Kerko: a
Nehat Hyseni: Zhdukja e plotë e pranisë së shqiptarëve në Vranjë me rrethinë
E premte, 23.01.2026, 06:54 PM
Zhdukja e plotë e pranisë së shqiptarëve në Vranjë me rrethinë
Shkruan
Nehat Hyseni
Prania historike e shqiptarëve në
Vranjë
Gjatë historisë së hershme, që nga
mesjeta e hershme e deri në fund të shekullit XIX, Vranja ishte një qytet me
popullsi të përzier etnike dhe fetare. Në këtë strukturë demografike,
shqiptarët myslimanë përbënin një shtresë të rëndësishme ekonomike dhe
shoqërore, si banorë qytetarë (zanatçinj dhe tregtarë), por edhe si banorë të
fshatrave përreth, të cilët merreshin kryesisht me bujqësi dhe blegtori.
Burimet osmane, si dhe autorë serbë,
ndër ta edhe Jovan Hadži-Vasiljevi?, përmendin qartë ekzistencën e mahallave
myslimane shqiptare dhe të familjeve shqiptare të islamizuara, shumica e të
cilave ishin autoktone dhe jo të ardhura.
Vranja në periudhën osmane
Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane,
në Vranjë ekzistonin xhami, varreza myslimane shqiptare dhe një strukturë
urbane tipike osmane, e përbërë nga hamame, mektepe dhe institucione të tjera
fetare e arsimore.
Duhet theksuar në mënyrë të veçantë
se shqiptarët në Vranjë ishin banorë vendas, autoktonë, dhe jo një pakicë e
ardhur.
Viti 1878: pika e kthesës historike
Viti 1878 përfaqëson pikën më
dramatike të kthesës historike në dëm të popullsisë shqiptare, në radhë të parë
të shqiptarëve myslimanë, por edhe të një pakice të konsiderueshme turke në
Vranjë me rrethinë.
Pas pushtimit serb, si pasojë e
vendimeve të Kongresit të Berlinit, ndodhën masakrime me karakter gjenocidal
dhe dëbimi masiv i shqiptarëve myslimanë nga Vranja dhe rrethina e saj.
Shqiptarët, përmes dhunës së egër dhe
të organizuar nga shteti dhe nga pjesë të popullsisë serbe, u detyruan të
shpërngulen me forcë drejt Preshevës, Bujanocit, Gjilanit, Kosovës qendrore dhe
Maqedonisë së Veriut. Këta të dëbuar njihen historikisht si muhaxhirët
e Vranjës.
Dëbimi, dhuna dhe asimilimi i
dhunshëm
Presionet e vazhdueshme, të
planifikuara dhe të organizuara për dëbimin e shqiptarëve nga shtëpitë,
pasuritë dhe pronat e tyre stërgjyshore, janë arsyeja kryesore pse sot Vranja
nuk ka më komunitet shqiptar autokton.
Pas vitit 1878, në Vranjë me rrethinë
mbizotëruan përdhunimet, dhuna sistematike, presionet ekstreme, asimilimi i
dhunshëm dhe zhdukja pothuajse e plotë e popullsisë myslimane. Një pjesë shumë
e vogël e kësaj popullsie u konvertua me dhunë në ortodoksi, u sllavizua në
emër dhe gjuhë dhe, në fund, u regjistrua si popullsi serbe.
Toponimia lokale dhe kujtesa
familjare ruajnë ende gjurmë të qarta të pranisë shqiptare, por pa një
identitet publik të njohur dhe të pranuar.
Situata e shqiptarëve në Vranjë sot
(shekulli XXI)
Sot, në Vranjë jetojnë vetëm disa
dhjetëra persona që deklarohen shqiptarë në regjistrimet zyrtare. Sipas
censusit të vitit 2011, në Vranjë jetonin vetëm 12 (dymbëdhjetë) shqiptarë,
ndërsa sipas censusit të vitit 2022, vetëm 19 (nëntëmbëdhjetë) shqiptarë, më
pak se 0.01% e popullsisë totale.
Këta janë kryesisht individë të
ardhur nga Presheva dhe Bujanoci ose pjesëtarë të familjeve të përziera.
Në Vranjë me rrethinë, në shekullin
XXI, praktikisht dhe realisht nuk ekziston më komunitet i organizuar shqiptar:
nuk ka shkolla në gjuhën shqipe, nuk ka xhami shqiptare dhe nuk ekziston asnjë
institucion kulturor apo arsimor shqiptar.
Një tragjedi e heshtur historike
Kjo gjendje përbën një tragjedi të
madhe njerëzore dhe një katastrofë të vërtetë humanitare, kombëtare dhe
historike, e cila për dekada me radhë ka mbetur temë tabu dhe pothuajse sekret
shtetëror.
Ky paradoks historik dhe kjo tragjedi
njerëzore kanë mbetur të pashënuara dhe të pastudiuara seriozisht, jo vetëm nga
historiografia serbe, por edhe nga ajo shqiptare.
Vranja, e cila deri në vitin 1878
kishte një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh autoktonë, që dominonin
jetën ekonomike dhe kulturore të qytetit, sot pothuajse nuk ka më asnjë
shqiptar vendas. Ndërkohë, Presheva dhe Bujanoci u mbushën me muhaxhirë të
dëbuar nga Vranja dhe rrethina e saj.
Pasojat demografike dhe historike
Kjo tragjedi e madhe njerëzore
shkaktoi ndryshime rrënjësore demografike, ndërprerje të dhunshme të
vazhdimësisë urbane shqiptare në Vranjë dhe zhvendosjen masive të shqiptarëve
drejt Luginës së Preshevës.
Përfundim
Shqiptarët në Vranjë kanë qenë
popullsi autoktone dhe e rëndësishme deri në vitin 1878; pas pushtimit serb ata
u dëbuan pothuajse tërësisht.
Sot, në Vranjë jetojnë vetëm 19 Shqiptarë,
më pak se 0.01%, dmth. një numër simbolik dhe pa vazhdimësi historike lokale.
Preshevë, 18 janar 2026









