Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Dervish Shaqa, rapsodi që skaliti monumentin e tij me zë dhe tingull, shpirt dhe qëndresë
E shtune, 11.04.2026, 06:57 PM

NE PERVJETORIN E NDARJES NGA JETA
Dervish
Shaqa, rapsodi që skaliti monumentin e tij me zë dhe tingull, shpirt dhe
qëndresë
Nga
Albert Vataj
Dervish
Shaqa nuk ishte thjesht një rapsod. Ai ishte një institucion i gjallë i
trashëgimisë sonë muzikore, një zë që i kaloi kufijtë e një interpretuesi të
zakonshëm për t'u bërë një monument i gdhendur në kujtesën kolektive të kombit
shqiptar. Ky monument nuk u ndërtua me gurë apo mermer, por u skalit me një
mjeshtëri të pashoqe përmes katër elementeve thelbësore: zërit, tingullit,
shpirtit dhe qëndresës.
Sot
shënohen 41 vjet nga ndarja nga jeta e rapsodit të madh Dervish Shaqa, një emër
që nuk është thjesht një zë në kujtesën folklorike, por një ndërgjegje e gjallë
e një populli që këndoi për të mos harruar, për të mos u përkulur, për të mos u
zhdukur në heshtje.
I
lindur në Llukë të Epërme të Deçanit më 1912, ai erdhi në jetë si një fëmijë i
një bote ku fjala nuk shkruhej gjithmonë në libra, por mbillej në shpirt dhe
rritej në këngë. Dhe pikërisht aty, në atë truall ku gurët e kullave mbajnë
peshën e historisë dhe të qëndresës, u formua ai zë që më vonë do të bëhej
dëshmi e një kohe të trazuar.
Por
jeta e tij nuk ishte një vijë e drejtë. Në vitin 1956, nën trysninë e asaj që
historia e njeh si aksioni i “mbledhjes së armëve”, një fushatë represive e
ndërmarrë nga UDB ndaj shqiptarëve të Kosovës, Dervish Shaqa u detyrua të
largohej nga vendlindja. Ky largim nuk ishte thjesht një zhvendosje
gjeografike, ishte një plagë e hapur që ai e mbajti me vete, një mërgim që nuk
u shërua kurrë.
Së
bashku me rapsodin Demush Neziri, ai u vendos në Rashbull, pranë Durrësit. Aty,
në një tokë që e priti, por nuk mundi t’i zëvendësonte rrënjët, ai vazhdoi të
jetojë përmes këngës. Sepse për Shaqën, kënga nuk ishte zbavitje; ishte mënyrë
mbijetese, ishte gjuhë e dhembjes dhe e kujtesës. Në vargjet e tij shpërthen
ajo mallëngjim i përjetshëm:
“Kur
ta ktheva Kosovë shpinën, e lamë borë e gjetëm dimën…”, një metaforë e një
mërgimi që nuk njeh pranverë.
Në
Shqipëri, ai nuk e ndërpreu kurrë misionin e tij, të këndojë historinë. Me
çiftelinë si armë dhe me zërin si flamur, ai solli në këngë kullat e
Dukagjinit, figurat kombëtare, trimat e përgjakur në beteja dhe nderin e
pathyeshëm të shqiptarit. Kënga e tij ishte një arkiv i gjallë, një kronikë që
nuk e shkruan dot asnjë dokument zyrtar.
Në
Rashbull, ai themeloi dhe udhëhoqi një grup rapsodësh, duke e shndërruar këtë
hapësirë në një vatër të gjallë të folklorit. Në vitin 1968, ai u ngjit për
herë të parë në skenën e Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, duke
sjellë me vete jo vetëm këngë, por një botë të tërë përjetimesh. Prej asaj
kohe, së bashku me Demush Nezirin, ai u bë zëri i një repertori që kaloi nga
brezi në brez: këngë si “Ç’janë këto gjamë që i bjen era”, “Prej Prokuplje deri
n’Nish”, “Moj e mira porsi bora”, apo baladat për Azem e Shotë Galicën, Nak
Berishën dhe shumë figura të tjera, mbeten sot gurë themeli të kujtesës sonë
kolektive.
Një
pjesë e madhe e kësaj trashëgimie ruhen sot në arkivat e Radio Tirana, si
dëshmi të një arti që nuk ishte i ndërtuar për treg, por për të mbajtur gjallë
shpirtin e një kombi.
Edhe
kompozitorë të njohur, si Tish Daija, u frymëzuan nga zëri dhe personaliteti i
tij, duke i besuar interpretimit të Dervish Shaqës këngë si “Festë të madhe ka
sot Shqipëria”, që për vite me radhë u bë një refren i njohur në valët e
radios.
Por
përtej të gjitha këtyre, Dervish Shaqa mbetet ai rapsod që nuk këndoi kurrë për
para. Ai këndoi sepse duhej të këndonte. Sepse heshtja do të ishte tradhti.
Sepse kujtesa kërkon zë.
Populli
që e njohu dhe e dëgjoi, e mban mend si një këngëtar të lindur, si një njeri që
e kishte kthyer jetën në këngë dhe këngën në amanet. Dhe sot, 41 vjet pas
vdekjes, ai nuk përkujtohet si një emër i së shkuarës, por si një prani që
vazhdon të kumbojë në çdo tel çiftelie, në çdo varg që rrëfen për dheun, për
mallin dhe për dinjitetin.
Sepse
disa zëra nuk shuhen. Ata bëhen jehonë. Dhe jehona e Dervish Shaqa vazhdon të
thërrasë ende.









