Kerko: a
Idriz Zeçiraj: Këndellja e LDK-së e domosdoshme, e menjëhershme!
E premte, 23.01.2026, 06:56 PM
KËNDELLJA E LDK-SË E DOMOSDOSHME, E MENJËHERSHME!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Humbja
spektakulare e LDK-së, nuk është fundi i botës. Dhe, kjo humbje është kërkuar
"me qiri dhe me pishë, - siç shprehet populli, kur e mbushë kupën.
Kryetari Dr. Ibrahim Rugova e la partinë me 47 % të votave, pasuesit e tij e
sollën në 9.8 %! Megjithatë, po të veprohet me gjakftohtësi dhe mençuri, LDK-ja
parti e parë pluraliste në Ballkan, parti shtet-ndërtuese dhe shtet-formuese, e
pacene në krime dhe hajni zyrtare, me kapacitete të bollshme intelektuale dhe
atdhetare, i ka të gjitha mundësitë "të ngrihet në këmbë serishmi".
Madje, jo vetëm në kuotën e përqindjes, por edhe të bëhet konkurrente serioze,
për t`u bërë kryezonje si dikur.
Kryetari
i komunës të Istogut dhe anëtarë i Kryesisë të LDK-së, ka një porosi racionale:
"Nëse kryetari jep dorëheqjen, kryesia është në dorëheqje. Nuk do të
kishte kuptim një kryetar i ri në një kryesi të vjetër". Dhe, vërtet, nëse
pretendohet të bëhet retushim dhe arnime në kryesinë e LDK-së dhe në KP të
LDK-së, do të këtë hatërime e zemërime, deri në përçarje, larg qoftë, edhe ndarje.
Në
zgjedhjet e fundit, para ardhjes të Ilir Faratit kryetar i komunës në Istog,
LDK-ja fitoi vetëm me 13 vota diferencë nga partia e dytë. Ishte një mandat i
lodhtë. Sikur të mos mjaftonte kjo gjëmë, përgjatë atij mandati u penalizuan dy
grupe kuadrosh, kryesisht, drejtorë të Drejtorive komunale. Si zakonisht,
zvarritjet burokratike gjyqësore, arrestime e lirime, mbaroi mandati 4 (katër)
vjeçar!
Ilir
Ferati në zgjedhjet e vitit 2021, propozohet për kandidat për kreun komunal.
Qysh në nismë të fushatës parazgjedhore, i guximshëm dhe parimor, vuri një
standard të ri, i pari në nivel Kosove: "Asnjë drejtor i mandatit të
kaluar, nuk do të jetë drejtor në mandatin vijues". Për Ilirin ishte një
vendim i vështirë, sepse shumica e tyre kishin qenë bashkëpunëtorë të babait të
tij, Fadil Feratit.
Iliri
solli risi edhe në mënyrën e të bërit fushatë zgjedhore. Përjashto hapjen dhe
mbylljen e fushatës, të bëra në traditën zhurmuese, me pjesëmarrjen e kryetarit
të LDK-së, me shokë nga qendra. Por, përgjatë muajit fushator shpalosi
programin e tij, për drejtimin dhe zhvillimin e komunës, gadi heshturazi, por
bindshëm, vetëm me pak veprimtarë të LDK-së.
Kryetari
i ri i komunës të Istogut, zbatoi vendimin për emërimin e drejtorëve rishtarë,
i vetëdijshëm se jo të gjithë ishin mëkatarë. Por, heshtja, mos denoncimi,
tërthorazi i bëjnë fajtorë. Edhe premtimet e dhëna, në fushatë i realizoi dhe
zuri vendin e dytë në përformancën drejtuese të komunës në Kosovë. Në zgjedhjet
lokale të 12 tetorit 2025 Imri Ahmeti i Lipjanit dhe Ilir Fetahu i Istogut,
fituan komunat e tyre pa balotazh, pa pasur nevojë për një përballje të
dytëshme elektorale.
E
bëra këtë ekspoze besnike, duke qenë krejt afër të zhvillimeve të kohës.
Mirë
që mbahet Mbledhja e pritshme e LDK-së të hënën, më 19 janar 2026, lë të bisedohet hapur,
çiltërish e sinqerisht, për përgatitjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor,
sepse Kuvendi aktual nuk e ka të drejtën ligjore dhe as morale, për të zgjedhur
kryetar dhe kryesi. Sepse ka heshtur për prapësitë e strukturave partiake, duke
u bërë palë me opozitën destruktive e bllokuese PAN-iste. Dëmi i shkaktuar
është shumë dimensional, ekonomik dhe politik.
LDK-ja
është shquar për mençuri, urtësi dhe fisnikëri përgjatë këtyre dekadave.
Devijimet, deri në degradim, ndodhën pas amshimit të Presidentit Rugova. Si
bazë e kësaj të keqeje të madhe ka qenë lakmia, karrierizmi, por edhe ndërhyrja
e PDK-së, me SHIK-un kriminal të saj. Ndonjërin nga kryetarët, bashkë me ndoca
ministra, LDK-së ia ka zgjedhur Hashimi.
Është
skajshëm urgjente këndellja e LDK-së. Ndryshimi i statutit të LDK-së është i
domosdoshëm. Pisllëqet e statutit të ndryshuar, nga ai fillestar, janë bërë
enkas për vazhdimin e mandatit të një kryertari klanor. Andaj, duhet ndryshuar
para se të hyhet në zgjedhjet e pritshme.
Humbja
e LDK-së në zgjedhjet e fundit është e thellë, prandaj edhe reforma duhet të
jetë adekuate. Nëse shtrohet nevoja e dorëheqjes kolektive të kryesisë,
pavarësisht se jo të gjithë kanë fajësi të barabartë, megjithatë heshtja i
fajëson. Por, LDK-ja nuk duhet lejuar të dëmtohet e rrënohet më tej, për arsye
të ngecjes të reformave, individëve dhe grupeve fort të varura nga PDK-ja, duke
e rehabilituar atë për përgjakjen e burrave dhe të djemve të devotshëm, në veçanti,
nga trungu i familjeve atdhetare.
Çmontimi
i rugovizmit ka filluar me shuarjen e Aktivave, sepse këtë e projektoi Hashim
Thaçi, me SHIK-un e tij kriminal. Nëse do të quhen Aktiva apo Nëndegë, tashmë,
s`ka rëndësi. Por, duhet mbuluar e tërë gjeografia e Kosovës me anëtarësi. Dhe,
zgjedhjet të fillojnë nga baza, deri në qendër. Votimi i fshehtë i të gjitha
strukturave me kundër kandidatë.
Kompetencat
e kryetarit të partisë, të cilat, aktualisht, janë tej mbretërore, duhet
reduktuar, në favor të udhëheqjes kolegjiale, duke i dhënë hapësirë debatit
demokratik, shprehjes së lirë të mendimeve. Sepse, dibranët kanë një urtësi:
"Një mendje - asnjë mendje; dy mendje - gjysmë mendje; tri mendje - një
mendje".
Vërtet,
pas Dr. Rugovës, dy pasues të Tij janë larguar. Ndoshta edhe i treti, atë fat
do të këtë. Megjithatë, janë largime meritore.
I
pari, ndoshta, ishte më i pranueshmi, për ta trashëguar partinë, por nuk arriti
ta shmangë ndarjen e saj. Rivali i tij zhgenjeu shumë, sepse lidhje me artin
politik nuk kishte, ngaqë i fali, madje lehtësisht, komandantët përgjakës të
LDK-së, të cilët kurrë nuk janë penduar për krimet e tyre serike!
I
dyti, është katapultuar në krye të LDK-së nga Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij,
me klanin e rrënoi partinë e Rugovës.
I
treti, punoi shumë, por nën ndikimin e tutorit Isë, me klanin e tij, u vu në
qendër të skandalit unik - bllokim të Institucioneve, të Qeverisë dhe të vet
Kosovës.
Zotëri
Ilir Ferati deklaron edhe këtë: ""Praktika e eliminimit të kokave të
kryetarëve mendoj që është e gabuar"!
Mendoj
se kjo nuk i përket LDK-së, sepse ajo nuk ka eliminuar asnjë kryetar.
Përkundrazi, me veprimet e tyre, ata janë vetëvrarë!
Ndërkohë,
janë këta kryetarë, të cilët pas amshimit të Presidentit Rugova, kanë
seleksionuar, larguar dhe eliminuar politikisht nga LDK-ja kuadrot dhe
veprimtarët rugovistë të thekur, të përkushtuar për rugovizmin dhe
Atdheun-Kosovë.









