Kerko: a
Kastriot Dervishi: Abedin Hoxha i Zyrës Sekrete
E diele, 14.12.2025, 06:56 PM
Abedin Hoxha i Zyrës Sekrete
Nga Kastriot Dervishi
Në periudhën 12 gusht
1928 – 3 dhjetor 1930 në krye të Zyrës Sekrete ishte gjirokastriti Abedin
Hoxha (1897-1954). Ishte financier dhe arkivist. I arsimuar në shkollën
rushdije të Rodosit, gjimnazin “Vefa” në Stamboll dhe një vit në kolegjin
gjerman “Gjorg” në Stamboll, hyri në shërbim të shtetit shqiptar në vitin 1915.
Pati funksione të ndryshme nëpunësi në Këshillin e Ministrave, Ministrinë e
Punëve të Brendshme, Këshillin Kontrollues.
Pas lënies së
detyrës, ishte nënprefekt: Shijak (1930-1931), Mallakastër (1931-1934),
Kolonjës (1934-1936, komunës këtu), Përparimit (Pogradecit dmth, 1936-1939). Në
7 prill 1939 ishte nënprefektura e vetme e cila u bë zëri i fortë kundër
pushtimit fashist. Për këtë arsye, Abedini u internua në Itali si antifashist.
Në vitin 1942 kthehet në Shqipëri e banon fillimisht në Fier e më pas në
Durrës. Në prill-tetor 1944 ishte sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së
Punëve të Brendshme.
U dënua nga
komunistët me 5 vjet heqje lirie dhe vuan dënimin në vitet 1945 – 1947. Në hetuesinë përkatëse nuk i tregoi vitet kur kish punuar në Zyrës
Sekrete, ndërsa përmendi vetëm persona që ishin arratisur nga Shqipëria. Pas
daljes nga burgu, punoi llogaritar shtypshkronje në Tiranë në vitin 1947, shef
llogarie në vitet 1948-1949 në ndërmarrjen e duhanit në Elbasan dhe në vitet
1949-1952 në ndërmarrjen e duhanit në Durrës. Pavarësisht se ishte tërhequr,
filluan ta raportojnë. Agjentët e Sigurimit të Shtetit, “Koburgu”, “Kafka e
kokës”, Gjuha shqipe”, “Sheftelia”, sjellin raporte kundër tij. Por sinjalin më
serioz e dha agjenti “Sinjali”, person i cili kish shërbyer dikur në vitet 1930
– 1933 si agjent i Zyrës Sekrete. Ai dëshmoi në vitin 1952 kundër shefit
të tij Abedin Hoxha.
Abedini u arrestua më
1.7.1954 në Elbasan. Merret sërish në pyetje, por përgjigjet se posti i tij
kishte qenë i një nëpunësi, pa karakter vendimmarrës. Më 2.11.1954 u internua
për 5 vjet në kampin nr.2 në Shtyllas të Fierit e më pas atë të Kuçit. Në
gjendje të rëndë shëndetësore u shtrua në spitalin e Tiranës, ku edhe vdiq më
5.5.1956.
Abedin Hoxha dhe persekutimi i familjes
Abedin Hoxha ishte
kushëri me Enver Hoxhën. Por ky i fundit, në librat e tij me kujtime, e ka
zhdukur emrin e tij dhe të vëllait tjetër.
Babai i Abedinit,
Rasim Hoxha ishte avokat dhe kishte 4 fëmijë: Abedinin, Muhametin, Fiqiretin,
si dhe një vajzë, Shpresën. Dy djemtë e tij, si Abedini dhe Fiqireti mbaruan
shkollat ushtarake në Austri dhe Itali, ndërsa Muhameti në Francë, si
inxhinier. Vajza e vetme e Rasimit, Shpresa, doli partizane dhe u martua me
Myqerem Fugën.
Mirëpo do të kalonin
vite dhe në librin “Vite të vegjëlisë”, Enver Hoxha nuk mund të rrinte pa
falsifikuar të kaluarën e fisit të tij, duke treguar edhe natyrën e tij
mosmirënjohëse, kur shkruan në lidhje me familjen e Rasim Hoxhës, këto rreshta:
“Në Fier duke punuar,
për herë të parë fitova disa lekë, pikërisht 25. Ja si i fitova: Atje ishte
avokat Rasim Hoxha, nga soji ynë, babai i Shpresës dhe Muhametit. Muhameti
ishte më i madh nga unë, ai mësonte në Francë. Si Rasimi dhe djemtë, ishin
fodullë. Vetëm Shpresa nuk ngjau fare me ta. Ajo, doli partizane, u bë
komuniste e mirë, luftoi me kurajë edhe kundër pjesëtarëve të familjes, të
cilët nuk qenë me ne. Pra, një ditë Rasimi më tha: “Hajde në zyrë, të më
kopjosh disa shkresa!”. Dhe unë vajta, shkrova e shkrova me ditë të tëra dhe
kur i mbarova, ai më dha 25 lekë, më mori edhe për drekë në shtëpi, pse kishte
ardhur Muhameti nga Franca”. (faqe 212).
Sikurse shihet, në
fillim Enveri shkruan se fëmijë të Rasimit ishin Shpresa dhe Muhameti, ndërsa
më poshtë brenda të njëjtës faqe përdor fjalët “djemtë e tij”, pra në shumës
dhe jo në njëjës. Enveri kështu ka hequr nga lista Abedinin dhe Fiqiretin, duke
harrur që më sipër ka thënë se Rasimi kishte vetëm një djalë. Rasimi, Abedini
dhe Muhameti, u burgosën nga regjimi komunist.

Në foto familjarë të
Abedin Hoxhës, ai, babai, nëna, gruaja, motra, etj.









