E diele, 15.02.2026, 11:37 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: 115 vjet, O Ded Gjo’ Luli (5)

E diele, 15.02.2026, 06:50 PM


Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa V.

115  VJET
O, DED  GJO’ LULI

DED  GJO’  LULI  (1840 – 1915)

PO EMNI I YT ASHT
I   PERJETSHEM!

IDEALIN  AI  E  LA    SHKRUEM  ME  GJAK !

.Shkodër, me 29 Maji 1924.Etnit Françeskan të Shkodrës, mbas sa përpjekjesh, mujtën me sigurue  dhe me organizue ceremoninë e Tyne madhshtore të sjelljes në Shkoder të Eshtnave të Dedë Gjo’ Lulit dhe të Djalit të Tij, në Kishën Françeskane të Gjuhadolit. Ishte një popull i pafarë tek Kisha ku do të zhvillohej ceremonia mortore e Heroit.

Ishte i pranishëm edhe Delegati Apostolik, Shkëlqësia e Tij, Imzot Ernesto Cozzi, i cili, në mes të ma tepër se 3000 qytetarëve shkodranë, e përcolli Dedë Gjo’ Lulin deri tek banesa e Tij e fundit ndër vorre të Rrëmajit.

Morën pjesë edhe të gjitha autoritetet shtetnore të Shkodrës. Në oren 8.00 të mëngjesit, Provinçiali i Françeskanëve të Shqipnisë, At Pal Dodaj, filloi Meshën e organizueme për Fatosin e Maleve. Një orkestër e zgjedhun për këte rasë, me tingujt e saj të përmortshëm, e bani edhe ma të madhnueshme atë  ceremoni mortore.

Mbas Meshet zani i përmallshem dhe i fortë ku ishte ma i zgjedhuni mu në atë fidanishtë dijetarësh të pashoq, e që ligjëroi me solemnitet për jeten e Dedë Gjo’ Lulit, ishte predikatari i Madh At Anton Harapi.

Ndër tjera fraza Ai tha: “Sikuse Athena e Roma mbi gjak e eshtna të Fatosave ngrehën ndërtesën e Lirisë, ashtu për të mëkamun të Shqipnisë u lyp që gjaku i  kreshnikëvet të sterpikëte krepat e Maleve tona!... Mbas 400 vjetësh me çeten e vet lufton për të parën herë nën Flamurin e Shqipnisë, për Liri kombëtare...

Ai kje tri herë Fatos, se i fali Atdheut dy djelmët dhe veten, tue u ba Sheji i salvimit të xhonturqëve, të sllavëve e esadistëve ... Ai së dyti provoi se bashkë me Atdhetarinë në gjoksin e Tij vloi edhe zelli për Fe...

Në Te vërtetohet fjala e popullit se ndihma e Zotit e pushka e Hotit e shpejtoi Lirinë Kombëtare...”

Në fund oratori At Harapi iu drejtue gjithë Shqiptarëve të të gjitha viseve, që emni i Fatosit të përjetësohet me një Monument.

Ishte shumë prekës për të pranishmit momenti kur At Antoni ju drejtue djalit të Luc Nishi, që ishte vra tue luftue trimnisht në luftën e rrebtë të Koplikut, kur i tha:

“...Të rritet i mirë se ka kujt i ngjet e ti japin zemër Bajrakut të vet Hotit, që edhe pse iu desht me hjekë ma keq sesa Bajrakëve të tjerë, me nder e me namin e Tij, ka me mbetë ndër ma të Parët Bajrakë të Shqipnisë!”

Banda e Bashkisë së qytetit vazhdoi me jonet e përmallëshme me vajtue pranë trupit të Heroit t’ Atdheut.

Arka me Eshtnat e Fatosit të Traboinit doli madhnisht nga Kisha Françeskane e mbulueme me Flamurin Kombëtar. Populli e mori në dorë në shenjë nderimi deri në vorrezat e Rrëmajit.

Procesionit i prini Banda e Gjimnazit të Fretënve e veshun kuq e zi, me veglat e stolisuna me shirita të zez, mbas të cilëve ishin përfaqsuesit e shoqnive të tjera.

Të rreshtuem në heshtje shkuen në drejtim të Kishës Kathedrale. Ndigjohej vetem muzika që bashkohej me jonet e kumbonëve të Kishave të qytetit që edhe ato në shenjë zije rrahnin në njëanë...

Njigjohej vetem një za, Zani i Atdheut që përherë të parë po i deshmonte nderimin e duhun Fatosit të vet mbas 7 vjetësh...

Mbas salikimit në Kishen Kathedrale procesioni u drejtue për në banesen e fundit në Rrëmaji.

I madh e i vogël po përcillnin Tre Burra të një shtëpisë njëheri...Prandej dhe lotët nuk mungonin mbas Arkës..., e cila ndiqej nga Banda e Gjimnazit të Fretenve.

Në Vorreza ajo me nderimin e duhun nga të pranishmit ekzekutoi me madhshti Hymnin tonë Kombëtar.

Mori fjalën edhe oratori Don Lazër Shantoja..,e mbas Tij, foli edhe kushrini i Dedë Gjo’ Lulit, Gjok Luli, i cili tha: Po të falem nderës me gjithë zemer moj Shkodër, për ket punë që ke ba, po ma teper po u falen nderës gurt’ e Hotit.

Tue mos ditë me kuvendë ma gjatë, po ju tham se nuk e kemi besue se i dini ju këto punë. Edhe unë po gëzohem me ju. 500 shtëpi që ka Hoti janë fikë e dalë në rrugë të madhe e, kaq jemi ba porsi ajo grueja e pakunorë, porsi ajo qyqja e zezë... Kushtrim...Zot!...

Kushtrim, Shqipni për 500 shtëpi Hot që jemi shkrepë rrugëve tue vdekë urije e, kemi derdhë gjakun me ba Shqipni!.. E, pasha Këta Eshtna që kemi para se edhe sa mashkuj që të kenë këto 500 shtëpi, kanë me vdekë për Shqipni!”... Tue mos mujtë ma me vazhdue hjekë kësulen prej kreje dhe e lëshon në tokë... në shenjë Betimi e Bese...

Populli u zhgreh në vajë.., dhe njeni mbas tjetrit i shternguen dorën Burrave e Grave të Hotit për kryeshndosh, të cilët të gjithë bashkë i bashkonte një gjak...Një Flamur!

Shkodra, edhe pse e lanun mbas dore,..,ka dijtë dhe di edhe sot, se kujt me i thanë Fatos, Shpëtimtar i Atdheut dhe me këndue: Njaj asht Fatos që tue luftue mbaron”...

( MALËSIA  ISHTE  VETEM  KUDHË…)

KOLË DEDË GJO’ LULI – DEDË GJO’ LULI – GERGJ DEDË GJO’ LULI

(1879 – 1918)                             (1840 – 1915)                           (1890 – 1912)

“Ai kje tri herë Fatos, se i fali Atdheut dy djelmët dhe veten, tue u ba Sheji i salvimit të xhonturqëve, të sllavëve e esadistëve ...”   At A.Harapi.

Shqipes së Gjergj Kastriotit...

I prenë kokat...I verbuen sytë...I shituen gjuhët...

I shporuen zemren...

I cunguen krahët... I këputën kambët...

I coptuen trupin... dhe i

... Gozhduen si Krishtin!..

Rrnoftë Shqipnia!

Melbourne, 11 Fruer 2026. Fundi i artikullit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx