E shtune, 11.04.2026, 11:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Fran Gjoka: Melodi të mira mund të luhen edhe me një violinë të vjetër

E shtune, 11.04.2026, 06:53 PM


Melodi të mira mund  të luhen edhe me një violinë të vjetër

(Intervistë e gazetarit Fran GJOKA me shkrimtarin e njohur Viron KONA)

INTERVISTOI: FRAN GJOKA

Kush është Viron Kona?

Viron Kona ka lindur më 24 qershor 1950 në qytetin e Vlorës. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë – Letërsi. Ka punuar në sektorin administrativ të edukimit dhe arsimimit deri në nivelet e larta, mësues dhe drejtor në disa shkolla 9-vjeçare dhe gjimnaze të kryeqytetit (Tiranë). Më pas, redaktor në gazetën “Mësuesi” dhe specialist në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Shqipërisë derisa doli në pension. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptarë të Suedisë, anëtar i Këshillit Kombëtar të Librit. Deri më sot ka botuar rreth 60 vëllime me tregime, novela e romane për fëmijë dhe për të rritur. Viron Kona është fitues i 8 çmimeve në gjininë e tregimit dhe të novelës. Fitues i çmimit UNICEF, për librin më të mirë për fëmijë 2006 “Eh, more Bubulino!”, si dhe fitues i çmimit “Penda e Artë e Migjenit”(Festivali Internacional i Poezisë, Borås, Suedi, 2021).  Dy vëllimet e para të librit “Eh, more Bubulino!” janë përkthyer në një vëllim të vetëm në Suedi (Men kära Bubulino!). Disa nga tregimet janë botuar edhe në anglisht, frëngjisht e suedisht. Viron Konës dhe veprimtarisë së tij krijuese i janë kushtuar librat: “Blerimi i një fushe me krijime të bukura”,  “Parnasi sheh me bisht të syrit”, “Kur librin e shkruan zemra”.

-Z. Viron kemi kohë që s`kemi biseduar, po shkruan, si ndihesh tani që po i kalon 75 vjeç?

-Ndihem mirë kur shkruaj dhe lexoj. Herë - herë shohë emisione në TV, lajme dhe filma, bëj pazarin duke e përshkuar tregun nga fillimi në fund, me qëllim që të gjej produkte me çmime sa më të arsyeshme, pastaj shëtisë, dalë dhe me shokë e ish-kolegë për të pirë ndonjë kafe, angazhohem me mbesën dhe nipin...Gëzimin më të madh e ndiej kur mbesa dhe nipi, teksa më shohin nga larg, vijnë me vrap drejt meje dhe më hedhin duart në qafë, duke më thirrur: gjysh, o gjysh! Gëzimi im në ato çaste është pa kufi!

-Të tremb plakja?

-Plakja? Thuhet që “plakja është fëmijëri e dytë”, kjo më jep shpresë, por dhe më bën të punoj dhe të krijoj më shumë. S`kam kohë të humbas, ndaj jam gjithnjë i zënë.

-Meqenëse flasim për plakje, ç ‘është plakja për ty?

-Thuhet që “Rinia rron me ëndrra, pleqëria rron me kujtime.” Dua apo s`dua, me këtë mendim pajtohem edhe unë. Ndonëse tregohem kokëfortë dhe s`dua ta pranojë plakjen, s`ndryshoj dot asgjë, ndërkohë që llojshmëria dhe sasia e ilaçeve shtohet, c`est la vie (fr. kjo është jeta!).

-Ke ndonjë peng nga e kaluara?

-E kush nuk ka pengje, por meqenëse “fjala e thënë, shigjeta e nisur dhe e kaluara nuk kthehen më mbrapsht”, vazhdoj ecjen, pleqëria dhe përvoja janë një busull e mirë.

-Me përvojën e moshës që ke, çfarë vlerëson më shumë?

-Atë që më kanë mësuar prindërit, sjelljen e mirë, ndershmërinë dhe sinqeritetin.

-Të kanë vlejtur këto në jetën tënde?

-Them se, po. E bëj gjumin të qetë.

-Ke shkruar afro 60 libra, sidomos për fëmijë dhe të rritur, tregime, novela, romane, epigrame, poezi, madje edhe shumë artikuj kulturorë e studimorë, si dhe parathënie librash artistikë. Vijon të shkruash ende me ritmin e mëparshëm?

Viron KONA dhe Fran GJOKA

-Po, shkruaj shumë, por nuk ngutem të botoj. E shohë disa herë librin që sapo kam përfunduar së shkruari, mendoj gjatë rreth tij, pastaj ua japë edhe miqve për ta lexuar. Pyes veten:-Çfarë kam shkruar? Ky libër, ka aq vlerë sa ta botojë? Pas kësaj pyetjeje që i bëj vetes e lë për disa kohë librin në pritje. -Prit, prit edhe ca! – sikur i them, por pas ca kohësh e rimarr përsëri në duar, si të dua t`i peshoj vlerën e vërtetë...

-Duket që s’kënaqesh kollaj me atë që ke shkruar?

-Herë jam i kënaqur, herë jo. Brenda vetes s`ndihem shumë i sigurt, sepse lexuesi kërkon libra të mirë. Më vjen shpesh herë ndërmend thënia e shkrimtarit francez Julis Renard, i cili thotë: “Të mos jesh kurrë i kënaqur, ky është arti”, ndërkaq, më shoqëron e më rreh si çekiç në kokë edhe thënia e Beniamin Franklin, i cili sikur na paralajmëron: “Ose shkruaj diçka me vlerë për t`u lexuar, ose bëj diçka më me vlerë se të shkruarit!”

-Janë këto kërkesa të tua për perfeksion?

-Perfeksion s`besoj se ka, por janë kërkesa ndaj vetes. E di se lexuesi s`të fal nëse shkruan keq, por edhe unë s`ia fal vetes një botim të keq, sepse nuk kam më kohë ta ndreq. Libri, po u botua shpërndahet te njerëzit, ashtu siç era shpërndan farat e bimëve. Rezistojnë dhe mbijnë ato fara që janë të shëndetshme, të tjerat treten, humbasin... Jam i mendimit se të shkruash mirë dhe në mënyrë origjinale, është respekt për veten dhe për lexuesin. Sidomos lexuesi i vogël, atë që s`e pëlqen që në faqen e parë, e hedh përtej dhe vrapon te lojërat apo te celulari...Sidomos sot, kur fëmija parapëlqen më shumë celularin se librin.

-Celularin e shikon si konkurrencë, ke xhelozi ndaj tij?

-Jo, e shoh si zhvillim. Kohët ndryshojnë përherë, nuk na pyesin, ato vërshojnë si dallgët në det, si erërat në natyrë, si lëvizjet e tokës, të yjeve, planetëve... Koha nuk ndalet, ajo është sa e çmuar, aq edhe e pamëshirshme. Nëse ti nuk vrapon bashkë me të, ajo të lë pas.

-Kam dëgjuar shumë njerëz, madje edhe mësues që ankohen për një përdorimi të tepruar të celularit nga fëmijët, ti çfarë mendimi ke?

-Mendoj se celulari dhe interneti janë zhvillime të reja që kanë ngjitur tek të gjithë njerëzit, sidomos te fëmijët dhe te brezi i ri. Ata duhen shumë për vlerat e tyre. Kjo dashuri do të  zgjasë derisa të dalë diçka e re dhe më e fuqishme. Ajo që mua më shqetëson, është se, përdorimi i tepruar i celularit, errëson marrëdhënien e njerëzve me librin. Sot s`mund ta kuptosh dot një të ri pa celular, ndërkohë, as që duhet të guxosh t`ia heqësh nga dora celularin një fëmije!

-Më konkretisht, ç `doni të thoni?

-Ja po jua konkretizoj. Prindi pyet fëmijën:-Sa bëjnë 19 dhe 19 ?

-Prit, o ba sa ta shoh përgjigjen në celular. -Babai i thotë:

-Nëse nuk e ke me vete celularin, si do të më përgjigjesh?

Ose, mësuesi jep pyetjet e testit, teksa nxënësi përpiqet fshehurazi të hap programin në celular, që ta gjej zgjidhjen të gatshme. Mësuesi e “kap mat” dhe i thotë:

-Nëse mbështetesh vetëm tek celulari dhe nuk e ke atë, atëherë t`i je mbetës, apo jo?

-Po, pa celular jam mbetës, - përgjigjet studenti.

Ndërkaq, shohim fëmijë dhe të rinj, që edhe duke udhëtuar me biçikletë, monopate dhe motorë, flasin në celularë, po kështu dhe shoferët dhe, ngaqë nuk shohin rrugën, krijojnë aksidente, deri edhe shumë të rënda.

Në shtëpi, prindërit pyesin fëmijën:

-Si shkove sot me mësime?

-Mirë! - i përgjigjet thotë ai dhe ulë kokën e përqendrohet me orë të tëra te celulari. Celulari i ka pushtuar të gjithë: fëmijë, të rinj, por dhe të rritur. Pyet po deshe fëmijë apo të rinjtë se ku ndodhet libraria? Ku ndodhet biblioteka? Vetëm pak prej tyre mund ta dinë. Ata dinë saktësisht të gjithë dyqanet e celularëve të qytetit, dinë kafenetë, kioskat e sufllaqeve e sandviçëve apo të pijeve energjike, janë gati të flasin me orë të  tëra për markat e celularëve, për shijet e sandviçëve, flasin me shumë kompetencë për tipat e makinave moderne, motorët, monopatet etj. etj. -S`ka asgjë të keqe që dinë apo  flasin për të gjitha këto, e keqja është gjetkë, sepse ata flasin fare pak, ose aspak për librat (ata lexojnë pak ose s’lexojnë fare libra).

-Si mund të përmirësohet ky raport mes librit dhe celularit? Në ç ‘mënyrë libri duhet të zërë vendin që i takon?

-Sigurisht, nuk mund t`i mohohen vlerat celularit, por ama edhe librit nuk duhet t`i humbasin vlerat. Librit i duhet dhënë gjithnjë vend i duhur, sepse ai është përhapësi më i madh i dijeve njerëzore, që kur është krijuar njerëzimi...S`ka ndonjë recetë, por them se librat  duhet të zënë më shumë vend edhe në mënyrë figurative. Librat ne sot i shohë më shumë në disa kioska të vjetra dhe të mbyllura me kyçe të mëdhenj, të zhubrosur nga lagështira, ndërkaq disa kioska që ishin librari, janë shndërruar në qebaptore dhe kafene... Mjaft libra të përdorur, por edhe të rinj, i shohim më shpesh në trotuare, duke pritur të blihen nga kalimtarë që kalojnë indiferentë ndaj tyre, ose i shohim si sixhade muri në disa lokale dhe kafene...Shohim shumë postera në bulevarde e rrugë, ato çfarë nuk reklamojnë, por ndonëse edhe Shqipëria ka shkrimtarë të mëdhenj, nuk shohim të afishohet ndonjë libër i tyre në ato postera, ndërkohë që disa buste shkrimtarësh zënë pluhur apo shkarraviten e nxihen dhe s`ka kujdes për t`i mirëmbajtur...Them se përveç posterave e reklamave për çokollatat e sufllaqet, për modën, për qentë dhe macet, mund të vihet, për shembull edhe ndonjë pikturë e një fëmije duke lexuar një libër. Një pikturë e tillë do t`u thoshte fëmijëve: “Mos e braktisni librin!”... Edhe shteti apo bashkitë, ndër ndërtesat publike, duhet te çelin edhe librari që të tërheqin vëmendjen. Sidomos shkolla ka rol të madh në nxitjen e dashurisë për librin. Ato duhet të thërresin më shumë botues dhe shkrimtarë, të organizojnë biseda dhe takime sa më të larmishme dhe tërheqëse, të japin stimuj për lexuesit e librit, të organizojnë konkurse, panaire apo festivale brenda shkollave. Por, çfarë nuk blejnë fëmijët pranë shkollave, më së shumti sufllaqe e sandviçë, teksa prindërit ankohen se fëmijët po u bëhen obezë! Mbaj mend tek hyrja e një shkolle, një shitës shiste fara luledielli, e sillte kazanin e mbushur plot e përplot me fara në mëngjes dhe, kur mbaronte mësimi kazani ishte boshatisur, nxënësit përtypnin gjithë ditën fara luledielli...në vend që të “përtypin” libra. Kur flet me fëmijë dhe të rinj për vlerat e librit, ata të thonë: “E po, në kohën tuaj s`kishte celular dhe internet!”. Në të vërtetë zhvillimi dhe ndryshimi janë ritmi i jetës, na përfshinë të gjithëve. Edhe ne të moshuarit kemi kënaqësi të përdorim celularin dhe internetin, por, gjithsesi, librin nuk e braktisim. Jo se jemi mësuar me librin, por kemi kuptuar dhe përjetuar  vlerat e tij. Xhek Londoni thoshte: “Nëse ju nuk do të gjeni kohë të lexoni, atëherë dhe bota nuk do të gjej kohë t`ju dëgjojë!”

-Cilat mendon se janë disa nga vlerat e librit?

-Kur lexon një libër të mirë, ndihesh i përfshirë shpirtërisht në subjektin e tij, në episodet, ngjarjet dhe personazhet; emocionohesh dhe përjeton jetën dhe fatin e personazheve, nxjerr mësime që të vlejnë për jetën dhe përditshmërinë... “Dikur lexova një libër dhe e gjithë jeta ime ndryshoi”,-thotë nobelisti Orhan Pamuk. Libri shkathtëson më shumë mendjen, nxit më shumë kureshtjen e, sidomos nxit imagjinatën e zgjon trurin dhe e vë atë në punë. Le të kujtojmë sesa nxitje e frymëzim na ka dhuruar leximi i librave të Zhyl Vernit: “20 mijë lega nën det”, “Pesë javë me balonë”, “Rreth botës për 80 ditë”, “Nga Toka në Hënë”; libri i Selma Lagerlof “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Olgersonit”, libri “Pinoku” i Karlo Kolodit, libri ”Pipi Çorapegjata” e Astrid Lindgrenit...Por, edhe “Udhëtimet e Guliverit” i Xhonatan Suift, libri “Robinson Kruzo” i Daniel Defo, libri ”Shëtitje në Kozmos”, i shkruar nga Alqi Kristo...Janë dhe qindra libra të tjerë, që nxitin imagjinatën, apo qindra të tjerë me vlera të gjithanshme, që do të na pasuronin mendjen, shpirtin dhe jetën tonë. S`po më rrihet pa cituar këtu edhe thënien e shkrimtarit Emerson, i quajtur ndryshe “babai i letërsisë amerikane”, ai thoshte: “Leximi i një libri ka qenë shpeshherë përcaktues i fatit të një njeriu”.

-Ju keni shkuar shpesh herë në Suedi, cila ka qenë arsyeja?

-Po, kam qenë i ftuar disa herë në Suedi. Së pari sepse atje janë përkthyer dy vëllime të librit tim për fëmijë “Eh, more Bubulino!”, fitues i çmimit UNICEF dhe i Panairit të Librit në Shqipëri ( 2006). Ky libër u përkthye në gjuhën suedeze dhe, në vitin 2011 u ftova për përurimin e tij në një mbrëmje, mund të them madhështore, të organizuar nga shkolla suedeze “Fjardingskolan” e qytetit Boras, që drejtohej nga Per Kettisen, si dhe nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, Boras, Suedi, që drejtohet prej vitesh dhe suksesshëm nga poeti dhe përkthyesi i njohur shqiptaro-suedez, Sokol Demaku. Më pas u ftova në 5 - vjetorin e revistës dhe radios “Dituria” (2012), si dhe për përurimin e librit tim “Zonja nga Borasi”, (2013), një libër me tregime me motive suedeze dhe shqiptare.

Në vazhdim, jam ftuar në Festivalin Internacional të Poezisë, në vitin 2017, kurse në Festivalin Internacional të Poezisë së qytetit Boras, në vitin 2021 kam fituar çmimin Penda e Artë e Migjenit- Migjenis guld pena. Në vitin 2023 jam ftuar  nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë “Papa Klementi XI Albani, ku jam edhe anëtar nderi, me rastin e 500 - Vjetorit Jubilar të Mbretërisë së Suedisë dhe 15-Vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës (2008 - 2023), së bashku me kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik z. Skënder Gjinushi.

Punimet e asaj Akademia shkencore u zhvilluan në qytetin Ängelholm. Aty, bashkë edhe me të tjerë, më kanë nderuar me çmimin “Anna Lindh”. Asaj veprimtarie dhe vizitave në disa qytete suedeze dhe daneze i kam kushtuar librin “Miku i mirë në ditë të vështirë.”

-Mund të na thoni diçka se si veprohet me librin në Suedi?

-Libri është shumë i preferuar në Suedi dhe ka një vend të veçantë. Do t`ju them shkurt vetëm tri, gjëra që më kanë mbetur më shumë në mendje:

Së pari në bibliotekat suedeze, që gjenden kudo deri dhe në skajet më të largëta, qytetarët i çojnë fëmijët në biblioteka që në moshë shumë të vogël, madje edhe në karroca. Prindër e fëmijë vizitojnë pavijonin e librave për fëmijë, që kryesisht janë edhe me ilustrime të bukura me ngjyra. Qëllimi është që fëmijët, edhe fare të vegjël, ndonëse ende s`kanë mësuar të lexojnë, të ambientohen dhe të rriten me praninë e librit, ata i tërheq pamja e librit, ngjyrat, fëshfëritja e fletëve, ai mjedis bëhet pjesë e vëmendjes dhe kureshtjes së tyre, pra fëmijët rriten edhe me shoqërinë e librit.

Së dyti, në Suedi e ndjehet kudo prania e librit. Edhe kur shkon për një udhëtim brenda qytetit apo nga njëri qytet në tjetrin, në stacionet e autobusëve, të trenave apo dhe në aeroporte gjenden rafte me libra, ku shkruhet: ”Merre, lexoje dhe lëre përsëri në stacionin ku do të zbresësh”. Gjithandej, sheh që, gjatë udhëtimit njerëzit janë me libra në duar dhe duke lexuar. Sjellim ndërmend se, Suedia dhe vendet nordike, që janë kaq shumë të dashuruar me librin, janë edhe ndër vendet më të zhvilluara të planetit.

Së treti: në qytetin Vimmerby, vendlindja e shkrimtares së madhe suedeze Astrid Lindgren, është ndërtuar qyteti i “Astrid Lindgrenit”, ku ekspozohen librat e saj dhe personazhet e tyre. Qyteti ka ndërtesa të vogla, mjedise tërheqëse dhe të këndshme, në formën që zhvillohen ngjarjet në librat e shkrimtares, atje gjen detaje dhe sende të personazheve, siç ajo i përshkruan në libër, njihesh me karakteristika të tyre; atje takon për shembull Pipi Çorapegjatën, gjen dy policët - personazhe të librit...; atje është sajuar një liqen ku ndodhet anija e babait të Pipit, me të cilin ajo “shëtiste” botën, sheh shtëpinë dhe sendet personale të  Pipit, sheh kalin e saj dhe Pipin duke kalëruar, etj. etj. dhe, s`është pak, por një “qytet” i tërë, ku shkojnë vizitorë, sidomos fëmijë nga e gjithë bota.

