Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Formimi i parë i partisë komuniste

| E shtune, 08.11.2025, 06:53 PM |


Formimi i parë i partisë komuniste, në shtator 1941

Nga Kastriot Dervishi

Më parë, në vitin 1935, me ndërmjetësinë e Partisë Komuniste Greke ishte krijuar në Athinë, Partia Komuniste Shqiptare me kryetar Andrea Zisin. Kjo mbijetoi deri në vitin 1943. Nuk u shtri sa duhej në Shqipëri, ndërkohë që tri grupet komuniste, të Shkodrës, Korçë dhe të Rinjve, nuk e njihnin atë. Gjendja e grupeve në Shqipëri ishte diskutuar nga sekretari politik i komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën, Miladin Popoviçi qysh në vitin 1939. Kumbarë për krijimin e PKSH-së u bë organizata provinciale komuniste e serbo – malazezëve kolonë në Kosovë, me qendër në fshatin Vitomiric afër Pejës. Kontaktet midis komunistëve të Kosovës (M. Popoviç dhe Dushan Mugosha) dhe Shqipërisë (Grupin Komunist të Shkodrës) i vendosën Fadil Hoxha dhe Emin Duraku, nxënës në Shqipëri.

Pas pushtimit të Jugosllavisë, në korrik 1941, Miladin Popoviç, Mihajlo Popoviç (vëllai) dhe Kristo Filipoviç, u arrestuan teksa udhëtonin nga Kosova për në Mal të Zi dhe u dërguan fillimisht në burgun e Elbasanit e më tej në kampin e Peqinit.

Në mes të gushtit 1941, Fadil Hoxha erdhi në Vitomiricë. Kërkoi që dikush nga komiteti krahinor të shkonte në Shqipëri. Në mungesë të Miladinit, komiteti dërgoi Dushan Mugoshën. Me pasaportën e arsimtarit Hysni Zajmi (i cili shkoi atje nga Shqipëria në prill 1941 si arsimtar, por që u bë komunist e u vra në vitin 1943 në Plavë), D.Mugosha u nis me Fadil Hoxhën në Shqipëri duke udhëtuar nga Prizreni në Shkodër. Qëndrimi i parë i tyre zgjati 10 ditë.

Pas Shkodrës, Mugosha dhe Fadili shkuan në Tiranë. Këtu, Fadili njihej me shumë persona dhe dinte shumë shtëpi ilegale. Ndërmjetësi, pas disa zigzagesh të lodhshme i takoi me furrxhiun Vasil Shanto, studentin Qemal Stafa dhe marangozin Kristo Themelko.

Në Tiranë, Mugosha dhe Fadili u takuan edhe me Grupin e të Rinjve, me “drejtuesit e çuditshëm” Anastas Lulën dhe Sadik Premte.

Takimi vijues me grupin e Korçës u paraqit i vështirë. Drejtuesi i tyre, Koço Tashko u kërkoi letërpërfaqësimin dhe refuzoi t’i takonte. Për këtë arsye, mbledhjet e përbashkëta u zhvilluan midis GKSH dhe GKR, në përfundim të të cilave u formua partia dhe një komitet i përkohshëm qendror. Këtu Dushani parashtroi edhe kërkesën e lirimit të Miladinit.