E hene, 19.01.2026, 04:04 AM (GMT)

Kerko: a

Besim Dema: Libër i gatuar me dashuri dhe bukuri vendlindjeje

E diele, 18.01.2026, 06:53 PM


Libër i gatuar me dashuri dhe bukuri vendlindjeje

(Shënime rreth librit “Vërça legjendë dhe realitet” me autor Meçan Hoxhën)

Nga Besim Dema

Në Panairin e 27 të librit në Tiranë, Shtëpia botuese 2M, me një sasi të kufizuar, ekspozoi dhe librin më të ri  të Meçan Hoxhës, “Vërça legjendë dhe realitet”. Autori ende nuk e ka marrë librin që ta vejë në dispozicion të lexuesve, po dhe aq kopje sa kanë rënë në duar të tyre kanë tërhequr vemendjen dhe janë bërë objekt diskutimi për suksesin e radhës të studiuesit e shkrimtarit, tashëmë mjaftë të njohur, Z. Meçan Hoxha. Një nga këto kopje të rralla në qarkullim më ra në dorë dhe mua, dhe ua them me sinqeritet se vlerat që gjeta aty i tejkaluan parashikimet e mia.

Libri është studim i mirëfilltë gjeografik, historik, social e etnokulturor. Ndërkohë është kompozuar e shkruar aq bukur, sa ngjason me një libër artistik, që, sapo të bie në dorë nuk shkëputesh pa e lexuar deri në fund. Në fund, i mbushur me gjithë atë informacion për resurset e krahinës, për historinë e banorëve të saj dhe për bukuritë që e hijeshojnë atë, kupton përmbajtjen e titullit “Vërça legjendë dhe realitet”.

Sa kuptim merrr ky titull mbasi e ke lexuar librin! Vërça, një krahinë jo aq e njohur për qytetarin shqiptar, mban brenda vetes mrekullira që të bëjnë krenar për vlerat që bart atdheu dhe populli ynë.

Në libër, mësojmë për këtë Krahinë nga studimet e thelluara dhe shpjegimi i qartë i profesorit të gjeografisë, historisë e kulturës, z. Meçan Hoxha. Që në fillim prekim seriozitetin e autorit për të shpjeguar përmbajtjen e emrit Vërçë. Është dashur punë, lodhje, përpjekje për të na treguar përmbajtjen e këtij emri që rrëfen krahinën. Studimi ka qenë i gjerë dhe shumë i vërtetë. Referencat në studim janë prej firmave me tituj të lartë shkencorë, fakt që e bën më të besueshëm përmbajtjen e emrit. Rezultati e çon në deklarimin: “Vërça është emër i lashtë, me përdorim lokal e me përmbajtje që emërton një vend malor me gjelbërim të përhershëm e që ndodhet më tutje, më larg, më lartë, në krye. Ky është kuptimi i emrit Vërçë, me të cilin vërçejtë kanë prezantuar veten dhe janë thirrur nga të tjerët.”

Vijojnë bukur konturet e krahinës, me përcaktim të qartë të kufijve fiziko-gjeografikë, brenda të cilëve përfshihen 49 fshatra, në një sipërfaqe rreth 40 mijë hektarë,  ku përqindjen më të madhe e zenë pyjet dhe kullotat. Mbështetur në studime serioze gjeologjike, libri na njeh më së miri me gjeomorfologjinë e tokëformimit të kësaj krahine dhe me pasuritë që ajo disponon. Unë që kam punuar mësues gjeografie e historie e di mirë se ç’vlerë ka ky libër për njohjen e vendlindjes. Malet, grykat e luginatna vijnë të përcaktuara saktësisht, të shoqëruara dhe me krijime artistike për këto zona të bukura. Një poet, me emër në letërsinë shqipe, është shprehur për to: “Me lëndinat kadife,/Shpirtin tim, te ti kam prurë,/Mbama përgjithmonë atje!...”

Studimet për monumentet e natyrës të habitin. Aty mëson se kjo krahinë ka 13 monumente natyre, që ia rrisin akoma më shumë bukuritë, sidomos vlerat turistike krahinës.

Shpellat janë studiuar mjaftë mirë dhe e freskët vjen shpella e Kabashit, si në një botë përrallash. Aty gjen Stalaktite e Stalagmite që janë quajtur “lule prej guri” e, që si mbjell askuash, sepse sipas studimeve gjeologjike, janë dashur mbi 80 milionë vite për t’u bërë. Tregues pozitiv për librin është shoqërimi me fotografi të bukura të sakta dhe me shumë vlerë.

Turistët dhe ata që duan gjeografnë ndalen, pushojnë dhe hulumtojnë te Kanioni i Holtës, me vlera të mëdha ekologjike dhe turistike. Edhe kalaja e Tërvolit ka zënë vendin e duhur në libër, si qendër e fortifikuar dhe dëshmi e një vandbanimi permanent, që nga koha e ilirëve.

Meçan Hoxha, gjithmonë ka shkruar mirë, po ky libër i ka kaluar kufinjtë e së mirës, sepse çdo shpjegim është mbresëlënës, konkret e shkencor dhe ka të gërshetuar me origjinalitet bukuritë natyrore me ato shpirtërore e njerëzore. Rrallë ndodh që brenda një studimi të gjesh shkencë, ndjenja dhe art.

Vazhdojmë me librin dhe ngjitemi malit, deri në Rove, ku të mahnit një bukuri tjetër e rrallë, lëndina e pyje pafund, ku gjelbërimit, siç shprehet autori:“Edhe bora nuk ia ndryshon ngjyrën”. Grabovën e kam njohur në një turne. “Moçalet e Grabovës”, po i njoh nga shkrmtari. Në këtë libër çdo faqe ka një vlerë, një befasi. Shkrimtarit nuk i ka shpëtuar edhe rrobulli i Valamares, apo Liqeni i zambakëve në Komjan. Më tej autori na ndalon të sodisim mrekullinë çudibërëse të ujrave të Liqenit të Zi, me origjinë akullnajore, i njohur në Shqipëri e më gjerë për vlerat kurative.

Shkrimtari gjithë vlera, Meçan Hoxha, trajton bukur legjendat mistike që i venë një stoli më tepër librit. Legjendat i ndan në disa kategori dhe shpjegon mistikën e tyre nga ndarja e kismetit deri te Guri me Mjekër. Pa e zgjatur libri është galeri, arkiv dhe muze i vërtetë i gjithë Vërçës nga lashtësia, luftërat e shumta, marrëveshjet, lidhjen e besës e shumë e shumë vlera të tjera.

Meçan Hoxha, në gjithë krijimtarinë e tij, frymëzimin kryesor e ka marrë nga vendlindja. Në jetën e tij, relativisht të gjatë, ai vetëm i ka dhënë vendlindjes. Me këtë libër, e them me bindje të plotë se ai ngul rrënjë për të mos u shkulur kurrë nga vendlindja e tij e dashur. Për të gjithë ne shokët e tij, Meçan Hoxha është model atdhetarie. Ky përkushtim e ka bërë që të ketë një jetë të suksesshme në të gjitha drejtime. Urimet më të mira për të e suksese librit!

Besim Dema, Durrës, më 18.01.2026



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx