Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Fryma e mermerit që të lë pa frymë
E diele, 29.03.2026, 06:54 PM
Fryma e mermerit që të lë pa frymë. Ndihu edhe ti me faj, se e nguce këtë hir të bëhet me turp
Nga
Albert Vataj
Skulptori
italian Cesare Lapini e gdhendi “Surprise” në vitin 1882 dhe, në thelb, ai e
shndërroi gurin në mëndafsh, procesin mijëvjeçarë të krijimit të shkëmbit në
një çast të frymshëm që të lë pa frymë. Shiko mënyrën si pëlhura “ngjitet” pas
lëkurës së saj dhe rrudhat e holla të dantellës në mëngë. Edhe vetë realja do
ta kishte të pamundur të ishte kaq sublime në aktin e derdhjes në një
shkrepëtimë drite.
Kjo
quhet teknika e velit të tejdukshëm dhe është një nga gjërat më të vështira për
t’u realizuar në skulpturë. Të mendosh që dikush e bëri këtë me çekan dhe
daltë... unë mezi palos rrobat e mia, do të thoshte dikush që di të dorëzohet
para kësaj magjepsjeje.
Mermeri
ka nxjerrë nga thellësia e ngurtësimit atë vërshim të gjallë pulsimi, sikur
vetë ëndja e një dehje të ngjizte me mish dhe gjak, ndijim dhe pasion, një
gostisje që do të ishte e denjë si blatim hyjnor.
Në
këtë vepër, e titulluar “Surprise”, nuk kemi thjesht një demonstrim
virtuoziteti teknik, kemi një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj vetë natyrës së
materialit. Mermeri, simbol i qëndrueshmërisë, i ftohtësisë dhe i peshës, këtu
humbet gravitetin e vet dhe bëhet iluzion, bëhet prekje, bëhet frymë, bëhet ai
çasti që na përshkon si një shpërthim.
Lapini
nuk gdhend vetëm trupin, por marrëdhënien mes trupit dhe mbulesës, duke ju
qasur një komunikimi që fton më të guximshmit t’i jepen kësaj ndrojtjeje, t’i
bëhen pafajësi kësaj pendese, t’i bëhen pranim këtij dorëzimi shëlbyes.
Pëlhura
nuk është më një element i jashtëm, ajo është një tension i vazhdueshëm midis
fshehjes dhe zbulimit. Ajo “ngjitet” mbi mish, duke e theksuar më shumë se sa
duke e mbuluar, duke treguar atë çfarë përjetimi e ruan në murosje dhe e
lartëson në përjetësinë e artit. Kjo është paradoksi estetik i velit, vetë
mistika e kuptimit. Ai nuk e fsheh trupin, por e bën më të dukshëm, më të
ndjeshëm, më të prekshëm për syrin dhe çdo adhurim e bën me faj, dike e e bërë
këtë hyr me turp.
Kjo
teknikë, e njohur si veli i tejdukshëm, kërkon një kontroll ekstrem mbi
materialin, sepse skulptori duhet të krijojë iluzionin e transparencës në një
substancë thelbësisht opake, ai ndërmerr një mision sfidues. Është një akt që i
afrohet mashtrimit optik, por që mbetet i ndërtuar mbi disiplinën e rreptë të
dorës dhe mendjes dhe elekuencës shprehëse të shpirtit. Në këtë pikë, Lapini
hyn në një dialog me traditën e madhe të skulpturës italiane, nga Antonio
Corradini te Giovanni Strazza, ku veli nuk është thjesht teknikë, por metaforë,
ku terjdukshmëria është më shumë se një lojë joshjeje, një triumf i përpjekjes
me të pamundurën, por jo të pamposhturen.
Ajo
që e veçon këtë vepër është dimensioni psikologjik. Titulli “Surprise” sugjeron
një moment të kapur në befasi, një gjest i papritur, një ndërgjegjësim i
menjëhershëm i trupit për veten. Duart e kryqëzuara, që përpiqen njëkohësisht
të mbulojnë dhe të mbajnë, krijojnë një gjuhë të trupit të mbushur me tension,
është një lëvizje mbrojtjeje, por edhe një akt ekspozimi i pavullnetshëm.
Këtu,
ekzistencialja dhe estetika takohen në një pikë të përbashkët, ndjeshmëria e të
qenit i parë. Trupi nuk është më vetëm formë, ai bëhet vetëdije. Dhe veli, kjo
shtresë e hollë mermeri, shndërrohet në kufirin e brishtë midis intimes dhe
publikes, midis vetes dhe botës.
Kjo
vepër nuk është vetëm një triumf i teknikës, është një reflektim mbi iluzionin,
një transparencë që i orvatet nevojës për përshkueshmëri. Sepse ajo që duket si
mëndafsh është gur, ajo që duket si butësi është forcë, dhe ajo që duket si
mbulim është, në të vërtetë, një formë më e thellë zbulimi.
Kjo
ndrojtje, e bën të bukurën më të bukur dhe fëminilitetin më joshës. Ajo del nga
koha dhe shkëmbi për të çelur portën e një dimensioni estetik që kërkon
përputhshmëri me marrëdhenien që qenia jonë e trashëgoi, si një densitet
gravitacional i epshit dhe gjithmonshmërie e epjes. Ndjellja e ka veshur hirin
gjithnjë me një vello të bardhë, si nën mermer ashtu, nën dritën e zbehtë të
hënë edhe nën dalldisjen e zjarrit që derdhën
ndjenjat për ta magjepsur jetën dhe fisnikëruar të bukurën.









