E hene, 22.12.2025, 11:32 PM (GMT)

Editorial

Gjon Keka: Dardan (Arbëror), ngrihu dhe ndiq rrugën e Gjergj Kastriotit

E hene, 22.12.2025, 04:58 PM


Dardan (Arbëror), ngrihu dhe ndiq rrugën e Gjergj Kastriotit

Nga Gjon Keka

Pas shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së flamurit në Krujë më 28 nëntor 1443, akti më patriotik i Gjergj Kastriotit dhe arbërorëve të tij ishte Kuvendi i Lezhës më 2 mars 1444, në të cilin u vulos Beslidhja e Shenjtë që do t'i korrte fitoret e njëpasnjëshme kundër pushtuesit otoman. Kuvendi i Lezhës ishte një ide e projekt i bekuar që doli vetëm nga një njeri i bekuar, i urtë, vizionar dhe përbashkues, sikur ishte kryeheroi ynë arbëror Gjergj Kastrioti.

Gjergj Kastrioti para arbërorëve të tij thoshte kështu: "Ëndërrova se isha në një grykë të errët e të pakalueshme, e cila gjarpëronte midis mureve të dhëmbëzuara e të thepisura shkëmborë. Kudo, nga lartësitë, nga të çarat dhe grykat, përbindësha të tmerrshëm më buzëqeshnin, duke kërcënuar të më shkatërronin. Çdo hap që guxoja të bëja lindte një përbindësh të ri, kështu që u dekurajova dhe u tremba, dhe më pushtoi neveria. Banorët e shëmtuar të kësaj gryke tundnin kokat e tyre të ashpra dhe zvarriteshin gjithnjë e më shumë drejt meje. Ndjeva gjakun tim të ftohej dhe një të ftohtë më kapte drejt e në zemër. Pastaj, papritmas, pashë një yll që shkëlqente fort lart mbi mua. Ai shkëlqente me mirësi në natën time dhe dukej se më premtonte fitoren. E ndoqa dritën e tij, e shikova lart në fatkeqësinë time dhe guximi m'u kthye. Me guxim eca përgjatë rrugës sime, duke kaluar përbindëshat që dridheshin nga frika nga afrimi im. Shpejt qëllimi u arrit; ylli u afrua gjithnjë e më shumë, duke u bërë gjithnjë e më i ndritshëm, derisa drita e kthjellët e ditës më rrethoi përreth. Atje qëndrova në hyrje të kështjellës së Krujës dhe njerëzit ishin mbledhur për të më përshëndetur dhe për të më udhëhequr triumfalisht në shtëpinë e prindërve të mi, në atdheun tim."

Ai e portretizoi me saktësi rrezikun e përbashkët për gjithë Europën dhe princat e mbretërit e saj, e mbi të gjitha për arbërorët e tij ilirë. Këshilli i Krujës në atë kohë u kënaq me këtë propozim; por vizioni ushtarak i Gjergjit tonë të Madh ishte më i gjerë dhe duke besuar te vetja dhe te arbërorët e tij të guximshëm, ai i dërgoi në vitin 1444 të dërguarit e sulltanit përsëri në Adrianopojë duarbosh, me një letër mirësjelljeje drejtuar Sulltan Muratit.

Gjergj Kastrioti ynë i madh e dinte dhe ishte i sigurt se hordhitë otomane do ta pushtonin Arbërinë sapo të shihnin se fuqia e Arbërisë po dobësohej, dhe se i vetëm një ditë do të shtereshin të gjitha mundësitë. Ai e dinte se sa ishte gjallë do të mbronte Arbërinë, por jo përgjithmonë, dhe kështu ai e dinte çelësin me të cilin Arbëria do të mund t'i bënte ballë një Perandorie armiqësore sikur ishte ajo otomane, dhe ky çelës i fitoreve dhe i mbrojtjes ishte bashkimi i të gjitha forcave trup e shpirt i arbërorëve. Ishte thelbësore të shfrytëzohej momenti dhe ai e hodhi këtë ide-projekt të bekuar të Beslidhjes së bashkimit me anë të ftesave që i bëri kryefisnorëve në të gjitha trojet e Iliro-Arbërisë. Britma e gëzimit, si ajo e ditës së rikthimit të tij në Krujë dhe ngritjes së flamurit arbëror, ashtu edhe ajo e ditës së Beslidhjes në Kuvendin e Lezhës që përshëndeti çlirimtarin e shumëpritur, u përhap në të gjithë vendin. Në të gjitha trojet e Iliro-Arbërisë, malet e fushat, në të gjitha luginat dhe buzë detit, britma e lirisë jehoi dhe arbërorët u dyndën për t'i bërë homazhe princit të tyre dhe shpëtimtarit të tyre.

Por Gjergji ynë i Madh e dinte më mirë dhe thoshte se tani nuk ishte koha për festime; ai e dinte detyrën e tij dhe veproi në përputhje me të, prandaj i ruajti dhe i mbrojti arbërorët e tij, as nuk i dha shpresa të mëdha, as nuk i premtonte asgjë, por punonte, vepronte dhe e udhëhiqte shtetin e tij në mënyrë shembullore duke u bërë një model i qeverisjes mbretërore për shumë vende të Europës dhe princat e mbretërve të asaj kohe. Me dorën e tij të bekuar e të aftë, plagët u shëruan dhe e gjithë Arbëria e tij u ngrit në një forcë të re dhe frymëzim homerik e heroik.

Kudo që shfaqej, vetë prania e tij madhështore i tmerronte otomanët. Britma, "Skënderbeu është këtu, Skënderbeu është atje, Skënderbeu po vjen" i detyroi nga frika tmerruese të iknin pa asnjë goditje shpate ushtarët armiq otomanë të sulltanit. Ai edhe sot është tmerri i renegatëve, mbetjeve otomane dhe injorantëve e radikalëve të errësirës së ideologjisë islamike që vazhdimisht e njollosin dhe sulmojnë figurën e shpëtimtarit dhe kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit (Skënderbeut).

Pas themelimit të Kuvendit të Lezhës, fitoret ishin frytet e kësaj ideje gjeniale të bashkimit të arbërorëve të tij, sepse vetëm të bashkuar mund të arrinte qëllimin e madh: ruajtjen e lirisë, pavarësisë dhe identitetit iliro-arbëror europian. Kështu, pas njërës nga betejat fitimtare të tij, ai hyri në kryeqytetin e tij dhe u prit me një procesion vërtet triumfal. Njerëzit vërshuan në masa të dendura, të shpërndara me gjelbërim përgjatë rrugës, entuziazmi i tyre i shprehur nga një mijë brohoritje. Bubullima e topave, tingulli i të gjitha kambanave kishtare me gëzim lajmëronte hyrjen e tij pas fitores dhe bubullima e borive u përzien me gëzimin e arbërorëve: gra, fëmijë, pleq, të rinj e të reja, të cilët i mbuluan me një shi lulesh ushtarët arbërorë të Gjergj Kastriotit që po vinin fitimtarë nga beteja.

Në portën e qytetit, princi i dashur dhe besnik i Gjergj Kastriotit, Vrana Konti, ishte i pari që e priti në krye të të gjithë garnizonit. Me ta parë, Gjergj Kastrioti kërceu nga kali, u hodh në krahët e njeriut të tij besnik dhe e përqafoi ngrohtësisht. Një britmë duartrokitjesh përshkoi të gjithë ushtrinë arbërore, sepse të gjithë ndiheshin të nderuar nga komandanti i tyre. Pastaj Gjergj Kastrioti vazhdoi rrugën e tij nëpër rrugët e dekoruara festë drejt kështjellës, në të cilën hyri si një mbret i vërtetë.

Aty brenda e prisnin të dërguarit e Papa Nikollës V, të mbretit të Hungarisë, të Republikës së Venedikut, të Filipit, Dukës së Burgundisë, dhe Alfonsit V, mbretit të Aragonës dhe Napolit, duke i ofruar urimet e princave të tyre dhe duke i dhuruar dhurata të çmuara. E gjithë Europa e krishterë i bëri homazhe. Të huajt u dyndën nga të gjitha anët për të parë heroin e famshëm dhe spektaklin e veprave të tilla heroike. Por mes të gjitha këtyre homazheve, Kastrioti nuk e harroi mirënjohjen. Ai i dha titullin e Dukës Vrana Kontit si mbrojtësit të guximshëm të Krujës, dhe e gjithë ushtria arbërore, e cila e kishte shpërblyer veten kaq mirë, u shpërblye me bollëk.

Vetëm mbreti Alfonsi V i kishte dërguar Gjergj Kastriotit ndihma me grurë dhe një pjesë ari. Gjergji i Madh refuzoi hapur ta pranonte këtë dhuratë më shumë se mbretërore, dhe vetëm me ndërmjetësimin e të dërguarve dhe me insistimin e tyre u pranua një dhuratë e tillë: "Të paktën pranoje këtë dhuratë, Skënderbe!" i tha i dërguari atij. "Në duart e tua, dhuratat do të shndërrohen në hekur, për të mbrojtur të krishterët e Europës."

Ndërsa Republika e Venedikut e gdhendi emrin e tij në Librin e saj të Artë dhe e mbuloi me nderime të çdo lloji. Kështu që në atë kohë Arbëria ishte fortesa e të gjithë Europës së krishterë. Ëndrra që kishte parë Vojsava, nëna e Gjergj Kastriotit, tregon një lidhshmëri me ëndrrën e një paraardhësi të tij të madh sikur ishte Aleksandri i Madh, ku Olimpia, nëna e tij, dikur ëndërroi të njëjtën gjë. Një pjesë e ëndrrës së nënës së Aleksandrit të Madh u bë realitet, dhe jo rastësisht ai mbante emrin e tij, pra Skënderbe (Aleksandër). Kështu me Gjergj Kastriotin u bë realitet edhe pjesa e dytë e historisë së ëndrrës së nënës së Aleksandrit të Madh dhe nënës së Gjergj Kastriotit të Madh. Kjo dëshmon se prindërit e tij, Vojsava dhe Gjoni, i kishin bekuar arbërorët dhe Arbërinë me lindjen e një Aleksandri të dytë të Madh në Gjergj Kastriotin (Skënderbeun).

Duke e ditur se vetëm nëpërmjet bashkimit në Kuvendin e Lezhës dhe aleancave me aleatët e tij europianë e rajonalë, jo vetëm Arbëria e tij por si rajoni, ashtu edhe Europa në përgjithësi, mund të ishte në gjendje t'i kundërvihej Perandorisë Otomane dhe sulltanëve të saj. Ndërkaq, ajo që e rriti shumë fuqinë e otomanëve ishte mbi të gjitha përçarja e botës perëndimore. Ata pak burra që e kuptuan rrezikun e afërt dhe u përpoqën me të gjitha forcat ta shmangnin atë, ishin të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e unitetit midis të krishterëve europianë dhe e vajtuan thellësisht mungesën e tij. Kështu, mbreti hungarez dhe ai napolitan e shumë të tjerë, pas bëmave të shkëlqyera ushtarake të kryeheroit tonë arbëror Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) kundër otomanëve, e ftuan atë në një aleancë më të ngushtë.

Gjergj Kastrioti jo vetëm që e mbrojti Arbërinë e tij, e cila ishte më e rrezikuara nga të gjitha vendet në atë kohë, por ai i ndihmoi dhe e mbështeti edhe mbretin e Napolit, si dhe mbështeti fuqimisht Kalorësit e Urdhrit të Gjonit të Rodosit.

Po e përfundoj këtë shkrim me fjalët e një kronisti europian (L.T.E. B., 1855) që shkruante si vijon: "Tani është koha të heqim dorë nga pena, meqenëse vdekja ia ka hequr shpatën nga dora Gjergj Kastriotit (Skënderbeut): ai ishte si një yll, epoka e tij hapësira e saj rrethore, të cilën heqja e yllit lë një boshllëk para nesh."

Sikur u pa më lart, Gjergj Kastrioti ishte shpresa e atdheut, mendja dhe krahu i të cilit shkatërruan zinxhirët e skllavërisë që otomanët i kishin vënë arbërorëve të tij. Gjergj Kastrioti thoshte me të drejtë: "Çfarë dobie ka një orë lirie nëse e ndjek skllavëria e përjetshme Arbërinë time?" Ai është ende gjallë, nëse jo fizikisht, është shpirtërisht në zemrat dhe mendjet e arbërorëve të tij të vërtetë.

Sot, si kurrë më parë, populli i Kosovës dhe tërë kombi ynë ka nevojë për frymën e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), ashtu që ne si popull të jetojmë frymërisht dhe trupërisht si dardano-arbërorë të vërtetë europianë dhe jo si të huaj në djepin tonë, në atëdheun tonë, atdheun e bekuar nga engjëlli ynë mbrojtës e shpëtimtari Gjergj Kastrioti (Skënderbeu).

Dardan (Arbëror), ngrihu dhe ndiq rrugën e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut); ajo është e vetmja rrugë që të çon në mënyrë të pashmangshme drejt fitores dhe bashkimit me familjen e natyrshme europiane.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx