Speciale » Basha
Sabile Basha: Programet dhe elaboratet serbe antishqiptare (13)
E diele, 12.04.2026, 06:59 PM

INTRIGAT E PASHTERSHME- MEMORANDUME TË ERRËTA DHE STRATEGJIA E NDARJES
(Programet e elaboratet serbe antishqiptare –
XIII)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Historia nuk i njeh fitoret si fund i betejave, por vetëm
si një stacion në rrugën e gjatë të lirisë. Edhe pas vitit 1999, kur Kosova
çliroi veten nga zinxhirët e okupimit serb, Serbia nuk ndaloi së thururi plane
dhe strategji për ta kthyer fatin e saj mbrapsht. Nuk ishin më tanke dhe
paramilitarë që digjnin shtëpi e fshatra të tëra, por memorandume të fshehta,
strategji të maskuara si analiza politike, doktrina të vjetra të përshtatura
për kohë të reja.
Në vitin 2003, Sinodi i Shenjtë i Kryepeshkopatës së
Kishës Ortodokse Serbe hodhi në letër një tjetër memorandum, një tjetër
përpjekje për të mbajtur gjallë pretendimin e Serbisë mbi Kosovën. Me titullin
“Memorandumi për Kosovën dhe Metohinë”, ky dokument ishte më shumë se një tekst
fetar – ishte një traktat politik i veshur me mantelin e shenjtërisë, një
përpjekje për ta kthyer Kishën në një forcë që do të vazhdonte projektin e
vjetër të dominimit. I redaktuar nga peshkopi Anastasije Jevtiç, ky memorandum
nuk predikonte paqe, por nënshtrim. Nuk fliste për bashkëjetesë, por për një të
ardhme ku Kosova duhej të mbetej nën hijen e Serbisë.
Por Beogradi nuk ndalej me kaq. Në vitin 2004, një tjetër
figurë e errët, Dobrica Qosiç, i cili për dekada kishte ushqyer doktrinën e
nacionalizmit serb, propozoi një strategji të re: ndarjen e Kosovës. Ai e
kuptoi se pushtimi i saj i plotë nuk ishte më i mundur, se tanket nuk do të
ktheheshin dot më në rrugët e Prishtinës, se shqiptarët kishin fituar lirinë me
një çmim të papërmbysshëm. Dhe kështu, ai i sugjeroi liderëve serbë që, në vend
të një lufte të humbur, të kërkonin një kompromis që do të ruante një pjesë të
Kosovës në duart e Serbisë.
Ishte një plan i ri për një ambicie të vjetër. Nëse
Serbia nuk mund ta mbante të tërën, atëherë do të synonte të merrte një copë,
një territor që do të ruante praninë e saj, një litar që ende do ta mbante
Kosovën të lidhur pas saj. Nuk ishte një strategji e ndershme, nuk ishte një
përpjekje për pajtim, por një tjetër orvatje për të fragmentuar të ardhmen e
Kosovës, për të mbjellë ndasi dhe për të lënë plagë që nuk do të shëroheshin
kurrë.
Por historia e Kosovës nuk është historia e kompromiseve
të diktuara. Është historia e një populli që nuk pranoi të ndahet, që nuk
pranoi të tjetërsohet, që nuk e shiti asnjë pëllëmbë të dheut të tij. Dhe
kështu, edhe pse Serbia vijon të hartojë memorandume dhe të thurë strategji,
Kosova mbetet e pandashme, sepse nuk mund të ketë ndarje në atë që është një
dhe i shenjtë për ata që e quajnë shtëpinë e tyre.
E ardhmja e Kosovës nuk mund të shkruhet me planet e
atyre që e kanë parë atë gjithmonë si një plaçkë për t’u ndarë. Ajo është një
tokë e fituar me gjak, një histori e ndërtuar me sakrificë, një liri që nuk
mund të tjetërsohet as me luftëra, as me memorandume, as me kufij të rinj të
sajuar nga ata që nuk kanë dashur kurrë ta pranojnë të vërtetën e saj.
Një histori e pambaruar: Hijet e së shkuarës dhe
kërcënimi i së tashmes
Këto plane, projekte dhe memorandume antishqiptare nuk
janë as të parat, as të fundit, dhe as do të mbeten të vetmuara në arkivat e
errëta të politikës serbe. Ato janë fije të një rrjete të gjerë urrejtjeje, të
një strategjie që përshtatet me kohën, por nuk ndryshon në thelb. Nga traktatet
e moçme të shfarosjes, te memorandumet e akademive, nga operacionet e fshehta
deri te propagandat moderne, Serbia nuk ka ndalur kurrë përpjekjet për të
tjetërsuar historinë dhe për të mohuar ekzistencën shqiptare.
Por ajo që është më e rëndë nuk është e kaluara, por
përpjekja e vazhdueshme për ta mbajtur këtë mentalitet të gjallë edhe sot e
kësaj dite. Nuk ishte e mjaftueshme as lufta e humbur, as ndërhyrja
ndërkombëtare, as vuajtjet e një populli që ka kaluar nëpër zjarr e hekur –
ambiciet albanofobe të Beogradit nuk janë shuar, por kanë marrë forma të reja,
duke u fshehur pas diplomacisë, politikave rajonale dhe taktikave të
destabilizimit.
Edhe sot, Serbia nuk heq dorë nga ëndrrat e saj për të
sunduar pjesë të Kosovës. Ajo përpiqet të mbajë praninë e saj përmes enklavave
të ngritura mbi hije të së shkuarës, përmes politikave që mbjellin ndasi dhe
përmes skenarëve që synojnë ta copëtojnë të ardhmen e Kosovës. Kosova e lirë
është realiteti i ri, por për të mbetur e lirë, duhet të mbrohet çdo ditë nga
ata që kërkojnë ta tjetërsojnë.
Por Serbia nuk ndalet vetëm këtu. Në trojet etnike
shqiptare që kanë mbetur brenda kufijve të saj politikë, ajo vazhdon të
manifestojë të njëjtën urrejtje dhe terror, me të njëjtin intensitet që ka
karakterizuar politikën e saj shekullore. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e
Bujanoc nuk janë thjesht qytetarë të një shteti – ata janë një popull i
margjinalizuar me qëllim, një komb i detyruar të jetojë në kufijtë e heshtjes,
i privuar nga e drejta për të qenë ai që është.
Në një botë që pretendon të ketë ecur përpara, Serbia
vazhdon të jetojë në iluzionin e një të shkuare që kërkon ta rikthejë. Dhe
kështu, historia vazhdon të përsëritet – një luftë që nuk zhvillohet më me tanke,
por me strategji të ftohta politike; një përpjekje për të mos lejuar shqiptarët
të marrin frymën e plotë të lirisë së tyre.
Por
Kosova dhe shqiptarët nuk janë më ata të shekujve të shkuar. Ata nuk janë më
një popull që mund të heshtet, nuk janë më një komb që mund të tjetërsohet.
Historia tashmë është kthyer në favorin e tyre, dhe megjithëse Beogradi vazhdon
të shkruajë memorandume të reja, të përpilojë plane të fshehta e të thurë
strategji për të ardhmen, realiteti është i pakthyeshëm: shqiptarët kanë fituar
të drejtën e tyre për të qenë vetvetja, dhe kjo është një e drejtë që asnjë
memorandum nuk mund ta fshijë.
Fund









