosova ishte njëra nga subjektet e përfaqësuara evropiane intelektuale. Po e japim tekstin e plotë të Sabri Hamitit:

Ju shkruaj nga gazeta e ndaluar “Rilindja”, e cila sikur për të provuar fatin e emërtimit të vet, ka dalë në egzil. Kjo gazetë e vetme shqipe, që dilte mbi katër decenie në Prishtinë, në Kosovë, që të mbetet gjallë ka dalë në botën perëndimore, sepse qe tre vjet është ndaluar nga regjimi i Beogradit. Prej atje mundohet të artikulojë ankthet ekzistenciale të shqiptarëve të Kosovës. Më parë «Rilindja», si gazetë e si shtëpi botuese, ishte institucion ku krijohej kultura shqiptare dhe i jepej opinionit. Me ndalimin e saj dhe me ndalimin e televizionit shqiptar të Prishtinës, rreth dy mijë shkrimtarë e gazetarë, intelektualë e krijues, kanë mbetur pa punë. Regjimi okupues i Beogradit me këtë akt provon një të rënë vdekjeprurëse për kulturën shqiptare në Kosovë.

Ky është një projekt diabolik, një utopi negative serbe. Një proces i organizuar serb i dekulturimit dhe i shfarosjes së shqiptarëve me instrumente të ndalesave, të cilat janë në duar të ushtarëve, policëve dhe grupeve të armatosura serbe.

Paradoksi kulturor anticivilizues ka ndodhur brenda në Serbi, në Beograd. Intelektualët serbë, jo se kanë kundërshtuar gjenocidin kulturor mbi shqiptarët, po me idetë e tyre të shfaqura në institucionet e tyre, të Akademisë e Shkencave dhe të Arteve dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve Serbë, kanë përgatitur frymën militariste dhe shoviniste serbe, e cila përfundon në nënshtrimin dhe në shkatërrimin e etnive përreth tyre, si janë boshnjakët dhe shqiptarët. Ky shkatërrim ka përfshirë paralelisht kulturën, monumentet e shkrimit dhe, më në fund, edhe njerëzit. Mbas Vukovarit ka ndodhur Sarajeva, e pas saj serbët presin të ndodhë Prishtina. Regjimi i Millosheviqit është një produkt i projekteve të inteligjencies serbe, i vjetër mbi një shekull, për të sunduar dhe shkombëtarizua zemrën e Ballkanit, për ta serbizuar atë me dhunë. Serbët edhe tash e ëndërrojnë Jugosllavinë si Serbi të Madhe, në të cilën do të gjallonin kombe të shtypura, dhe këtë ëndërr e kanë zbritur në faqen tokësore të realitetit të përgjakur, ku aktorë kryesorë janë ushtarët, policët dhe kriminelët.

Shqiptarët nuk mund të jenë nën këtë Serbi apo Jugosllavi, sepse nuk janë sllavë të jugut, por janë trashëgimtarë të banorëve të lashtë të Iliricumit, dhe me sllavët i ndan gjuha, kultura historia. Mbetja e Kosovës dhe e territoreve të tjera etnike të shqiptarëve nën sllavët e jugut u bë me forcë dhe me bekimin e fuqive të mëdha në Konferencën e Londrës (1912-1913), kundër vullnetit të shqiptarëve. Ky projekt i krijimit të shtetit artificial të sllavëve të jugut, më në fund eksplodoi. Po varra e trupit të shqiptarëve kullon dhe është e gjallë, sepse mbi trupin etnik të tyre pret sharra e hekurt e kufirit që shqiptarët i ka ndarë në dysh: gjysmën në Shqipëri e gjysmën në ish-Jugosllavi. Këta të dytët, prej atëherë janë shkelur e dhunuar nga Serbia në të gjitha nivelet, nëpërmes projekteve dhe përpjekjeve të vazhdueshme që të shpërngulen nga toka e vet.

Ky proces vazhdon edhe sot me mjetet më të rrepta të gjenocidit. Dhe, nëse nuk bëhet me bekimin e Perëndimit, i cili është i deklaruar demokratik dhe liridashës, atëherë aprovohet me heshtje nëpërmjet një retorike politike, që deri më tash nuk ka dhënë asnjë rezultat në frenimin e politikës dhunuese të Beogradit, por aktorët e kësaj politike janë pranuar si bashkëbisedues të respektueshëm dhe si aktorë që do të krijonin një bisedë me xhelatin për fatin e viktimës!

Po ju ofroj këtë dorëshkrim, sepse është vetëm dorëshkrimi që më ka mbetur imi, me shpresë se do të botohet, sepse ju shkruaj nga një vend i rrethuar, nga Kosova, ku mbi dy milionë shqiptarë, që përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullsisë, janë ngujuar në kufijtë e përforcuar nga ushtria serbe. Shqiptarët janë pushuar nga puna, shkollat e tyre janë mbyllur si edhe Universiteti, janë pezulluar gazetat dhe televizioni shqip, janë mbyllur spitalet, librat shqip janë nxjerrë nga bibliotekat dhe janë djegur me një fjalë janë shkatërruar të gjitha institucionet kulturore dhe politike të shqiptarëve. Ushtrohet një terror i hapur mbi popullsinë e pambrojtur me pretekst të kërkimit të armëve. Brezi i ri rinjve të shkollarëve të mesëm qet të çohet me dhunë në frontet serbe në Kroaci e në Bosnjë. Ky është një projekt i përnjëhershëm i serbizimit dhe i dealbanizimit të Kosovës, që po zhvillohet në trajtën më të ashpër. Në tre vjetët e fundit mbi 200 mijë shqiptarë janë larguar nga Kosova. Familje të tëra, duke i ikur terrorit për të shpëtuar jetën, janë shpërngulur në vende të ndryshme të Evropës.

Në këtë ngushticë të ekzistencës, shqiptarët janë organizuar politikisht. Në krye të lëvizjes së tyre politike paqësore kanë dalë intelektualët e formatit të madh, siç është dr. Ibrahim Rugova, të cilëve u beson populli shqiptar, që kërkojnë mënyra që të mbahet dhe të fitohet liria. Ata kanë shpalosur një plan paqësor të zgjidhjes politike të çështjes së Kosovës, kanë bërë një organizim, që mbështetet në solidarizim të brendshëm për të ruajtur ekzistencën e popullit të vet, duke përfshirë këtu edhe shkollimin privat dhe kujdesin shëndetësor.

Programi politik paqësor i shqiptarëve të Kosovës, i udhëhequr nga kryetari i saj, intelektuali Ibrahim Rugova, i vënë përballë dhunës dhe soldateskës serbe, i quajtur herë qëndresë e durim kristian, e herë gandizëm shqiptar, mund të duket paradoksal, por në fakt është prodhim i realiteteve politike në Kosovë sot. Kjo lëvizje politike shqiptare ka arritur të artikulojë vullnetin politik të shqiptarëve për liri dhe pavarësi të Kosovës dhe për ndërtimin e një shteti demokratik, duke i organizuar të gjitha këto në nivel institucional në referendumin popullor për pavarësi dhe me zgjedhjet e lira presidenciale e parlamentare. Kjo politikë ka mbështetje në vullnetin e shqiptarëve për pavarësi, në nevojën dhe gjakimin e tyre si popull për liri dhe vetëvendosje; dhe në lëvizjet demokratike të botës perëndimore për liritë e njeriut. Është pikërisht ky program politik paqësor që nuk ka lejuar deri tani të shpërthejë konflikti në Kosovë, konflikt të cilin regjimi i Beogradit e kërkon për çdo ditë dhe me çdo gjest.

Masa më efikase e parandalimit të shpërthimit të konfliktit në Kosovë është që komuniteti ndërkombëtar, Kombet e Bashkuara, Evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të njohin vullnetin politik të shqiptarëve, pavarësinë e Kosovës dhe të dërgojnë forcat paqeruajtëse dhe paqekrijuese në Kosovë. Këto veprime janë të domosdoshme nga ana e komunitetit ndërkombëtar: është koha që ai të kalojë nga retorika politike në veprim konkret politik. Sepse, pa marrë parasysh rrethanat, shqiptarët e Kosovës nuk do të heqin dorë nga vetvetja, nga vullneti i vet politik, nga nevoja për mbrojtje dhe nga gjakimi për liri; kurse shpërthimi në Kosovë do të sillte një konflikt në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, me të gjitha shenjat që ky konflikt do të kapërcente kufijtë e këtyre popujve dhe të këtyre vendeve.

Arsyetimet e bashkësisë ndërkombëtare se nuk mund të ndërhyhet pa ndodhur konflikti, sepse është tepër herët, dhe nuk mund të ndërhyhet mbasi të ndodhë konflikti, sepse atëherë është tepër vonë, nuk kanë më kuptim as si retorikë politike; kjo është parë në rastin e Kroacisë dhe të Bosnjës. A do të ndodhë Prishtina mbas Sarajevës, është brengë dhe drojë e shqiptarëve, por duhet të jetë brengë dhe drojë edhe e komunitetit ndërkombëtar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx