Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Takimi i Vitomiricës, në fshatin e kolonëve lindi PKSH-ja
E diele, 09.11.2025, 06:55 PM
Takimi i Vitomiricës, në fshatin e kolonëve lindi PKSH-ja
Nga
Kastriot Dervishi
Enver
Hoxha shiste cigare në dyqanin "Flora" kur rastësisht u informua nga
Tahir Kadare, (i cili kish shërbyer si një lloj koordinatori i grupeve
komuniste) për formimin e partisë komuniste në shtator 1941, pa pjesëmarrjen e
komunistëve të Korçës. U vu në lëvizje. E bindën Koço Tashkon se kishte vepruar
gabim që nuk e takoi Dushan Mugoshën dhe se duhet të shkonte në Vitomiricë për
rithemelimin e partisë. Së bashku me Koçon shkuan edhe Xhevdet Doda e Elami
Nimani (Fadil Hoxha kish ardhur më parë si pararojë). Dushani pranoi menjëherë
të takohej me ta dhe zhvilloi një bisedë ku merrnin pjesë komunistët e Kosovës
Boro Vukmiroviç, Pavle Joviçeviç dhe Ali Shukria. Koço Tashko kërkoi që të
rishikohej akti i formimit të në shtator 1941, me pjesëmarrjen e emisarëve
jugosllavë, duke u bërë një mbledhje e re rithemeluese e partisë. U krijua një
komisioni që do përgatiste formimin e PKSH-së (të tre u vranë më pas). Ishte
caktuar që në Shqipëri të shkonte Ali Shukria, por ky vendim u ndryshua dhe
atje shkoi Dushan Mugosha.
Për
ta sjellë Mugoshën nga Kosova në Shqipëri u dërgua Tahir Kadare. Gjatë kësaj
kohe, Grupi i të Rinjve, liroi Miladin Popoviçin nga kampi i Peqinit, vend ku
ai rrinte në gjendje të lirë, duke e dërguar fillimisht në Pezë e pastaj më 11
tetor 1941 në Tiranë.
Dushan
Mugosha qëndroi në Kukës, Pukë, Shkodër e më pas vijoi në Tiranë. Këtu u takua
me Miladin Popoviçin, Kristo Filipoviçin, Mihajlo Popoviçin dhe Stanko Daniloviçin.
Vetëm Miladini qëndroi në Shqipëri.
Me
cilësinë e instruktorit të PKJ-së në Shqipëri, më 30 tetor 1941, Miladin
Popoviçi i dërgoi një informacion të detajuar partisë së tij mbi gjendjen që
gjeti në Tiranë. Popoviç shkruan se në vend ishin gati 500 komunistë, kur në
fakt nuk bëheshin as 200 të tillë. Përpjekjet e mëparshme për formimin e
partisë, me “lidhjet trockiste” të Llazar Fundos, me të cilin “flirtonte” sipas
tij edhe Sejfulla Malëshova, kishin dështuar.
Takimet me partinë e Andrea Zisit u ndërprenë, ndërsa u ruajtën kontaktet me persona të veçantë të partisë së tij.

Në
foto një monument i ngelur në fshatin Vitomiricë. Foto e imja e vitit 2019.









