| E diele, 12.04.2026, 06:53 PM |
DORËSHKRIM NGA KOSOVA
NGA
SABRI HAMITI
11 prill 1993
Këto
ditë, në shumë gazeta dhe revista evropiane (Francë, Gjermani, Belgjikë etj.) u
botua teksti i shkrimtarit Sabri Hamiti, sekretar i PEN Qendrës Shqiptare. Ky
tekst iu bashkëngjit aksionit të redaksive të mbi 30 gazetave botërore, ndër të
cilat edhe «Rilindja», shkruar nga intelektualët e njohur evropianë lidhur me
të që po ngjet në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Teksti i Sabri Hamitit është
një vëzhgim i situatës në Kosovë. Kosova ishte njëra nga subjektet e
përfaqësuara evropiane intelektuale. Po e japim tekstin e plotë të Sabri
Hamitit:
Ju
shkruaj nga gazeta e ndaluar “Rilindja”, e cila sikur për të provuar fatin e
emërtimit të vet, ka dalë në egzil. Kjo gazetë e vetme shqipe, që dilte mbi
katër decenie në Prishtinë, në Kosovë, që të mbetet gjallë ka dalë në botën
perëndimore, sepse qe tre vjet është ndaluar nga regjimi i Beogradit. Prej atje
mundohet të artikulojë ankthet ekzistenciale të shqiptarëve të Kosovës. Më parë
«Rilindja», si gazetë e si shtëpi botuese, ishte institucion ku krijohej
kultura shqiptare dhe i jepej opinionit. Me ndalimin e saj dhe me ndalimin e
televizionit shqiptar të Prishtinës, rreth dy mijë shkrimtarë e gazetarë,
intelektualë e krijues, kanë mbetur pa punë. Regjimi okupues i Beogradit me
këtë akt provon një të rënë vdekjeprurëse për kulturën shqiptare në Kosovë.
Ky
është një projekt diabolik, një utopi negative serbe. Një proces i organizuar
serb i dekulturimit dhe i shfarosjes së shqiptarëve me instrumente të
ndalesave, të cilat janë në duar të ushtarëve, policëve dhe grupeve të
armatosura serbe.
Paradoksi
kulturor anticivilizues ka ndodhur brenda në Serbi, në Beograd. Intelektualët
serbë, jo se kanë kundërshtuar gjenocidin kulturor mbi shqiptarët, po me idetë
e tyre të shfaqura në institucionet e tyre, të Akademisë e Shkencave dhe të
Arteve dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve Serbë, kanë përgatitur frymën militariste
dhe shoviniste serbe, e cila përfundon në nënshtrimin dhe në shkatërrimin e
etnive përreth tyre, si janë boshnjakët dhe shqiptarët. Ky shkatërrim ka
përfshirë paralelisht kulturën, monumentet e shkrimit dhe, më në fund, edhe
njerëzit. Mbas Vukovarit ka ndodhur Sarajeva, e pas saj serbët presin të ndodhë
Prishtina. Regjimi i Millosheviqit është një produkt i projekteve të
inteligjencies serbe, i vjetër mbi një shekull, për të sunduar dhe
shkombëtarizua zemrën e Ballkanit, për ta serbizuar atë me dhunë. Serbët edhe
tash e ëndërrojnë Jugosllavinë si Serbi të Madhe, në të cilën do të gjallonin
kombe të shtypura, dhe këtë ëndërr e kanë zbritur në faqen tokësore të
realitetit të përgjakur, ku aktorë kryesorë janë ushtarët, policët dhe
kriminelët.
Shqiptarët
nuk mund të jenë nën këtë Serbi apo Jugosllavi, sepse nuk janë sllavë të jugut,
por janë trashëgimtarë të banorëve të lashtë të Iliricumit, dhe me sllavët i
ndan gjuha, kultura historia. Mbetja e Kosovës dhe e territoreve të tjera
etnike të shqiptarëve nën sllavët e jugut u bë me forcë dhe me bekimin e fuqive
të mëdha në Konferencën e Londrës (1912-1913), kundër vullnetit të shqiptarëve.
Ky projekt i krijimit të shtetit artificial të sllavëve të jugut, më në fund
eksplodoi. Po varra e trupit të shqiptarëve kullon dhe është e gjallë, sepse
mbi trupin etnik të tyre pret sharra e hekurt e kufirit që shqiptarët i ka
ndarë në dysh: gjysmën në Shqipëri e gjysmën në ish-Jugosllavi. Këta të dytët,
prej atëherë janë shkelur e dhunuar nga Serbia në të gjitha nivelet, nëpërmes
projekteve dhe përpjekjeve të vazhdueshme që të shpërngulen nga toka e vet.
Ky
proces vazhdon edhe sot me mjetet më të rrepta të gjenocidit. Dhe, nëse nuk
bëhet me bekimin e Perëndimit, i cili është i deklaruar demokratik dhe
liridashës, atëherë aprovohet me heshtje nëpërmjet një retorike politike, që
deri më tash nuk ka dhënë asnjë rezultat në frenimin e politikës dhunuese të
Beogradit, por aktorët e kësaj politike janë pranuar si bashkëbisedues të
respektueshëm dhe si aktorë që do të krijonin një bisedë me xhelatin për fatin
e viktimës!
