Mendime
Basri Beka: Milazim Krasniqi dhe instrumentalizimi anti-shqiptar
E diele, 28.12.2025, 06:57 PM
Milazim Krasniqi dhe instrumentalizimi anti-shqiptar: Identiteti shqiptar është konsensus gjuhësor, jo shpikje ose produkt Osman
Nga
Basri Beka*
Pretendimet
e Milazim Krasniqit se identiteti shqiptar është i vonë, i shpikur ose i varur
nga Perandoria Osmane nuk janë thjesht gabim teorik, por përfaqësojnë një
kooperim të ideologjisë së Islamit politik me narrativën serbe, të cilat
bashkohen në dëm të shqiptarëve dhe të shqiptarizmit. Ky rol i Krasniqit, dhe
shprehja e frustrimit të tij, mund të jetë pasojë e detyrave të tilla që i janë
ngarkuar nga grupime si Vëllaznia Islame apo madje edhe qarqe serbe. Një i
ashtuquajtur albanolog nuk mund të përdoret thjesht për kauza anti-shqiptare,
dhe këto qëndrime janë tregues i një qasjeje jo-shkencore dhe ideologjike.
Pretendimet
se identiteti shqiptar është i vonë, i shpikur ose i varur nga Perandoria
Osmane bien poshtë përballë dokumentimit filologjik dhe historiografik.
Vetëemërtimi shqip/shqiptar është zhvillim i brendshëm gjuhësor dhe etnik, jo
produkt politik apo fetar.
Tezat
se shqiptarët janë formim i vonë, pa vazhdimësi dhe me identitet të
paqëndrueshëm, janë të pabaza. Burime bizantine si Arbanon dhe Arbanitai
dëshmojnë vazhdimësi etnike shumë para shek. XVII. Kalimi nga Arbër në Shqiptar
është një evolucion semantik i dokumentuar brenda gjuhës shqipe. Johann
Thunmann (1774) pranon qartë këtë vazhdimësi dhe e trajton si fakte.
Pretendimi
se identiteti shqiptar u formua gjatë osmanizimit dhe është derivat i
Perandorisë Osmane kundërshtohet nga faktet: Termi shqip shfaqet në tekstin
katolik Çeta e Profetëve (1685, Padovë), jashtë hapësirës osmane. Osmanët
përdornin emërtimin Arnaut, jo Shqiptar. Vetëemërtimi shqiptar lind jashtë
administratës osmane, pa funksion politik perandorak.
Pretendimi
se Shqiptaria është e lidhur esencialisht me Islamin dhe u konsolidua përmes
tij është i pabazë. Dokumenti themelor i Bogdanit (1685) është tekst i
krishterë me gjuhë identitare shqiptare. Vetëemërtimi shqiptar është gjuhësor
dhe etnik, jo fetar, duke përfshirë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë në mënyrë
simetrike. Islami është shtresë historike, jo themel i identitetit shqiptar.
Krasniqi
ngatërron tre nocione të ndryshme: Etnia: vazhdimësi antropologjike dhe
gjuhësore; Identiteti: vetëdije historike dhe kulturore; Kombi modern: formë
politike e shek. XIX.
Historiografia
serioze evropiane pranon se kombet moderne institucionalizohen në shekullin
XIX, por identitetet kombëtare nuk lindin nga hiçi. Të pretendosh se shqiptarët
para shek. XIX nuk kishin identitet kombëtar, por vetëm “etni”, është pozicion
reduksionist, i përdorur nga historiografia serbe për të mohuar vazhdimësinë
shqiptare.
Emri
“shqiptar” nuk është i imponuar politikisht, fetarisht apo administrativisht.
Ai u formua dhe u pranua si konsensus gjuhësor dhe identitar për të gjithë
folësit e gjuhës shqipe, pavarësisht emërtimeve të mëparshme rajonale ose
historike (ilirë, arbër, epirotë, maqedonë). Ky është proces organik, i
dokumentuar dhe në përputhje me modelet evropiane të vetëemërtimit etnik.
*Veteran i
UÇK-së, Politolog dhe Sekretar Organizativ i Organizatës “Shqiptaria”









