Kulturë
Vera Istrefaj: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Kukës shpreh solidaritetin e plotë me peticionin e komunitetit të shkrimtarëve shqiptarë
E enjte, 22.01.2026, 06:56 PM
REAGIM
LIDHJA E SHKRIMTARËVE
DHE ARTISTËVE, KUKËS, SHPREH SOLIDARITETIN E PLOTË ME PETICIONIN E KOMUNITETIT
TË SHKRIMTARËVE SHQIPTARË
Lidhja
e Shkrimtarëve dhe Artistëve Kukës shpreh solidaritetin e plotë me peticionin e
komunitetit të shkrimtarëve shqiptarë, i cili denoncon praktikat përjashtuese,
diskriminuese dhe klanore, në dhënien e
Çmimeve Kombëtare të Letërsisë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit,
institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës.
Mbështesim
kërkesën për rivendosjen e ligjshmërisë, transparencës, barazisë së zhanreve
letrare dhe respektimit të parimeve kushtetuese në administrimin e çmimeve
shtetërore të letërsisë. Anashkalimi i qëllimshëm i fushave të caktuara
letrare, veçanërisht i letërsisë për fëmijë, është i papranueshëm dhe dëmton
rëndë interesin publik, kulturor dhe kombëtar.
Shprehim
indinjatën tonë të thellë ndaj këtyre praktikave dhe i bashkohemi zërit
kolektiv të shkrimtarëve shqiptarë për një reformë të vërtetë, të drejtë dhe të
ndershme në politikat shtetërore të librit dhe letërsisë
Letërsia
për fëmijë është një fushë e veçantë artistike dhe edukative, e cila nuk shërben
vetëm për argëtim, por për formimin estetik, etik dhe kulturor të brezave të
rinj. Vepra si “Piter Pani”, “Pinoku” apo “Liza në botën e çudirave” janë
dëshmi se kjo letërsi mbart mesazhe universale dhe një rol të pazëvendësueshëm
në ndërtimin e botëkuptimit të fëmijëve.
Përcjellja
e vlerave, përdorimi i gjuhës figurative, lidhja me folklorin dhe imagjinata
krijuese janë mekanizma themelorë që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e
personalitetit të fëmijës. Për këtë arsye, letërsia për fëmijë duhet konsideruar
si art i rëndësishëm dhe jo si “literaturë e lehtë” apo dytësore. Kryeveprat e
saj lexohen, studiohen dhe respektohen njësoj si veprat për të rritur.
Në
vende si Suedia dhe Anglia, kjo letërsi trajtohet si prioritet kombëtar. Astrid
Lindgren dhe Roald Dahl janë kthyer në simbole kulturore me ndikim afatgjatë
shoqëror. Ndërsa tek ne, megjithëse rëndësia e kësaj fushe njihet nga
politikëbërësit dhe vendimmarrësit, ajo shpesh anashkalohet me vetëdije, pasi
nuk shihet si fushë që sjell përfitime të menjëhershme ekonomike.
Ky
qëndrim përbën një diskriminim të hapur kulturor ndaj letërsisë për fëmijë dhe,
më gjerë, ndaj vetë brezave që nesër do të mbajnë mbi supe zhvillimin e
shoqërisë shqiptare. Është një formë “vetëvrasjeje” kulturore, e motivuar nga
mendjengushtësia apo babëzia afatshkurtër e vendimmarrjes aktuale, duke harruar
se fëmijët, ndonëse nuk kanë fuqinë blerëse të të rriturve, janë investimi më i
madh i një kombi.
Vera Istrefaj
Kryetare
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kukës