-Meqenëse ke jetuar thuajse në mënyrë të barabartë në të dy sistemet në Shqipëri, në atë monist dhe në atë demokratik, çfarë mendon se ka përparësi demokracia në Shqipëri?

-Më pëlqen shumë liria në të gjitha aspektet, por veçanërisht liria e shprehjes së mendimit, e shkrimit dhe e botimit; liria për ta thënë fjalën dhe mendimin pa censurë apo autocensurë.  Më pëlqen që ka shumëllojshmëri dhe me bollëk produkte ushqimore, industriale, veshjesh, mallrash..., atë që ke në botë e gjen edhe këtu. Më pëlqen që nuk jetojmë më si robotë të komanduar, të edukuar të mendojmë njëlloj dhe si ndihmës të partisë. Më pëlqen që s`jemi të detyruar të shkojmë në mbledhje partie, më pëlqen shumë hapja me botën, më pëlqen që s`ka më luftë klasash, më pëlqen shumë liria e lëvizjes si qytetarë të botës së lirë, sidomos liria për të parë me sy dhe për të prekur Prishtinën, Shkupin, Ulqinin, Janinën, Athinën, Romën, Stambollin, Nju Jorkun, Parisin..., më pëlqen dhe më tërheq liria për të eksploruar vende dhe për të njohur popuj dhe natyrën e “shtëpisë sonë të njerëzimit”, më tërheq gjithçka në këtë botë, madje personazhi im më i dashur, Bubulinoja, ka shprehur dëshirën të jetë i pari njeri që do të shkojë në planetin Mars. Pra më pëlqen që, shkojmë ku të duam, sigurisht  nëse kemi...para...

-Çfarë je duke shkruar për fëmijët?

-Zakonisht ato janë “sekret” i shkrimtarit, por gjithsesi po ju tregoj diçka. Kam mbaruar librat “Cinxoja”, “Çuditë e Bubulinos”, “Kolipoçi shkon urgjent në bashki”, kurse për të rritur kam një vëllim me tregime dhe një libër me poezi. I shohë ato herë pas here dhe, më në fund sikur më është mbushur mendja që t`i dërgojë për botim, sigurisht një e nga një...

-Po shohë se në librat për fëmijë, krahas Bubulinos me shokë, krahas Dardit, papagallit Çate, Cinxos, ke krijuar edhe Kolipoçin, kështu?

-Po, mes tyre është edhe Kolipoçi, i cili njihet nga lexuesi i  vogël si “Ngrënësi i famshëm i qershive”.

-Cila është përmbajtja e këtij libri të ri?

-Padashur t`i heq kërshërinë lexuesit të vogël, libri “Kolipoçi shkon urgjent në bashki” bën fjalë për pakënaqësinë dhe ankesat e fëmijëve të një lagjeje, ndaj një kompanie ndërtimi me emrin “Qiellorja”. Ajo u ka zënë fëmijëve fushën e futbollit dhe planifikon të ngrejë te fusha e tyre një qiellgërvishtës.  Fëmijët kanë shkruar dhjetëra letra me ankesa dhe kanë ngarkuar Kolipoçin që t`i çojë ato te kryetari i bashkisë...Libri përshkruan pengesat dhe vështirësitë që përjeton Kolipoçi për të shkuar gjer te kryetari i bashkisë, duke filluar nga vështirësia e hyrjes në bashki, sorollatjet në katet dhe në zyrat e saj, bisedat dhe debatet e tij me nëpunës burokratë të bashkisë që e pengojnë të shkojë te zyra e kryetarit... Libri është “qesh e ngjesh”, lexuesi i vogël argëtohet me situatat e papritura që përjeton Kolipoçi, derisa shkon te kryetari i bashkisë, pastaj...

