Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Formimi i parë i partisë komuniste
E shtune, 08.11.2025, 06:53 PM
Formimi i parë i partisë komuniste, në shtator 1941
Nga
Kastriot Dervishi
Më
parë, në vitin 1935, me ndërmjetësinë e Partisë Komuniste Greke ishte krijuar
në Athinë, Partia Komuniste Shqiptare me kryetar Andrea Zisin. Kjo mbijetoi
deri në vitin 1943. Nuk u shtri sa duhej në Shqipëri, ndërkohë që tri grupet
komuniste, të Shkodrës, Korçë dhe të Rinjve, nuk e njihnin atë. Gjendja e
grupeve në Shqipëri ishte diskutuar nga sekretari politik i komitetit Krahinor
të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën, Miladin Popoviçi qysh në
vitin 1939. Kumbarë për krijimin e PKSH-së u bë organizata provinciale
komuniste e serbo – malazezëve kolonë në Kosovë, me qendër në fshatin Vitomiric
afër Pejës. Kontaktet midis komunistëve të Kosovës (M. Popoviç dhe Dushan
Mugosha) dhe Shqipërisë (Grupin Komunist të Shkodrës) i vendosën Fadil Hoxha dhe
Emin Duraku, nxënës në Shqipëri.
Pas
pushtimit të Jugosllavisë, në korrik 1941, Miladin Popoviç, Mihajlo Popoviç
(vëllai) dhe Kristo Filipoviç, u arrestuan teksa udhëtonin nga Kosova për në
Mal të Zi dhe u dërguan fillimisht në burgun e Elbasanit e më tej në kampin e
Peqinit.
Në
mes të gushtit 1941, Fadil Hoxha erdhi në Vitomiricë. Kërkoi që dikush nga
komiteti krahinor të shkonte në Shqipëri. Në mungesë të Miladinit, komiteti
dërgoi Dushan Mugoshën. Me pasaportën e arsimtarit Hysni Zajmi (i cili shkoi atje
nga Shqipëria në prill 1941 si arsimtar, por që u bë komunist e u vra në vitin
1943 në Plavë), D.Mugosha u nis me Fadil Hoxhën në Shqipëri duke udhëtuar nga
Prizreni në Shkodër. Qëndrimi i parë i tyre zgjati 10 ditë.
Pas
Shkodrës, Mugosha dhe Fadili shkuan në Tiranë. Këtu, Fadili njihej me shumë
persona dhe dinte shumë shtëpi ilegale. Ndërmjetësi, pas disa zigzagesh të
lodhshme i takoi me furrxhiun Vasil Shanto, studentin Qemal Stafa dhe
marangozin Kristo Themelko.
Në
Tiranë, Mugosha dhe Fadili u takuan edhe me Grupin e të Rinjve, me “drejtuesit
e çuditshëm” Anastas Lulën dhe Sadik Premte.
Takimi
vijues me grupin e Korçës u paraqit i vështirë. Drejtuesi i tyre, Koço Tashko u
kërkoi letërpërfaqësimin dhe refuzoi t’i takonte. Për këtë arsye, mbledhjet e përbashkëta
u zhvilluan midis GKSH dhe GKR, në përfundim të të cilave u formua partia dhe
një komitet i përkohshëm qendror. Këtu Dushani parashtroi edhe kërkesën e
lirimit të Miladinit.