Po
ju ofroj këtë dorëshkrim, sepse është vetëm dorëshkrimi që më ka mbetur imi, me
shpresë se do të botohet, sepse ju shkruaj nga një vend i rrethuar, nga Kosova,
ku mbi dy milionë shqiptarë, që përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullsisë,
janë ngujuar në kufijtë e përforcuar nga ushtria serbe. Shqiptarët janë pushuar
nga puna, shkollat e tyre janë mbyllur si edhe Universiteti, janë pezulluar
gazetat dhe televizioni shqip, janë mbyllur spitalet, librat shqip janë nxjerrë
nga bibliotekat dhe janë djegur me një fjalë janë shkatërruar të gjitha
institucionet kulturore dhe politike të shqiptarëve. Ushtrohet një terror i
hapur mbi popullsinë e pambrojtur me pretekst të kërkimit të armëve. Brezi i ri
rinjve të shkollarëve të mesëm qet të çohet me dhunë në frontet serbe në Kroaci
e në Bosnjë. Ky është një projekt i përnjëhershëm i serbizimit dhe i
dealbanizimit të Kosovës, që po zhvillohet në trajtën më të ashpër. Në tre
vjetët e fundit mbi 200 mijë shqiptarë janë larguar nga Kosova. Familje të
tëra, duke i ikur terrorit për të shpëtuar jetën, janë shpërngulur në vende të
ndryshme të Evropës.
Në
këtë ngushticë të ekzistencës, shqiptarët janë organizuar politikisht. Në krye
të lëvizjes së tyre politike paqësore kanë dalë intelektualët e formatit të
madh, siç është dr. Ibrahim Rugova, të cilëve u beson populli shqiptar, që
kërkojnë mënyra që të mbahet dhe të fitohet liria. Ata kanë shpalosur një plan
paqësor të zgjidhjes politike të çështjes së Kosovës, kanë bërë një organizim,
që mbështetet në solidarizim të brendshëm për të ruajtur ekzistencën e popullit
të vet, duke përfshirë këtu edhe shkollimin privat dhe kujdesin shëndetësor.
Programi
politik paqësor i shqiptarëve të Kosovës, i udhëhequr nga kryetari i saj,
intelektuali Ibrahim Rugova, i vënë përballë dhunës dhe soldateskës serbe, i
quajtur herë qëndresë e durim kristian, e herë gandizëm shqiptar, mund të duket
paradoksal, por në fakt është prodhim i realiteteve politike në Kosovë sot. Kjo
lëvizje politike shqiptare ka arritur të artikulojë vullnetin politik të
shqiptarëve për liri dhe pavarësi të Kosovës dhe për ndërtimin e një shteti
demokratik, duke i organizuar të gjitha këto në nivel institucional në
referendumin popullor për pavarësi dhe me zgjedhjet e lira presidenciale e
parlamentare. Kjo politikë ka mbështetje në vullnetin e shqiptarëve për
pavarësi, në nevojën dhe gjakimin e tyre si popull për liri dhe vetëvendosje;
dhe në lëvizjet demokratike të botës perëndimore për liritë e njeriut. Është
pikërisht ky program politik paqësor që nuk ka lejuar deri tani të shpërthejë
konflikti në Kosovë, konflikt të cilin regjimi i Beogradit e kërkon për çdo
ditë dhe me çdo gjest.
Masa
më efikase e parandalimit të shpërthimit të konfliktit në Kosovë është që
komuniteti ndërkombëtar, Kombet e Bashkuara, Evropiane dhe Shtetet e Bashkuara
të Amerikës, të njohin vullnetin politik të shqiptarëve, pavarësinë e Kosovës
dhe të dërgojnë forcat paqeruajtëse dhe paqekrijuese në Kosovë. Këto veprime
janë të domosdoshme nga ana e komunitetit ndërkombëtar: është koha që ai të
kalojë nga retorika politike në veprim konkret politik. Sepse, pa marrë
parasysh rrethanat, shqiptarët e Kosovës nuk do të heqin dorë nga vetvetja, nga
vullneti i vet politik, nga nevoja për mbrojtje dhe nga gjakimi për liri; kurse
shpërthimi në Kosovë do të sillte një konflikt në mes të shqiptarëve dhe
serbëve në Ballkan, me të gjitha shenjat që ky konflikt do të kapërcente
kufijtë e këtyre popujve dhe të këtyre vendeve.
Arsyetimet
e bashkësisë ndërkombëtare se nuk mund të ndërhyhet pa ndodhur konflikti, sepse
është tepër herët, dhe nuk mund të ndërhyhet mbasi të ndodhë konflikti, sepse
atëherë është tepër vonë, nuk kanë më kuptim as si retorikë politike; kjo është
parë në rastin e Kroacisë dhe të Bosnjës. A do të ndodhë Prishtina mbas
Sarajevës, është brengë dhe drojë e shqiptarëve, por duhet të jetë brengë dhe
drojë edhe e komunitetit ndërkombëtar.