Mendime
Ilir Çumani: Dy fytyrat e diskursit mediatik
E shtune, 14.03.2026, 06:55 PM
DY FYTYRAT E DISKURSIT MEDIATIK
(Përsiatje
mbi një material audiovizual që shpesh e ndesh në rrjete sociale dhe më bën të
mendoj….)
Nga
Ilir Çumani
Gjatë
35 viteve të sistemit demokratik në Shqipëri, liria e mendimit dhe e fjalës ka
bërë një rrugëtim të vështirë për të gjetur shtratin e saj të natyrshëm dhe për
të ndarë qartë sinorët mes së vërtetës dhe të pavërtetës.
Në
një shoqëri që doli nga një regjim i gjatë i censurës dhe propagandës, media u
pa fillimisht si një hapësirë e re shprese, si një tribunë ku fjala e lirë do
të mund të artikulonte pa frikë të vërtetën dhe do të mbante në kontroll
pushtetin.
Por,
me kalimin e viteve, ky ideal shpesh u deformua. Krahas gazetarisë së ndershme
dhe profesionale, u shfaq edhe një tjetër fytyrë e medias: ajo e manipulimit të
opinionit publik, e relativizimit të së vërtetës dhe e përdorimit të fjalës si
instrument interesash politike, ekonomike apo klanore.
Kështu,
në vend që të mbetej një busull morale për shoqërinë dhe një zë kritik ndaj
pushtetit, një pjesë e gazetarisë shqiptare gjatë këtyre 35 viteve të
tranzicionit është shndërruar shpesh në një mekanizëm propagandistik, ku e
vërteta shpesh maskohet, deformohet apo zëvendësohet nga narrativa të ndërtuara
sipas interesave të çastit.
Pikërisht
këtu fillon edhe drama e vërtetë e diskursit mediatik në Shqipëri: te
dyfytyrësia mes misionit publik që pretendon dhe rolit real që shpesh luan apo
duhet të luajë.
Në
jetën publike shqiptare ndodhin shpesh situata që nuk kërkojnë analiza të gjata
për t’u kuptuar; mjafton t’i vendosësh përballë njëra-tjetrës, si dy pasqyra,
dhe kontrasti apo paradoksi bëhet menjëherë i dukshëm.
Një
prej këtyre paradokseve është kur një zë i njohur i medias mban dy qëndrime
diametralisht të kundërta ndaj të njëjtit personazh politik.
Rasti
i gazetarit Frrok Çupi ndaj kryeministrit Edi Rama është një shembull që të
shtyn jo vetëm drejt kritikës publike, por edhe drejt një reflektimi më të thellë
psikologjik, social, politik dhe antropologjik mbi mënyrën se si funksionon sot
një pjesë e diskursit mediatik në Shqipëri.
Në
fakt, nuk kemi të bëjmë thjesht me një ndryshim opinioni, gjë që është krejt e
natyrshme në botën e ideve dhe të debatit publik.
Mendimi
mund të evoluojë, të ndryshojë, të rishikohet. Por kur një opinion kalon nga
një ekstrem në tjetrin pa asnjë shpjegim logjik apo moral, atëherë nuk kemi më
të bëjmë me evolucion të mendimit, por me një kontradiktë paradoksale që kërkon
shpjegim e mbase një analizë më të thellë nga specialistët e fushës së
komunikimit publik.
Në
një moment, i njëjti gazetar e paraqet kryeministrin Edi Rama si një njeri pa
kulturë, si dikë që nuk ka lexuar as dy libra në jetën e tij dhe që është
ngjitur në majat e pushtetit falë mbiemrit të të atit, artistit të njohur.
Në
një moment tjetër, po ai zë mediatik e ngre në superlativa, duke e portretizuar
si një personalitet me kulturë të gjerë, madje si produkt të një trungu fisnik
me rrënjë veneciane, duke sugjeruar se nuk mund të ndodhë ndryshe që një njeri
i tillë të mos jetë derivat i një tradite aristokratike, të cilën shqiptarët,
sipas këtij diskursi, kanë fatin ta kenë sot në krye të qeverisë së tyre.
Ky
kontrast nuk është thjesht një lëkundje retorike, por, sipas mendimit tim,
është një simptomë e një fenomeni më të thellë që lidhet me psikologjinë e
diskursit publik në shoqëritë ku raporti midis medias dhe pushtetit mbetet i
paqartë.
Në
psikologjinë sociale ekziston një fenomen i njohur si disonanca kognitive:
gjendja kur një individ mban njëkohësisht dy bindje të kundërta dhe përpiqet
t’i justifikojë të dyja në varësi të rrethanave.
Në
rrafshin individual kjo mund të jetë një krizë e brendshme mendore, një
përplasje e vetvetes me bindjet e saj; por në rrafshin e jetës publike ajo
shndërrohet në një mekanizëm adaptimi ndaj pushtetit.
Gazetari
nuk flet më nga një bindje e qëndrueshme, por nga një instinkt mbijetese në një
ambient ku balancat politike ndryshojnë dhe ku fjala publike shpesh matet me
peshoren e interesit të momentit.
Në
këtë kuptim, gazetaria e politizuar krijon një tipologji të veçantë figure
publike: gazetarin që lëviz mes kritikës dhe lavdërimit me një lehtësi që të
kujton jo evolucionin e mendimit, por elasticitetin e oportunizmit.
Kur
klima politike e kërkon, retorika bëhet e ashpër, gati demaskuese, dhe kur
rrethanat ndryshojnë, po e njëjta retorikë transformohet në panegjirizëm dhe
admirim.
Kjo
është arsyeja pse në shumë raste nuk kemi të bëjmë më me gazetari në kuptimin
klasik të fjalës, por me atë që antropologjia politike do ta quante një ritual
lojaliteti publik ndaj pushtetit.
Në
shoqëritë tradicionale, oborret e princave dhe mbretërve kishin gjithmonë dy
figura karakteristike: kronikanin dhe oborrtarin. Kronikani përpiqej të
regjistronte historinë, ndërsa oborrtari kishte një rol tjetër – të ruante
humorin e sundimtarit dhe të krijonte një atmosferë miratimi rreth tij.
Në
realitetin shqiptar të tranzicionit, shpesh këto dy figura janë përzier në një
të vetme. Gazetari (në shumë raste) nuk është më ai gardiani fanatik i së
vërtetës, as kronikani kritik i pushtetit; ai shpesh shndërrohet në orator të
oborrit politik, një figurë që në studiot televizive nuk analizon pushtetin,
por ndërton narrativën që e justifikon atë, duke marrë rolin e “avokatit të
djallit” në dëm të interesit publik.
Kjo
është arsyeja pse diskursi mund të ndryshojë brenda një kohe të shkurtër: nga
ironia në glorifikim, nga demaskimi në adhurim. Në këtë pikë, bëhet i
pashmangshëm kujtimi i një prej figurave më të mëdha të gazetarisë italiane,
Indro Montanelli, i cili ka lënë një nga vëzhgimet më therëse për profesionin e
gazetarit kur thoshte se:
“….në
çdo epokë ka gazetarë që lehën kundër pushtetit dhe gazetarë që tundin bishtin
para tij.”
Në
shoqëritë ku politika kontrollon burime të mëdha ekonomike dhe ndikimi mbi
mediat është i fortë, rreziku që gazetaria të shndërrohet në një treg ku
opinioni blihet dhe shitet bëhet gjithnjë më real. Në këtë treg, qëndrimi
editorial nuk është më një bindje morale, por një mall i negociueshëm që
përshtatet me interesat e momentit.
Ironia
bëhet edhe më e thellë kur kujtojmë se vetë kryeministri Rama ka përdorur
shpesh termin “fosile” për kundërshtarët e tij politikë gjatë debateve publike.
Por
nëse kjo metaforë do të zgjerohej përtej politikës, do të mund të lindte një
pyetje tjetër: a ka prodhuar tranzicioni shqiptar edhe fosile mediatike? Pra
figura që prej dekadash qarkullojnë në të njëjtat studio televizive, duke
ndryshuar vetëm tonalitetin e fjalës, por jo funksionin e tyre në raport me pushtetin.
Në
këtë kuptim, fjala “fosil” nuk lidhet me moshën apo me historinë personale të
dikujt, por me ngurtësimin moral të diskursit publik dhe me pamundësinë për të
qenë i lirë nga gravitacioni i pushtetit.
Shqipëria
e tranzicionit ka prodhuar një fenomen që shpesh perceptohet me një humor të
hidhur nga publiku: një kategori analistësh që arrijnë të jenë pothuajse
gjithmonë në anën e duhur të pushtetit, pavarësisht se kush e mban pushtetin.
Në
këtë kuptim, ata ngjajnë me semaforët e qytetit: kur politika është e fortë
ndizet drita jeshile e lavdërimit, kur klima ndryshon ndizet drita e kuqe e
kritikës.
Ky
mekanizëm është bërë aq i njohur për publikun shqiptar, sa shpesh ai
perceptohet më shumë si një ritual i zakonshëm i tranzicionit sesa si një
devijim nga norma e gazetarisë.
Në
sociologjinë e komunikimit flitet shpesh për makinerinë e propagandës. Në
shoqëritë ku pushteti përqendrohet dhe ku kontrolli mbi narrativën publike
bëhet një objektiv politik, propaganda nuk prodhon vetëm mesazhe, por edhe
figura publike që i përcjellin këto mesazhe në mënyrë të vazhdueshme.
Këto
figura shfaqen çdo mbrëmje në ekranet televizive dhe krijojnë një realitet
paralel ku pushteti justifikohet dhe kundërshtimi delegjitimohet.
Në
këtë pikë, pyetja nuk është më vetëm për një gazetar të caktuar apo për një
studio televizive të veçantë. Pyetja bëhet shumë më e madhe dhe prek vetë
strukturën e jetës publike: sa i lirë është realisht diskursi mediatik në
Shqipëri?
Në
fund të ditës, fjala publike është jo vetëm një instrument informimi, por edhe
një pasqyrë e shpirtit të shoqërisë; kur ajo deformohet ose blihet, nuk humbet
vetëm e vërteta, por vetë dinjiteti i qytetarëve që e dëgjojnë.
Në
fund të fundit, ky debat nuk është thjesht për një emër, për një analist apo
për një polemikë të radhës, por për dinjitetin e fjalës publike në një shoqëri
demokratike.
Gazetaria,
kur është e lirë dhe e ndershme, është një nga instrumentet mbrojtëse dhe
aset i fuqishëm i demokracisë. Por kur
ajo bëhet zgjatim i pushtetit, rrezikon të shndërrohet në pasqyrën e tij më të
deformuar.
Në
një vend të vogël si Shqipëria, ku historia politike shpesh ka qenë e trazuar
dhe ku demokracia ende kërkon të konsolidohet, shpresa mbetet që fjala e lirë
të mos kthehet në një mall që blihet e shitet në tregun e pushtetit.
Kombet
nuk rrënohen vetëm nga autokratët, por edhe nga heshtja, servilizmi dhe
propaganda e influencierëve lëpirës e të mirëpaguar nga pushtetet korruptive, e
atyre të ashtuquajturve “analistë-opinionistë” që duhet të thoshin apo të thonë
vetëm të vërtetën pavarësisht çdo kostoje…!
Tiranë, e hënë - 9 mars, 2026