-Duke qenë se jeni shkrimtarë që keni lëvruar shumë letërsinë për fëmijë, çfarë këshillash do t`u jepje prindërve për edukimin e fëmijëve?

-Prindërit duhet të tregohen të durueshëm dhe të vëmendshëm ndaj fëmijëve, t`u ofrojnë atyre sa më shumë dashuri e ngrohtësi. Ndërkaq fëmijët duhen edukuar pa i paragjykuar, që ata të ndihen të çiltër përpara prindit, t`i rrëfejnë nënës apo babait gjithçka, të mos druhen, t`u thonë edhe kur marrin një notë negative, edhe kur bëjnë ndonjë gabim etj. Të mos harrojmë se fëmijët sot jetojnë nën presion: të rrugës, të drogës, të krimit, të prostitucionit dhe të shumë veseve të tjera, ata janë krejt të zbuluar, si një fidan i brishtë që rrihet nga stuhia, nga të nxehtit dhe nga ngricat. Platoni, ndër filozofët më të mëdhenj të antikitetit këshillonte: “Dy gjëra duhen shmangun në edukimin e fëmijëve: ashpërsia e tepruar dhe butësia e tepruar”. Fëmijët janë të ndjeshëm dhe delikatë, ndaj duhet të trajtohen njëlloj, nuk duhet të diferencohen, sepse, fëmija më i rritur krijon bindjen se prindërit duan më shumë më të voglin. Për fëmijët, prindërit janë zoti, prandaj atyre u copëtohet zemra kur  shikojnë prindërit që grinden  mes tyre, bëjnë sherre dhe i ngrenë zërin dhe fyejnë rëndë njëri – tjetrit, apo kur edhe fëmijëve u drejtohen me ashpërsi dhe duke përdorur dhunë. Në këtë mjedis, pra atje ku ka shere pa fund dhe britma, nuk ka edukatë. Prindërit duhet të kuptojnë se fëmija është pasqyrë e tyre. Ai mëson më shumë nga veprimet e prindërve, sesa nga fjalët dhe këshillat e tyre. Nëse prindi është dembel, është i dhënë pas pijes, pas lojërave, merret me thashetheme, përdor fjalor rruge, është i dhunshëm etj. edhe fëmija atë do të  imitojë. Në rast se prindi i thotë fëmijës  “lexo libra!” dhe vet nuk  lexon asgjë, kurse në shtëpi s`gjen asnjë libër, atëherë edhe fëmija do të jetë indiferentë ndaj librit...

-Jeni i mendimit se rruga e edukimit të një fëmije është e vështirë?

-Po, është e vështirë, por jo e pamundur. Pyesni veten një çast, kur ishit të vegjël, si do të donin të silleshin prindërit apo të tjerët me ju? Psikologjia dhe pedagogjia na mëson:Fjala e mirë është si çelësi që hap dyert e zemrave të të tjerëve”. Fjala e butë e qetëson njeriun dhe e afron me të tjerët. Fjala e rëndë e dëshpëron dhe e largon. Them se prindërit duhet të shqetësohen kur i shohin fëmijët të mërzitur, të trishtuar deri edhe të dëshpëruar, të heshtur, fjalëpakë, pa oreks, që rrinë të mbyllur në vetvete. Atyre diçka u ka ndodhur, ose kanë marrë nota të këqija dhe kanë frikë t`ua tregojnë prindërve, ose dikush i ka bulëzuar apo kërcënuar, ose padashur kanë rënë në kthetrat e mashtruesve dhe kanë “provuar” “pak” drogë, pije alkoolike, etj. Pra ka një shkak që duhet zbuluar me kujdes, jo me britma, as duke i kërcënuar e frikësuar, se frika u krijon stres, por  me kujdes e komunikim të ngrohtë. Kur lulja  thahet, duhet t`i hedhësh uji, ta plehërosh, ta nxjerrësh në ajër të pastër, pra t`i shërbesh që ajo të marrë veten, ndryshe ajo thahet krejt. Kështu edhe me njeriun e, veçanërisht me fëmijën. Vë re se u flasim fëmijëve për të këqijat e armëve të zjarrit, por si dhurata dhe lodra për Vitin e Ri apo për ditëlindje u blejmë lodra- pistoletë, lodra- automatikë, fishekzjarrë shpërthyese...Tek e fundi, kush do t`i zgjidhë  shqetësimet, gabimet apo problemet që ka fëmija? Në radhë të parë prindërit e tij, apo jo? Sigurisht edhe shkolla e shoqëria, por po flasim për prindërit. Ata ta edukojnë bijën apo birin e tyre të shtrenjtë që të rritet i drejtë, i sigurt, i ditur dhe i shëndetshëm.

-Po mësuesit ç farë mund të bëjnë për edukimin e fëmijëve?

- Fëmijët dhe të rinjtë janë pasqyra të prindërve, të shoqërisë, por edhe të shkollës. Thuhet se ata janë si letër e bardhë, ku mund të shkruash edhe gjëra të mira edhe të liga, unë do ta bëja krahasimin edhe me tokën, duke kërkuar ndihmën e Anaksagorës, filozof i antikitetit, i cili thoshte se “edhe toka më pjellore, po të mos punohet, prodhon ferrat më të egra”, por mund të thoshim edhe se, bujku i mirë, edhe tokën shterp e bën pjellore dhe të begatë. Dhe, këtu, roli i mësuesve për fëmijët është vendimtar, ata mund të bëjnë shumë, e kanë edhe përgatitjen e duhur, por edhe e kanë detyrë, sepse edhe paguhen për dhënien e dijeve dhe edukimin. Mësuesit duhet të angazhoheshin më shumë për nxitjen te fëmijët të ideve, dëshirave, pasioneve dhe ëndrrave për jetën, për zhvillimet, shkencat, kulturën, artin etj. T`i ndihmojnë që fëmijët të gjejnë vetveten, të paraqesin idetë, ambiciet, mendimet që u lindin në kokë, ashtu siç i ndjejnë dhe siç e kuptojnë ata jetën. Mësuesit mund t`i ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë që, jo vetëm të hedhin në letër dhe të botojnë pjesë në prozë apo vargjet e tyre poetike, por edhe të provojnë, të konkurrojnë, të tregojnë talentin, t`u ngjallet besimi se edhe ata mund të bëhen shkrimtarë, muzikantë, piktorë, skulptorë, arkitektë, tregtarë, biznesmenë, mësues, politikanë, profesorë, akademikë, historianë, gjeografë... Them se mësuesi i letërsisë, për shembull, t`u mbledh krijimet nxënësve, siç mblidhen nga kopshti lulet e bukura dhe të freskëta dhe të kujdeset që ato të botohen, ai t`i mësojnë fëmijët sesi ato krijime t`i bëjnë të botueshme, mësuesi të vlerësojë me objektivitet arritjet e nxënësve në matematikë, në dituri, në kimi, letërsi e fizikë, mësuesi të kujdeset që talenti i fëmijëve të zhvillohet përherë e më shumë, është mësuesi që ua bënë atyre më të lehta gjërat e vështira, që fëmijët të motivojnë sa më mirë vetveten,  t`u ngjallen shpresat dhe besimi se jeta është e bukur, por për ta jetuar atë, duhet punuar e luftuar vazhdimisht, duhet guxuar...

-Nuk do të pushosh asnjëherë së shkruari?

-Pushimi më i mirë është kur punoj dhe shkruaj, sepse edhe mendimi është më i pjekur dhe përvojat janë më të shumta, detyrimisht dhe përfundimet janë më të sakta. Duke qenë se talenti në radhë të parë është dashuria për punën, them se edhe në këtë moshë mund të  shkruaj gjëra të bukura, madje në mënyre figurative do të thosha: “Melodi të mira mund  të luhen edhe me një violinë të vjetër”.

-Faleminderit dhe suksese të tjera!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx