E enjte, 05.02.2026, 03:42 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: 115 vjet, O Ded Gjo’ Luli (4)

E merkure, 04.02.2026, 06:55 PM


Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa IV.

115  VJET
O, DED  GJO’ LULI

DED  GJO’  LULI  (1840 – 1915)

PO  EMNI  I  YT  ASHT
I   PERJETSHEM!

Një veper kaq e lavdishme siç ishte ngritja e Flamurit Kombëtar nga Dedë Gjo’ Luli në Deçiq, nuk ishte e mjaftueshme për Atdhetarët e vërtetë Shqiptarë. Duhej vazhdue e çue në fund qellimi i Tyne!

U dha kushtrimi për në Gërçe... E Shqipet fluturuen Atje!

Këte herë do t’ ishte çerdhe e Atdhetarëve si gjithmonë qela e Fratit... Mikpritës i Atyne Burrave ishte Françeskani At Mati Prennushi OFM., Mik i Dedë Gjo’ Lulit dhe bashkpunëtor i urtë i të gjithë Atyne Burrave që ia patën msye qelës së Tij, ku “buk’ e krypë e zemër” nuk mungonin kurrë.

Me armë ende të ngrohta në brez, u rreshtuen në një tavolinë modeste Ata Atdhetarë, të cilët na lanë të shkruem një nga Ata dokumenta të Historisë së kohës moderne, që si të gjithë të tjerët asht i lanun nën pluhunin e flamurit anadollak të pseudohistorianëve tonë.

Kam ba shumë përpjekje me gjetë ndonjë dokument origjinal të Memorandumit të Gërçes, por nuk ia kam arrijtë. Njohunitë ma të sakta i kam nga miku im i shtrejtë, Françeskani At Kondrad Gjolaj, i cili më ka shpjegue se organizatori i Atij Memorandumi asht kenë vetë At Matia. Me aprovimin e plotë të Imzot Lazer Mjedjës, në qelen e At Matisë pat shkue vetë Imz. Mjedja, Dedë Gjo’ Luli, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe disa krenë të Malësisë së Veriut, ku u pat mendue, përpilue dhe shkrue në gjuhën frange, e mbasi u pat aprovue nga të gjithë pjesmarrësit, u pat firmue Dokumenti, i cili kërkonte nga qeveria turke “njohjen e plotë të Pavarësisë së të gjithë tokave të Shqipnisë”, formimin e Shtetit Shqiptar, vendosjen e një administrate në këtë shtet ku do të përfshiheshin edhe vilajetet tjera të Shqipnisë që ishin me popullsi autoktone shqiptare. Per ruejtjen e integritetit tokësor u kërkue formimi i policisë shqiptare dhe krijimi i një administrate që do të kontrollohej nga organet e drejtësisë, të cilat si trung i përbashkët i Këtij Shteti të Ri të porsaformuem do të përdornin në të gjitha hallkat e Tij si gjuhë zyrtare Gjuhën Shqipe. Një ndër pikat ma të randësishme të Atij  Memorandumi ishte hapja e Shkollave Shtetnore Shqipe, ku do të ishte kryesore Gjuha Amtare, krahas gjuhëve tjera të dyta. Luigj Gurakuqi mori përsiper edhe hartimin e një buxheti ku do të parashikohej sesi do të funksiononte kjo administratë shtetnore, ku do të përfshiheshin edhe disa reparte ushtarake të mobilizueme ndër të gjitha vilajetet e Shqipnisë.

Disa probleme ekonomike të parashtrueme në këtë dokument janë mendime të Luigj Gurakuqit, i cili që në atë kohë parashikonte sesi duhej veprue për mëkamjen e ekonomisë në mbarë Shqipninë.

Memorandumi prej 12 pikave Ju dergue edhe Fuqive të Mëdha.

Pjesmarrësit e kësaj mbledhje ranë dakord që porsa të shkonin në krahinat e veta, me punue me guxim dhe me shpallë botnisht Luftën e haptë kundër pushtuesëve turq, tue kërkue në ndihmën e vet Popullin e të gjitha atyne viseve që me të gjitha mjetet do të luftonin për Liri.

Kryesore ishte që udhëheqësit e Popullit nuk duhet të binin preh e premtimeve të pushtuesit, për pranimin e “Pavarësisë” nën kontrollin  e mbikqyrjen e forcave ushtarake turke ose edhe pjesmarrjen e tyne në organet e drejtësisë, financave dhe organizimin e ushtrisë kombëtare.

Lufta për arritjen e zbatimit të kërkesave ishte e shpallun njëheri me shpalljen zyrtare të Memorandumit të Gërçes.

Shumë pak e aspak asht vlersue ky akt aq i randësishëm historik për Pavarësinë tonë kombëtare, tue u dijtë mirë se ky veprim i ka pasë parapri në të gjitha rrethanat e krijueme atëherë ngjarjeve të Vlonës.

Jam i sigurtë se kjo vjen si pasojë e mohimit të rolit Atdhetar që ka luejtë Malësia e Veriut në arritjen e fitores së Pavarësisë, sigurisht tue u bazue tek lidhja e ngushtë e këtyne Maleve me Klerin Katolik.

Në përpilimin e Këtij Memorandumi bie në sy mënyra sesi asht hartue dokumenti dhe përdorimi i saktë i termave juridike, që lejon me mendue njohjen e drejtë dhe të saktë të ligjve ndërkombëtare nga të gjithë nënshkruesit, që kanë parashtrue ato kërkesa me aq guxim dhe drejtësi, sa në dukjen e parë ke përshtypjen se Dokumenti asht formulue në ndonjë nga shtetet “ma të zhvillueme” të Europës së asaj kohë.

Sigurisht, kjo lejon me pranue pa kushte edhe pjekuninë e Tyne  politike dhe kulturore, të cilën sot fatkeqsisht e dishrojmë në të gjitha hallkat Shtetin Shqiptar, deri tek Presidenti, që kur pret qeveritarë turq heqë nga zyra e vet bustin e Heroit kombëtar Gjergj Kastriotit..

Ky dokument i randësishëm Historik ka të shenueme datën në të cilën u firmue nga Atdhetarët: Gërçe, 23 Qershor 1911.

I pari që filloi përpjekjet për zbatimin e Memorandumit ishte vet trimi i Traboinit Dedë Gjo’Luli. Lufta ishte me të vertetë e rrebtë. Liria e Atyne Maleve u pague shtrejt deri ndër majet e veshuna me borë, ku Historia e Shqipnisë gjithnjë asht tregue e pamëshirshme, tue i lanë me dashje këto vepra të ngrime “nën akuj”.

NDIHMA  E  ZOTIT  E  PUSHKA  E  HOTIT”

Kështu thotë Populli i Maleve tona..

Këto janë faktorët kryesor që shpejtuen Lirinë e Atdheut!

Me 28 Nandor 1912, Shqipnia u shpall e Pavarun dhe e Lirë!

Shkodra vazhdonte me kenë e rrethueme...këte herë Kështjella Rozafat nuk ishte e rrethueme nga turqit, por gjuhej në top nga Mali i Zi ...

Një anmik tjetër shekullor, që priste me sjellë një robni tjetër.

Nderhynë forcat ndërkombëtare dhe zmbrapsen malazezët...

Trojet tona nga një robni kercnoheshin prej tjetrës..., poaq mizore.

Malësorët vazhdonin me ra me fjetë me krye ndër cunga e me armë përfaqe..., tue vazhdue me u ruejtë nga pusitë e serbit të pabesë...

Londra kishte “mendue” me trutë e serbëve, se Tokat tona, Hoti e Gruda, duhej shue ashtu si u veprue me Kosoven, Korçen e Gjinokastren e prap ma vonë me Çamërinë, Maqedoninë Shqiptare dhe Vorio Epirin.

U munduen me krijue një ide “qetësie” në Ballkan me disa forca ndërkombëtare, që u vendosën në Shkodër. Admirali anglez Cecil Burey, kur i tregoi Dedë Gjo’ Lulit se “Hoti e Gruda kishin mbarue”, Deda iu përgjegj aty për aty pa i ba syni vek: “Ti, zotni, ke hyqem me shitë kopështin tand, se ate t’emin nuk e shes as nuk e fali!”

Atëherë, admirali, tue pa veten ngusht, u suell nga Malësorët dhe u tha: “Në mos ndejshi rahat, Fuqitë e Mëdha të Europës kanë me i vue me forcë në zbatim vendimet e veta...”

Po Deda, në heshtjen që ra n’ atë vend, piskati: “A ka tager e forcë Europa me më ndalue që me derdhë gjakun tem!”

Por, Londra dhe Fuqitë e Mëdha... “formuen një Shtet Shqiptar rrethue gjithkah me tokat e veta”, që edhe sot nuk janë të Sajat...

At Gjergj Fishta në revisten e themelueme prej Tij, që në vitin e parë të “Hyllit të Dritës”, në numrin 2, shkruen për betejat e Maleve:
                   “Namin e tyne për me e kndue si duhet,

O nieri lypet, lypet Iliada.”...

Ndërsa, mue... më lypët At Gjergj Fishta...

E vetëm atëherë kur sytë tonë të molisun nga robnia komuniste të kalojnë sipër shkronjave të daltueme prej Teje, o At Fishta, ndër ata libra që ndër shekuj nuk kanë mort, kemi me u kjartësue për me pa atë dritë me të cilen Françeskanët Shqiptar ndriçuen rrugen e Lirisë sonë...

“Veç, po, ka Dedë Gjo’ Lula – burra fjalet:

Ka Cokaj n’ za për pushkë e bujari,

E ka Pjeter Sokola e Llesh Nikë Daka,

Edhe Gjeto Mark Ujka – t’ idhtë si helmi;

E janë Nikë Gjelosh Lula – rê me breshen,

E Kolec Marka e Gjelosh Gjoka rrfeja:

Janë Kolë Marash Vata sy – kulshedra,

Vetem me i msy ‘i qind vetë e armët m’ua marrun.

E ka dragoj Tirane edhe Kosove,

E Orë prej Shale, e djelm, si Zana Dibret:

Ka sokola prej Zhubet e Berishet,

E djelm e burra ka, e ka fatosa

Me brejtun hekur, t’ thuesh, me shkulun lisat,

Malet me i dyndun per liri t’ Shqypnis… »

(At Gj. Fishta, « Mrizi i Zanave » 1941)

Mora këta vargje nga At Fishta për me ju kujtue se ka emna që po mos t’ ishin shpjegue nga At Viktor Volaj, nuk di a do të njiheshin nga ajo histori e shkrueme tash 65 vjet e këndej…E pra, kjo nuk ishte luftë cubash, as luftë kusarësh… Ja dhe shpjegimi i At Volaj :

« Kush kje Dedë Coku? – Ishte prijs i kryengritjes së Malësorëve të Bregut të Matës, i cili me 30 vetë, me 22 Qershor 1912 i vunë pushkën një ushtrije 600 vetësh, të drejtueme nga kajmekami i Lezhës, të cillin e vranë në pushkë të para. Në këte luftë të përgjakshme kanë mbetë 187 të vdekun dhe një numur ma i madh të plagosun, u kjenë marrë 45 kuaj e mushq, ndër të cillët disa të ngarkuem me municjon e ushqime. Të nesërmen Deda bashkë me Pjeter Sokolin, megjithse të dy të plagosun, kalor dy kajve të marrun dy ditë para ushtrisë, i prijnë karvanit nëper grykë të Fandit për me dalë me verue në Mirditë. Ndersa Llesh Nik Deda asht quejt me arsye Leonida i Bregut të Matës. Ky ka fillue me luftue vetëm me ushtri turke prej kullës së vet. Tue kujtue ushtrija turke se aty ishte një qindresë e madhe, filloi me e gjuejt kullen me top. Atëherë Lleshi nëper flakë të pushkve del prej kullet, tue i çilë shteg vedit mjedis ushtrisë çanë rrethimin, mbërrinë tek një arkë fyshekësh, e shpërthen me tytë të pushkës e aty qindron si luàni. Rreth shtëpisë së tij kjenë gjetë 70 vetë të vdekun. Lleshit i plagosën nanën, vajzën dhe i vranë një nip; edhe ai vetë kje plagosë, por me ketë rasë pat shpëtue. Mbas dy muejsh kje varrue randë në një sulm të Durrësit, që kje kryesue prej Dedë Cokut, dhe me 28 Gusht vdiq në kuvendin Françeskan të Rrubikut, strehë dhe çerdhe e lëvizjes kombtare. – Gjeto Mark Ujka, trim e sokol prej Rapshët, u vra në Qafë Ugel. –  Nikë Gjelosh Luli, u dallue në shenj përveç tjerash për guxim e trimni në luftën qi u ba në rrethe të Deçiqit, kur turqit deshtën me e pushtue. Asht vra me 3 Maji. Kolec Marku: kje një ndër deshmorët e Rrushkullit me fis prej Triepshit, dhe u vra në Gushtin e vitit 1912. Gjelosh Gjoka asht kenë vojvoda i Bajzës së Kastratit. Tue kenë nëpunës i  qeverisë turke, pat urdhën prej Bimbashit me i ardhë në ndihmë, por ai nuk pranoi dhe doli në mal me të vetët, tue ngritë Flamurin e lirisë. Kolë Marash Vata: Djal vigan e hyll dritët, prijs i çetës së homeridve (kishte 18 vetë me armë e 11 vetë pa armë), i cilli, mbasi Dedë Gjo’Luli dha  shenjën e sulmit, mësyni me 24 Mars 1911 dy kaushat e Rapshës së Hotit. “Ma mirë dekë si burrat se gjallë me marre!”, kështu u foli të vetve para sulmit. Mbas një sulmi të terbuem, turqit patën dy të vdekun dhe dy të plagosun qi i kapën gjallë. Të nesërmen sulmuen kaushat e Traboinës. Lufta u ba ma e rrebtë. Atë ditë Kola me tetë sokola të tjerë të Traboinit ra deshmor për liri. Nga turqit u vranë 40, ndërsa tjerët u kapen rob. Ka edhe dragoj Tirane: Në luftë kundër turkut moren pjesë edhe Toptanët, ndër të cillët u dallue Masar Beg Toptani; po ka edhe Kosove: Ma e para lëvizje, si asht thanë ma nalt, filloi në Kosovë. Ndër ata që i prine çetave asht me u permendë: Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri, Riza Beg Gjakova, Zefi i Vogel, Hasan Beg Prishtina, Zenel Begu etj. Ka edhe Orë Shalet: djelm trima qi thyen ushtrinë e Turgut Pashës, tue e detyrue me u kthye mbrapshtë u kryesuen prej: Mehmet Shpendit, Atil Reguli i historisë sonë kombtare, qi me djelmët e Shalës, u shkoi në ndihmë edhe Malësorve. – ka edhe djelm si Zana Dibret: I pari që u çue kundër Turqve të Rinj kjé Basri Beu, ish deputet, i cili doli në mal me 60 vetë.  Ka sokola prej Zhubet: Me ketë emen thirren Bajrakët e Malësisë së Lezhës. Kryetar i kryengritjes së kësaj krahinë kjé Kolë Toma i Velës. Prej Berishët: Nji bajrak i Pukës marrë për krejtë krahinën e Pukës.”

Vazhdojmë ndër fakte tjera të padituna prej shqiptarëve...

Në librin “Nga kujtimet e mija” Imzot Luigj Bumçi, tregon: “Argjipeshkvi më çoi mue në Triepshë me u ndeshë me Malësorët e atij vendi e me ua diftue mesazhin e Mbretit. Zotnitë Don Nikollë Ashta e At Mati Prennushi më shoqnuen n’ atë udhtim, e një të diele nade heret fort u gjetëm te Kisha e Triepshit. Si u mblodhën Malësorët dola e si u përshëndeta me ta, u thashë këto fjalë: Zotni Argjipeshkvi ka dalë në Podgoricë me u pa me ju por, mbasi ai vetë nuk mujti me ardhë deri këtu, na ka çue ne. Ju falet me shndet e ju çon bekim. Të gjithë njëgojet u përgjigjën: Zoti i ngjatët jeten Argjipeshkvit e i faleminderës fort që na ka kujtue. Mbas këtyne fjalëve u thashë shka vijon: Argjipeshkvi më ka ngarkue me ju thanë edhe se Mbreti ju ka falë, veçse ju thrret me kthye ndër shtëpijat tua e ju ep fjalën se ka me ju shpërblye të gjitha damet që keni pasë. Ju luten Marash Ucit me folë për tanë, e Marashi mori fjalën e tha: Zotni, po na thue se Mbreti na ka falë. Shka me na falë? Na mos i kjoshim falë aspak Mbretit qyshë se ai në Kuvend të Berlinit na pat lëshue doret e na pat dhanë Malit të Zi. Gjithkush e di kangën:

“Hot e Grudë na i ka dalë fjala / i a ka falë Mbreti Nikollës”... Na qyshë atëherë nuk kemi pa ditë të mirë. Vendet tona i kemi ruejtë na vetë e s’ asht shkrep e gur që nuk i kemi la me gjak. Shka don me na falë pra  Mbreti? Por se jemi të vogjel, se me shtij pleq me Mbretin na Mbretin kishim me e qitë borxh.” (Imz.L.Bumçi “Nga kujtimet e mija”)

Po aty tek “Hylli i Dritës”, Imzot Luigj Bumçi shenon:

“Malësorët ishin mbledhë në një dhomë tek një shtëpi në Podgoricë për me u pa me Ministrin, ku e përcolla unë si përkthyes që më pat shenue Argjipeshkvi. Ishin në atë dhomë për shka më bie në mend: Dedë Gjo’ Luli, Dedë Nika i Grudës e disa të tjerë. Para se me hy Ministri, shkova tek Malësorët e u thashë që të caktojnë një ndër ta që të flitte n’ emen të të gjithëve. Kishin caktue Dedë Gjo’ Lulin. Si hyme n’ atë dhomë u fal Ministri me ta dhe u tha: Zotni kam ardhë prej Cetinet me ju pa. Dedë Gjo’ Luli po i përgjegjet: S’na ka pasë marrë malli për ty. Mue mu dote me ia përkthye. Si u ulem e ndejëm po i thotë Ministri: Mbreti ju do e ju ka falë. Dëdë Gjo’ Luli nuk e la me mbarue, e menjëherë i tha:

Mos na përmend Mbretin pse s’ kemi punë me te. Ai as nuk na njeh as nuk i di punët tona. Por ju që vini mbas Mbretit jeni të tanë hajna e manafikë e, ju e rreni si për ne si për të tjerët. Pra ai nuk ka shka na falë. Atëherë siellet Ministri kah unë e më thotë: Po pyeti këta zotni at librin që këta përmendin a e donë për vete a për të gjithë Shqipninë?... Dedë Gjo’ Luli iu përgjegjë: Ato pika që janë n’ atë librin e kuq i duem ma parë për vete, mandej për Shqipninë mbarë!

Ministri, i cili gjatë këtij kuvendi nuk kishte mujtë me mbajtë gjakftohtësinë, u çue mjaft idhnueshëm e më tha: Thueju se s’ kam me ardhë ma me u pa. Dedë Gjo’ Luli po i përgjigjet: S’ na ka pasë marrë malli për ty... Kështu mbaroi ky kuvend pa kurrfarë kënaqësije si pat fillue...” (Imz. L. Bumçi “Nga kujtimet e mija”).

Duhet vue në dukje se Kleri Katolik Shqiptar i atyne zonave, ku pjesa e madhe e Malësorëve kishin braktisë trojet e veta, menjëherë mbas përpjekjeve të pasukses të Argjipeshkvit Imz. Jakë Serreqi për me bindë Malësorët me u rikthye në fshatrat e lanuna shkret, të gjithë Famullitarët e atyne krahinave shkuen e u bashkuen me Malësorët e vet dhe kanë luftue përkrah tyne për Liri. E ky fakt nuk asht i fundit...

Lufta e tyne ishte e vendosun me u vazhdue deri në piken e fundit të gjakut. Bashkë me Malësorë u patën bashkue edhe mjaft djelm nga qyteti i Shkodres dhe i Podgoricës. Lufta mori hov edhe ma të madh tue ua ba të kjartë edhe qarqeve të nalta Europjane, se Malësorët e Malësisë së Mbishkodres do të vazhdojnë luften e Tyne për Liri të plotë të të gjithë Trojeve t’ Atdheut, në përputhje me Lëvizjen Mbarëkombëtare që ishte shtri në mbarë Shqipninë.

Shqiptarët qendruen tue ruejtë deri në fund pastertinë dhe atë nderim aq të madh që kishte perfshi mbarë Populli Shqiptar për Flamurin e Ringjallun të Gjergj Kastriotit...

Pothuej asnjë nga Këta Heroj nuk përmenden...vetëm pse i ka përjetsue At Fishta në kryevepren e vet “Lahuta e Malësisë”, e na prap sot vazhdojmë...dhe nuk i zamë me gojë..!

Po me mbasardhësit e Tyne, çka u ba..?

E turpi vazhdon edhe me këta prap sot!...

Po a mundej kush me shkrue për të vërtetën historike të këtyne ngjarjeve mbas vitit 1944, kur komunistët që në ditët e para të Dhjetorit 1944, pushkatojnë mu tek kthesa pa shkue tek ura e Lezhës, Trimin Dedë Coku, një nga Herojt që përmendet në vargun e pafund të Atyne Burrave, që gjithmonë u bane Mburojë e Atdheut, kundër cilitdo anmik që guxoi me dhunue Trojet tona dhe Flamurin e Atdheut!

Po a vetem Heroi Dedë Coku u pushkatue nga komunistët e pabesë anadollakë dhe sherbëtorë të shovenistëve serbë? Po çka ngjau me trashigimtarët e Dedë Gjo’ Lulit, tue fillue me  Trimin Gjelosh Luli e tue vazhdue me të gjithë të tjerët? Tradhëtarët komunistë shqiptarë vazhduen me zbatue ashtu si sot...porositë e shovenistëve serbë...

Sot Populli Shqiptar duhet të mësojë të vërtetën!..

O sot, o kurr!

Melbourne,  4 Janar 2026. Vazhdon Pjesa V



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx